Lajmet

Vdes Fatos Nano

Published

on

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano është ndarë sot nga jeta në moshën 73-vjeçare.

Prej disa kohësh ai ndodhej në reanimacion në një prej spitale private të vendit ku po mbahej nën kujdesin e mjekëve, teksa gjendja shëndetësore u rëndua gjatë ditëve të fundit.

Nano ka pësuar një arrest kardiak, ndërkohë që më herët është kuruar edhe për probleme me frymëmarrjen.

Një prej politikanëve më të rëndësishëm të vendit në periudhën post-komuniste, Fatos Nano është “zhdukur” dhe “rikthyer” në shumë momente kyçe për vendin.

I lindur në 16 shtator 1952 në Tiranë, ai u diplomua për ekonomi politike në vitin 1974 në kryeqytet dhe kulmin e karrierës së tij përpara se të rrëzohej regjimi komunist e pati 10 vjet më vonë kur u emërua si studiues i problemeve socio-ekonomike dhe reformave të ekonomive të tregut të vendeve të Bllokut Lindor në Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë, nën varësinë e ish-gruas së diktatorit, Nexhimije Hoxha.

Ai ishte pjesë aktive e zhvillimeve të vrullshme politike që ndodhën në Shqipëri si edhe në çdo vend tjetër të bllokut të Lindjes.

Pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991, Nano u mandatua kryeministër, detyrë të cilën e mbajti për disa javë, kur dha dorëheqjen për shkak të grevave që kishin nisur në gjithë vendin.

Ardhja e demokratëve në pushtet në vitin 1992, solli një periudhë të vështirë për Fatos Nanon.

Më 30 korrik 1993, Nano u arrestua në zyrën e Prokurorit, dhe u akuzua për “shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve zyrtare në lidhje me ndihmën italiane” dhe 9 muaj më vonë u dënua me 12 vite burg.

Megjithatë trazirat e vitit 1997 sollën lirimin e tij nga burgu dhe rikthimin aty ku të gjithë socialistët e donin: në krye të PS-së. Tre muaj pasi kishte dalë nga burgu ai udhëhoqi socialistët drejt rikthimit në pushtet, të cilin socialistët e mbajtën për 8 vite, por Fatos Nano pati sërish ulje-ngritjet e tij politike.

E megjithatë postin e kryeministrit e mbajti për një vit, kur vendosi të jepte dorëheqjen në 28 shtator 1998.

U rikthye edhe njëherë tjetër kryeministër në 31 korrik 2002 deri në humbjen e zgjedhjeve në qershor 2005, kur u detyrua t’i linte pushtetin kundërshtarit të tij që e kishte burgosur, Sali Berisha.

Prej atij viti ditët i jetonte mes Vjenës ku qëndronte me familjen dhe Tiranës ku vinte sa herë diskutohej se kush do të ishte Presidenti i ri i vendit.

Dëshira e tij për t’u bërë kreu i shtetit nuk iu plotësua as në vitin 2007 kur vendin ia mori Bamir Topi dhe as në vitin 2012 kur Berisha megjithëse e afroi, në fund zgjodhi të ndjerin Bujar Nishani.

I konsideruar si figurë liberale brenda të majtës shqiptare ai e shndërroi PS-në nga një parti bolshevike në një formacion të së majtës progresive.

E fundit, por jo më pak e rëndësishmja Fatos Nano ishte i vetmi nga politikanët e transicionit që ka dhënë dorëheqjen nga politika për të mos u kthyer më, pas humbjes së zgjedhjeve në 2005, raporton Top Channel./KP

Continue Reading

Vendi

Studentja e UBT-së shpallet fituese e vendit të dytë në Konkursin Ndërkombëtar “Riciklo – Kreativ 2026”

Published

on

By

Studentja e Universitetit për Biznes dhe Teknologji (UBT), Erika Hoti, është shpallur fituese e vendit të dytë në edicionin e sivjetshëm të Konkursit Ndërkombëtar Studentor “Riciklo – Kreativ 2026”.

Ky konkurs rajonal, që bëri bashkë studentë të arkitekturës nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, vlerësoi projektet më të mira që ndërthurin kreativitetin, qëndrueshmërinë mjedisore dhe vizionin arkitektonik.

Suksesi i studentes së UBT-së u arrit pas vlerësimit të kujdesshëm nga një juri profesionale ndërkombëtare, nën mbështetjen e Fondacionit Mane, TEG dhe programit B4Students, duke dëshmuar edhe një herë potencialin e lartë të studentëve të këtij institucioni në skenën mbarëshqiptare dhe rajonale.

Continue Reading

lajme

United Hospital avancon kujdesin për shëndetin e fëmijëve me shërbime të specializuara të kirurgjisë dhe urologjisë pediatrike

Published

on

By

Shëndeti i fëmijëve kërkon përkushtim të veçantë, vlerësim të kujdesshëm mjekësor dhe trajtim të përshtatur për çdo moshë. United Hospital ofron shërbime të specializuara në kirurgjinë dhe urologjinë pediatrike, duke u fokusuar në diagnostikimin dhe trajtimin e problemeve shëndetësore që mund të ndikojnë në mirëqenien dhe cilësinë e jetës së fëmijëve.

Një nga fushat e trajtimit përfshin vlerësimin e problemeve të rënda të zorrëve dhe konstipacionit kronik, veçanërisht kur simptomat vazhdojnë pavarësisht trajtimit të zakonshëm. Në rastet e përzgjedhura, procedurat diagnostikuese dhe ndërhyrjet e specializuara mund të ndihmojnë në identifikimin e shkakut të problemit dhe përcaktimin e trajtimit më të përshtatshëm. Kur dyshohet për sëmundje të lindura të zorrës, analizat histopatologjike mund të jenë të nevojshme për konfirmimin e diagnozës, ndërsa trajtimi përcaktohet nga ekipi mjekësor në bazë të gjendjes individuale të fëmijës.

Për ta bërë kujdesin shëndetësor më të qasshëm për prindërit, United Hospital ofron vizita specialistike në kirurgji dhe urologji pediatrike edhe të shtunave, nga ora 10:00 deri në 16:00, me një ekip profesionistësh të përkushtuar ndaj shëndetit të pacientëve të vegjël.

Prindërit që vërejnë te fëmijët e tyre konstipacion të vazhdueshëm, dhimbje të përsëritura të barkut, fryrje apo shqetësime të tjera duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor, në mënyrë që shkaku të identifikohet dhe trajtimi të planifikohet në kohë.

United Hospital – kujdes profesional, vëmendje e veçantë dhe përkushtim për shëndetin e fëmijëve.

📅 Terminet: Çdo të shtunë, 10:00–16:00

📞 Kontakti: 038 60 70 70 / 046 60 70 70

📍 Lokacioni: M2, Prishtinë–Ferizaj, km 7, Prishtinë, Kosovë

Për informata mbi përshtatshmërinë e procedurave për fëmijën tuaj, konsultohuni me specialistët e kirurgjisë pediatrike./rajonipress/

 

Continue Reading

lajme

Dy persona të vrarë dhe një i plagosur në Livoç të Ulët, i dyshuari vetëdorëzohet në polici

Published

on

By

Policia e Kosovës ka konfirmuar se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas policisë, një burrë rreth 30-vjeçar është gjetur i vrarë brenda një veture, ndërsa një grua e së njëjtës moshë është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Gjilanit. Dyshohet se edhe ajo është qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Një person tjetër ka mbetur i plagosur dhe, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm.

Sipas informatave të policisë, i dyshuari dhe viktimat dyshohet se kanë pasur lidhje familjare.

I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri që dyshohet se është përdorur në rast.

Ngjarja është raportuar rreth orës 14:25 të së premtes. Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivin e kësaj ngjarjeje, i cili ende nuk dihet.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Dy persona të vdekur dhe një i plagosur në Gjilan

Published

on

By

Një rast i rëndë është raportuar në Gjilan, ku dy persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur.

Sipas drejtorit të QKMF-së në Gjilan, Basri Kamberi, personat që janë gjetur pa shenja jete janë një burrë dhe një grua, raporton Ekonomia Online.

Continue Reading

Të kërkuara