Live

Nuk mund të shfaqen pamjet në ditën kur ndodhi vrasja e Liridona Ademaj, shtyhet seanca për 12 dhjetor

Published

on

E përditësuar

Ka dështuar për herë të dytë shfaqja e provave me video që ishte paraparë të bëhej në seancën e së hënës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku të akuzuar për përfshirje në vrasje janë Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, për shkak të problemeve teknike.

Sipas trupit gjykues, për shkak të materialeve të shumta nuk ka qenë e mundur të transmetohen videot para trupit gjykues sipas rendit të përgatitur nga Prokuroria, duke bërë që seanca të ndërpritet sërish. Gjykimi pritet të vazhdojë në një datë tjetër të caktuar nga gjykata.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dërmaku, pyeti nëse janë të gatshëm të barten sekuencat.

“Trupi gjykues e sheh të arsyeshme t’ju jap kohën e nevojshme juve që t’i bartni sekuencat, përndryshe në këtë formë nuk ka mundësi, kështu se foldera ka shumë. Nëse je e gatshme, nëse jo shkojmë me datën 12”, tha ajo.

Prokurorja Javorka Prelincevic ka treguar se kanë kontaktuar zyrtarin e IT për të ndarë videoincizimet, por nuk kanë qenë të qasshëm

“Në pauza para dite dhe masdite unë kam provuar të kontaktoj me zyrtarin e IT, profesionistin nga prokuroria që të mund t’i ndajmë video incizimet, mirëpo pasi që ka qenë pauza nuk kanë qenë të qasshëm të disponueshëm, ashtu që do të ishte më së miri, pasi që folderi ka të bëjë për video incizimet, pamjet e para shtëpisë së Naim Murselit është një fail i madh videove 700 deri 800 GB. Do të ishte mirë që kjo seancë të caktohet për një ditë tjetër, apo edhe prokurori do të mundohet t’i ndajë sekuencat që janë me rëndësi, t’i bart me një CD. Ne si prokurori në hard diskun i kemi bartur të gjitha përmbajtjet pa ndarë asgjë, dhe nuk kemi ndërprerë dhe nuk kemi shlyer asnjë sekuencë për arsye që mund të kemi keqkuptim dhe kundërshtime nga ana e mbrojtjes. Mos të bie që prokuroria dëshiron të fshehë diçka… Lëvizjet e Naim Murselit ditën kritike si dhe disa veprime dhe ndërlidhje ditën e nesërme, ashtu që prokurori mbas kësaj do të mundohet t’i ndajë sekuencat të cilën e kemi propozuar për seancën e radhës”, tha ajo.

Pas diskutimeve, trupi gjykues ka marrë vendim që seanca të vazhdoj me 12 dhjetor.

“Në këto rrethana trupi gjykues merr aktvendim, aprovohet propozimi i prokurorit të shtetit, seanca e sotit ndërpritet dhe e radhës do të jetë më 12.12.2025, sipas agjendës së paracaktuar”, u tha nga trupi gjykues./EO


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është lexuar deklarata e Shaban Murselit, babait të Naimit, në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Kjo deklaratë ishte dhënë më 6.12.2023.

Gjatë leximit të kësaj deklarate nga gjyqtarja Fatime Dormaku, teksa pyetet babai i Naimit, se a ka ndonjë dyshim se çfarë kishte ndodhur, ai kishte thënë:

“As nuk e di, as nuk e kam ndonjë dyshim se çka ka mundur të ndodhë në këtë rast“, kishte thënë ai.

Ai ishte pyetur se edhe ka pasur djali i tij armë, për çka e kishte mohuar një gjë të tillë.

Po ashtu, Shabani kishte thënë para policisë se Naimi kishte pasur një problem me djalin e hallës së tij.

“A e dini ju ndonjë problem qe kanë pasur Naimi me bashkëshorten, Liridonën, që ju keni mundur të vëreni apo të dëgjoni nga familjrët e tjerë. Përgjigja është: unë përveç një problemi që e ka pas Naimi me djalin e hallës së vet Kanunit para një viti, që ka pasur disa mesazhe të shkëmbyera përmes telefonit, gjegjësisht me Biondinën, gruan e Kanunit, sipas njohurive që unë kam, nuk ka pasur diçka më shumë mes Naimit dhe Biondinës, përveç disa shkrimeve dhe fotove jo intime, normale, foto normale, mirëpo e di që Liridona me Naimin, Kanunin dhe Biondinën janë marrë vesh që kjo gjë të mbyllet me kaq“, ka thënë gjyqtarja Fatime Dërmaku gjatë leximit të deklratës së dhënë nga Shaban Murseli.

Në seancën e sotme ka munguar Shaban Murseli, dëshmitari i ftuar nga Prokuroria në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Gjykatësja Fatime Dërmaku tha se për te njëjtin është lëshuar urdhërresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.

Shqyrtimi gjyqësor do të vazhdojë me administrimin e provave./KP


Për shkak të pengesave teknike ështe ndërprerë seanca në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

“Për shkak te pengesave teknike, seanca e paradites ndërpritet dhe i njëjti do të vazhdojë në 13:10 minuta“, ka thënë gjyqtarja, Fatime Dërmaku.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, prokurorja ka vijuar me administrimin e provave.

Të pranishëm në gjykatore kanë qenë të akuzuarit, Naim Murseli, Kushtrim Kokalla e Granit Plava./KP


Seanca gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, po vazhdon me administrimin e provave.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq ka treguar për komunikimet që kanë pasur Naim Murseli dhe Granit Plava, disa ditë radhazi para se të ndodhte rasti tragjik.

Para trupit gjykues, ajo ka prezantuar prova edhe se si natën e vrasjes, Granit Plava kishte qenë prezent në të njejtin restaurant me Naim Murselin e familjen e tij.

“Dhe prova tjetër është, për raportet nga kompania, për thirrjet telefonike nga telefonët, të të pandehurit nga Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla të cilët kanë qenë të qasshsmë, pasi të gjithë e dimë që dy telefona të Naim Murselit dhe të te ndjerës Liridona Murseli që janë zhdukur në mënyrë misterioze atë natë kur ka ndodhur rasti. Në ëhatsApp, janë gjetur kontaktet ndërmjet Granit Plavës dhe të të pandehurit Naim Murseli dhe sipas provave të gjetura, të njëjtit kanë qenë duke u zhvilluar nga 23.11.2023 rreth orës 18:33 dhe kanë vazhduar me ditë të tëra deri më 24.11.2023, 25.11.2023, 26.11.2023, 27.11.2023 dhe në datën e ndodhjes së vrasjes më 29.11.2023. I pandehuri Naim Murseli ka dërguar një mesazh Granit Plavës me një mesazh siç është ‘shok, sigurisht kryhet nesër, a të ka thënë shtëpia për paradite’ pas kësaj ndërmjet të të pandehurve, ka vazhduar edhe thirrja me telefon dhe thirrja e fundit e cila është shkëmbyer, ndërmjet të të pandehurit Naim dhe Granit ka ndodhur ndërmjet rrjetit social ëhatsApp 29.11.2023 në 19:01, ku kanë biseduar 28 sekonda. Dhe duke shiquar videon-incizimet të cilat janë marrë, kjo është koha kur të dytë Naimi nga njëra anë me familjen dhe Granit Plava nga ana tjetër kanë qenë ne restorabtin Etnokuqa në Graqanicë. Pas kësaj i pandehuri i dytë Granit Plava ka paguar llogarinë dhe ka dalur nga restoranti, ka hyrë në veturën e tij dhe e ka pritur Naimin me familjen e tij. Dhe ka filluar t’i përcjell. Nga inicizimi mund të shihet ardhja e Naimit me familjen e tij si dhe ardhja e Vrajit Plavë pak më pas. Si dhe shkuarja e tyre nga ai restorant. Kamerat e këtij restoranti, inicizojnë si brendësinë dhe hapësirën e jashtme ku shumë mirë shihet, në cilën tavolinë ishin të ulur dhe gjithashtu ato mund të inicizojnë pamjen e hapësirave, e parkingun e restaurantit dhe shume mirë shihet veturat të të pandehurve të Naim Murselit dhe Granit Plavës si dhe ajo kohë kur Granit Plava ishte dalë i pari nga ai restaurant dhe ka pritur në veturën e tij që të dalë Naimi me familjen e vet, dhe pasi që ata janë nisur me veturë, ky i ka përcjell më pas” ka thënë ajo.

Prova tjera me video do të administrohen para trupit gjykues, pas 10 minutave pauza.

“Gjatë vrasjes së Liridona Ademajt është shkrepur një plumb dhe që është gjetur gërzhoja e atij plumbi, i propozoj gjykatës, që të vazhdojmë me administrimin e këtyreve provave“, ka shtuar prokurorja.

Prokurorja në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ka treguar se sa kishte qenë vlera e borxheve që kishte Naim Murseli.

“369.968.77 euro [borxhi] dhe gjatë dëshmisë së vet të pandehurit, informata te cilat i ka dhënë hestuesve policor, në njësinë e paraburgimit, ka pasur borxhe edhe ndaj personave fizik në vlerë prej 106 mijë euro, që do te thotë që vlera e përgjithshme e borxhit të të pandehurve në mars të vitit 2024, kur është bërë analiza e gjendjes së tij financiarë ka qenë 475,968,77 euro“, ka thënë ajo.

Prokurorja gjatë administrimit të provave foli edhe për përgjigjjen që kanë marrë nga Shteti suedez lidhur me sigurimin jetësor të Liridonës.

“Dhe më tej prova tjeter është përgjigja e organeve kompetente të Mbretërisë së Suedisë, i cili na vërteton që nga ana e organeve të Suedisë, është pranuar një përgjigje që Liridona Murseli ka pasur një polic të sigurimit jetësor me fillim të vlerësishmërisë 25 qershor 2022, në vlerën prej 3 milionë të kruneve suedeze, në të cilat nuk është cekur vazhduesi i përfitimit të sigurimit në rast të humbjes së jetës dhe në këto raste sipas ligjit, nëse nuk ka vartës pas vdekjes së saj, sipas ligjit më Suedi, shfrytëzuesi i policës do të ishte bashkëshorti“, ka thënë ajo.


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të hënën mungoi dëshmitari Shaban Murseli- babai i të akuzuarit Naim. Gjykata mori vendim të lexohet deklarata e tij e dhënë në Polici.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësja Fatime Dermaku tha se mungon Shaban Murseli, për të cilin Gjykata ka lëshuar urdhëresë për verifikim adrese dhe dorëzim ftese.

Ajo tha se sipas nipit të Murselit, ai jeton në Suedi. Dhe se Shaban Murseli të pretemten e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se meqenëse dëshmitari Murseli ka dhënë deklaratë në procedurën paraprake më 6 dhjetor 2023, dhe se tani nuk është i qasshëm për organet e gjyqësisë dhe se e ka njoftuar që nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, propozoi që deklarata e tij e dhënë në Polici të lexohet si provë me qëllim të ekonomizimit dhe racionalitetit të kësaj procedure penale.

Avokati i palës së dëmtuar- Leotrim Syla dhe mbrojtësja e Naim Murselit, Teuta Zhinipotoku e përkrahën mendimin e prokurorit.

Edhe i akuzuari Murseli u pajtua me propozimin, me qëllim që të mos zvarritet procedura.

Edhe i akuzuari Granit Plava dhe avokati i tij Skender Gojani, u pajtuan të lexohet deklarata e Murselit.

Kurse, avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Doda tha se pajtohen ta kenë vetëm si shkresë e jo si provë. Njëjtë i pajtua edhe Kokalla.

Më pas, trupi gjykies mori vendim për leximin e deklaratës së dëshmitarit Shaban Murseli e dhënë në Polici më 6 dhjetor 2023.

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, inskenimi i grabitjes e marrëveshja për ta paguar 30 mijë euro dorasin

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro./EO/BetimipërDrejtësi


Këtë të hënë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të vazhdojë shqyrtimi gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.

Në seancat e fundit janë dëgjuar disa dëshmitarë kyç, përfshirë Kanon Kokallën, i cili para trupit gjykues ka konfirmuar se është në lidhje familjare me dy të akuzuarit, ndërsa për Granit Plavën tha se e kishte shok gjenerate.

Tutje, i pyetur lidhur me sjelljet e vëllait të tij, tani të akuzuarit Kokalla, dëshmitari tha se ai ishte pjesëtar i FSK-së.

“Për faktin se ka qenë pjesëtar i FSK-së, do me thënë se ka qenë djalë i sjellshëm”, kishte deklaruar Kokalla.

Ai theksoi se familja e tij është ende nën tronditje nga rasti, ndërsa rrëfeu se për vrasjen kishte kuptuar nga një shok që i kishte shkruar në Facebook.

Më herët ishin marrë në pyetje edhe dëshmitarët Florian Avdija, Aurel Pajaziti dhe Valon Lluka.

Ekspertët e Psikiatrisë Forenzike kanë konstatuar se Naim Murseli dhe Granit Plava nuk kanë pasur çrregullime mendore në kohën e kryerjes së veprës.

Në seancën fillestare të 31 janarit, Murseli u deklarua i pafajshëm, Plava nuk u deklarua, ndërsa Kokalla kërkoi të konsultohet me mbrojtjen. I akuzuari tjetër, Tom Dodaj, kishte pranuar fajësinë dhe është dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Aktakuza ndaj të pandehurve ishte ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025./EO

lajme

Demokratët marrin Kongresin, çfarë do të thotë kjo për Evropën dhe tregjet globale?

Published

on

By

Donald Trump ka pësuar një nga humbjet më të rënda të karrierës së tij politike, pasi republikanët humbën kontrollin e të dy dhomave të Kongresit ndaj demokratëve në një votim që u shndërrua në një vendim për presidencën e tij.

Deri në orën 07:40 CET sipas orës lokale, demokratët kishin fituar 25 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, duke i çuar ata në 220, dy më shumë se 218 vendet e nevojshme për shumicën.

Në Senat, ata morën shtatë vende nga republikanët, duke përfshirë Teksasin, Ohajon, Kansasin dhe Mainin.

Çmimet e larta ndikuan rëndë mbi votuesit. Rreth dy të tretat thanë në një anketë të ditës së zgjedhjeve se tarifat e Trump kishin dëmtuar ekonominë.

Presidenti tha se do t’i pranonte rezultatet, por shtoi: “Nuk e shoh si një goditje ndaj meje.”

Ai gjithashtu e bëri të qartë se do të përdorte veton e tij për të bllokuar axhendën e demokratëve, duke postuar një fotografi të një kapeleje të kuqe me fjalën “VETO” të qepur mbi të. Por sa mund të ndryshojë realisht një Kongres Demokratik për Evropën dhe për tregjet?

A do t’i japë fund kërcënimit të tarifave ndaj Evropës një Kongres Demokratik? Ndoshta jo, sepse tarifat e Trump nuk varen më nga Kongresi.

Pasi Gjykata e Lartë i rrëzoi tarifat e tij të emergjencës në shkurt, administrata i zhvendosi ato sipas Seksionit 301 të ligjit tregtar të SHBA-së. Kjo rrugë i lejon presidentit të veprojë pa votën e ligjvënësve.

Demokratët mund të mbajnë seanca dëgjimore dhe të ngadalësojnë kandidatët e tij, por ata nuk mund t’ia heqin lehtësisht këtë pushtet.

James Smith, ekonomist i tregjeve të zhvilluara në bankën holandeze ING, beson se një Uashington i ndarë mund ta shtyjë presidentin të mbështetet më shumë tek ai.

“Ashtu si politika e jashtme, tregtia është një tjetër fuqi që presidenti mund ta ushtrojë në mënyrë të njëanshme pa Kongresin”, tha Smith në një shënim para votimit.

Ai nuk përjashtoi tarifat e reja ndaj Evropës, të cilat, sipas tij, do të kishin shumë rëndësi për inflacionin në SHBA dhe për Rezervën Federale.

Çfarë do të ndodhë me mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën?

Demokratët do të kryesojnë komisionet e Senatit dhe do të vendosin se cilët nga të nominuarit e Trump do të konfirmohen kur Kongresi i ri të marrë detyrën në janar. Shumë prej tyre duan gjithashtu të miratojnë fonde të reja për Ukrainën.

Pjesa më e vështirë është shpenzimi i këtyre parave. Gjatë dy viteve të fundit, Shtëpia e Bardhë ka anuluar fondet e miratuara tashmë nga Kongresi duke i mbajtur ato deri në fund të vitit fiskal, kur ato skadojnë.

“Në praktikë, kjo do të thotë që një Kongres Demokratik mund të shkruajë ligjin për paratë për Ukrainën ose ndihmën për zhvillim dhe presidenti mund të mos i shpenzojë ato”, tha në një koment muajin e kaluar Joan Lee nga Nevada, bashkëpunëtore politike në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Këshilla e saj për qeveritë evropiane është të mbështeten vetëm te paratë që vijnë realisht.

“Evropianët duhet t’i trajtojnë fondet e destinuara si qëllim, jo ​​si angazhim”, tha Lee.

Si reaguan tregjet?

Investitorët ishin kryesisht të qetë. Euro u rrit me 0.4% në 1.1232 dollarë deri në orën 07:00 CET, ndërsa dollari u dobësua kundrejt valutave të tjera kryesore. Ari fitoi 2% në 4,011 dollarë për ons, përsëri mbi 4,000 dollarë, dhe argjendi u rrit me 3.4% në 51.49 dollarë.

Kontratat e ardhshme të aksioneve ishin pak më të ulëta në të dyja anët e Atlantikut. Kontratat e ardhshme të S&P 500 ranë me 0.3%, dhe kontratat e ardhshme të Nasdaq 100 ranë me 0.4%, ndërsa kontratat e ardhshme për Euro Stoxx 50 dhe DAX të Gjermanisë ranë rreth 0.5% përpara hapjes.

Obligacionet qeveritare amerikane u rritën. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar të thesarit ra me 2.9 pikë bazë në 4.94%, rendimenti i obligacionit 2-vjeçar ra në 4.61% dhe rendimenti i obligacionit 30-vjeçar në 5.32%. Rendimenti i obligacionit 10-vjeçar të Bund-it të Gjermanisë u mbyll të martën në 3.33%, përpara se të dilnin rezultatet.

Bitcoin ndryshoi pak në rreth 77,700 dollarë, dhe nafta e papërpunuar Brent u tregtua afër 104 dollarëve për fuçi.

A është një Uashington i ndarë mirë për investitorët?

Tregjeve zakonisht u ka pëlqyer. Kur Shtëpia e Bardhë dhe Kongresi nuk pajtohen, miratohen më pak ligje të mëdha dhe kjo do të thotë më pak surpriza.

Historia gjithashtu favorizon mbajtësit e obligacioneve. Në tre muajt pas zgjedhjeve të kaluara të mesit të mandatit, rendimentet e obligacioneve 10-vjeçare të thesarit kanë rënë mesatarisht me rreth 20 deri në 25 pikë bazë, sipas Luca Bindelli, kreu i strategjisë së investimeve në bankën private zvicerane Lombard Odier.

“Ne mendojmë se një fitore e demokratëve do të ishte nga neutrale deri pak pozitive për perspektivën fiskale. Kongresi mund të frenojë axhendën ekspansioniste të Trump dhe, bashkë me të, edhe deficitin”, tha në komentet e dërguara me email Diego Barnuevo, analist tregu në kompaninë e pagesave Ebury.

Çfarë do të ndodhë më pas me euron?

Analistët e valutave dyshojnë se zgjedhjet do të ndryshojnë shumë për një kohë të gjatë. Për dollarin, Rezerva Federale ende ka më shumë rëndësi sesa Kongresi.

“Monedha e gjelbër vazhdon të reagojë kryesisht ndaj historisë së Rezervës Federale, e cila nuk duhet të përballet me një ndikim të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejtë nga rezultati afatmesëm”, thanë Francesco Pesole, strateg i FX në ING, dhe kolegët e tij në një shënim të martën.

Edhe euro ka problemet e veta. Çmimet e energjisë janë ende të larta kryesisht për shkak të luftës me Iranin, ING pret që inflacioni i eurozonës të qëndrojë rreth 4% dhe investitorët po kërkojnë më shumë për të mbajtur obligacione qeveritare franceze.

Kongresi i ri merr detyrën në janar. Deri atëherë, Trump ruan shumicën republikane në të dyja dhomat, dhe edhe pas kësaj, stilolapsi i tij i vetos do të jetë ende në tavolinë.

/EuroNews/

Continue Reading

Live

Fitore historike në Michigan: Abdul El-Sayed bëhet senatori i parë mysliman në historinë e SHBA-së

Published

on

By

Kandidati demokrat Abdul El-Sayed ka fituar garën e ngushtë për Senatin amerikan në shtetin e Michiganit, duke hyrë në histori si senatori i parë mysliman i Shteteve të Bashkuara, sipas projeksioneve të rrjeteve kryesore mediatike amerikane.

Fitorja e El-Sayed në Michigan i shtohet një serë humbjesh radhazi për Partinë Republikane në garat kyçe për Senat, përfshirë ato në Iowa, Kansas, Ohio, Maine, Karolinën e Veriut, Karolinën e Jugut dhe Teksas.

El-Sayed, i cili përfaqëson krahun progresist të demokratëve, u përball me sfida të shumta gjatë fushatës. Mes tyre ishte edhe mbështetja që demokratja e moderuar Haley Stevens – të cilën ai e kishte mposhtur më parë në zgjedhjet brendapartiake – i dha publikisht rivalit të tij republikan, Mike Rogers, të mbështetur nga presidenti Donald Trump.

Suksesi i tij zgjedhor përbën një goditje direkte politike për administratën Trump. Gjatë fushatës, Presidenti e pati sulmuar vazhdimisht kandidatin demokrat me retorikë të ashpër dhe me përdorim të gjuhës islamofobike. Në fjalimin e tij pas shpalljes së fitores, El-Sayed iu referua këtyre sulmeve duke e cilësuar procesin si “një nga fushatat më të shëmtuara” që kishte përjetuar ndonjëherë.

Nga ana tjetër, rivali republikan Mike Rogers u kërkoi mbështetësve të tij të largoheshin nga shtabi elektoral në orët e para të mëngjesit, edhe pse këmbënguli se po përcillte me vëmendje procesin e numërimit. Kjo arritje në Michigan vulos një tjetër humbje strategjike për republikanët dhe konfirmon ndryshimet e mëdha në përbërjen e Senatit amerikan gjatë këtyre zgjedhjeve të mesmandatit. /CBS News/

Continue Reading

Live

Ekonomia, lufta me Iranin dhe korrupsioni: Pse i kushtuan shtrenjtë Partisë Republikane zgjedhjet e mesmandatit në SHBA

Published

on

By

Rezultati zhgënjyes i Partisë Republikane në zgjedhjet e mesmandatit ka ardhur si një faturë e rëndë që qytetarët amerikanë ia kanë paraqitur administratës së Presidentit Donald Trump për mënyrën e qeverisjes gjatë këtyre viteve. Sipas të dhënave të para të një sondazhi të gjerë të realizuar nga kompania SSRS, gjendja e rënduar ekonomike dhe shqetësimet e thella rreth demokracisë ishin faktorët kryesorë që vulosën këtë kthesë të madhe politike.

Pothuajse dy të tretat e të anketuarve kanë theksuar se politikat e ndjekura nga Presidenti Trump i kanë përkeqësuar kushtet ekonomike në vend. Më shumë se katër në dhjetë qytetarë u shprehën se familja e tyre ndodhet në një gjendje ekonomike më të keqe krahasuar me dy vjet më parë, ndërsa gjashtë në dhjetë prej tyre u deklaruan jashtëzakonisht të shqetësuar për çmimet e kripura të benzinës dhe ushqimeve. Për më tepër, pjesa dërrmuese e votuesve ia atribuojnë rritjen e këtyre çmimeve vetë vendimeve të administratës, duke hedhur poshtë argumentet e faktorëve të jashtëm.

Në vendimin e votuesve peshë të madhe kanë pasur edhe zhvillimet e jashtme gjeopolitike, veçanërisht veprimet ushtarake kundër Iranit. Gjashtë në dhjetë të anketuar e cilësuan ndërhyrjen e SHBA-së si një vendim të gabuar, ndërsa tre të katërtat e tyre e konsideruan këtë konflikt si një faktor vendimtar ose tejet të rëndësishëm në përcaktimin e votës për Kongresin. Këtyre pakënaqësive iu shtuan edhe shqetësimet e përhapura për korrupsionin qeveritar, të cilin 90% e pjesëmarrësve në sondazh e panë si shtyllë kryesore të ndikimit në kutitë e votimit, si dhe pakënaqësia ndaj mënyrës së funksionimit të agjencive të zbatimit të ligjit të emigracionit.

Përballë këtij rezultati, Presidenti Donald Trump është shprehur i habitur, duke deklaruar se gjatë fushatës ndjente një energji tejet pozitive në tubimet me qytetarët amerikanë. Megjithatë, ai e ka pranuar humbjen dhe ka pohuar se Demokratët bënë një punë të mirë, duke lënë të kuptohet se pret një bashkëpunim të mundshëm në të ardhmen. Në një prononcim për The New York Times, Trump ka theksuar se po të kishte qenë emri i tij personalisht në fletën e votimit, ishte i bindur se rezultati do të ishte fitues.

Pavarësisht tronditjes politike që pësoi partia e tij, e cila u reflektua edhe me fitore historike të demokratëve në shtete tradicionale si Teksasi, sondazhi ka nxjerrë në pah një element pozitiv për demokracinë amerikane: shumica dërrmuese e qytetarëve ruajnë besimin se zgjedhjet janë zhvilluar në mënyrë të drejtë dhe se votat e tyre janë numëruar me saktësi të plotë. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Triumf historik i opozitës në SHBA: Demokratët marrin kontrollin e plotë të Kongresit

Published

on

By

Zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sjellë një përmbysje të madhe politike, ku Partia Demokratike ka arritur të marrë kontrollin e plotë të Kongresit, duke siguruar shumicën si në Senat ashtu edhe në Dhomën e Përfaqësuesve. Kjo fitore e thellë e opozitës përmbys balancën e pushtetit në Uashington dhe pritet t’ia vështirësojë ndjeshëm zbatimin e agjendës politike Presidentit Donald Trump gjatë dy viteve të mbetura të mandatit të tij.

Rezultati i zgjedhjeve pasqyron një pakënaqësi të gjerë të elektoratit amerikan lidhur me çmimet e larta të jetesës, rritjen e kostos së naftës, zhvillimet rreth luftës në Iran si dhe shqetësimet për korrupsionin në nivel qeveritar. Përmes një deklarate për rrjetin Fox News, vetë Presidenti Trump e ka pranuar humbjen e partisë së tij, duke pohuar se lufta me Iranin dhe inflacioni patën një ndikim të madh në zgjedhje, ndërsa pranoi se demokratët bënë një punë mjaft të mirë gjatë fushatës.

Rruga e demokratëve drejt shumicës në Senat u realizua përmes fitoreve të papritura edhe në disa nga shtetet tradicionalisht më konservatore. Kandidatët demokratë arritën të përmbysin rezultatet në Iowa, Kansas, Teksas, Carolinën e Jugut, Ohio dhe Carolinën e Veriut, si dhe mbrojtën me sukses ulëset kyçe në Gjeorgji dhe New Hampshire. Po ashtu, në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët mposhtën disa zyrtarë të lartë republikanë në zona me peshë të madhe elektorale si Pennsylvania dhe New Jersey.

Me marrjen e kontrollit të Kongresit nga ana e opozitës, administrata e Presidentit Trump do të përballet me pengesa të mëdha për kalimin e reformave legjislative dhe emërimeve në Gjykatën Supreme. Nga ana e tij, Trump është zotuar se do të përdorë të drejtën e vetos presidenciale për të bllokuar nismat ligjore të demokratëve, një paralajmërim ky që sinjalizon hyrjen e Uashingtonit në një periudhë të fortë bllokade politike./ Reuters/

 

Continue Reading

Të kërkuara