Lajmet

Përfundon dëshmia e Jock Covey në Hagë

Published

on

E përditësuar

13:28 – Pas tre ditësh, ka përfunduar dëshmia e ish-zëvendësit të Bernard Kouchner, Jock Covey në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Pak para përfundimi, Covey foli për takimet me udhëheqës të UÇK-së, e për të cilat nuk i kujtohej nëse Hashim Thaçi ishte pjesë.

Këto ishin takime që Mike Jackson i thërriste, dhe ato kishin një qëllim të veçantë, të arrihet një marrëveshje angazhuese. Nuk më kujtohet nëse zotëri Thaçi ka marrë pjesë në takime, përveç një takimi të fundit të cilin e kam shpjeguar në hollësi”, deklaroi Covey.

Në fund, dëshmitari amerikan falënderoi të gjithë për mundësinë e dhënë./D.B/EO

13:10 – Jock Covey, dëshmitari i katërt i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi tha ky i fundit u trembej komandantëve të zonave. Megjithatë, derisa theksoi periudhën e Rambujesë në vitin 1999, dëshmitari tha të enjten se Thaçi nuk kishte thënë asnjëherë se kishte frikë, por sipas tij, kjo vërehej.

Derisa u përgjigj në pyetjet e gjykatësit Christoph Barthe, ish-zëvendësi i Bernard Kushnerit, e përshkroi Thaçin në atë kohë si një 30-vjeçar ambicioz.

Që u trembej ishte e qartë dhe në Rambuje, që ai është kërcënuar drejtpërsëdrejti, nëse pajtohej me kërkesat e komandantëve të zonave. Por ishte edhe sjellja e tij në përgjithësi e qartë, mënyra se si ishte shumë i kujdesshëm sa u takon marrëdhënieve me udhëheqjen e lëvizjes së UÇK-së, sikurse u thash më herët. Në profesionin tonë ne nuk kemi qasje asnjëherë në informacione të plota, thjeshtë nxjerrim disa përfundime të cilat i bazojmë në çka kemi parë dhe dëgjuar, por edhe bazuar në përvojën tonë jetësore. Unë kam qenë në situata të ngjashme me luftëtarë dhe me elementë keqbërës, dhe personat që shfrytëzojnë këto mundësi për të përfituar nga dhuna dhe unë pash një djalë 30 vjeçar ambicioz, politikan dhe e thash nuk është ky ai person”, tha ai.

Gjykatësi Barthe: Ju thatë që ishte edhe sjellja e tij në përgjithësi, zotëri Thaçi vetë nuk ua ka thënë që kishte frikë nga ndonjë person konkret apo nga komandantët e zonave?

Covey: Jo jo, absolutisht, nuk e lejon krenaria një person ta thotë një gjë të tillë, absolutisht. Ne e ndjemë ep amë vetë, konstatuam vetë diçka të tillë.

Ai gjithashtu u pyet për deklaratat e Thaçit atëbotë ku dënonte vrasjen e 14 serbëve në Grackë.

Gjykatësi i pyeti atë nëse Thaçi kishte bërë deklarata të tilla vetëm për ndërkombëtarët.

Në ditët e para të bësh një deklaratë të tillë ka një rrezik politik shumë të madh, edhe rrezik personal, dhe unë këtë e njoh shumë mirë, këtë e di shumë mirë, nga ambientet apo vendet ku kam qenë pas një konflikti. Persona që bëjnë komente të tilla vuajnë prej tyre, të bësh një deklaratë të tillë në ditët e para pas luftës nuk ishte me mend. Komentet e këtij lloji janë bërë disa herë: nëse po e bënte ai këtë për kredibilitet. Ne do të ishim shumë skeptik por është e qartë që ai i tha këto publikisht disa herë në ditët e parë dhe mua më duhet të them që për ne aso kohe ka qenë befasi, dhe sigurisht ne mirëpritëm diçka të tillë”, tha ai./D.B/KP

11:23 – Pyetja e fundit që avokati Luka Mishetiq i parashtroi dëshmitarit amerikan, Jock Covey, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, lidhej me pretendimet se Hashim Thaçi kishte synuar të merrte pushtetin në Kosovë përmes kryerjes së krimeve.

A keni parë ndonjë gjë që do t’ju bënte të besoni që Hashim Thaçi përpiqej të merrte pushtetin në Kosovë duke kryer krime, qoftë personalisht për t’i kryer këto krime, apo përmes pjesëtarëve të tjerë të UÇK-së që kryenin këto krime, pra në interes të tij”, pyeti Mishetiq, dëshmitarin.

Covey e mohoi këtë gjë.

Jo. Mendoj që shumë shpejt kemi arritur në vlerësimin se ai nuk e kishte pushtetin personal për të bërë që dikush tjetër të bënte një gjë të tillë, për më tepër, unë pra ne, arritëm në vlerësim se ai e dinte se nuk i kishte këto kushte, pra këtë fuqi. Ai filloi këtë karrierë duke zbuluar hap pas hapi atë si mund ta bënte për ta kuptuar krijimin e tij politik. Ishte detyra jonë që ta ndihmonim ne në këtë rrugëtim, pra duke punuar me UNMIK-un dhe institucionet, ky ishte angazhimi më i mirë që mund të kërkohej nga një politikan që po bënte atë që duhej. Këto veprime i shërbyen edhe interesave të tij personale, po e arrinte këtë gjë. Ritheksoj se nuk ishte vlerësim që u arrit duke qenë naiv, kishim gjykim të qartë dhe prisnim të shihnim se si Thaçi do shfaqej më tej në raport me neve”.

Covey ndër të tjera tha se Thaçi ishte shumë i zgjuar.

Ky person, një i ri që ishte ndoshta jo shumë i zhvilluar, por ambicioz dhe shumë i zgjuar, me ambicie politike të cilat ishin përtej aftësisë së tij për t’i imponuar këto ambicie, pamë këtë me interes se si ai po përpiqej të ecte përpara në rrugën në të cilën nuk kishte përvojë”, u shpreh dëshmitari./D.B/EO

10:20 – Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të enjten po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes- James Peter Covey, i cili ka qenë zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Pyetjet shtesë për dëshmitarin po i vijon mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.

Duke iu referuar një dokumenti të cilin Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit, nëpërmjet të cilit kërkonte armë për disa persona nga radhët e UÇK-së gjatë periudhës së demilitarizimit, Covey tha se e kanë kuptuar se tani i akuzuari ishte vetëm urë lidhëse.

Dje ose të paktën këto dy ditë sa kam qenë këtu, kemi parë një dokument që Thaçi ia kishte dërguar Kouchnerit ku kërkonte armë për disa persona të UÇK-së, dhe ne e dinim që në atë kohë sipas mendimit tonë kjo nuk duhet të ndodhte. Ne e kuptuam se kjo ishte një urë lidhëse. Kjo ishte përshtypja jonë. Po e kryente detyrën që ia kishin kërkuar të tjerët. Po përpiqej të mbante marrëdhënie të mirë me persona që donte t’i mbronte, nuk donte t’i mërziste këta persona. Pra, ne menduam se kjo sjellje u shfaq disa herë”, tha Covey.

Në një deklaratë të mëhershme, dëshmitari kishte thënë se raporti i Thaçit me disa veteranë ishte “në fije të perit”.

Lidhja e Thaçit me veteranët e vjetër të luftës që kishin luftuar nëpër beteja ishte në fije të perit dhe ishte shumë i kujdesshëm që të mos e tërhiqte shumë perin se mos këputej”, lexoi Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Duke kaluar tek një temë tjetër, me kërkesën e avokatit Mishetiq, seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin se ofruesi i informacionit ka kërkuar që të jetë informacion konfidencial.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë  James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Më 14 shtator 2025, në Hagë u mbajt një protestë masive në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së, ku morën pjesë qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare e mërgimtarë të shumtë.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./D.B/EO

Edhe sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në këtë seancë do të vazhdojë paraqitja e provave, nga dëshmitarët që janë ftuar nga ana e mbrojtjes së ish-presidentit Thaçi, dhe e njëjta është paraparë të nis nga ora 09:00.

Nga 11 dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja, deri më tani kanë dëshmuar katër prej tyre, James Rubin, Paul Williams, John Stewart Duncan dhe Jock Covey./D.B/EO

Vendi

Përfundon mandati i Osmanit, Haxhiu merr përkohësisht presidencën

Published

on

By

Presidentja Vjosa Osmani ka përfunduar të shtunën mandatin e saj, duke ia dorëzuar zyrtarisht detyrën kryeparlamentares Albulena Haxhiu, e cila nga tani ushtron funksionin e ushtrueses së detyrës së presidentes.

Në ceremoninë e dorëzimit, Osmani theksoi se po e mbyll mandatin me rezultate të rëndësishme, ndërsa Haxhiu u zotua se gjatë ushtrimit të këtij funksioni do të respektojë plotësisht Kushtetutën e Kosovës. Në përmbyllje të ceremonisë, Osmani i dorëzoi simbolikisht Kushtetutën pasueses së saj të përkohshme.

Haxhiu merr këtë rol pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit të paraparë. Sipas vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, Kuvendi ka kohë deri më 28 prill për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Ky afat u përcaktua pasi Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit.
Gjykata vlerësoi se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 5 mars, kur Kuvendi nuk arriti të votojë kandidaturat e Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha për shkak të mungesës së kuorumit.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se është në komunikim me liderët e partive më të mëdha opozitare për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Ai ka paralajmëruar edhe takime gjatë javës së ardhshme, pasi më herët kishte zhvilluar bisedime të ndara me Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku.

Zgjedhja e presidentit mbetet një nga çështjet kryesore politike në vend në javët në vijim.

Continue Reading

Lajmet

Përdorimi i minave tokësore në luftë: Rasti i Kosovës dhe vazhdimësia e rrezikut

Published

on

By

Shkruan: Dr. Arian Kadriu

Minat kanë qenë prej kohësh një instrument lufte i diskutueshëm për shkak të natyrës së tyre të pakontrollueshme dhe efekteve të qëndrueshme pas konfliktit.

Lufta e Kosovës (1998-1999) paraqet një studim rasti bindës si të dobisë taktike ashtu edhe të pasojave humanitare afatgjata të këtyre armëve. Instrumenti kryesor ligjor është Traktati i Otavës (zyrtarisht Konventa për Ndalimin e Minave, 1997). 1. Ndalon minat tokësore kundër personelit (APL); 2. Ndalon përdorimin, prodhimin, grumbullimin dhe transferimin e tyre; 3. Kërkon shkatërrimin e rezervave ekzistuese; 4. Detyron pastrimin e zonave të minuara dhe ndihmën për viktimat. Deri sot, mbi 160 vende janë palë në traktat.

Megjithatë, traktati NUK ndalon minat kundër automjeteve (anti-tank), megjithëse përdorimi i tyre rregullohet sipas kornizave të tjera si: “Konventa për Disa Armët Konvencionale (veçanërisht Protokolli II i Ndryshuar)”. Pra, ligjërisht minat kundër personelit janë të ndaluara për vendet që kanë nënshkruar traktatin, por jo të gjitha vendet e kanë nënshkruar atë, dhe disa ende i mbajnë dhe i përdorin ato ligjërisht. Gjetjet sugjerojnë se, ndërsa është bërë përparim i konsiderueshëm në çminim, rreziqet e mbetura mbeten veçanërisht nga municionet e pashpërthyera (UXO) dhe municionet thërrmuese – duke mbështetur kështu një shqetësim të fshehtë për sigurinë.

Minat janë simbol i luftës asimetrike dhe mbrojtëse. Kostoja e tyre e ulët, lehtësia e vendosjes dhe efekti psikologjik pengues i bëjnë ato tërheqëse si për aktorët shtetërorë ashtu edhe për ata joshtetërorë. Megjithatë, pamundësia e tyre për të bërë dallimin midis luftëtarëve dhe civilëve i bën ato një kërcënim të vazhdueshëm edhe shumë kohë pas ndërprerjes së armiqësive.

Logjika strategjike e përdorimit të minave në luftë prej një perspektivë ushtarake shpreh se minat funksionojnë si shumëzues force. Ato përdoren për të: Mohuar aksesin në territor, kanalizuar lëvizjen e armikut, mbrojnë pozicionet mbrojtëse, ju imponojnë kosto psikologjike armiqve apo kundërshtarëve. Efektiviteti i tyre i kostos është i dukshëm: kostot e prodhimit mund të jenë aq të ulëta sa disa dollarë për njësi, ndërsa kostot e heqjes mund të kalojnë qindra dollarë për minë. Megjithatë, kjo asimetri midis vendosjes dhe pastrimit nënvizon një paradoks më të gjerë strategjik: minat tokësore shpesh i mbijetojnë konflikteve për të cilat janë projektuar të shërbejnë, duke u transformuar nga asete taktike në detyrime afatgjata.

 

Minat gjatë luftës në Kosovë (1998-1999)

Në zonat e qeta të kodrave dhe fushave të Kosovës, nën barin që lëkundet sikur të mos ketë asgjë poshtë, mbetet një trashëgimi e heshtur lufte – një trashëgimi që nuk ndryshket aq shpejt sa venitet kujtesa. Minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera nuk janë relike të së kaluarës; ato janë kërcënime aktive të ngulitura në të tashmen, duke pritur jo me qëllim, por me indiferencë. Nga një perspektivë e sigurisë kombëtare, këto rreziqe të fshehura përfaqësojnë më shumë sesa rreziqe të izoluara – ato janë një faktor i vazhdueshëm destabilizues. Ato kufizojnë përdorimin e tokës, pengojnë zhvillimin e infrastrukturës dhe, ndoshta më kritikisht, gërryejnë ndjenjën e sigurisë së popullsisë në mjedisin e tyre. Siguria nuk përcaktohet vetëm nga kufijtë dhe forcat e armatosura, por nga besimi i qytetarëve për të ecur lirshëm nëpër tokën e tyre pa frikë nga ajo që fshihet nën këmbët e tyre.

“Çdo fushë e papastruar është një pikëpyetje në arkitekturën e paqes”, vëren një vlerësim i sigurisë. “Dhe paqja nuk mund të zërë rrënjë plotësisht aty ku vetë toka mbetet e pasigurt”.

Pavarësisht përpjekjeve të gjera për çminim që nga fundi i vitit 1999, rreziku nuk është eliminuar plotësisht. Zonat rurale, ish-vijat e frontit dhe terrenet më pak të arritshme ende paraqesin rreziqe, veçanërisht për ata, jetesa e të cilëve varet nga toka – fermerët, barinjtë dhe fëmijët që enden vetëm një hap shumë larg shtigjeve të njohura. Ky kërcënim ka edhe një dimension brezash. Për ata që e kujtojnë konfliktin, kujdesi mund të vijë instiktivisht. Por brezat e rinj, të distancuar nga emergjenca e luftës, mund të mos kenë të njëjtën vetëdije. Kjo krijon një boshllëk delikat, por të rrezikshëm – një boshllëk ku kurioziteti mund të mbizotërojë kujdesin.

“Edukimi për rrezikun nuk është një fushatë e njëhershme”, mund të argumentoj si ekspert i sigurisë kombëtare. “Ai duhet të evoluojë ndërsa kujtesa zbehet. Ndërgjegjësimi duhet të rinovohet, të rimësohet dhe të riimagjinohet për çdo brez”.

E megjithatë, ka diçka pothuajse poetike – megjithëse të zymtë – në mënyrën se si këto rreziqe vazhdojnë. Toka kujton atë që njerëzit përpiqen të harrojnë. Një livadh mund të lulëzojë përsëri, lulet e egra shtrihen drejt diellit, por poshtë tyre, historia qëndron në gjumë, metalike dhe e pafalshme. Pra, ndërgjegjësimi bëhet një formë vigjilence, pothuajse një ritual i qetë respekti. Shenja të vendosura përgjatë shtigjeve, mësime të dhëna në klasa, histori të ndara brenda familjeve – këto janë gardhet e padukshme që mbrojnë aty ku pastrimi fizik nuk ka arritur ende.

Gjatë luftës së fundit në Kosovë, minat tokësore dhe mbetjet e tjera shpërthyese të luftës (ERË) u vendosën gjerësisht. Ndikimi i menjëhershëm i tyre ndaj njerëzve ishte i rëndë. Në javët pas përfundimit të luftës, në qershor 1999, afërsisht 150 individë u vranë ose u plagosën nga minat dhe municionet e pashpërthyera.

Disa karakteristika që përcaktuan peizazhin e kontaminimit të Kosovës ishin përdorimi i gjerë i minave anti-personel nga aktorë të shumtë të lidhur me një burim – forcat paramilitare serbe. Gjithashtu ndikuan edhe mungesa e hartëzimit të saktë të fushave të minuara dhe kthimi i shpejtë i popullatave të zhvendosura në zona të pasigurta. Kombinim që prodhoi një nga nivelet më të larta të lëndimeve pas konfliktit në nivel global në atë kohë.

Intervenimi ndërkombëtar për çminim pas luftës

Pas luftës, Kosova u bë një vend i rëndësishëm i operacioneve ndërkombëtare humanitare të çminimit. Organizata të tilla si Forca e Kosovës (KFOR), Halo Trust dhe Ndihma Popullore Norvegjeze luajtën role qendrore. Përpjekjet e hershme (1999-2001) u përqendruan në pastrimin emergjent të infrastrukturës kritike, identifikimin e zonave të rrezikshme dhe fushatat e ndërgjegjësimit publik ku gjithashtu përfshiheshin ligjërata tematike nga ekspertët në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës. Këto iniciativa arritën sukses të matshëm. Mijëra pajisje shpërthyese u hoqën dhe sipërfaqe të mëdha toke u bënë të sigurta për përdorim civil. Megjithatë, optimizmi fillestar – siç ishin pretendimet në fillim të viteve 2000 – se problemi ishte “eliminuar praktikisht” – rezultoi i parakohshëm. Sondazhet pasuese zbuluan zona të minuara me perimetër më të gjerë sesa u vlerësua fillimisht.

 

A janë minat në Kosove akoma rrezik?

Pavarësisht progresit të konsiderueshëm, minat tokësore dhe municionet e pashpërthyera vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të mbetur në Kosovë. Të dhënat e fundit tregojnë se përafërsisht 10 kilometra katrorë tokë mbetet e kontaminuar me mbetje të municioneve thërrmuese. Rreziqet shpërthyese vazhdojnë në shumë komuna (të paktën 17). Dhjetëra mijëra pajisje shpërthyese janë hequr, megjithatë zbulimet e reja vazhdojnë dhe, për më tepër, mbi 500 viktima janë regjistruar që nga lufta nga shpërthimi i minave.

Rreziku sot është cilësisht i ndryshëm nga periudha menjëherë pas luftës, ku pasqyrohet frekuencë më e ulët, paparashikueshmëri më e lartë, përqendrim në zonat rurale, pyjore dhe më parë të kontestuara. Gjithashtu, ka rritje për aktivitete specifike (p.sh., bujqësi, ndërtim, ecje në natyrë) në zona ku mund të jenë akoma të minuara. Minat e pashpërthyera janë veçanërisht problematike për shkak të shpërndarjes së tyre të gjerë dhe paqëndrueshmërisë. Ka implikime socioekonomike dhe të sigurisë ku “ndotja” e mbetur vazhdon të kufizojë përdorimin e tokës dhe produktivitetin bujqësor, vonojë zhvillimin e infrastrukturës dhe të imponojë pasiguri psikologjike mbi popullatat lokale. Nga një perspektivë e sigurisë kombëtare, këta faktorë kontribuojnë në atë që mund të quhet “brishtësi pas konfliktit”, ku trashëgimitë e pazgjidhura të kohës së luftës dëmtojnë stabilitetin afatgjatë.

 

Kendveshtrimi Strategjik

Strategjia e Veprimit ndaj Minave e Kosovës (2025–2030) synon të eliminojë ndotjen e mbetur brenda dekadës. Arritja e këtij objektivi do të varet nga financimi dhe mbështetja teknike e qëndrueshme ndërkombëtare,Teknologjitë e përmirësuara të studimit dhe zbulimit dhe koordinimi institucional midis aktorëve vendas dhe ndërkombëtarë. Megjithatë, zhdukja e plotë është në thelb e vështirë. Siç sugjerojnë provat nga Kosova dhe rajonet e tjera pas konfliktit, mbetjet shpërthyese mund të mbeten të fshehura për dekada, duke u rishfaqur periodikisht.

Rasti i Kosovës nënvizon një mësim qendror në luftën moderne: dobia e minave është e kufizuar në kohë, por pasojat e tyre janë të qëndrueshme. Ndërsa ato mund të ofrojnë avantazhe taktike afatshkurtra, kostot e tyre afatgjata humanitare, ekonomike dhe të sigurisë janë të konsiderueshme. Edhe pse Kosova nuk është me ndër territoret më të kontaminuara në nivel global, ajo ende nuk mund të konsiderohet plotësisht e lirë nga rreziku. Minat dhe municionet e pashpërthyera vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim me probabilitet të ulët, por të vazhdueshëm, veçanërisht në zonat rurale dhe ato të kontestuara më parë. Për politikëbërësit dhe strategët ushtarakë njësoj, përvoja e Kosovës përforcon nevojën për të rivlerësuar rolin e minave tokësore në luftën bashkëkohore – jo vetëm në aspektin e efektivitetit të fushëbetejës, por edhe në lidhje me trashëgiminë e tyre të qëndrueshme.

Rruga e Kosovës përpara nuk përcaktohet vetëm duke hequr këto mbetje, por duke transformuar marrëdhënien e saj me to: nga frika në njohuri, nga rreziku në rrezikun e menaxhuar dhe në fund të fundit, në zhdukjen e plotë.

(Autori është profesor në UBT. Ky tekst i kushtohet Ditës Ndërkombëtare për Ndërgjegjësimin e Minave dhe Ndihmën në Veprimin ndaj Minave, që shënohet çdo 4 prill, me vendimin e datës 8 dhjetor 2005 nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së)

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Profesori John Doone: Në Gjilan zhvillohen ushtrime për tërmete, por Kosova ende nuk ka sistem të plotë të edukimit për emergjenca civile

Published

on

By

Në episodin e parë të podcastit “Inside Politics with Aja”, një format i krijuar nga studentët e Shkencave Politike në UBT, u diskutua një nga temat më të rëndësishme të sigurisë publike: gatishmëria e Kosovës për menaxhimin e emergjencave civile. I ftuar në këtë bisedë ishte profesori ndërkombëtar në UBT, John Doone, i cili solli një qasje praktike dhe kritike mbi mënyrën se si institucionet dhe komunitetet duhet të përgatiten për situata krize.

Në qendër të diskutimit ishte roli i ndërgjegjësimit publik dhe angazhimit të qytetarëve, të cilin Doone e cilësoi si elementin më të nënvlerësuar në sistemin e emergjencave. Sipas tij, asnjë shtet nuk mund të jetë plotësisht i përgatitur, nëse qytetarët nuk janë pjesë aktive e zinxhirit të reagimit të parë.

Duke theksuar rëndësinë e përgatitjes bazike të qytetarëve, Doone nënvizoi se investimi në këtë fushë është ende i pamjaftueshëm dhe i fragmentuar.

“Aspak. Nuk është as afër mjaftueshëm. Është një nga ato gjëra që, për të qenë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, ndoshta nuk ka kurrë investim të mjaftueshëm në këtë fushë. Është si me çdo gjë tjetër – të gjithë po luftojnë për një pjesë të buxhetit dhe për më shumë fonde. Megjithatë, ka raste të izoluara ku bëhet mirë. Për shembull, në Gjilan, në shkolla bëhen ushtrime për tërmete. Nuk janë të mjaftueshme, por ekzistojnë. Dhe kjo është diçka shumë e thjeshtë, që mund t’u mësohet fëmijëve brenda pak minutash, por nuk zbatohet në mënyrë të gjerë”, tha profesori Doone.

Ai solli si shembull pozitiv Gjilanin, duke e lidhur me përvojën e kaluar të qytetit me tërmete, si një faktor që ka ndikuar në vetëdijësimin më të madh lokal. Sipas tij, ky model duhet të zgjerohet në të gjitha komunat, pasi përgatitja bazike mund të bëjë diferencën në momentet e para të krizës.

Doone u fokusua te llojet e krizave ndaj të cilave Kosova është më e ekspozuar, duke përmendur sidomos zjarret pyjore dhe përmbytjet si fenomene të përsëritura çdo vit.

Sipas tij, analiza e thjeshtë e të dhënave historike tregon qartë një model të përsëritjes së krizave në të njëjtat zona, gjë që duhet të shërbejë si bazë për planifikim më serioz institucional.

“Nëse shikojmë historinë, çdo verë kemi zjarre pyjore. Dhe ato ndodhin zakonisht në të njëjtat zona. Shumica e tyre shkaktohen nga faktori njerëzor – nga pakujdesia, neglizhenca apo ndonjëherë edhe sjellja e papërgjegjshme. E njëjta gjë vlen edhe për përmbytjet. Nëse merr një hartë të Kosovës dhe vendos mbi të ngjarjet e 10 viteve të fundit, si për shembull përmbytjet e vitit 2015, 2016 e me radhë, do të shohësh qartë se ato përsëriten në të njëjtat pika. Kur i mbivendos të gjitha këto të dhëna, del një model shumë i qartë. Ka gjithmonë përjashtime, por në përgjithësi është kaq e thjeshtë për t’u kuptuar”, u shpreh Doone.

Ai vlerësoi se krijimi i ekipeve të vogla të trajnuara në çdo komunitet, së bashku me njohuri bazike si ndihma e parë dhe vlerësimi i rrezikut, mund të rrisë ndjeshëm kapacitetin e reagimit në nivel vendi.

Shikoni episodin e plotë të këtij podcasti: “Inside Politics with Aja”

Continue Reading

Kujtesë

DITARI: Çfarë lajmesh kemi lexuar në çdo 4 prill, në vitet nëntëdhjetë

Published

on

By

4 prill 1994

Lajm i plotë: Represioni i policisë serbe në Kosovë

Malishevë: – Më 1 prill në Mleçan të Malishevës, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjen e Alush Kryeziut, aktivist i LDK-së dhe i Këshillit për Financim të Malishevës. Pasi në shtëpinë e tij nuk u gjet kurrfarë arme, policët e morën me vete Alush Kryeziun në postkomandën e Kijevës, i cili gjatë dy orëve sa qëndroi në polici u rrah brutalisht.

Më 2 prill, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi edhe familjet e vëllezërve Ramadan e Tahir Krasniqit, Agim Bytyçit dhe atë të Hyd Krasniqit në Tërpezë të Malishevës.

Nga Malisheva njoftohet se aksioneve ndëshkuese të policisë serbe në forma të ndryshme po u ndihmojnë edhe disa mercenarë shqiptarë si Hetem Dobruna nga Llazica e Malishevës, Skënder Gashi, punëtor i Zyrës së Vendit në Kijevë, i cili nën arsyetimin se po grumbullojnë mjete për përforcimin e trafostacionit, nga qytetarët e këtushëm shqiptarë së bashku me serbin Dushko Stoshiq, nga familjet shqiptare po i kërkojnë nga 10 DM.

Mitrovicë: – Më 31 mars rreth orës 9 të mëngjesit, policia serbe nën pretekst të kërkimit të armëve bastisi familjet e Bajram Kërleshit, Adem Ademit dhe Shasivar Çelës në fshatin Reshan të Shalës së Bajgorës. Pasi në këto familje nuk u gjet kurrfarë arme, policia nga Adem Ademi kërkoi që të dorëzojë një pushkë dhe një revole, kurse tre kryefamiljarëve ua lanë ftesat që të paraqiten më 1 prill në stacionin e policisë në Stantërg, të cilët u mbajtën deri në mbrëmje nën kërcënimin se gjithësesi duhet dorëzuar armët.

Të njëjtën ditë e njëjta ekspeditë e policisë serbe arrestoi Tafil Xhafën (65) nga fshati Bare. Tafil Xhafa u mbajt një kohë të gjatë në polici, nga i cili kërkonin që të dorëzojë një pushkë dhe një revole.

Po këtë ditë, policia serbe arrestoi edhe vëllezërit Tush dhe Haki Istrefin në fshatin Bajgorë të Mitrovicës. Nga vëllezërit Istrefi policët kërkonin armë.

Po këtë ditë policia serbe mori me vete edhe Rifat Salihun nga Starasella e Shalës së Bajgorës, nga i cili kërkuan që të dorëzojë armë.

Me pretekst të kërkimit të armëve, sot një ekspeditë e policisë bastisi shtëpinë e Skënder Rifat Hasanit në lagjen “Tavnik” të Mitrovicës. Nuk u gjet kurrëfarë arme. U keqtrajtuan Skender Hasani dhe djali i tij Lulzimi, i cili u dërgua në stacionin e policisë.

 

Lajme të tjera:

Dr. Agani: Serbia përpiqet të përçajë lëvizjen shqiptare

UNIKOMBI angazhohet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Në Nju-Jork u botua libri për Kosovën me titull “Plagët e hapura” Helsinki Watch

“Education International” i shqetësuar për situatën e arsimit shqip në Kosovë

Lëvizje të ushtrisë në Mitrovicë

Në Prizren dhe Mitrovicë dëbohen nga banesat familjet shqiptare

Fatos Nano u dënua me 12 vjet burg

Gazetat serbe për procesin Nano

Komandanti i forcave të NATO-s në Evropë viziton Shqipërinë

 

 

4 prill 1995

Lajm i plotë: Edhe një proces i montuar politik

Bejtullah Ismaili – nënkryetar i Kuvendit të Komunës së Gjilanit, Beqir Hoxha – kryetar i qeverisë, Raif Sylejmani – kryetar i SP të organeve komunale të administratës, Halim Halimi – ish-drejtor i Radio Gjilanit, Ukshin Zajmi – gazetar i TVP, Rexhep Hamiti – ish-delegat i Kuvendit të RSFJ-së dhe ish-udhëheqësit e këtushëm politikë Milaim Zeqiqri, Ibrahim Morina dhe Asllan Bislimi, ky i fundit është paraburgosur gjatë dhjetorit të vitit të kaluar në procesin kundër ish-policëve shqiptarë u akuzuan nga prokurori serb Momqilo Antiq për vepra penale – “Bashkimi për veprimtari armiqësore” dhe “cenim të integritetit territorial” të sanksionuar sipas neneve 136 e 116 të Ligjit penal serb”.

Ndërsa kryetari i Degës së PSDK-së Nexhat Naxhaku u lirua pas gjashtë ditë mbajtjeje në arrest.

Mbrojtësi Hasan Hoti i tha “Bujkut” se katë persona pandehen se kanë organizuar vetëmbrojtjen shoqërore në komunën e Gjilanit dhe rojet në lagjet e Gjilanit e rrethinë gjatë vitit 1991 etj.

Dje po ashtu, njoftoi ky mbrojtës gjykatësi hetues serb në Gjilan, Mladen Nikoliq i ka marë në pyetje dy të pandehurit Beqir Hoxhën dhe Ibrahim Morinën. Ndërkaq, vazhdon marrja në pyetje në fazën e hetuesisë edhe e të pandehurve tjerë.

 

Lajme të tjera:

Kryetari Rugova u takua me ministrat britanikë Hërd dhe Hog

Deklaratë e dr. Hivzi Islamit lidhur me diskursin serb për problemet demografike të shqiptarëve

Në Tiranë u organizua rock protesta “Kosova ’95”

Filloi java e kulturës shqiptare në Geteborg të Suedisë

Policia serbe ndërhyri në lokalet e Fakultetit Ekonomik

Në Prishtinë policia plaçkiti sasi të mëdha malli në tregun e plaçkave dhe të pemëve

Dhuna e përditshme në Kosovë

Vazhdon dhuna ndaj banorëve të fshatit Grejkoc

Dhjetëra shqiptarë të keqtrajtuar në komunën e Vitisë dhe të Ferizajt

Drejtori i SHF “Edit Durham” në Mushtisht u dënua me 45 ditë burg

Policia ndërhyri sërish në SHMT “Marin Beçikemi” në Vushtrri

Boban Kërstiq, vrasësi i Fidan Brestovcit, para gjyqit

Autoblinda e përbashkët shqiptaro-sllovene

New York Times: Nafta u arrin serbëve përmes Shqipërisë

Për kolonistët serbë në Prishtinë jipen 122 banesa e shumë troje

 

 

4 prill 1997

Lajmet kryesore:

Konferencë për gazetarë e kryetarit të Republikës së Kosovës dr. Ibrahim Rugova

Socialistët serbë nuk marrin pjesë në tryezën e rrumbullakët në Nju-Jork

Për Beogradin Kosova kusht për t’u kthyer në botë

Ekspertët nisin procesin e hetimeve për përmbytjen e anijes së Shqipërisë

Shqipëria përgatit bazat për pritjen e forcës shumëkombëshe

Kontigjenti spanjoll i forcës shumëkombëshe do të përbëhet nga 300 trupa

Pangallos: Zgjedhjet në Shqipëri do të mbahen pa u penguar nga bandat e armatosura

Athina kërkon mbrojtjen e minoritetit grek në Shqipëri

Deputeti austriak kërkon angazhim të gjerë në Shqipëri

Forcat speciale vendosën kontrollin në Berat

Në Fushë Krujë u masakrua një familje gjashtanëtarëshe

Viktima dhe dhunë e shfrenuar në rrethe të ndryshme të Shqipërisë

Më 13 prill në Kroaci mbahen zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme

Sllovenia bëhet gati për NATO

Inspektorët dhe ata të tregut plaçkitën disa lokale hoteliere

Dhuna e përditshme në Kosovë

 

 

4 prill 1997

Lajm i plotë: Represion me pretekst të armëve në Podujevë

Podujevë: – Më 29 mars, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve, bastisi shtëpitë e Ilmi Jonuzit dhe të Rexhep Namanit në Orllan. Ata janë marrë në pyetje edhe më 31 mars në stacionin e policisë serbe në Podujevë, njofton KI i Degës së LDK-së në Podujevë.

Po këtë, policia serbe ishte në shtëpinë e Osman Tërmkollit në Dumosh. Ai u pyet për djalin e tij Afrim Tërmkollin, ish i burgosur politik, i cili gjendet në botën e jashtme. Afrim Tërmkolli qe mbajtur edhe në izolimin fakëkeq në Leskovc të Serbisë në vitin 1989, ndërsa më vonë pat ikur në botën e jashtme.

Po këtë ditë, policia serbe me pretekst të kërkimit të armëve mori në pyetje edhe babë e bir, Zenel e Idriz Fazliun nga Podujeva. Zenel Fazliu u keqtrajtua fizikisht dhe u urdhërua që të paraqitet sërish në polici.

Më 1 prill, policia serbe me pretekst të dorëzimit të armës ishte në shtëpinë e Agim Sokolit në Podujevë.

 

Lajme të tjera:

Forumi i Miqve të Refugjatëve kërkon kontroll parlamentar të kthimit të azilkërkuesve kosovarë

U aktivizua sërish vendkalimi kufitar në Dibër

Aktivistë të PPDSH-së merren në pyetje nga policia maqedone

Fërçkovski kërkoi heqjen e mandatit për Elizabet Renin

Shoqata “Gurrat e bardha” në Zvicër për arsimin shqip dha 10 mijë DM

Mësimdhënësit e komunës së Istogut i morën pagat për muajin janar

Ia plaçkitën 1500 DM

 

4 prill 1998

Edicioni i parë (Ora 15:00)

Lajm i plotë:

AFP: Oxhaqet nxjerrin përsëri tym në Likoshan

Agjencia AFP ka publikuar një raport të gazetarit Michel Moutot nga Likoshani, fshat që ishte objekt i sulmit terroristik serb në ditën e fundit të shkurtit të sivjemë. Më poshtë po e sjellim tesktin të plotë, sipas përkthimit të agjencisë Enter.

Tymi i oxhaqeve lajmëron kthimin e tyre, por fshatarët shqiptarë të Likoshanit, të traumatizuar nga masakra e 28 shkurtit, struken pas mureve të larta të fermave të tyre. Në tokën e zezë të kodrës që ngrihet mbi këtë qendër të vogël të banuar në mes të Kosovës, ndodhen 26 varre: ato të burrave të fshatit, të vrarë nga plumbat e forcave të posaçAme të policisë serbe pesë ditë para vrasjes së Prekazit, që shkaktoi 53 të vdekur disa kilometra më larg.

Një derë prej druri hapet pak. “Sapo pamë pluhurin që ngriti vetura tuaj në kodër, të gjithë u fshehëm”, shpjegon një i ri. “Jemi kthyer para dy ditësh, por kemi frikë nga gjithçka”. “Po, është qetësi. Por policët nuk janë larg. Përsa kohë që janë atje, mund të ndodhë gjithçka. Ata mund të kthehen të na vrasin kur të kenë dëshirë”.

Ganimete Gjeli nuk është larguar kurr nga oborri i fermës. “Përse? Ku të shkoj? E çfarë mund të ndodhë më keq se sa kaq”, përlotet ajo. I shoqi dhe vjehrri i saj u vranë gjatë sulmit. Ajo shpjegon se ata ishin me të në shtëpi, kur zjarri i armëve që hapën policët shkatërroi dritaret, fasadën e shtëpisë dhe vrau të dy burrat.

Pak më tej, personat që kanë mbetur gjallë nga fisi Ahmeti u kthyen për t’u vendosur në një banesë të improvizuar me dru dhe fletë plastike. Mbi portretet e gjashtë të rinjve të vrarë të këtij fisi është vendosur një flamur shqiptar me shqiponjën e zezë dykrerëshe. “Eshtë tradita e zisë”, shpjegon një nga burrat e fisit, i veshur me kostum të zi. “Miqtë, fqinjët na vijnë për vizitë. Pak janë kthyer deri tani në shtëpitë e tyre, por ata do të vijnë”. “Ishim familja më e madhe e Likoshanit, më e pasura, më e shkolluara. Pa dyshim, për këtë ata na vranë. Ata nuk u vranë në shtëpitë e tyre, por u nxorrën jashtë dhe u pushkatuan atje. Kishte policë, por edhe civilë me maska”.

Oxhaqet nxjerrin tym edhe në fshatin fqinj të Polacit, ku ka pasur vetëm një të plagosur me armë zjarri. “Serbët thonë se jeta është bërë përsëri normale, por kjo nuk është e vërtetë”, thotë një prej banorëve shqiptarë. “Policia na rrethon nga të gjitha anët. Gratë dhe fëmijët janë kthyer, sepse nuk kishin ku të qendronin. Kemi hapur dyer për 300 familje refugjatësh. Mund të mbahemi në këmbë një muaj. Po pastaj?”.

 

Lajm të tjera:

Kryetari Rugova priti diplomatin francez Zhak Blo

Xh. Rubin: Millosheviqi me shpalljen e referendumit luan me ardhmërinë e popullit të vet

  1. Kinkel: Integrimi i Beogradit në Evropë varet nga gjendja në Kosovë

NATO, Parisi dhe Belgjika reagojnë ashpër kundër propozimit të Millosheviqit lidhur me referendumin për Kosovën

  1. Surroi takohet me Talbotin dhe me Gelbardin

Dhjetë milionë eku për shëndetësinë kosovare

U granatua fshati Llaushë i Skënderajt

Mësimi filloi edhe në Qirez

Lëvizje të forcave ushtarake serbe në Mushtisht të Suharekës

Parulla antishqiptare edhe në xhaminë e Gjilanit

Dhuna e përditshme në Kosovë

Jakup Krasniqi u mbajt dy orë në polici

Regjimi dhe propaganda serbe përsëri manipulojnë me “shqiptarët e ndershëm”

 

 

Edicioni i dytë (ora 19:30)

Lajmet kryesore:

Gjendje e acaruar në Llaushë

Persona serbë të armatosur plaçkisin shqiptarët

Serbët të armatosur provokojnë qytetarët shqiptarë

U plaçkitën lokalet e SHF “Abdyl Frashëri” në Prizren

Policët serbë keqtrajtojnë udhëtarët e rastit

 

Foto: Likoshani

Continue Reading

Të kërkuara