Lajmet

Vajza amerikane që u kthye në “lidere” xhihadiste rrezikon dekada burg

Familja e saj në SHBA ka refuzuar kontaktin me të.

Published

on

Një grua amerikane nga Kansas do të mbetet në paraburgim përpara se të përballet me akuzat për terrorizëm për gjoja drejtimin e një skuadrileje luftarake të të ashtuquajturit Shtetit Islamik.

Allison Fluke-Ekren, 42 vjeç, akuzohet se ka trajnuar fëmijët e moshës gjashtë vjeçare për të përdorur automatikët dhe ka planifikuar të kryejë “xhihad të dhunshëm”.

Asaj iu refuzua lirimi me kusht pasi u paraqit në gjykatë në Virxhinia të enjten. Ajo mund të përballet me dekada burg.

Se si ish-mësuesja e shndërruar në xhihadiste, u ngrit në radhët e grupit për të komanduar batalionin e saj me femra, mbetet aktualisht një mister.

Larry Miller, i cili ishte arsimtari i shkencës i znj. Ekren kur ajo ishte adoleshente në Topeka, Kansas, në vitet 1990, i tha BBC-së se ishte krejtësisht i habitur nga lajmet për lidhjet e saj me IS.

Ai e kujtonte me mall si një studente të zgjuar gjatë viteve që ajo ndoqi shkollën ku ai jepte mësim.

“Ajo ishte një studente shumë, shumë e mirë. Ajo ishte inteligjente dhe kishte një sens humori”, tha ai. “Prindërit e saj ishin shumë, shumë mbështetës”.

“Ajo kurrë nuk bëri asgjë që më tregonte se donte të dëmtonte një gjallesë tjetër”, tha ai, duke kujtuar një rast kur ajo kapi një hardhucë ​​në një ekskursion në klasë, duke e mbajtur me kujdes që studentët e tjerë ta studionin. “Unë nuk mund ta kuptoj se si dikush që ka një dashuri të tillë për natyrën dhe njerëzit do ta bënte këtë.”

Megjithatë, disa dekada më vonë, ajo dyshohet se u bë një ndjekëse e përkushtuar e ideologjisë ekstremiste të IS, me një dëshmitar që u tha prokurorëve federalë amerikanë se pikëpamjet e saj ishin “11 ose 12 në një shkallë nga 1 deri në 10, me 10 që ishin jashtëzakonisht të radikalizuara”.

Sipas autoriteteve amerikane dhe të dhënave publike të shqyrtuara nga BBC, znj. Ekren kaloi kohë duke jetuar në Lindjen e Mesme në fund të viteve 2000 me bashkëshortin dhe fëmijët e saj të atëhershëm, duke e ndarë kohën jashtë vendit me vizita në Kansas. Ajo regjistroi detaje të asaj që dukej të ishte një jetë normale në një blog nga 2008-10.

Rreth vitit 2012, ajo u kontrabandua në Siri, sipas autoriteteve amerikane dhe u angazhua në një jetë terrorizmi më pas, duke u martuar me disa operativë të IS pasi burri i saj i parë vdiq, dhe duke trajnuar gra dhe vajza për të përdorur armë AK-47, për të shpërthyer bomba dhe për të përdorur mjete për vetëvrasje.

Një dëshmitar pretendoi se ata kishin vëzhguar një nga fëmijët e zonjës Ekren, atëherë pesë ose gjashtë vjeç, duke mbajtur një automatik në rezidencën e saj ndërsa jetonte në Siri.

Të enjten, gjykatësi Ivan Davis tha se zonja Ekren do të qëndronte në paraburgim pa lirim me kusht, duke shpjeguar se gjykata peshon faktorë të ndryshëm, duke përfshirë sigurinë e komunitetit lokal dhe raportet e shërbimeve paragjyqësore, gjatë seancave dëgjimore.

Ajo nuk e kundërshtoi ndalimin, tha zoti Davis.

Në fillim të kësaj jave, asaj iu tha se familja e saj në SHBA – prindërit e saj dhe dy fëmijët e rritur – kishin kërkuar që asaj të iu ndalohej kontakti me ta./UBTNews/

Lajmet

Rumania rrezikon të humbasë 770 milionë euro nga fondet e BE-së

Published

on

Rumania rrezikon të humbasë rreth 770 milionë euro nga fondet e Bashkimit Evropian, pasi nuk arriti të përmbushë një afat kyç për reformat e planit të rimëkëmbjes pas pandemisë.

Afati i 31 gushtit lidhej me miratimin e një ligji të ri për pagat në sektorin publik, por partitë kryesore politike nuk arritën marrëveshje për këtë çështje.

Sipas burimeve të BE-së, mosrespektimi i afatit mund të çojë në zbritjen e rreth 770 milionë eurove nga 8.44 miliardë eurot që Rumania i ka ende në dispozicion nga fondet evropiane.

Shuma e rrezikuar përbën rreth 40 për qind të planit të përgjithshëm të rimëkëmbjes së Rumanisë, i cili kap vlerën prej 21.41 miliardë eurosh.

Megjithatë, shuma përfundimtare e fondeve që mund të humben do të përcaktohet nga Komisioni Evropian, gjatë vlerësimit të kërkesës së fundit për pagesë, e cila duhet të dorëzohet deri në fund të shtatorit.

Presidenti rumun Nicuşor Dan ka deklaruar se legjislacioni është pothuajse i përfunduar teknikisht dhe se mund të miratohet deri në fund të vitit.

Ai e ka cilësuar reformën si një proces të ndërlikuar, me pasoja të rëndësishme sociale dhe ekonomike, që është zhvilluar nën presion të madh kohor./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Pezullohet vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit nga 1 shtatori

Published

on

Shoqata e Prodhuesve të Qumështit të Kosovës ka njoftuar se është pezulluar vendimi për ndërprerjen e grumbullimit të qumështit, i cili ishte paralajmëruar të hynte në fuqi më 1 shtator.

Sipas shoqatës, vendimi është pezulluar pas një takimi mes përfaqësuesve të institucioneve përkatëse dhe përpunuesve të qumështit.

“Rrjedhimisht, grumbullimi i qumështit do të vazhdojë deri në një vendim apo njoftim tjetër”, thuhet në njoftim.

Më herët, përfaqësues të Shoqatës së Industrisë së Qumështit të Kosovës kishin dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë kërkesat e tyre, duke kërkuar takim me ministrin në detyrë, Armend Muja, si dhe rikthimin e menjëhershëm të prodhimit të produkteve të qumështit.

Qumështoret kanë kërkuar gjithashtu nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë një komunikatë zyrtare për sigurinë e produkteve të industrisë vendore, si dhe anulimin e vendimit të 15 majit 2026, me numër 1414.

Një tjetër kërkesë e tyre është që Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë të ndërmarrë masa ndaj çmimeve që industria i konsideron dumping në tregun e produkteve të qumështit.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështit, Gani Durmishaj, ka thënë se këto kërkesa janë dorëzuar edhe zyrtarisht me shkrim.

Pas pezullimit të vendimit, grumbullimi i qumështit nga fermerët do të vazhdojë, ndërsa ata do të njoftohen me kohë për çdo zhvillim të mëtejshëm./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Hoti nuk e përkrah Bekim Sejdiun për president: “Nuk është çështje individësh, por parimesh”

Published

on

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta përkrahë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president të Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se qëndrimi i tij nuk lidhet me arsye personale, por me parime politike dhe institucionale.

Sipas tij, presidenti duhet të jetë figurë unifikuese dhe të ndërtojë konsensus përtej interesave partiake, ndërsa ka vlerësuar se kandidatura e Sejdiut nuk i përmbush këto kritere.

Hoti ka thënë gjithashtu se kjo kandidaturë nuk pasqyron interesat politike dhe parimore të LDK-së dhe elektoratit të saj. Sipas tij, partia nuk duhet të mbështesë një kandidat vetëm për hir të një marrëveshjeje politike, nëse ai nuk përfaqëson parimet dhe pritjet e votuesve.

“Nuk është çështje individësh, por çështje e parimeve, identitetit politik dhe përgjegjësisë që kemi ndaj votuesve tanë”, ka shkruar Hoti.

Bekim Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese, në vitin 2020, e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Avdullah Hoti./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kryeqyteti nis procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të “Pastrimit”

Published

on

Komuna e Prishtinës ka marrë vendim të nisë procedurat për themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit, me kapacitete të dedikuara vetëm për Prishtinën, raporton Ekonomia Online.

Vendimi u prezantua sot nga Kryetari Përparim Rama, në një konferencë për media së bashku me nënkryetarët Besianë Musmurati dhe Florian Dushi, të cilët paraqitën dokumentet, kronologjinë dhe hapat institucionalë të ndërmarrë për realizimin e projektit.

Kryetari Rama theksoi se marrëveshja ka mbetur e bllokuar për shkak të mosnënshkrimit nga Ministri i Financave, Hekuran Murati, ndërsa pasojat po i bartin Prishtina dhe qytetarët e saj.

“Qeveria e ka bllokuar Komunën dhe, si rrjedhojë, po i ndëshkon qytetarët. Prishtina nuk mund të presë pafundësisht një nënshkrim nga Hekuran Murati. Nëse Qeveria ka zgjedhur ta bllokojë financimin, ne kemi zgjedhur ta krijojmë zgjidhjen. Do ta themelojmë ndërmarrjen e re të pastrimit të Kryeqytetit”, deklaroi Rama.

Nënkryetarja Besianë Musmurati prezantoi dëshmitë që tregojnë se projekti me KfË-në kishte kaluar të gjitha fazat e nevojshme të negocimit dhe miratimit. Faza e parë prej 24.1 milionë eurosh parashihte rreth 100 kamionë të rinj, 10 mijë kontejnerë për ndarjen e mbeturinave dhe platforma për vendosjen e tyre. Faza e dytë prej 50 milionë eurosh përfshinte kapacitete shtesë dhe qendra për kompostim dhe riciklim.

Më 26 shtator 2024, KfË-ja ia kishte dërguar Ministrisë së Financave draftet e marrëveshjeve për grantin prej 4.1 milionë eurosh dhe kredinë e butë prej 20 milionë eurosh. Megjithatë, marrëveshja nuk u nënshkrua. Pa përgjigje mbeti edhe letra e përbashkët e Kryeqytetit dhe KfË-së, e dërguar më 15 maj 2026.

“Për shkak të këtij bllokimi, Prishtina sot nuk i ka 100 kamionët shtesë, 10 mijë kontejnerët dhe sistemin afatgjatë të riciklimit të paraparë me standarde gjermane. Përgjegjësia për mosrealizimin e projektit është e Ministrit Hekuran Murati”, deklaroi Musmurati.

Nënkryetari Florian Dushi bëri të ditur se Ligji për Kryeqytetin ia mundëson Prishtinës themelimin e ndërmarrjes së re pa pëlqimin e Qeverisë. Aktualisht po përgatiten plani i biznesit dhe analiza financiare, pas së cilave propozimi do t’i paraqitet Kuvendit të Kryeqytetit.

Kryetari Rama siguroi punëtorët aktualë të Kompanisë Rajonale “Pastrimi” se askush nuk do të mbetet pa punë.

Ata do të sistemohen, do të jenë pjesë e zgjidhjes dhe do të përfshihen në sistemin e ri që po ndërton Kryeqyteti.

Sipas tij, Prishtina nuk do të mbetet peng i bllokimeve. Kryeqyteti do të ndërtojë kapacitetet e veta dhe një sistem funksional, efikas e të qëndrueshëm, me vetëm një përgjegjësi: pastrimin e Prishtinës./EO/

 

Continue Reading

Të kërkuara