Lajmet
Dokumenti i shtatorit 1999: Hashim Thaçi shkoi në Prekaz për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari
Published
7 months agoon
By
UBT NewsE Përditësuar:
13:35 – Gjatë shtatorit të vitit 1999, Hashim Thaçi kishte marrë rrugë drejt fshatit të Prekazit për të kërkuar mbështetje nga Rifat Jashari, në kohën kur ai e kishte menduar formimin e një partie politike.

Kështu lexohej në një dokument të datës së lartpërmendur, e për të cilin u fol sot gjatë dëshmisë së Jock Covey në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pos Jasharit, në dokument thuhej se Thaçi shkoi ta takonte edhe një komandant të UÇK-së në Drenicë.
“Lidershipi i UÇK-së është shpërbërë në disa parti, partia PBD që drejtohej nga Bardhyl Mahmuti dhe e cila binte më shumë në sy që ia ka dalë të tërheq mbështetjen e shumë përfaqësuesve dhe komandantëve të respektuar në terren të UÇK-së. Hashim Thaçi kryeministër i përkohshëm i Kosovës, e cila nuk njihej nga UNMIK, njoftoi se edhe ai do të formonte partinë e tij politike pa dhënë hollësi. Ai vizitoi fshatin e Prekazit ku u takua me Rifat Jasharin, që është i vetmi vëlla i mbijetuar i familjes së Adem Jasharit. Mbështetja e familjes së Jasharëve do të ishte avantazh në zgjedhje. Ai u takua edhe me komandantin e Drenicës së UÇK-së, por kishte ndasi midis Thaçit dhe Mahmutit i cili ka mbështetës të tij brenda segmentit të UÇK-së. Megjithatë këto janë lojtarë politik të rinj dhe nuk është e qartë çfarë agjende politike do të jenë ato”, lexohej në dokument.
Dëshmitari amerikan, Jock Covey tha: “Mund të pritej që një politikan të takohej me zgjedhësit megjithatë në qoftë se do të kisha lexuar një informacion të tillë në atë kohë, do të isha befasuar sepse nuk më dukej një gjë e natyrshme”.
Pos kësaj, Covey konfirmoi se gjatë asaj kohe, kishte informacione se kishte një lloj përçarje brenda UÇK-së.
“Kishim informacione që nuk kishte konsensus të qartë ndërmjet individëve të lartë të UÇK-së, kishte një lloj përçarje por nuk e dinim deri në çfarë mase ishte kjo përçarje. Ishim të informuar që nuk kishte konsensus ndërmjet udhëheqësve të lartë të UÇK-së”, tha Covey./D.B/EO
11:09 – Dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, Jock Covey derisa foli për UÇK-në tha para Gjykatës Speciale në Hagë se nuk ka pasur komandë qendrore.

Në ditën e parë të dëshmisë së tij në gjykatoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ai tha se “UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa ushtri”.
Ai foli për një takim i cili sipas tij ishte mbajtur për t’i bindur komandantët e zonave për marrëveshjen për çarmatim. Aty sipas tij, është vërejtur se marrëdhënia e Thaçit me komandantët e zonave ishte “e ndërlikuar”.
“Dukej sikur po konfirmonte fuqishëm atë që besonim që në fillim lidhur me zotëri Thaçin, kur jemi njohur me të, pra që ai kishte një marrëdhënie të ndërlikuar me komandantët në terren, dhe se ata kishin pak kohë, ose më mirë thënë, kishin shfaqur mungesë respekti ndaj tij, në këtë rast për të cilin po flasim, po të shohim këtë vizatim, më lejoni të kthehem pak prapa. Gjenerali Jackson i cili kishte mospajtim me gjeneralin Clark sa i takon përpjekjeve të rusëve për të marrë aeroportin përpara se KFOR-i të hynte në Kosovë dhe unë, gjenerali Clark dhe gjenerali Jackson, dhe është meritë e tyre kjo, kishim tejkaluar këtë mosmarrëveshje serioze dhe gjenerali Jackson pati nevojë që të sjelltë komandantët e UÇK-së dhe t’i rivendoste, t’i bindte ata që t’i pranonin kushtet e zbatimit të marrëveshjes, konkretisht marrëveshje për krijimin e një force mbrojtëse të Kosovës, si organizatë civile e paarmatosur, KFOR-i ishte afër afatit kohor, dhe i duhej ndihmë për t’i bindur komandantët për përgjigje pozitive”, tha ai.
“Zotëri Thaçi nuk kishte marrëdhënie të rëndësishme me këtë trupë të komandantëve në terren dhe kishte shumë pak gjasa që ata të kërkonin udhëzimet e tij, aq më pak urdhrat e tij, apo që të raportonin aktivitetet e tij te ai”, shtoi dëshmitari.
Duke folur për periudhën e vitit 1999, ai tha se e kishin kuptuar që në UÇK nuk ka pasur komandë qendrore.
“Ashtu siç e kemi kuptuar në atë kohë, nuk ka pasur komandë qendrore. Gjeneral Ceku ishte individi me më ndikim në UÇK, me shumë ndikim se të tjerët, megjithatë nuk duhej të ishte në një pozitë të tillë që të merrte përsipër këtë dhe kishte nevojë të dinte që kishte marrëveshje midis tyre. Gjatë takimit ne mund të shihnim gjeneral Çekun shumë të qetë i cili shikonte prapa për t’u siguruar që komandantët e mbështesnin, që mbështesnin hollësitë e marrëveshjes që po diskutohej. Neve na dhanë përshtypje që Çeku kishte nevojë të sigurohej që kishte konsensus që merrte pra mbështetje nga komandantët në terren. Dhe kjo ishte tërësish në përputhje me atë që kuptonim ne, sepse ne kuptonim që UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri ku secili individ në zona apo komandant në terren kishte autonomi të gjerë, qoftë kjo në realitet apo imagjinatën e tyre, por ata kishin këtë autonomi, ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre, që ishin të pavarur”, tha ai.
Jock Covey është dëshmitari i katërt në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner.
Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan./D.B/KP
10:18 – Jock Covey është dëshmitari i radhës në Hagë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Amerikani e ka nisur dëshminë para Dhomave të Specializuara sot, më 30 tetor.

Ai ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner.
Dëshmia e tij vjen pasi në gjykatore u dëgjuan dëshmia e ish-sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, ajo e ish-këshilltarit ligjor të ekipit të Kosovës në Rambuje, si dhe dëshmia e ish-diplomatit britanik John Stewart Duncan./D.B/KP
07:45
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku do vazhdojë paraqitja e provave të mbrojtjes me thirrjen e dëshmitarëve në këtë rast të gjykimit.

Specialja njofton se në këtë çështje gjyqësore pritet që dy dëshmitarë të japin dëshmi në sallë të gjyqit këtë javë.
Gjatë dy javëve të kaluar kanë dëshmuar tre dëshmitarë të thirrur nga Mbrojtja, si John Duncan i cili ishte dëshmitari i tretë i cili ishte një ish-punonjës i shërbimit diplomatik të Britanisë së Madhe.
Ai dha dëshmi kryesisht në seancë publike.
Në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerët për krime lufte, Trupi Gjykues më 18 shtator urdhëroi vazhdimin e paraburgimit për Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, duke konstatuar se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqet që të akuzuarit mund të pengojnë ecurinë e procesit ose të kryejnë vepra penale të tjera.
Trupi Gjykues gjykoi se lirimi i të akuzuarve në posedim të informacionit të ndjeshëm nuk do të ndihmonte mbrojtjen efikase të dëshmitarëve që kanë dhënë dëshmi tashmë ose të atyre që mund të dëshmojnë në procese paralele.
Në rastin e z. Selimi, Trupi Gjykues rikujtoi se duket se z. Selimi nxori informacion konfidencial për palë të treta të paautorizuara, çka përforcoi konstatimin e Trupit Gjykues se ekziston rreziku që z. Selimi të pengojë ecurinë e procesit.
Trupi Gjykues tha se të akuzuarit gjenden në paraburgim për një kohë të gjatë, por vazhdimin e paraburgimit e gjykoi të arsyeshëm bazuar në faktet se ndaj të akuzuarve janë ngritur akuza për krime të rënda ndërkombëtare, ku pretendohet se ata luajtën rol të rëndësishëm dhe mund të përballen me burgim të gjatë në qoftë se shpallen fajtorë./S.K/EO/
You may like
Opinione
Ditar: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 11 maj 1993-1998?
Published
10 hours agoon
May 11, 2026By
UBTNews
Derisa lajmet në vitet e mëhershme kryesisht kanë të bëjnë me aktivitete politike e raste të shumta të dhunës serbe ndaj shqiptarëve, lajmet e 11 majit 1998 pasqyrojnë luftën që po zhvillohej në shumë anë të Kosovës
(Foto: Ilustrim)
Në vitin 1993, lajmi kryesor i datës 11 maj ishte ai që kishte të bënte me lëvizjet e ushtrisë serbe në Kosovë.
Kjo është përmbajtja e tij:
Lëvizjet e ushtrisë serbe dhe përqëndrimi i tyre në pjesë të ndryshme strategjike në Kosovë, po intensifikohen gjithnjë e më shumë.
Sot në Gjilan, rreth orës 9.00, nga kazerma e ushtrisë serbe, në drejtim të fshatit Koretishtë, shkoi një formacion me mëse 70 ushtarë. Ushtarët ishin të pajisur me armatim të rëndë dhe të lehtë, si topa e minahedhës. Po ashtu, rreth orës 10.00, nga stacioni i autobusëve të këtij qyteti, në drejtim të Ferizajt, u nis kolona prej 11 kamionësh ushtarakë të tipit TAM. Në kamionë kishte ushtarë, që shoqëroheshin me armatim të rëndë dhe të lehtë.
Lëvizje të ushtrisë serbe ditët e fundit janë vërejtur edhe në kufirin midis Kosovës dhe Maqedonisë, në fshatrat Stanqiq, Pidiq dhe Shurdhan.
Sot, rreth orës 7.00, përsëri në aeroportin bujqësor të Dushanovës, ateruan dy helikopterë ushtarakë serbë. Gjithashtu në Dushanovë, dje në kthesën e rrugës që çon në drejtim të aeroportit, është vendosur një patrullë ushtarake serbe.
Ushtria serbe demonstronte praninë edhe në rrugët e Prishtinës:
Në kuadër të lëvizjeve të shtuara dhe të demonstrimit të forcës të ushtrisë serbe në Kosovë, dje nëpër udhëkryqet e Prishtinës ushtarët serbë, të armatosur me armë të lehta dhe të veshur me pancirë, përcillnin gjendjen. Është hera e parë gjatë muajve të fundit, në një mënyrë të tillë publike ushtarët serbë dalin në rrugë për të demonstruar forcën dhe pranin e tyre.
Ndërkohë, nëpër shumë pjesë të Kosovës, njësitë ushtarake serbe kanë zënë pozicionet strategjike, të shumtën duke i kthyer tytat e artilerisë dhe të armëve të rënda kah qytetet më të afërta. Një koncentrim i forcave serbe është vërejtur edhe në afërsi të Vushtrrisë.
Dje, një kolonë e ushtrisë shkoi deri në fshatin Shtupeq të Rugovës. Rugova është një grykë strategjike në afërsi të Pejës e banuar vetëm me shqiptarë.
Lajmet e tjera kryesore janë: Policia bllokoi një pjesë të tregut në Prishtinë; Në vend të djalit u mor peng nëna e tij; Policia serbe e Qollopekut vazhdon bastisjen e familjeve shqiptare; Në Nashec të Prizrenit u bastis një familje; Milosava Shoshkiq theu banesën e Ramiz Miftarit në Pejë; Përfaqësuesit e misionit të KSBE-së biseduan me autoritetet serbe në Odën Ekonomike të Kosovës; “Zëri i Amerikës”: U nënshkrua marrëveshja për korridorin Lindje-Perëndim nëpër Shqipëri.
Më 11 maj 1994, ka disa lajme protokollare. Një vizitë e presidentit të Shqipërisë Sali Berisha në Rumani, një vizitë e vëzhguesve të Bashkësisë Evropiane në Ulqin.
Lajme të tjera: Japonia i akordoi Shqipërisë një hua 20 milionë dollarë; Në paraburgim për zhvillimin e hetimeve; Katër vetave – 39 muaj burg; Policia financiare ua ndali hovin koncerteve në Suharekë; U promovua romani i ri i Emin Kabashit; Ushtria serbe provokon banorët e fshatit Galicë të Vushtrrisë; Aktivistët e LASH-it dhe Këshillit për Financim të Gjakovës u dërguan në Gjykatë serbe të Qarkut në Pejë; Edhe funksionari i instaluar serb në Kosovë kërkon ndalimin e punës së LDK-së së Rugovës;Në Pejë policia nxori edhe një familje shqiptare nga banesa; “Borba”: Serbët shpresojnë në gjendjen e status kuosë në Kosovë.
Rubrika “Represioni në Kosovë” ka këtë përmbajtje:
Ferizaj: – Sot, rreth orës 3,30 të mëngjesit, nën pretekst të kërkimit të armëve, policia arrestoi Milazim dhe Selman Zekën në rr.”Jusuf Gërvalla” në Ferizaj.
Në stacionin e policisë në Ferizaj, Milazim Zeka u torturua brutalisht dhe bëhet me dije se kundër tij u përdor edhe kaska elektrike. Selman Zeka u lirua me kusht që të lajmërohet nesër në orën 11 në stacionin e policisë në Ferizaj.
Sot në stacionin e policisë në Ferizaj, inspektorët serbë morën në pyetje Skënder Ferizin, anëtar i Kryesisë së Forumit Rinor të LDK-së Dega në Ferizaj.
Thirrjen për t’u paraqitur sot në stacionin e policisë në Ferizaj e mori edhe Haki Braha, koordinator i Sindikatës së Pavarur të Ferizajt.
Istog: – Pardje, inspektorët serbë morën në pyetje Sylë Maksutajn, kryetar i Aktivit të LDK-së në Sudenicë dhe anëtar i Kryesisë së Nëndegës së LDK-së në Vrellë të Istogut. Inspektorët serbë nga Sylë Maksutaj u interesuan të dinë rreth aktivitetit politik dhe për Këshillin për Financim të Istogut.
Deçan: – Pardje në orët e pasditës, policia nën pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpinë e Lush Demukajt në Deçan. Policia gjatë bastisjes shkaktoi dëme të mëdha materiale duke thyer e demoluar shumë orendi. Pas bastisjes, policia mori me vete Lushin dhe vëllain e tij Brahim Demukajn në stacionin e policisë në Deçan. Të lartëpërmendurit u mbajtën rreth dy orë në stacionin e policisë dhe u keqtrajtuan fizikisht. Vëllezërit Demukaj u liruan me kusht që Lushi të paraqitet sërish në stacionin e policisë në Deçan.
Pardje, policia bastisi shtëpinë e Haxhi Malokut në Irzniq. Meqë Haxhi Maloku nuk gjendej në shtëpi, policia bastisi shtëpinë e axhës së tij, emrin e të cilit nuk arritëm ta mësojmë.
Mitrovicë: – Pardje, policia arrestoi në shtëpinë e tij, Bekim Becajn nga Mitrovica, nxënës i shkollës së mesme. Bekim Becajn policia e pat arrestuar edhe më 5 maj, nën prtekst se disponon me një revole. Bekim Bekaj pardje në stacionin e policisë dorëzoi një pistoletë ajrore. Policia e rrahu brutalisht këtë ri, si dhe kundër tij përdori elektroshokun, të cilin ia vunë në organet gjenitale.
Bëhet me dije se Bekim Becaj gjendet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Dje në stacionin e policisë në Stantërg, nën pretekst të dorëzimit të armëve u keqtrajtuan fizikisht vëllezërit Ajet dhe Kadri Tahiri nga Sheshi i Vjetër.
Vëllezërit Tahiri u liruan me kusht që të paraqiten sërish dje në stacionin e policisë në orën 10.
Dje, policia bastisi shtëpinë e Nuhi Morinës në të cilën banon Bahri Bunjaku në rr.”Riza Voca” në Mitrovicë. Policët thyen derën dhe morën një pushkë gjuetie me leje.
Klinë: – Më 7 maj, policia nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi shtëpitë e Daut dhe Ismet Racit. Pas bastisjes, policia ua la thirrjet Daut dhe Shemsi Racit që të lajmërohen në polici më 8, 9 dhe 10 maj.
Podujevë: – Më 6 maj në Turuqicë, policia bastisi shtëpitë e Pajazit, Naim e Sabit Ajetit dhe atë të Ali Rrustemit. Në tri nga familjet e bastisura, policia gjeti nga një pushkë të vjetër, ndërsa personave të lartëpërmendur policia ua la thirrjet që të paraqiten në stacionin e policisë.
Po këtë ditë, policia bastisi shtëpitë e Rexhep dhe Jahir Rexhepit në fshatin Brainë. Njoftohet se personat e lartëpërmendur u keqtrajtuan rëndë.
Më 7 maj, policia bastisi edhe shtëpitë e Sylejman e Ismail Fetahut dhe ato të Beqir Azemit dhe të Murat Munishit. Njoftohet se Murat Munishi (70) u rrah rëndë në prani të anëtarëve të familjes.
Po këtë ditë në fshatin Konushevc, policia bastisi shtëpinë e Ismail Berishës. Njoftohet se pas bastisjes, policia mori me vete djalin e Ismailit, Zeqir Berishën, i cili u keqtrajtua fizikisht në stacionin e policisë në Lluzhan.
Pardje në Pollatë, policia bastisi shtëpitë e Niman L.Latifit dhe atë të Niman F.Latifit. Që të dyve iu lanë thirrjet që të paraqiten në polici.
Pejë: – Dje, rreth orës 15, policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve, kërkoi Adem Shalën, Halil Berishën dhe Ahmet Tafilajn nga Dobërdoli i Pejës. Këtyre iu lanë thirrjet të paraqiten në stacionin e policisë në Pejë.
Më 11 maj 1995, ndër të tjera, ishin këto lajme: Kryetari Rugova priti diplomatë norvegjezë e suedezë; Kryetari Rugova priti disa studiues grekë; “Zëri” kremton 50-vjetorin e botimit; Parlamenti Evropian shqyrton peticionin e shqiptarëve; Policia ndërhyri në objektet shkollore; Dhuna e përditshme në Kosovë; Doganierët serbë në Preshevë i morën revista e libra dr. Fehmi Aganit; PLK reagon kundër marrjes në polici të Gjergj Dedajt; Muhamet Halili bisedoi me Shtulin; Pse autoritetet maqedonase e mbyllën radiotelevizionin e pavarur “Era” në Shkup?; Eshtrat e shkrimtarit Bilal Xhaferrit varrosen në Shqipëri; Hapet festivali i dhjetë i filmit shqiptar.
11 maji 1998 ishte vit i luftës. Dhe lajmet ishin më të shumta e më të rënda.
Ja disa nga titujt e lajmeve të kësaj dite:
Të shtëna sporadike gjatë natës në Baballoq e Hulaj të Deçanit; Të shtëna me armë mbi fshatin Sllatinë të Prishtinës; Në fshatrat e Lipjanit janë vendosur shumë të ikur nga Llapushniku e Arllati; M. Ollbrajt: Kërkesat e Grupit të Kontaktit patjetër të zbatohen; Vetëm NATO mund të sigurojë paqen dhe stabilitetin; Në një tubim në Kragujevc u tha se në Kosovë në javë ka 700 shkelje të të drejtave të njeriut; Rahovec: Policia serbe keqtrajtoi rëndë një qytetar shqiptar; Nga vizita e diplomatëve amerikanë Hollbruk e Gellbard në Tiranë; Gazetat britanike për aktivitetin e diplomacisë amerikane në vijën Beograd-Prishtinë-Tiranë; Në manifestimin protestues në Prishtinë morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë; Gjatë tërë natës pati të shtëna armësh edhe në Cërmjan; Policia ndërhyri në zyrat e LDK-së, KMDLNJ-së dhe KKF-së në Gllogoc; Forcat serbe dëmtuan disa shtëpi në Llapushnik; Policia ndërhyri në disa familje në rrugën “R. Gajdiku” në Prishtinë; Të shtëna me armë në kazermën ushtarake në Mitrovicë; Polica arrestoi një aktivist të KMDLNJ-së në Podujevë; Mitrovicë: Shtatë shqiptarëve të arrestuar iu vazhdua paraburgimi edhe për 48 orë; Fushë Kosovë: Policia pyet për UÇK-në dhe inçizon shtëpitë e shqiptarëve; Policia ndaloi azilkërkuesin e kthyer; U hodhën bomba në dy lokale të shqiptarëve në Pejë; Policia serbe ka arrestuar tre shqiptarë të një fshati afër Klinës; Policia shkeli me pizgauer disa protestues në Shtimje; Shumë nxënës u keqtrajtuan në postbllokun e Nadakocit; Mitrovicë: Policia arrestoi katër veta; Viti: Policia serbe keqtrajtoi një qytetar dhe bastisi dy familje shqiptare; Në Pejë policët serbë keqtrajtuan një qytetar shqiptar; Në udhëkryqin e Duhlës policia serbe ndali autobusin dhe keqtrajtoi dy të rinj shqiptarë; Në shëtitjet protestuese në Vushtrri e Kaçanik morën pjesë mijëra qytetarë shqiptarë; Policia keqtrajtoi kryetarin e Degës së SHBP-së në Kaçanik; Në Biraq të Suharekës policia serbe keqtrajtoi katër shqiptarë; Gjykata serbe e Pejës i ka filluar hetimet kundër 13 shqiptarëve; Në rrugën Mitrovicë-Pejë janë plagosur katër serbë; Afër Komoranit u plagosën dy serbë; Dy civilë serbë rrahën e kërcënuan disa shqiptarë në Pejë; Dhunë e shfrenuar në Pejë; Baballoçi po sulmohet me artileri; Forcat serbe granatuan fshatin Cerovik të Klinës; Edhe në Gjilan po ngriten postblloqe të policisë serbe; Rruga Prishtinë – Pejë e mbyllur, policia shtin me armë në mbrëmje në Komoran.
Vendi
MINT publikon çmimet e reja të derivateve për fundjavë dhe të hënën
Published
1 day agoon
May 10, 2026By
UBTNews
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT) ka bërë të ditura çmimet maksimale të lejuara për derivatet e naftës, të cilat do të vlejnë për datat 10 dhe 11 maj 2026.
Sipas njoftimit të ministrisë, çmimi maksimal i naftës është caktuar në 1.61 euro për litër, ndërsa benzina nuk mund të shitet më shtrenjtë se 1.50 euro për litër.
Ndërkaq, çmimi maksimal i gazit është përcaktuar në 0.79 euro për litër.
Rritja e shqetësimeve për tregun e naftës po lidhet edhe me tensionet e fundit në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Irani ka paralajmëruar vështirësi për anijet e vendeve që mbështesin sanksionet ndaj Teheranit, duke shtuar frikën për ndikim në furnizimin global me derivate. Këto zhvillime kanë nxitur lëvizje dhe pasiguri në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Vendi
Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike
Published
2 days agoon
May 9, 2026By
UBTNews
Kosova po e shënon 9 Majin – Ditën e Evropës – mes simbolikës së orientimit të saj pro-evropian dhe sfidave që vazhdojnë ta përcjellin në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Ndonëse konsiderohet një nga shoqëritë më pro-evropiane në Ballkanin Perëndimor, vendi ende nuk ka marrë statusin e kandidatit, edhe pse aplikimi për anëtarësim u dorëzua në fund të vitit 2022.
Për më shumë se dy vite, procesi integrues i Kosovës u rëndua nga masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian, të vendosura pas tensioneve në veri gjatë vitit 2023. Këto masa sollën pasoja edhe në aspektin financiar, duke bllokuar mbi 600 milionë euro projekte dhe mbështetje për Kosovën, deri në fillim të vitit 2026, kur Brukseli vendosi t’i largojë ato.
Situata nxiti reagime dhe kritika për qasjen e BE-së ndaj Kosovës, sidomos në raport me zhvillimet në rajon. Ndërkohë që Kosova u përball me masa kufizuese, Serbia nuk u sanksionua në mënyrë të ngjashme as pas sulmit të armatosur në Banjskë, ngjarje që tensionoi më tej raportet mes dy vendeve.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se Kosova ka treguar vazhdimisht orientim të qartë drejt Bashkimit Evropian, sidomos përmes përafrimit të legjislacionit me standardet evropiane.
“Kosova është jashtëzakonisht shumë e përkushtuar drejt integrimit evropian. Të gjitha ligjet që janë miratuar që nga pavarësia janë në përputhje me ligjet e BE-së dhe në këtë aspekt Kosova është shumë e përgatitur”, thotë Arifi.
Sipas tij, megjithëse Kosova ka bërë progres në aspektin institucional dhe ligjor, pengesat politike vazhdojnë të mbeten vendimtare në procesin e integrimit.
“Procesi i integrimit nuk është vetëm teknik, por edhe politik. Problemi politik ka ndikuar që Kosova të stagnojë në këtë proces, edhe pse është ndër vendet më pro-evropiane jo vetëm në Ballkan, por edhe në shumë vende të Bashkimit Evropian”, deklaron ai.
Arifi thekson se një ndër vështirësitë kryesore mbetet fakti që pesë shtete të Bashkimit Evropian ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, krijon pengesa të vazhdueshme në avancimin e vendit drejt strukturave evropiane.
“Kosova ende nuk e ka statusin e vendit kandidat dhe kjo realisht e dëmton rrugën drejt integrimit. Në një mënyrë të vetëdijshme apo jo, vetë BE-ja po e dëmton procesin e integrimit të Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, shprehet Arifi.
Ai kritikon edhe vendimin për masat ndëshkuese, duke i cilësuar ato si të padrejta dhe me ndikim negativ për zhvillimin e vendit.
“Masat ndëshkuese të BE-së kanë qenë jashtëzakonisht të dëmshme dhe jokorrekte dhe kanë ndikuar shumë në potencialin tonë si shtet”, thotë ai.
Profesori vlerëson se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ndërtimin e standardeve evropiane, pavarësisht ritmit të integrimit formal në BE.
Ai shton se forcimi i institucioneve dhe funksionimi sipas standardeve evropiane duhet të mbetet prioritet i Kosovës, pavarësisht sfidave politike që e shoqërojnë procesin.
“BE-ja duhet ta bëjë një hap dhe ta pranojë Kosovën si vend kandidat. Kjo do ta ndryshonte edhe politikën e Serbisë, sepse do të kuptohej qartë se Bashkimi Evropian nuk ka më dykuptimësi për shtetësinë e Kosovës”, deklaron Arifi.
Pas heqjes së masave ndëshkuese, pritjet tashmë janë që institucionet e Kosovës të fokusohen në objektivat e ardhshme evropiane, përfshirë anëtarësimin në Këshillin e Evropës dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat.
Në Ditën e Evropës, Kosova vazhdon ta shohë integrimin evropian si synim strategjik, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje dhe trajtim më të barabartë nga Bashkimi Evropian.
Lajmet
MINT gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas parregullsive me njehsorët elektrikë
Published
3 days agoon
May 8, 2026By
UBTNews
Komisioni verifikues në kuadër të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës (AMK) po vazhdon me verifikimin e njehsorëve elektrikë pas ankesave të shumta të qytetarëve, proces ky që ka rezultuar me masa ndëshkimore.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se pas kontrolleve laboratorike të 16 njehsorëve, janë gjetur shkelje të rënda, për çka Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka shqiptuar gjobë ndaj KEDS-it në vlerë prej 35 mijë eurosh.
Nga analizat e detajuara laboratorike, në gjashtë raste është vërtetuar se njehsorët elektrikë kishin afat të skaduar të verifikimit, ndërsa në gjashtë raste të tjera janë evidentuar devijime në orë dhe datë. Po ashtu, inspektorët kanë konstatuar një rast të heqjes së miratimit të tipit të njehsorit, ndërkohë që tre pajisje të tjera janë ende në proces të ekzaminimit të mëtutjeshëm.
MINTI dhe Agjencia e Metrologjisë kanë bërë të ditur se ky aksion nuk do të ndalet me aq. Verifikimet do të vazhdojnë intensivisht edhe në ditët në vijim për të garantuar që çdo pajisje matëse funksionon sipas standardeve ligjore, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve nga faturimet e pasakta dhe sigurimin e transparencës në tregun e energjisë.
Ditar: Çfarë ngjarjesh shënuan datën 11 maj 1993-1998?
MINT publikon çmimet e reja të derivateve për fundjavë dhe të hënën
Irani paralajmëron tensione në Ngushticën e Hormuzit ndaj vendeve që mbështesin sanksionet
Kosova në Ditën e Evropës: Aspirata evropiane mes pengesave politike
Irani akuzon SHBA-në për “aventurë ushtarake të pakujdesshme”
MINT gjobit KEDS-in edhe me 35 mijë euro pas parregullsive me njehsorët elektrikë
Shqipëria synon mbylljen e 10 kapitujve të parë me BE-në: Plotësohen 27 piketa kyçe
Rashica kërkohet nga Bashakshehiri: Detajet e ofertës turke
Granit Xhaka shpallet “Lojtari i Vitit” te Sunderland, mes zërave për një kalim te Manchester United
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoUBT nderon Familjen Jashari me Dekoratën Jetësore të Nderit
-
Lajmet2 months agoKoordinatorja e projektit AKIL-EU në UBT, prof. Manjola Zaçellari, referon në University of Oxford
-
Lajmet2 months agoPërfundon seanca e sotme në Hagë për pengim të drejtësisë
-
Live3 months agoKryegjykatësi Smith III shpall mbylljen e çështjes gjyqësore
