Pas fitores spektakolare 4-3 të Kosovës ndaj Sllovakisë në Bratislavë, “Dardanët” kanë marrë vëmendjen e shumë mediave prestigjioze botërore si Reuters, Marca, 433 dhe shumë të tjera, duke e cilësuar këtë sukses si një hap historik drejt Kupës së Botës.
Mediumi i njohur spanjoll Marca i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij triumfi, duke lavdëruar paraqitjen e Kosovës dhe duke theksuar disiplinën taktike dhe vendosmërinë e skuadrës në një ndeshje me ritëm të lartë.
“Muriqi dhe Kosova bëjnë histori në ndeshjen e çmendur në Bratislavë. Kosova ishte e vendosur, luajti me disiplinë të lartë, pa krijuar shumë raste të pastra”, shkruan Marca.
“Ata e mbyllën ndeshjen duke u mbrojtur pas golit në shtesë nga Sllovakia. Goli i Strelecit i dha shpresë tifozëve vendas, por mbeti vetëm ëndërr. Të martën, në finalen e madhe kundër Turqisë. Ëndrra për paraqitjen në Botërorin e parë vazhdon”.
Edhe Reuters e ka cilësuar rrugëtimin e Kosovës si një “përrallë”, duke theksuar se vendi është vetëm një ndeshje larg kualifikimit historik në Kupën e Botës.
“Kanë kaluar më pak se një dekadë që kur Kosova luajti për herë të parë në kualifikimet për Kupën e Botës, por tani ajo është vetëm një ndeshje larg një vendi në finalet e këtij viti”, shkruan Reuters.
“Jam shumë krenar për këtë ekip dhe mendoj se pas 90 minutash ishte një fitore e merituar”, citohet trajneri Franco Foda.
Ndërkohë platforma e njohur e futbollit 433 ka reaguar pas suksesit të Kosovës duke shkruar:
“Kosova arrin në finalen e play offit të kupës së botës”
Me këtë postim, 433 ka theksuar arritjen e madhe të “Dardanëve”, të cilët janë vetëm një hap larg një kualifikimi historik në Kupën e Botës.
Sipas të dhënave nga Football Meets Data, Kosova hyn në finalen e playoff-it me rreth 45% gjasa për kualifikim, duke u renditur si lider në mesin e skuadrave “jo-favorite”, ndërsa Turqia mbetet lehtësisht favorite me 55%.
Tashmë, të gjitha sytë janë të drejtuar nga finalja e madhe në Prishtinë ndaj Turqisë, një ndeshje që mund të kurorëzojë një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe të shkruajë historinë për futbollin kosovar, duke e çuar për herë të parë në një turne madhor si Kupa e Botës.