Lajmet

Varianti Delta prezent në Shqipëri, konfirmohen në Gjermani analizat e të infektuarve

Published

on

Ashtu siç Top Channel kishte paralajmëruar 10 ditë më parë se disa persona të ardhur nga Anglia pak ditë më parë ishin pozitivë për Delta, ministria e Shëndetësisë e konfirmoi sot. Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, vjen nga Laboratori i Referencës në Berlin, që përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bën të ditur se, në vijim të procesit të monitorimit të situatës së Pandemisë COVID-19 nga Instituti i Shëndetit Publik, pjesë e së cilës është dhe monitorimi për variantet qarkulluese, nga kampionet e dërguara në Institutin e Virologjisë – Charite në Berlin të Gjermanisë, ku u krye analiza e thellë gjenetike e sekuencimit të gjenomës së virusit në këto kampione, rezultoi varianti Delta B.1.617.2.

Konfirmimi i qarkullimit të variantit Delta në Shqipëri, i dyshuar nga sinjalet laboratorike dhe tashmë i konfirmuar nga Laboratori i Referencës në Berlin, përkon dhe me rritjen e infektimeve në 2 javët e fundit në vendin tonë.

MSHMS apelon qytetarët të vaksinohen në qendrën më të afërt të vaksinimit, në qendër shëndetësore, qendrat e vaksinimit masiv apo me njësitë lëvizëse.

“Vaksinimi, shpëton jetë! Vaksinat veprojnë, ato reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Varianti Delta i infeksionit Sars-Cov2 është varianti më i transmetueshëm, ndaj respektimi i masave të distancimit fizik, vendosja e maskave në ambientet e brendshme dhe higjena, janë thelbësore për kufizimin e përhapjes së virusit.

Ministria e Shëndetësisë i drejtohet të gjithë qytetarëve të zbatojnë rigorozisht masat parandaluese:

Vetëkarantinimin paraprak në rastet kur keni shenja të virusit Covid19 apo nëse keni patur kontakte me persona të konfirmuar me këtë virus.
Ftojmë qytetarët të kontaktojnë menjëherë me mjekun e familjes për çdo dyshim dhe të zbatojnë udhezimet e mjekut për protokollin e ndjekjes dhe trajtimit. Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni në numrin unik 127 me Qendrën Kombëtare të Urgjencës Mjekësore.
Edhe një herë, Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv, për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.
Aktualisht në Shqipëri janë kryer 1,134,085 vaksinime, nga të cilat, 496,714 mijë qytetarë janë vaksinuar me të dy dozat e vaksinës anticovid. Edhe sot vijon vaksinimi i hapur për çdo qytetar +18 vjeç në qendrat e vaksinimit kudo në vend, deri në orën 8 të mbrëmjes”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Çfarë është varianti Delta?

Varianti Delta, që fillimisht është identifikuar në Indi në tetorin e vitit 2020, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë është futur në grupin e varianteve shqetësuese të sëmundjes COVID-19. Aty bëjnë pjesë edhe varianti Alfa (i identifikuar fillimisht në Britani të Madhe), Beta ( i identifikuar fillimisht në Afrikë të Jugut) dhe Gama (i identifikuar fillimisht në Brazil).

Varianti Delta tashmë është përhapur në shumicën e shteteve në botë dhe OBSH-ja ka thënë se Delta po bëhet varianti dominues i koronavirusit në mbarë botën.

Shefja e shkencëtarëve në OBSH, Soumya Swaminathan, ka deklaruar më 18 qershor se studimet kanë sugjeruar se varianti Delta është rreth 60 për qind më i transmetueshëm se varianti Alfa, që konsiderohet si variant më ngjitës se varianti origjinal i COVID-19, që u përhap fillimisht në Vuhan të Kinës, në fund të vitit 2019.

Varianti Delta tashmë është dominues në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa shkencëtari kryesor për sëmundje ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Anthony Fauci, e ka cilësuar këtë variant si “kërcënimin kryesor” në përpjekjet e SHBA-së për ta mposhtur pandeminë COVID-19.

Në dallim nga varianti fillestar i koronavirusit, që karakterizohet me simptoma si temperaturë, dhembje muskujsh, probleme me frymëmarrje, humbje të shijes apo nuhatjes, personat që po preken nga varianti Delta, sipas ekspertëve, po përjetojnë kryesisht këto simptoma: dhembje të kokës e fytit dhe rrjedhje nga hunda.

Këto simptoma, sipas ekspertëve, janë shumë të ngjashme me ato të gripit sezonal, prandaj rritet edhe rreziku që shumë të infektuar të mos izolohen dhe të përhapin edhe më tej sëmundjen.

Ndërkohë një studim i fundit ka treguar se: Dy doza Pfizer apo AstraZeneca, janë efikase kundër Deltës!

Dy doza të vaksinës Pfizer/BioNTech ose AstraZeneca kundër koronavirusit janë efikase kundër variantit më ngjitës Delta, ashtu sic janë edhe kundër variantit të mëparshëm dominues Alfa.

Një studim i ri, i publikuar në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, konfirmon gjetjet e Autoritetit të Shëndetit Publik në Angli, të publikuara në muajin maj, rreth efikasitetit të vaksinave Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.

Sipas studimit, dy doza të vaksinës Pfizer janë 88 për qind efektive në parandalimin e sëmundjes simptomatike nga varianti Delta i koronavirusit, krahasuar me 93.7 për qind efektivitet kundër variantit Alfa.Dy doza të AstraZeneca-s, sakaq, janë 67% efektive kundër variantit Delta dhe 74.5% efektive kundër variantit Alfa. Aty thuhet se ndërkohë se një dozë nuk ofron mbrojtje të madhe në asnjërin rast.Varianti Delta i koronavirusit, i identifikuar për herë të parë në Indi, është më ngjitës se variantet e mëparshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Continue Reading

Lajmet

Caktohen çmimet tavan për naftën në Kosovë

Published

on

By

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka njoftuar sot se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, si masë urgjente pas rritjes së menjëhershme të derivateve si pasojë e krizës në Lindjen e Mesme.

Sipas ministres, ky veprim erdhi pas monitorimit të rreptë të tregut dhe evidencave nga Dogana e Kosovës, ku u vërejt se rritja e çmimeve nga importi u reflektua menjëherë te konsumatori final.

Duke shpjeguar arsyet e kësaj ndërhyrjeje, Kusari-Lila theksoi se “ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor”.

Me këtë rregullore të re, marzha tregtare maksimale është kufizuar në 2 euro centë për litër për shitjen me shumicë dhe 12 euro centë për litër për shitjen me pakicë.

Ministrja bëri të ditur se llogaritja e këtyre marzhave bëhet në përputhje me udhëzimet administrative në fuqi dhe se çdo tentativë për manipulim do të ndëshkohet.

Ajo paralajmëroi prani të shtuar të kontrollit në pikat e shitjes, duke u shprehur se “inspektorët do të jenë në terren për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi” dhe se “çdo shkelje apo moszbatim do të trajtohet sipas legjislacionit në fuqi”.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, me synimin kryesor që të stabilizojë tregun e brendshëm pas luhatjeve të fundit globale. Sipas ministres, ky akt synon që të sigurojë një treg të rregullt ku çmimet nuk rriten në mënyrë të paarsyeshme në kurriz të qytetarëve.

Continue Reading

Lajmet

Sveçla i përgjigjet ashpër Vulin-it: Deklaratat e tij janë kërcënim i hapur ndaj Kryeministrit Kurti

Published

on

By

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ish-shefit të inteligjencës serbe (BIA), Aleksandar Vulin. Ky i fundit, duke marrë shkas nga zhvillimet në Lindjen e Mesme, kishte përdorur një analogji me shërbimin izraelit Mossad për të kërcënuar tërthorazi udhëheqësit e Kosovës.

Ndërsa, Sveçla e cilësoi këtë gjuhë si një thirrje të hapur për destabilizim dhe operacione të dhunshme në Ballkan.

Sipas ministrit Sveçla, pyetja e Vulin-it se “kur mundet Izraeli, pse nuk mundemi edhe ne”, është një mesazh i rrezikshëm që synon normalizimin e sulmeve sekrete.

“Të importosh analogji nga një konflikt me dinamikë lufte të hapur… dhe t’i aplikosh ato në raport me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, nënkupton normalizimin e logjikës së operacioneve sekrete si mjet kërcënimi dhe destabilizimi të drejtpërdrejtë”, shkruan Sveçla.

Gjithashtu, ministri rikujtoi se Vulin është një zyrtar i sanksionuar nga SHBA-të për lidhjet e tij me Rusinë dhe se deklaratat e tij reflektojnë mendësinë e vjetër të shërbimeve serbe, të cilat historikisht kanë kryer vrasje politike.

Lidhur me këtë, ai shtoi: “Kur Vulin deklaron se inteligjenca serbe ‘di ta bëjë këtë’, ai i referohet një precedenti të rrezikshëm… Mbetet i papranueshëm tolerimi i gjuhës kërcënuese dhe i aspiratave për veprime të dhunshme apo cenim të sovranitetit.”

Sveçla gjithashtu zbuloi se institucionet e sigurisë kanë ndaluar së fundmi dy bjellorusë dhe një rus, të cilët kishin hyrë ilegalisht nga Serbia. Sipas tij, këta persona kishin trajnime ushtarake për eksplozivë dhe pajisje që përkonin pikërisht me paralajmërimet e Vulin-it për veprime operative në terren.

Në mbyllje të reagimit të tij, ministri u shpreh i prerë se Kosova nuk do të frikësohet nga asnjë lloj shantazhi që vjen nga Beogradi.

“Institucionet e Republikës së Kosovës… janë të gatshme të përballen me çdo lloj kërcënimi në mënyrë profesionale. E as Vulin, as Vuçiq, as nuk mund të na frikësojnë e as të na ndalin”, ka njoftuar Mnistri Sveçla.

 

Continue Reading

Lajmet

Vazhdon dëshmia e ekspertit të kriminalistikës në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë

Published

on

By

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vijon edhe këtë të mërkurë dëshmia e ekspertit të kriminalistikës, Koen Herlaar.

Ai po jep dëshminë e tij në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, të cilët ballafaqohen me akuza për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Seanca nisi me pyetjet e avokatit Jonathan Elystan Rees, i cili përfaqëson mbrojtjen e Bashkim Smakajt, por me propozim të prokurorisë dhe miratim të gjyqtarit Christoph Gosnell, procedura kaloi shpejt në seancë të mbyllur për publikun.

Herlaar është dëshmitari i dytë i thirrur në këtë rast dhe e ka nisur deklaratën e tij që prej ditës së martë.

Pas përfundimit të dëshmisë së tij, gjykata pritet të dëgjojë dëshmitarin e tretë, i identifikuar me numrin ‘9’. Ky proces pason seancën fillestare të 27 shkurtit 2026, ku të gjithë të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm për pikat e aktakuzës. Po atë ditë nisi edhe dëshminë dëshmitari i parë nën masa mbrojtëse, duke shënuar kështu fillimin e fazës së provave në këtë rast.

Ndërkohë, ish-presidenti Hashim Thaçi mbetet në paraburgim në Hagë që prej fundit të vitit 2020. Përveç procesit kryesor për krime lufte, ai tashmë po gjykohet edhe për këtë aktakuzë të re të ngritur në vitin 2024, e cila fokusohet specifikisht në pretendimet për ndërhyrje në proceset gjyqësore.

Continue Reading

Lajmet

Sot pritet të thirret seanca për presidentin, oraret e mundshme

Published

on

By

Burime të “Indeksonline”, brenda Kuvendit, bëjnë të ditur se seanca mund të ftohet në ora 13:00 ose në orët e mbrëmjes, raporton Ekonomia online.

Emri i lakuar për kandidat është Glauk Konjufca, ndërsa opozita deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë propozim zyrtar për këtë post.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit disa takime me krerët e partive opozitare, përfshirë Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun. Megjithatë, nga këto takime nuk është bërë e ditur nëse është arritur ndonjë dakordim konkret rreth kandidaturës për president.

Ndërkohë, emri i Vjosa Osmanit nuk po përmendet aktualisht si pjesë e diskutimeve të fundit politike, edhe pse ajo mban postin e presidentes.

Mbetet të shihet nëse gjatë seancës së sotme do të ketë propozime zyrtare dhe nëse do të arrihet konsensus mes partive parlamentare për zgjedhjen e presidentit. /Ekonomia online/

Continue Reading

Të kërkuara