Lajmet

Vazhdon rënia e numrit të nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës, është përgjysmuar për dhjetë vjet

Published

on

Nga viti 2010 e deri më sot, nëpër shkollat fillore shqipe në Luginën e Preshevës numri i nxënësve shqiptarë është përgjysmuar. Nga 7.246 sa kanë qenë në vitin 2010/11, dhjetë vjet pas janë vetëm 3.982 nxënës.

Shpërnguljet e mëdha të popullsisë nga vendet rurale në ato urbane, emigrimi dhe rënia e natalitetit, kanë ndikuar që shumë shkolla fillore shqipe në Luginën e Preshevës të vijojnë mësimin me pak nxënës, madje disa prej tyre me vetëm një apo dy.

Në tri komunat e banuara me shumicë shqiptare në jug të Serbisë: në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, numri i filloristëve shqiptarë është përgjysmuar për dhjetë vite me radhë. Nga të dhënat e siguruara nga drejtoritë e këtyre shkollave vërehet një rënie enorme nëpër vendbanimet rurale, sidomos ato në pjesën e Malësisë së Bujanocit e Karadakut të Preshevës.

Shkolla Fillore “Migjeni” në Muhoc të Bujanocit në vitin shkollor 2010/11, ka pasur gjithsej 246 nxënës, ndërsa në këtë vit shkollor, gjegjësisht më 2020/21 ka vetëm 90.

Një rënie e tillë vërehet edhe në fshatin më të madh të Bujanocit, në Tërnoc. Shkolla Fillore “Muharrem Kadriu”, në vitin shkollor 2010/11 ka pasur gjithsej 1.150 nxënës, kurse tani ka vetëm 467.

Në shkollën “Ali Bektashi” në fshatin Nesalcë, në vitin shkollor 2010/11, kanë qenë gjithsej 441 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 177.

Në Shkollën Fillore “Desanka Maksimoviq” në fshatin Bilaç, në vitin 2010/11 kanë qenë 529 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 235.

Në shkollën Fillore “Sami Frashëri” në fshatin Lluçan, në vitin 2010/11 kanë qenë 462 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 214.

Në Shkollën Fillore “Naim Frashëri” në qytet në vitin shkollor 2010/11 kanë qenë 437 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 401.

Në shkollat fillore në Komunën e Preshevës, gjithashtu vërehet një rënie e madhe e nxënësve, sidomos nëpër fshatra.

Në Shkollën Fillore “Dituria” në fshatin Corroticë, në vitin shkollor 2010/11, kanë qenë 402 nxënës, në vitin 2020/21 janë 198.

Në Shkollën Fillore ”9 Maji” në fshatin Leran, në vitin 2010/11 kanë qenë 551 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 220.

Në Shkollën Fillore “Selami Hallaçi” e fshatit Rahovicë, në vitin 2010/11 kanë qenë 534 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 295.

Në Shkollën Fillore “Migjeni” e fshatit Caravajkë në vitin 2010/11 kanë qenë 83 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 38.

Në Shkollën Fillore “Zenel Hajdini” e fshatit Raincë në vitin shkollor 2010/11 kanë qenë 289 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 254.

Në Shkollën Fillore “Ibrahim Kelmendi” në qytet në vitin 2010/11 kanë qenë 2.035 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë 1.347.

Shkolla Fillore “Abdulla Krashnica” e fshatit Miratoc kanë refuzuar t’i japin të dhënat pa ndonjë arsye.

Gjithashtu, edhe në shkollat fillore në Medvegjë ka një rënie të dukshme për dhjetë vjet. Megjithatë, atje vetëm një shkollë administrohet nga shqiptarët, vetëm Shkolla Fillore “ZenelHajdini” në fshatin Tupallë.

Nga të dhënat e kësaj shkolle, në vitin 2010/11 kanë qenë të regjistruar 21 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë vetëm 13. Sipas zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në këtë komunë, në vitin 2010/11 kanë qenë afërsisht 86 nxënës, kurse në vitin 2020/21 janë vetëm 46.

Shumica e drejtorëve nga këto shkolla kanë thënë që zvogëlimi i numrit të nxënësve ka ndikuar për shkak të rënies së natalitetit, por edhe gjendjes së vështirë ekonomike, e që për pasojë i detyrojnë familjet e shumta të ikin drejtë vendeve të perëndimit.

Drejtori i Shkollës “Zenel Hajdini” në fshatin Raincë të Preshevës, Shukri Ymeri u ka bërë thirrje autoriteteve komunale të bëjnë më shumë investime nëpër shkolla, gjë e cila mungon sidomos nëpër fshatrat malorë të këtyre komunave.

“Politika apo pushteti lokal i Preshevës duhet të bëj më shumë dhe urgjent një politikë shpresëdhënëse për këtë pakicë shqiptare që ka mbetë ende këtu”, ka thënë Ymeri, e që njëjtë sikurse ai mendojnë edhe shumica e drejtorëve të tjerë, të cilët apelojnë për kushte më të mira.

Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Ragmi Mustafi ka thënë se ky institucion ka për objektiv arsimin cilësor dhe se janë të përkushtuar në zgjidhjen e problemit të përdorimit të librave shqip, gjë e cila iu është mohuar nxënësve shqiptarë në këtë rajon për gati dy dekada.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar që në fillim ka përcaktuar si objektiv arsimin cilësor për shkollat me mësim në gjuhën shqipe. Kuptohet se për të pasur arsim cilësor nënkupton arritja e standardeve të nevojshme për realizim. Andaj, jemi shumë të fokusuar në sigurimin e lejeve të përdorimit të teksteve mësimore nga Republika e Shqipërisë dhe vitin e kaluar patëm një sukses të jashtëzakonshëm edhe pse ende nuk janë siguruar të gjitha librat shkollor për shkollat fillore e me standardet e reja të arsimit nuk kemi asnjë̈ tekst mësimore për shkollat e mesme. Sigurisht, rënia e numrit të nxënësve ka rrezikuar seriozisht funksionimin e procesit edukativo-arsimore në radhë të pare në shkollat që funksionojnë̈ në vendbanimet rurale”, ka thënë Mustafi.

Vitin e kaluar KKSH ka bërë shpërndarjen e librave shqip nga Shqipëria për nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës, e cila është bërë e mundur përmes një marrëveshje midis Ministrisë së Arsimit në Shqipëri dhe asaj në Serbi.

Mustafi ka potencuar se shumica e shkollave fillore, sidomos ato nëpër vendbanimet rurale nuk kanë kushte esenciale për të vijuar procesin arsimor.

“Në kushte optimale edhe pse kemi gati gjysmën e kuadrit arsimore me kontrata me afat të caktuar çfarë shprehet në pasigurinë e mësimdhënësve, aq më tepër kur emërimin dhe shkarkimin e bën Ministri i Arsimit nga Beogradi.

Ndërkohë që kemi shkolla që nuk kanë qasje fare në internet e rrjet të telefonisë. Disa kanë mungesë edhe të ujit. Megjithatë, nxënësit shqiptarë mbeten të hendikepuar me mungesën e teksteve mësimore si e drejtë themelore tek të drejtat e fëmijëve për arsim të dinjitetshëm”, shprehet Mustafi.

Ai thotë se janë të angazhuar që bashkë me Republikën e Kosovës dhe atë të Shqipërisë të sigurojnë progres në të ardhmen.

Për të zhvilluar procesin e arsimit cilësor, duhet të ketë kushte esenciale. E për të pasur kushte esenciale, duhet investime. Një gjë e tillë shpesh anashkalohet nga pushtetet lokale në këto tri vendbanime shqiptare në Serbi, e jo vetëm, investime nuk ka as nga ana shtetërore.

(Hulumtimi është përgatitur nga Driton Hyseni dhe Lirigzona Nuredini, studentë të drejtimit “Media dhe Komunikim” në UBT).

Vendi

Protestat kundër vrasjes së grave vazhdojnë për të dytën ditë, kërkohet dorëheqja e dy ministrave

Published

on

Protestat kundër vrasjes së grave në Kosovë kanë vazhduar edhe sot, për të dytën ditë radhazi, me pankarta që kërkojnë drejtësi dhe përgjegjësi institucionale.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta me mbishkrimet “Gjumi s’ka me ju marrë, flaka ka me ju dalë” dhe “Heshtja mbron dhunuesin, jo viktimën”, duke reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.

Ata po kërkojnë dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe ndjekjen penale të personave që, sipas protestuesve, kanë neglizhuar rastin e Zekajt.

Liridona Sijarina nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, gjatë fjalimit para ndërtesës së Qeverisë, ka deklaruar se protestat do të vazhdojnë çdo ditë deri në përmbushjen e kërkesave të organizatorëve.

Ndërkohë, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar nga detyra kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren e rastit të Arlinda Zekajt, Arlinda Nallbani Gacaferrin. Ndaj tyre është hapur procedurë disiplinore dhe është themeluar një panel hetimor për trajtimin e rastit.

Edhe Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për mënyrën e trajtimit të rastit të Zekajt, e cila u vra nga ish-kunati i saj.

Protestë kundër vrasjes së grave dhe për kërkimin e përgjegjësisë institucionale ishte mbajtur edhe një ditë më parë./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Mundësi mobiliteti Erasmus+ KA171 në Sapienza University of Rome – Itali

Published

on

By

UBT hap thirrjen për studentët e nivelit Bachelor nga programet Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Juridik, Psikologji, Inxhinieri e Mekatronikës, Studime të Sigurisë, Shkenca Politike, Shkenca Kompjuterike, Arkitekturë, si dhe Media dhe Komunikim, për mobilitet studentor në Sapienza University of Rome, Itali, në kuadër të programit Erasmus+ KA171, për semestrin pranveror të vitit akademik 2026/2027.

Sapienza University of Rome është një nga universitetet më të mëdha dhe më të njohura publike në Itali, me traditë të gjatë akademike dhe një gamë të gjerë programesh studimore dhe kërkimore.

Linku për aplikim

Afati i fundit për aplikim: 02.11.2026

Kujdes: Thirrja do të qëndrojë e hapur vetëm për 4 ditë!

Pas përfundimit të afatit, aplikimet do të shqyrtohen sipas kritereve të përcaktuara. Kandidatët që kalojnë fazën e parë të vlerësimit do të ftohen për intervistë, ndërsa studentët e përzgjedhur do të nominohen zyrtarisht nga UBT për mobilitet në Sapienza University of Rome.

Ftojmë të gjithë studentët nga programet përkatëse që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të studiuar në një nga universitetet më prestigjioze të Italisë, për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe për të zhvilluar më tej kompetencat e tyre akademike dhe profesionale.

Për informacione shtesë, mund të kontaktoni Zyrën për Marrëdhënie Ndërkombëtare në: [email protected].

Continue Reading

lajme

Një dashuri e shkruar në letra dhe e ruajtur nga historia

Published

on

By

Në Reporting House, në Prishtinë, ekspozita “Një mur na ndan ” sjell para vizitorëve një histori të veçantë dashurie, përkushtimi dhe idealizmi përmes mbi 50 letrave të shkëmbyera ndërmjet çiftit të UÇK-së, Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci, si dhe eksponateve të tjera që dokumentojnë rrugëtimin e tyre. Letrat u shkruan kryesisht gjatë kohës kur Fehmiu vuante dënimin si i burgosur politik në burgun e Stara Gradishkës në Kroaci.

Përmes fjalëve të shkruara, Xheva dhe Fehmiu ndanin mallin, emocionet dhe ëndrrat për një jetë të përbashkët, pavarësisht largësisë që i ndante. Letrat, të zbukuruara me lule të vizatuara, shkronja të shkruara me ngjyra kuqezi, poezi dhe prozë, dëshmojnë jo vetëm dashurinë e tyre të thellë, por edhe formimin intelektual, bindjet dhe përkushtimin ndaj Kosovës.

Ato pasqyrojnë dy njerëz që, krahas lidhjes personale, i bashkonte edhe ideali për lirinë e vendit. Një element i veçantë i ekspozitës është edhe kostumi i kuq i Xhevës, të cilin ajo e veshi kur u vendos në familjen Lladrovci në Gllanasellë të Drenasit, pas vendimit për ta pritur Fehmiun gjatë viteve të burgimit.

Kjo veshje shënon një moment të rëndësishëm të jetës së tyre dhe e lidh historinë personale të çiftit me rrugëtimin e tyre atdhetar. Përveç letrave dhe veshjes, ekspozita përfshin edhe eksponate të tjera, ndër to intervistën e Fehmi Lladrovcit të vitit 1998 dhe pamje të burgut ku ai kaloi pesë vjet. Së bashku, këto materiale sjellin një dimension më njerëzor të historisë, duke zbuluar ndjenjat, mendimet dhe përvojat e dy figurave që shpesh kujtohen vetëm përmes rolit të tyre në luftën çlirimtare.

Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci u vranë më 22 shtator 1998, gjatë luftës në Kosovë. Sot, përmes letrave të tyre të ruajtura dhe të ekspozuara në Reporting House, historia e tyre vazhdon të rrëfehet, duke ndërthurur dashurinë personale me idealet dhe përkushtimin ndaj vendit.

Ekspozita “Një mur na ndan” na kujton se pas figurave historike qëndrojnë njerëz me ndjenja, shpresa dhe ëndrra.

Letërkëmbimi i Xhevës dhe Fehmiut mbetet një dëshmi e rrallë e një dashurie që i rezistoi ndarjes, kohës dhe rrethanave të vështira, si dhe e një lidhjeje të ndërtuar mbi barazinë, besimin dhe idealet e përbashkëta.

(Autore: Adile Muli, studente e vitit të dytë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Continue Reading

Lajmet

Policia e Kosovës suspendon 11 zyrtarë policorë pas vrasjes së Arlinda Zekajt

Published

on

By

Policia e Kosovës ka marrë vendim për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë lidhur me trajtimin e rastit të vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës. Vendimi është mbështetur në Ligjin për Policinë, Udhëzimin Administrativ për procedurat disiplinore dhe rekomandimin e drejtpërdrejtë të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).

Masa e suspendimit përfshin të gjithë zinxhirin komandues dhe hetimor në rajonin e Pejës, përfshirë ushtruesin e detyrës së Drejtorit Rajonal, Shefin e Hetimeve Rajonale, Komandantin dhe Zëvendëskomandantin e Stacionit Policor në Pejë, Shefin e Hetimeve, ushtruesin e detyrës së Shefit të Operativës, Komandantin e Nënstacionit në Vitomiricë, si dhe katër hetues policorë.

Nga Policia e Kosovës bëhet e ditur se ky hap është ndërmarrë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përcaktimit të përgjegjësive individuale lidhur me veprimet apo mosveprimet e zyrtarëve në këtë rast.

“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara