Lajmet

Vazhdon edhe sot dialogu në Bruksel

Vazhdojnë edhe sot negociatat rreth reciprocitetit për targat.

Published

on

Negociatat mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë për çështjen e vendosjes së reciprocitetit për targat do të vazhdojnë edhe sot në Bruksel.

Për takimin e së mërkurës në Bruksel, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tregoi se janë dakorduar për targat, por që marrëveshja finale ende nuk është pranuar nga pala serbe.

Bislimi ka thënë se Kosova preferon që të mos ketë barriera ndërmjet dy shteteve, teksa ka thënë se për këtë çështje do të themelohet një grup punues që do të nisë punën nga 21 tetor.

“Kemi tentuar që të detyrojmë Serbia që të largojë edhe procedurat për qytetarët e Kosovës që lëvizin drejt Serbisë. Mendoj që ky ka qenë rezultati i sotëm. Natyrisht se ne do të preferonim më tepër që të mos jetë asnjë barrierë, rrjedhimisht të dy shtetet të njohin në tërësi tabelat e vendeve të tjera. Por ky të jetë edhe objektivi i grupit punues të cilin do ta themelojmë e që do të fillojë të takohet nga data 21 tetor. Ne kemi dakordim për të gjitha pikat”, tha ai.

Bislimi ka thënë se pala serbe nuk është pajtuar me pikën ku ka të bëjë me veturat KM.

“E vetmja pikë ku pala serbe ende nuk e ka dhënë pëlqimin para se marrëveshja të quhet e finalizuar ka të bëjë me veturat KM për të cilat ata mendojnë se nuk do duhej të aplikohen stikersat dhe kjo është absurde sepse ato janë tabela ilegale dhe ne nuk mund të pranojmë këtë marrëveshje ku favorizohen poseduesit ilegalë të tabelave”, tha ai.

Bislimi tha se kjo marrëveshje parasheh tri elemente:

“Sot përgjatë gjithë ditës, ekipi yne dhe ai i Serbise kishim takime bilaterale me z. Miroslav Lajçak, me synim gjetjen e një zgjidhjeje përmes së cilës do të qetësohej situata në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe njëkohësisht Qeveria e Republikës së Kosovës të garantojë trajtimin e barabartë të qytetarëve të të dy vendeve në sferën e lëvizjes së lirë. Natyrsht se synimi primar i Republikës së Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet promovimi i lëvizjes së lirë, andaj edhe vendimi i fundit për përdorimin e tabelave të përkohshme ka qenë i imponuar nga padrejtësia dhjetëvjeqare e autoriteteve në Serbi kundrejt qytetarëve të Kosovës që kanë udhëtuar drejt apo nëpër territorin e Serbisë.

Ne jemi treguar të gatshëm që të mbështesim përpjekjet e përfaqësuesit të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, zotit Lajçak drejt gjetjes së një zgjidhje të pranueshme dhe pas përfarimeve të vazhdueshme kemi arritur tek një draft final me të cilin pala kosovare jemi dakorduar. Pikat kryesore të këtij drafti final janë sa vijon:

1. Të shtunën me datën 2 tetor, forcat e KFOR do të vendosen në vendkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak dhe disa orë pas vendosjes së tyre, do të fillohet me largimin e barrikadave dhe njëkohësisht edhe me zhvendosjen e njësisë speciale të policisë së Kosovës. Njësitë e KFOR do të qëndrojnë në vendkalimet kufitare afërsisht dy javë dhe mund të largohen nga vendkalimet pastaj në rast të qetësimit komplet të situatës.

2. Me datën 4 tetor, në ora 08 të mëngjesit do të filloj zbatimi i përkohshëm i sistemit të afisheve me të cilat si Kosova ashtu edhe Serbia do të mbulojnë elementet shtetërore të targave të njëra tjetrës. Rrjedhimisht nga dita e hënë parashihet që asnjë qytetarë i Kosovës dhe Serbisë nuk do ketë më nevojë të vendosë tabela të përkohshme gjatë kalimit në territorin e shtetit tjetër.

3. Do të krijohet një grup punues me objektiv gjetjen e zgjidhjes përfundimtare rreth targave, bazuar në standarded dhe praktikat e BE-së. ky grup do ketë 6 muaj kohë për të mundësuar kalimin në zgjidhjen e përhershme, me çka edhe kufizohet afati i zbatimit të sistemit me afishe.

Për momentin, kjo marrëveshje ka mbetur të pranohet edhe nga pala serbe e cila ka vërejtje në mënyrën e trajtimit të veturave me KM, për të cilat ka besuar apo kërkuar se do duhej trajtim i privilegjuar. Ne shpresojmë që delegacioni i Serbisë do të bindet për tekstin e marrëveshjes pa asnjë ndryshim të mëtejmë dhe në momentin e dakordimit, mund të themi se kami një marrëveshje valide”.

Lajmet

Caktohen çmimet tavan për naftën në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, si masë urgjente pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky veprim erdhi pas monitorimit të rreptë të tregut dhe evidencave nga Dogana e Kosovës, ku u vërejt se rritja e çmimeve nga importi u reflektua menjëherë te konsumatori final.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj ndërhyrjeje, Kusari-Lila theksoi se “ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Me këtë rregullore të re, marzha tregtare maksimale është kufizuar në 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja bëri të ditur se llogaritja e këtyre marzhave bëhet në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi dhe se çdo tentativë për manipulim do të ndëshkohet.

Ajo paralajmëroi prani të shtuar të kontrollit në pikat e shitjes, duke u shprehur se “inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi” dhe se “çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, me synimin kryesor që të stabilizojë tregun e brendshëm pas luhatjeve të fundit globale. Sipas ministres, ky akt synon që të sigurojë një treg të rregullt ku çmimet nuk rriten në mënyrë të paarsyeshme në kurriz të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Published

on

By

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vijon edhe këtë të mërkurë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar.

Ai po jep dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ballafaqohen me akuza për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Seanca nisi me pyetjet e avokatit Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson mbrojtjen e Bashkim Smakajt, por me propozim të prokurorisë dhe miratim të gjyqtarit Christoph Gosnell, procedura kaloi shpejt në seancë të mbyllur për publikun.

Herlaar është dëshmitari i dytë i thirrur në këtë rast dhe e ka nisur deklaratën e tij që prej ditës së martë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarin e tretë, i identifikuar me numrin ‘9’. Ky proces pason seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës. Po atë ditë nisi edhe dëshminë dëshmitari i parë nën masa mbrojtëse, duke shënuar kështu fillimin e fazës së provave në këtë rast.

Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë që prej fundit të vitit 2020. Përveç procesit kryesor për krime lufte, ai tashmë po gjykohet edhe për këtë aktakuzë të re të ngritur në vitin 2024, e cila fokusohet specifikisht në pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Continue Reading

Lajmet

Sot pritet të thirret seanca për presidentin, oraret e mundshme

Published

on

By

Burime të “Indeksonline”, brenda Kuvendit, bëjnë të ditur se seanca mund të ftohet në ora 13:00 ose në orët e mbrëmjes, raporton Ekonomia online.

Emri i lakuar për kandidat është Glauk Konjufca, ndërsa opozita deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë propozim zyrtar për këtë post.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa takime me krerët e partive opozitare, përfshirë Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, nga këto takime nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë dakordim konkret rreth kandidaturës për president.

Ndërkohë, emri i Vjosa Osmanit nuk po përmendet aktualisht si pjesë e diskutimeve të fundit politike, edhe pse ajo mban postin e presidentes.

Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme do të ketë propozime zyrtare dhe nëse do të arrihet konsensus mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara