Kulturë

”Vanity Fair”: Në Berat, ku ëndrra për pushime ideale shndërrohet në realitet

Published

on

Duke ecur nëpër rrugët e qytetit të vjetër të Beratit të duket sikur je katapultuar pas në kohë, shkruan prestigjiozja ”Vanity Fair”.

”Ky qytet, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2008, duket sikur ka dalë nga një libër përrallash për fëmijë: shtëpi guri, rrugë labirint, kopshte me lule, xhami dhe kisha antika dhe një kështjellë që e mbikëqyr nga lart.

Nga tarraca e ”Traditës së Beratit”, një shtëpi tradicionale e shndërruar në një hotel dhe restorant, pamja nuk harrohet lehtë. Duke shtrirë duart, duket sikur mund të prekësh çatitë me tulla të shtëpive antike përgjatë lumit Osum dhe Urës së Goricës. Vetëm pak metra larg është sfondi i përsosur për një foto suvenire

. Është vendi ideal për t’u zhytur në këtë qytet me një histori mijëravjeçare. Të zgjohesh brenda mureve të këtij hoteli të vendosur në një vilë guri dhe të hash një mëngjes të bollshëm i rrethuar nga heshtja e qytetit që zgjohet ngadalë, përpara se të fillosh ta eksplorosh atë, është një nga përvojat më të bukura që mund të kesh në Berat dhe në Shqipëri.

Në tavolinë keni mundësi zgjedhjeje: lëngje frutash të freskëta, kafe, vezë fermerësh, kruasanë, petulla, makarona të skuqura që shkrihen në gojë, djathë i bardhë dhie, mjaltë dhe reçelra shtëpie.

”Tradita e Beratit” ka 6 dhoma gjumi të mobiluara deri në detajet më të vogla: midis qilimave me modele gjeometrike, objekteve prej bakri, dekorimeve prej druri dhe perdeve të bardha të qëndisura me dorë nga artizanët e qytetit, bien në sy elementët origjinalë të strukturës, siç janë oxhaqet dhe muret prej guri të ruajtura me kujdes.

Nevojitet një ngarkesë e plotë energjie për ta përballuar më së miri ditën.

Berati është një qytet piktoresk me rrugë të pjerrëta dhe labirinte që të çojnë në vende ku koha duket se ka ndalur. Shtëpitë e bardha me çati kafe dhe dritare që mbivendosen, kishat e lashta, si ato të Shën Thomait dhe Shën Spiridhonit, kopshtet e harlisura që dalin nga pas dyerve shumëngjyrëshe. Dhe, përsëri, xhamitë e qytetit, ndër të cilat spikat ”Xhamia e Beqarëve”, e ndërtuar për djem që kërkojnë gra, me piktura të kujdesshme që dekorojnë muret e saj të jashtme.

Çdo cep, çdo vështrim është një ftesë për të ndaluar dhe për të vëzhguar, pa nxitim, bukurinë dhe veçantinë e këtij vendi. Deri në Kalanë e Beratit, brenda mureve të së cilës, ende të banuara sot, ka rrënoja kishash, xhamish dhe një nga muzetë më të bukur në Shqipëri, ai i Onufrit, kushtuar piktorit të ikonave të shekullit XVI.

Për më romantikët, është mbrëmja, kur qielli ngjyroset me nuanca portokalli dhe rozë, kur ndodh magjia.

Menuja e ”Traditës së Beratit” përbëhet nga pjatat më të shijshme të kuzhinës vendase. Nga byreku me spinaq te fërgesa, një tavë e gatuar në furrë me gjizë të kripur, domate dhe speca, nga specat dhe patëllxhanët e mbushur te qoftet e bëra në shtëpi dhe ullinjtë e famshëm të Beratit, çdo pjatë është një gëzim për sytë dhe qiellzën.

Për t’u shoqëruar vetëm me një nga verërat nga vreshtaria vendase, ”Hoço Wine”.

”Berati, në zemër të Shqipërisë, krenohet me disa nga vreshtat më të mira në vend, të cilat krijojnë një peizazh që nuk ka asgjë për t’i pasur zili Italisë dhe Francës”, thotë Antonel Hoço, i cili, së bashku me motrën e tij Kejsi, menaxhon vilën.

Çdo përbërës në menu është vendase, sezonale dhe e freskët, sipas traditës më të mirë shqiptare.

Në verë, kur nxehtësia e ditës ia lë vendin temperaturave të freskëta, ha nën qiellin me yje, ndërsa vështron dritat e qytetit.

Një ëndërr? Jo, këtu është thjesht realitet.

Lajmet

“SARA” e Burim Halitit garon në festivalin ndërkombëtar në Milano

Published

on

By

Filmi dokumentar “SARA”, me regji nga Burim Haliti, është përzgjedhur në konkurrencën zyrtare të edicionit të 44-t të Festivalit Ndërkombëtar “SPORT MOVIES & TV 2026”, i cili po mbahet nga 30 tetori deri më 2 nëntor në Milano të Italisë.

Ky festival, i organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Kinemasë dhe Televizionit Sportiv (FICTS), është i vetmi në këtë kategori i njohur zyrtarisht nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KOK). Ngjarja shërben si grand-finalja e rrjetit global “World FICTS Challenge”, që përfshin 27 festivale në pesë kontinente.

Shfaqja e dokumentarit të Halitit do të bëhet më 30 tetor, në orën 12:30, në “Cinema Centrale – Sala 2” në Milano. Përzgjedhja e filmit u realizua me mbështetjen e Komitetit Olimpik të Kosovës, i cili mundësoi dërgimin e tij për shqyrtim para jurisë prestigjioze ndërkombëtare. /A.K/

Continue Reading

Lajmet

Bogujevci viziton përgatitjet për festivalin “Akordet e Kosovës”

Published

on

Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka vizituar sallën “1 Tetori” në Prishtinë, ku po zhvillohen përgatitjet për edicionin e katërt të Festivalit të Këngës “Akordet e Kosovës”, që organizohet nga Radio Televizioni i Kosovës (RTK).

Gjatë vizitës, ajo ka parë nga afër skenografinë e realizuar nga Vesë Kraja dhe punën e ekipit organizues, vetëm dy ditë para nisjes së festivalit.

“Me një pjesë të ekipit të festivalit ‘Akordet e Kosovës’, duke parë nga afër përgatitjet dhe punën e mrekullueshme që po bëhet për festivalin, i cili nis këtë të premte në sallën ‘1 Tetori’”, ka shkruar Bogujevci në Facebook.

Ajo është pritur nga drejtoresha e përgjithshme e RTK-së, Zana Spahiu, drejtoresha e festivalit, Arta Avdiu, u.d. kryeredaktorja e RTK-së, Venera Xhoxhaj, si dhe punonjës të tjerë të transmetuesit publik.

Festivali i këtij viti do të zgjasë tri net, duke sjellë interpretime muzikore dhe artistë mysafirë. Një hapësirë e veçantë do t’u kushtohet edhe talenteve të reja përmes Festivalit të Fëmijëve, që do të mbahet më 1 nëntor.

Rikthimi i emrit historik “Akordet e Kosovës” synon të nderojë artistët që ndër dekada kanë kontribuar në zhvillimin e muzikës shqipe.

Organizatorët kanë paralajmëruar tri mbrëmje muzikore në Prishtinë, me synimin që festivali të sjellë para publikut artistë të njohur dhe zëra të rinj.

/A.K/

Continue Reading

Lajmet

IKTK raporton rritje të të ardhurave dhe investimeve në trashëgiminë kulturore

Published

on

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ka publikuar të dhënat për nëntëmujorët e parë të viteve 2024, 2025 dhe 2026, duke evidentuar rritje të të ardhurave, investimeve dhe projekteve të konservimit e kërkimit arkeologjik.

Sipas të dhënave të institutit, të ardhurat janë rritur me 93 për qind krahasuar me vitin 2025, ndërsa investimet në pasurinë kulturore kanë shënuar rritje prej 400 për qind.

Edhe projektet e konservimit, restaurimit dhe kërkimit arkeologjik kanë shënuar rritje të ndjeshme. Numri i tyre është rritur me 282 për qind krahasuar me vitin 2024 dhe me 133 për qind në raport me vitin 2025.

Gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026, janë identifikuar 21 site të reja arkeologjike në disa zona të Shqipërisë, përfshirë Shkodrën, Lezhën, Lushnjën, Fierin, Korçën, Ersekën, Pogradecin, Divjakën dhe Sarandën.

Të dhënat tregojnë gjithashtu rritje prej 279 për qind të monitorimeve arkeologjike krahasuar me vitin 2025.

Në kuadër të forcimit të kuadrit rregullator, numri i akteve nënligjore të miratuara ka arritur në tetë gjatë vitit 2026. Ndërkohë, aktmarrëveshjet për monitorimin arkeologjik janë rritur me 32 për qind krahasuar me vitin 2025 dhe me 164 për qind në raport me vitin 2024.

Sipas IKTK-së, këto të dhëna pasqyrojnë zgjerimin e veprimtarisë në fushën e mbrojtjes, konservimit dhe studimit të trashëgimisë kulturore./atsh/A.K/

Continue Reading

Lajmet

Rikthehet tradita: Festivali i Këngës në RTK sivjet vjen si “Akordet e Kosovës”

Published

on

By

Nis numërimi mbrapsht për ngjarjen e madhe të muzikës në vend. Edicioni i katërt i Festivalit të Këngës në RTK këtë vit do të mbahet më 30, 31 tetor dhe 1 nëntor, duke u rikthyer me emërtimin historik “Akordet e Kosovës” në nderim të trashëgimisë kulturore dhe kontributit të dekadave.

Lajmi është bërë i ditur gjatë një konferencë për media nga drejtori artistik Florent Boshnjaku, drejtoresha Arta Avdiu dhe prezantuesit e festivalit.

Risitë dhe pikat kryesore të këtij edicioni përfshijnë:

Për herë të parë, festivali do të ketë tre net: dy net të dedikuara për muzikën moderne për të rritur dhe një mbrëmje të veçantë për fëmijët, të shoqëruar live nga Orkestra e RTK-së.

Nën skenografinë e punuar nga Vesë Kraja, në skenë do të rikthehen këngë e emra ikonë si Deniza Begolli–Gjini me këngën “Dëshirat”, si dhe grupi “Telex” i cili vjen enkas nga Gjermania.

Mbrëmjet e të rriturve do të moderrohen nga gazetari i RTK-së Agron Krasniqi dhe aktorja Flaka Latifi.

Sipas drejtuesve, festivali do të sjellë një gërshetim mes të kaluarës dhe të ardhmes, ndërsa spektakli do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin publik duke filluar nga e premta.

Continue Reading

Të kërkuara