Sport

Uzuni dhe Doka: Kemi grup të mirë, japim maksimumin ndaj Polonisë

Published

on

Kombëtarja shqiptare po vijon përgatitjet për sfidën që do të zhvillojë ndaj Polonisë më 2 shtator, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror 2022, ndërsa ditën e hënë është kompletuar i gjithë grupi i lojtarëve.

Këtë të martë, në një konferencë për mediat kanë dalë dy futbollistët e ekipit, Myrto Uzuni dhe Albi Doka, të cilët kanë folur për sfidën që i pret ditën e enjte. Sulmuesi kuqezi, Uzuni tregoi se ndihet i lumtur që është pjesë e ekipit Kombëtar, ndërsa theksoi se skuadra do të japë maksimumin në këtë ndeshje të parë ndaj Polonisë, pasi asnjë kundërshtar nuk është i pakalueshëm.

Atmosfera në skuadër – Të gjithë e dimë rëndësinë e këtyre ndeshjeve. Jemi të fokusuar 100% te Polonia, nuk kemi menduar për dy ndeshjet e tjera. Do të japim maksimumin, pasi futbolli na ka treguar se asnjë kundërshtar nuk është i pamundur.

Sulmi në formë? – Normalisht që kur sulmuesit shënojnë, ekipi ka më shumë besim. Por nuk varet vetëm nga sulmuesit, varet nga të gjitha repartet e ekipit. Duhet të japim maksimumin, duhet të jemi të gjithë së bashku dhe për një qëllim të gjithë, jo kush shënon e kush jo.

Pozicioni në fushë – Unë do të thoja që jam shumë i lumtur që jam pjesë e ekipit Kombëtar, pasi është një ndjenjë e veçantë të përfaqësosh Kombëtaren, kjo është e rëndësishme për mua. Unë ndihem mirë nëse luaj si në krah, si pas sulmuesit, ose sulmues. Këtë e vendos trajneri.

Kundërshtari polak? – Flasim për lojtarë të nivelit botëror. Polonia ka një ekip shumë të fortë, ka dhe një grup shumë të mirë. Normalisht meritojnë respekt, por asgjë nuk është e pamundur. Mendoj se mund të luajmë me çdo kundërshtar si të barabartë.

Grupi i krijuar – Është e vërtetë, kur është grupi i njëjtë, ne i dimë të gjitha karakteristikat e çdo lojtari dhe kjo e bën grupin më të fortë dhe më të mirë, sepse e njohim më mirë lojtarin. Kjo është një shenjë e mirë dhe pozitive.

Rezultat pozitiv ndaj Polonisë? – Mentaliteti im është mentalitet fituesi. Në çdo ndeshje, hyj për të fituar dhe nuk i trembem askujt. Uroj të marrim fitore dhe kjo na ndihmon për të ecur përpara.

Nga ana tjetër, edhe Albi Doka theksoi se fokusi kryesor i skuadrës është sfida e parë ndaj Polonisë, ndërsa u shpreh se shpreson te një përsëritje e suksesit që arriti Kombëtarja në vitin 2016, duke pasur parasysh grupin e mirë që ka.

Sfidat e shtatorit – Kemi tre ndeshje, por duhet të fokusohemi te ndeshja me Poloninë, sepse nëse ia dalim në këtë ndeshje, dy të tjerat i kemi në shtëpi dhe do kemi edhe mbështetjen e tifozëve. Besoj se do marrim një rezultat të mirë.

Sukses me grupin e krijuar? – Mendoj se po, pasi kemi kohë si grup dhe jemi grumbulluar edhe më parë. Besoj që po, mund t’ia dalim me grupin që kemi krijuar.

Polakët, pengesa më e madhe? – Po, Polonia është ekipi më i fortë që kemi, por ne nuk duhet t’i trembemi me këtë grup lojtarësh që kemi. Jam me fat që stërvitem me këta lojtarë.

Përsëritje e arritjes së Kombëtares në 2016? – Normale që e mendojmë me njëri-tjetrin dhe e bisedojmë. Duhet ta ëndërrojmë atë gjë sepse prandaj jemi këtu, për të arritur atë qëllim.

A ndikon pauza verore te gjendja e lojtarëve? – Jo, jemi më të karikuar sepse kemi ardhur vetëm për një motiv dhe motivi është që të marrim rezultate sa më të mira.

Sport

FIFA mohon se po “shet futbollin”, por nuk heq dorë nga plani për investitorët privatë

Published

on

By

FIFA ka mohuar kategorikisht pretendimet se synon të “shesë futbollin”, duke deklaruar se do të vazhdojë procesin e konsultimeve për planin e saj që parasheh përfshirjen e investitorëve privatë në aktivitetet tregtare të organizatës.

Reagimi i FIFA-s erdhi pasi UEFA dhe CONCACAF kundërshtuan publikisht projektin, duke shprehur shqetësime se ai mund të ndryshojë mënyrën e administrimit të garave më të rëndësishme ndërkombëtare, përfshirë Kupën e Botës.

Në një deklaratë zyrtare, FIFA tha se raportimet e fundit mediatike kanë krijuar keqkuptime rreth projektit dhe ritheksoi se procesi do të vazhdojë në mënyrë transparente.

“Askush nuk po e shet futbollin. Nuk është diçka që FIFA do ta merrte ndonjëherë në konsideratë”, thuhet në deklaratën e organizatës.

Sipas planit të propozuar, FIFA synon të krijojë një njësi të re tregtare me emrin FIFA Forward Enterprise, e cila do të menaxhojë të drejtat komerciale të garave kryesore të organizatës. Investitorët privatë do të kenë mundësi të blejnë vetëm pjesëmarrje minoritare dhe jo kontrolluese në këtë strukturë.

FIFA argumenton se ky model synon të krijojë më shumë mundësi financiare për federatat anëtare, duke u dhënë atyre përfitime më të mëdha nga të drejtat tregtare në vendet e tyre.

Megjithatë, plani ka hasur në kundërshtim të fortë nga UEFA, e cila e cilësoi Kupën e Botës si një trashëgimi të futbollit që nuk duhet të trajtohet si produkt investimi.

“Kupa e Botës nuk mund të trajtohet si produkt investimi. Është një nga trashëgimitë më të mëdha të futbollit dhe asnjë pjesë e saj nuk duhet t’u dorëzohet investitorëve privatë. Kupa e Botës nuk është në shitje”, deklaroi UEFA.

Mbështetje për qëndrimin e UEFA-s ka dhënë edhe CONCACAF, ndërsa Konfederata Aziatike e Futbollit ka shprehur shqetësimin se vendimet e njëanshme të FIFA-s mund të dëmtojnë strukturën e futbollit kontinental.

Sipas raportimeve, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, u ka prezantuar federatave anëtare planin, duke u ofruar përfitime financiare në rast se ai miratohet. Për miratimin e projektit nevojitet mbështetja e shumicës së federatave anëtare të FIFA-s.

Debati rreth kësaj nisme vazhdon të ndajë botën e futbollit, ndërsa shumë figura të njohura të sportit kanë kërkuar që garat më prestigjioze të mbeten nën administrimin tradicional dhe larg interesave të investitorëve privatë.

D.L

Continue Reading

Sport

Ndahet nga jeta legjenda Franco Baresi

Published

on

By

Futbolli italian dhe AC Milan janë në zi pas ndarjes nga jeta të legjendës së klubit, Franco Baresi, në moshën 66-vjeçare. Lajmi u konfirmua nga klubi ku ai kaloi të gjithë karrierën si futbollist dhe më pas shërbeu si nënkryetar nderi.

Në një deklaratë prekëse, AC Milan shprehu dhimbjen për humbjen e një prej figurave më të mëdha në historinë e klubit.

“E gjithë historia e AC Milan është në lot pas ndarjes nga jeta të Franco Baresit. Shembulli dhe integriteti i tij do të mbeten përgjithmonë pjesë e ADN-së së klubit, ashtu si fanella ikonike me numrin 6. Ngushëllimet tona për familjen e Franco Baresit janë të njëjtat që ndjen çdo tifoz kuqezi në këtë moment të vështirë,” thuhet në reagimin e klubit.

Franco Baresi konsiderohet një nga mbrojtësit më të mëdhenj në historinë e futbollit. Ai veshi fanellën e Milanit gjatë gjithë karrierës së tij, duke zhvilluar mbi 700 ndeshje dhe duke fituar gjashtë tituj të Serie A, tre Kupa Evropiane, si dhe trofe të shumtë të tjerë. Me Kombëtaren e Italisë fitoi Kupën e Botës në vitin 1982 dhe ishte kapiten i “Azzurrëve” në finalen e Botërorit 1994.

Vdekja e tij ka shkaktuar reagime të shumta nga bota e futbollit, ndërsa tifozët e Milanit dhe dashamirësit e sportit i kanë dhënë lamtumirën një prej ikonave më të mëdha të lojës.

D.L

Continue Reading

Sport

Barcelona nën hetim pas ankesës së Atletico Madridit për rastin Julian Alvarez

Published

on

By

Barcelona është vënë nën hetim nga Federata Spanjolle e Futbollit, pas një ankese zyrtare të paraqitur nga Atletico Madridi, e cila pretendon se klubi katalanas ka kontaktuar sulmuesin Julian Alvarez në kundërshtim me rregulloret për transferimin e lojtarëve.

Sipas raportimeve të Marca, procedura disiplinore është iniciuar pas ankesës së dorëzuar nga Atletico më 30 qershor. Klubi madrilen pretendon se Barcelona ka zhvilluar kontakte me 26-vjeçarin, pavarësisht se ai është nën kontratë me Atleticon deri në qershor të vitit 2030.

Të dy klubet janë njoftuar zyrtarisht për hapjen e procedurës dhe pritet të paraqesin argumentet e tyre përpara organeve kompetente të RFEF-së, të cilat më pas do të marrin një vendim përfundimtar.

Rasti ka shtuar tensionet mes dy rivalëve të La Ligas. Më herët, drejtori ekzekutiv i Atletico Madridit, Miguel Ángel Gil Marín, kishte paralajmëruar se klubi do të ndërmerrte veprime për të mbrojtur interesat e tij në rast të çdo qasjeje të parregullt ndaj lojtarit.

Nga ana tjetër, presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, kishte deklaruar më 13 korrik se klubi kishte bërë një ofertë për Julian Alvarez. Megjithatë, Atletico Madrid vazhdon të refuzojë çdo mundësi për negociata, duke e konsideruar sulmuesin argjentinas pjesë të rëndësishme të projektit të tij.

Julian Alvarez raportohet se është i hapur ndaj një sfide të re në karrierë, ndërsa Barcelona e sheh atë si një nga objektivat kryesorë për përforcimin e repartit ofensiv para sezonit të ri.

Pavarësisht procedurës së nisur, drejtuesit e Barcelonës e konsiderojnë hetimin pjesë të procesit të zakonshëm administrativ dhe po përgatisin mbrojtjen e tyre ligjore.

D.L

Continue Reading

Sport

Ballkani dhe Malisheva i japin fund aventurës evropiane

Published

on

By

Dy përfaqësuesit e Kosovës në UEFA Conference League, FC Ballkani dhe FC Malisheva, kanë përfunduar rrugëtimin e tyre në garat evropiane, pasi u eliminuan në raundin e dytë kualifikues.

FC Ballkani u ndal nga skuadra irlandeze Bohemians vetëm pas ekzekutimit të penalltive. Pas disfatës 2:1 në ndeshjen e parë në Irlandë, kampionët kosovarë reaguan në përballjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri”, duke fituar 3:2 dhe barazuar rezultatin e përgjithshëm në 4:4. Në vazhdime nuk pati gola, ndërsa fituesi u përcaktua nga penalltitë, ku Bohemians tregoi më shumë saktësi dhe triumfoi 5:4, duke siguruar kualifikimin në raundin tjetër.

Ndërkohë, edhe FC Malisheva i dha fund aventurës së saj evropiane pas eliminimit nga Hibernian. Skuadra kosovare kishte krijuar epërsi të rëndësishme me fitoren 2:0 në ndeshjen e parë në Prishtinë, por në takimin e kthimit në Skoci u mposht me rezultat 4:1. Me rezultat të përgjithshëm 4:3 në favor të Hibernianit, Malisheva mbeti jashtë garës, duke mbyllur kështu pjesëmarrjen e saj në këtë edicion të UEFA Conference League.

D.L

Continue Reading

Të kërkuara