Lajmet

Vazhdimi i revolucionit të Shën Valentinit

Vota e së dielës s’është dështim, është thjeshtë zgjatim i erës së re që provokoi VV dhe Kurti.

Published

on

Shkruan: Andi Bushati

Konluzioni i përbashkët i të gjitha analizave, menjëherë sapo dolën shifrat e para të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ishte rezultati shumë më i ulët që mori Vetëvendosja, në krahasim me 14 shkurtin e këtij viti, kur Albin Kurti bëri përmbysjen e madhe. 

Partia qeverisëse nuk fitoi asnjë komunë pa balotazh ndërkohë që rivalët e saj kryesorë hipotekuan disa që në raundin e parë. Ajo pësoi një humbje dramatike në Mitrovicë dhe pati një rënie të ndjeshme të votuesve në disa qytete, sidomos në Prishtinë apo Prizëren, ku gjithësesi është në avantazh dhe do të vazhdojë garën.

Natyrisht që ky fenomen ka shpjegimet e veta. Ai lidhet sa me mpakjen normale që pëson çdo parti nga ushtrimi i pushtetit, po aq edhe me një sërë dukurish të tjera që janë specifike për skenën politike kosovare.

E para, qëndron në faktin se vota e tetë muajve më parë nuk ishte diçka e zakonshme, por një plebishit që i kapërcente caqet e një partie, duke synuar rrëzimin e një shteti të kapur dhe një kaste që ndryshonte postet pa lëshuar pushtetin. Kjo përmbysje u ndihmua edhe nga efekti emocional që shkaktoi hedhja në mënyrë antikushtetuese dhe të pamoralshme e qeverisë Kurti 1, nga politikanët kalkulatrorë të Kosovës, që ranë pre e lojrave diabolike të kaubojsit Rik Grennell. Në atë rezultat ndikoi shumë edhe lista “Guxo” e Vjosa Osmanit që duke u bërë politikanja më e votuar e vendit, transferoi shumë vota nga pleqtë e konsumuar të LDK-së tek Vetëvendosja. Po ti shtosh këtyre edhe entuziazmin e të qenit aktorë në një përmbysje, që bashkë me aktivizmin e emigrantëve, solli një pjesmarrje shumë më të lartë se kjo e kësaj të diele, nuk është e vështirë të gjesh argumentat për votat që i mungojnë këtë radhë kryeministrit Kurti.

Por, ndonëse kundërshtarëve të paepur dhe të përjetshëm të Albin Kurtit, ajo që ndodhi në turin e parë të kësaj të diele elektorale iu ka dhnë mbundësinë të klithin për një dështim, e vërteta është pak më ndryshe. Ndonëse për arsyet e mësipërme, VV zbriti shumë më poshtë sesa niveli i zgjedhjeve të përgjithshme, në një kuptim, rezultati ishte vazhdim i revolucionit që ajo prodhoi në 14 shkurt. Nëse atëhere nuk do të kishte ndodhur ajo përmbysje e madhe ne sot në skenën politike do të kishim ende Isa Mustafën, Agim Veliun, apo Avdullah Hotin. Trauma që i shkaktoi partisë së vjetër rrugoviste nga njëra anë Albini dhe në anën tjetër lista e Vjosës, e detyroi atë që të transformohej rrënjësisht. Në krye të saj erdhi Lumir Abdixhiku, që nuk ishte bërë pis për të votuar shkarkimin e qeverisë Kurti 1, që rrefuzoi portofolin e ministrit në kabinetin antikushtetues “Koti”, që më pas, si shefi i minorancës, nuk ra pre e sirenave për të shkaktuar krizë në rastin e zgjedhjes së presidentes dhe u mundua gjatë gjithë kohës të bëjë një opozitë, sa të ndershme, po aq edhe parimore.

Edhe kandidaturat e erës së Lumir Abdixhikut në këto zgjedhje, qoftë në Prishtinë me Përparim Ramën qoftë në Podujevë apo Ferrizaj, ishin simbole të një ndryshimi esencial që rezatuan në mbarë vendin.

Përmbysja që inspiroi Vetëvendosja, efekti i saj tek LDK-ja, nuk mund të linte pa prekur as partinë e dalë nga UÇK-ja, prijësit e së cilës gjenden sot në Hagë. Pas 13 vitesh pa ndërprerë në pushtet, “Ritmi i rrugës” së PDK-së ndryshoi fytyrë me ardhjen e Memli Krasniqit. Partia e komandantëve tani kishte si prijës një ish këngëtar rebel dhe ky kapërcim u pa edhe me kandidaturën që ai i ofroi Prishtinës duke propozuar si kandidat një figurë aspak militnteske si ajo e Uran Ismailit. 

Pra në këtë kuptim, vota e këtyre zgjedhjeve lokale, përpara se të etiketohet si një dështim, është thjeshtë zgjatim i erës së re që provokoi Vetëvendosja dhe Albin Kurti. Ajo është pasojë e një përmbysjeje të kadifenjtë, që spastroi me një të rënë të lapsit, krejt klasën e vjetër politike në Kosovë. Ajo është rrjedhim i një mendësie që ngriti në skenë figura që nuk mendojnë me logjikën e “klanit pronto” dhe nuk sillen si lolo të ambasadorëve. 

Por, nga ana tjetër, një nga ligjësitë fatlume të politikës është se ajo nuk të krahason me atë që ke mundur, por me atë që ke përballë. 

Prandaj, nëse Vetëvendosja dhe Albin Kurti përmbysën gjithçka me premtimin se do të ndryshonin shoqërinë, tani është ky ndryshim që kërkon transformimin e vazhdueshëm të tyre. Pikërisht për këtë, votuesit,madje edhe atë të vetët, nuk ia falën përsëritjen e një mandati të Agim Bahtrit në Mitrovicë. Me ëndrën që përkundi dhe me shpresat që ngjalli, qeveria e tanishme është e dënuar të jetë në revolucion permanent. Kjo është e mira dhe sfida e asaj që prodhoi tetë muaj më parë dita e Shën Valentinit e që e konfirmuan edhe këtë radhë zgjedhjet lokale. 

©Lapsi.al   

Continue Reading

Vendi

PDK kërkon vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit sot në orën 11:00

Published

on

By

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës i ka dërguar kërkesë zyrtare kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, për thirrjen e menjëhershme të vazhdimit të seancës konstituive sot, më 12 gusht 2026.

Sipas PDK-së, moskonstituimi i Kuvendit brenda afateve ka krijuar një situatë të rëndë kushtetuese, mirëpo kjo nuk e shuan detyrimin për përmbushjen e këtij procesi pa vonesa të mëtejshme. Partia kërkon që deputetëve të zgjedhur t’u mundësohet ushtrimi i mandatit të marrë nga besimi i qytetarëve.

Pavarësisht nëse kryesuesi do ta thërrasë zyrtarisht seancën apo jo, deputetët e PDK-së kanë paralajmëruar se do të jenë të pranishëm në sallën e Kuvendit sot në orën 11:00, kohë kur plotësohet afati 48-orësh sipas rregullores. Me këtë rast, PDK u ka bërë thirrje edhe grupeve të tjera parlamentare dhe deputetëve që t’i bashkohen seancës për të dëshmuar gatishmërinë politike për përmbushjen e obligimeve kushtetuese.

Kjo kërkesë vjen pasi vazhdimi i fundit i seancës konstituive, i mbajtur të shtunën, u ndërpre dhe u shty me kërkesë të kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, pas tensioneve në sallë ku deputetja Time Kadrijaj hodhi vezë në drejtim të tij. /E.A/

foto: Koha.net

Continue Reading

Lajmet

Spektakli qiellor i 12 gushtit: Si do të përjetohet eklipsi i Diellit në Evropë dhe Kosovë

Published

on

By

Miliona evropianë do të kenë mundësinë të ndjekin të mërkurën mbrëma eklipsin e parë të plotë diellor në Evropën kontinentale pas dy dekadash. Fenomeni astronomik do të jetë plotësisht i dukshëm në Spanjë, Portugali, Grenlandë dhe Islandë, ndërsa pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore do të përjetojë një eklips të pjesshëm.

Sipas platformës astronomike TimeandDate, qytetarët në Kosovë do të mund të vëzhgojnë fazën e pjesshme të këtij fenomeni, i cili do të nisë në orën 19:29. Kulmi do të arrihet në orën 19:38, moment kur Hëna do të mbulojë pjesën më të madhe të dukshme të Diellit. Vetëm tre minuta më vonë, në orën 19:41, Dielli do të perëndojë, ndërsa e gjithë faza e pjesshme do të përfundojë përfundimisht në orën 21:07. Sipas raportimeve të The Guardian, kulmi i eklipsit në Spanjë pritet mes orës 20:26 dhe 20:33, ndërsa në Londër do të regjistrohet në orën 19:13.

Për shkak se ky fenomen do të ndodhë shumë pranë horizontit, ekspertët sugjerojnë që vëzhgimi të bëhet nga pika të larta dhe zona pa pengesa, me pamje të hapur drejt perëndimit dhe veriperëndimit. Njëkohësisht, ata paralajmërojnë se shikimi i Diellit me sy të lirë është i dëmshëm. Në mungesë të syzeve mbrojtëse speciale, qytetarët mund të përdorin një kullesë kuzhine si projektor alternativ, duke reflektuar dritën dhe hijen e eklipsit mbi një sipërfaqe të letrës. /E.A/

 

Continue Reading

Vendi

Arrestohen pesë persona pas një përleshjeje fizike në Ferizaj, një i lënduar dërgohet në QKUK

Published

on

By

Pesë persona janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë pas një përleshjeje fizike që ka ndodhur pas mesnatës në rrugën “12 Qershori” në Ferizaj, në afërsi të dy lokaleve.

Si pasojë e incidentit, tre persona kanë pësuar lëndime trupore. Njëri prej tyre, 33-vjeçari me inicialet SH.A., për shkak të natyrës së lëndimeve është transferuar për trajtim të mëtejmë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, ku do të intervistohet nga policia posa t’i stabilizohet gjendja shëndetësore.

Sipas Policisë së Kosovës, gjatë intervistimit njëri nga të dyshuarit ka pranuar se ka përdorur një kaçavidë gjatë përleshjes, me të cilën dyshohet se e ka goditur viktimën. Policia ka sekuestruar kaçavidën në cilësinë e provës materiale, si dhe ka siguruar një incizim të ngjarjes që do t’i dorëzohet prokurorisë.

Të arrestuarit për këtë rast janë: D.A. (21 vjeç), E.A. (22 vjeç), A.N. (39 vjeç), O.A. (18 vjeç), A.A. (22 vjeç)

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, ndaj të dyshuarve janë iniciuar raste për veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”. Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar persona të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë incident. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Përfshihet nga zjarri një deponi me goma të vjetra në Sllatinë

Published

on

By

Një deponi për grumbullimin e gomave të vjetra në Sllatinë është përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar tym të zi dhe të dendur që është përhapur në zonën përreth. Deponia ndodhet në afërsi të rrugës kryesore.

Komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve për zonën e Prishtinës, Abdusamed Shkodra, ka konfirmuar për mediat se ekipet janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes për të lokalizuar dhe shuar flakët.

Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme të tjera materiale, ndërsa zjarrfikësit po vazhdojnë punën në terren. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara