Lajmet

Vaksinimi anti-COVID planifikohet të bëhet në QKMF e palestra sportive

Published

on

Ndonëse në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksinat anti-COVID, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë identifikuar hapësirat se ku do bëhet vaksinimi për qytetarët e Kosovës.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj thotë se QKFM-të, spitalet, por edhe palestrat sportive janë objektet ku do bëhet shpërndarja e vaksinës. Zemaj po ashtu ka deklaruar se shumica e profesionistëve shëndetësorë që do t’i vaksinojnë qytetarët e Kosovës me vaksinën kundër koronavirusit, kanë kryer trajnimin.

“Shumica prej tyre (profesionistëve shëndetësorë) kanë përfunduar trajnimin, kjo ka filluar edhe më herët dhe që kemi qenë në pritje të vaksinimit, mund të ketë trajnime të vazhdueshme, por është vaksinë në fund të fundit si të gjitha vaksinat, nuk ka ndonjë filozofi apo ndonjë aspekt të ndryshëm teknik apo shkencor”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.

Zemaj ka treguar se dhënia e vaksinës do të ndodh në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër çdo komunë. Madje ai thotë se vaksinimi do ndodh edhe në Shtëpitë e të Moshuarve, por edhe në palestra sportive në momentin kur do kemi një vaksinimin masiv.

“Jo absolutisht kjo do jetë edhe nëpër komuna, nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, spitale, shtëpi të pleqve , do iu mundësojmë qytetarëve që të jenë sa më afër dhe t’u ofrohet kjo mundësi. Do të shohim objektet më të përshtatshme ne në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, tash në aspektin e prioritetit që kemi për mjekët tanë ka hapësira që tash janë identifikuar pa mundësi grumbullimi apo edhe stërngarkimi. Nëse na nevojitet ndonjë qendër e madhe kur të fillojë numri i madh i të vaksinuarve, i kemi identifikuar edhe objektet e tjera sikurse palestrat sportive që mund ta ofrojnë atë komoditet edhe mund të krijojmë një mundësi më të mirë të vaksinimit”, theksoi Zemaj.

Ai madje thotë se plani për vaksinimin anti-COVID, tashmë është i gatshëm dhe do të publikohet. Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj shpreson që Kosova nuk do ketë telashe në shpërndarjen e vaksinës.

“Vetëm është e gatshme për publikim, do ta publikojmë dhe gjithçka do jetë transparente. Objektet mund të jenë lëvizëse sepse kur shtohen kontingjenti i madh i numrit të vaksinave, fatmirësisht ne e kemi një përvojë të mirë dhe kemi një traditë të mirë të shpërndarjes së vaksinave të gripit sezonal, e cila nuk dallon shumë nga dhënia edhe e kësaj vaksine. Vetëm tash kur e rritëm apo shumëfishuam numrin e vaksinave kundër gripit sezonal ka pasur raste kur vetëm në një qendër të mjekësisë familjare më shumë se 2 mijë persona janë vaksinuar dhe nuk ka pasur as grumbullim e as mos stërngarkim”, theksoi ai.

Ditë më parë, zyrtarja për emergjenca në Organizatën Botërore të Shëndetësisë, Isme Humolli u shpreh se Kosova është në fazën e fundit të përgatitjeve për vaksinimin kundër COVID-19.

Republika e Kosovës në fillim të muajit dhjetor ka aplikuar tek mekanizimi COVAX, për sigurimin e vaksinave që do jepet falas për 20 për qind të popullatës, që në rastin e Kosovës i bie që falas të ofrohen 360 mijë vaksina.

E javë më parë në Ministrinë e Shëndetësisë me qëllim të sigurimit të vaksinave kundër COVID-19, ka thënë se kanë marrë konfirmimin nga kompania Pfizer për sigurimin e 500 mijë dozave të kësaj vaksine.

Ndërsa, shtetet fqinje si Shqipëria dhe Serbia tashmë kanë nisur vaksinimin e qytetarëve me vaksinën kundër COVID-19.

Vendi

PDK kërkon seancë urgjente të Kuvendit sot për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar që sot, më 3 tetor, të mbahet seancë e Kuvendit të Kosovës për të votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se vendimi i Qeverisë për të përcjellë në Kuvend plotësim-ndryshimin e këtij ligji është një hap i rëndësishëm dhe se procedurat parlamentare duhet të nisin pa vonesë.

“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve“, ka thënë Musliu.

Ajo ka theksuar se Kosovës i nevojitet edhe një strategji e koordinuar juridike e diplomatike me ekspertë vendorë e ndërkombëtarë për procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së. Sipas saj, çështja është mbi kalkulimet politike dhe përfaqëson interes shtetëror, posaçërisht para se vendi të shkojë në zgjedhje./E.A/

Continue Reading

lajme

Qeveria miraton ndryshimet për Dhomat e Specializuara

Published

on

By

Qeveria e Kosovës ka konstatuar se nuk ka asnjë shkelje apo pengesë ligjore në nismën legjislative të ndërmarrë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Përmes një mbledhjeje elektronike të mbajtur të premten në mbrëmje, Ekzekutivi ka miratuar vendimin me të cilin i ka përcjellë Kuvendit të Kosovës vlerësimin dhe përgjigjet e nevojshme zyrtare lidhur me këtë nismë.

Sipas njoftimit zyrtar, përgjigja e Qeverisë përfshin opinionin ligjor të përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së , vlerësimin e ndikimit buxhetor, si dhe opinionin ligjor mbi përmbajtjen e projektligjit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar vendimin me të cilin i përgjigjet kërkesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës për Nismën legjislative për ‘Projektligjin Nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializua”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Me këtë vendim, procedura i kalon tashmë Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe procedim tëmëtejshëm ligjvënës. /E.A/

Continue Reading

lajme

Shkarkohet Blerim Isufaj nga posti i Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale

Published

on

By

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shkarkuar të premten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), ka mësuar KOHA.

Gjatë ditës ishte bërë e ditur se KPK-ja do të mblidhej në një takim të jashtëzakonshëm, ku në rend dite ishte diskutimi për performancën e Isufajt.

Isufaj ishte zgjedhur për herë të parë në krye të Prokurorisë Speciale në vitin 2019, ndërsa ishte rizgjedhur në këtë pozitë në vitin 2023.

Gjatë mandatit të tij, Isufaj ka qenë një prej figurave më të kritikuara në sistemin prokurorial nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai ishte votuar edhe nga Këshilli Prokurorial për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, por procesi kishte mbetur pezull dhe nuk ishte dekretuar nga ish-presidentja Vjosa Osmani.

Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se në sistemin prokurorial “shumica e problemeve kanë emër të përveçëm”, duke iu referuar Isufajt.

Më 2 shtator, Isufaj pati një përplasje me disa anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Përplasjet u zhvilluan gjatë shqyrtimit të raportit të punës së Prokurorisë Speciale për vitin 2025, i cili më pas u rrëzua nga KPK-ja.

D.L

Continue Reading

Lajmet

Nis takimi mes Kurtit dhe Hamzës

Published

on

By

Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza.

Në takim pritet të diskutohen çështja e zgjedhjes së presidentit të ri dhe ndryshimet e mundshme në Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Hamza është parë duke hyrë në objektin e Qeverisë i shoqëruar nga deputeti i PDK-së, Rrahman Rama.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 6 tetor për zgjedhjen e presidentit të ri. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara