Lajmet

United Hospital prezanton pajisjen më të avancuar MRI në rajon

Published

on

Spitali “United Hospital” në Prishtinë ka bërë një hap të rëndësishem në modernizimin e diagnostikës mjekësore duke instaluar sistemin e avancuar MRI, Philips MR 5300 BlueSeal.

Ky projekt është realizuar me sukses nga kompania “Unicare”, si përfaqësuese zyrtare e Philips Healthcare, duke e bërë “United Hospital” spital të parin në rajon që operon me këtë teknologji të gjeneratës së fundit.

Sistemi i ri MRI 1.5T dallohet për teknologjinë inovative BlueSeal, e cila funksionon me sasi minimale heliumi, duke eliminuar nevojën për rimbushje dhe duke rritur sigurinë dhe efikasitetin operacional.

Falë integrimit të Inteligjencës Artificiale (AI), pajisja mundëson skanime deri në 50% më të shpejta, gjë që përkthehet në saktësi më të lartë diagnostike dhe më pak kohë pritjeje për pacientët.

Përveç shpejtësisë, MR 5300 ofron rezolucion të lartë të imazhit dhe një ambient më komod gjatë ekzaminimit.

Duke operuar ekskluzivisht me pajisje të markës Philips, United Hospital rikonfirmon përkushtimin për të ofruar standardet më të larta të kujdesit shëndetësor në vend përmes teknologjisë më të avancuar në tregun global.

Continue Reading

Vendi

Akil Gjakova mbetet pa medalje, Kosova kthehet me të artën e Distrisë

Published

on

By

Dita e dytë e Kampionatit Evropian të xhudos në Gjeorgji nuk ka sjellë medalje të reja për ekipin e Kosovës, pasi Akil Gjakova u mposht në sekondat e fundit të luftës për vendin e tretë.

Gjakova, i cili garoi në kategorinë deri në 73 kilogramë, e nisi ditën me dy fitore të rëndësishme ndaj garuesve nga Austria dhe Britania e Madhe, por lufta maratonë me këtë të fundit ndikoi në energjinë e tij për çerekfinalen kundër legjendës gjeorgjiane, Lasha Shavdatiashvili.

Edhe pse arriti të rikthehej me një fitore në repesazh ndaj moldavit Adil Osmanov, Akili u ndal në duelin për medaljen e bronztë nga turku Bilal Çiloglu, i cili shfrytëzoi një moment pakujdesie për të fituar me “Uazari”.

Në këtë kampionat u paraqitën edhe Dardan Cena dhe Laura Fazliu, por pa arritur të lënë gjurmë.

Cena u eliminua nga kampioni olimpik i Azerbajxhanit pas një fitoreje fillestare, ndërsa Laura Fazliu dëshpëroi me një eliminim të papritur që në luftën e parë kundër sllovenes Kaja Kajzer. Megjithatë, bilanci i Kosovës mbetet pozitiv falë Distria Krasniqit, e cila të enjten u shpall kampione e Evropës në kategorinë deri në 52 kilogramë.

Ky sukses i Distrisë bën që Kosova të fitojë medalje në kampionatet evropiane për të 14-tin vit radhazi, duke konfirmuar nivelin e lartë në mesin e 400 xhudistëve pjesëmarrës në Tbilisi.

Continue Reading

Lajmet

Kuvendi i Kosovës voton unanimisht: FSK dërgohet në mision paqeruajtës në Gaza

Published

on

By

Me 89 vota pro dhe asnjë kundër, Kuvendi i Kosovës ka miratuar sot vendimin për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza.

Ky mision vjen si mbështetje për zbatimin e planit gjithëpërfshirës për përfundimin e konfliktit në këtë rajon.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, theksoi se ky hap konfirmon besueshmërinë e lartë që FSK-ja ka krijuar te aleatët ndërkombëtarë.

Sipas tij, personeli i FSK-së do të operojë nën një komandë të unifikuar ndërkombëtare, duke kontribuar drejtpërdrejt në stabilitetin dhe paqen në përputhje me mandatin e dhënë.

Continue Reading

Vendi

Përmbyllet gara “Ushtari më i mirë 2026”: Elvis Qitaku i FSK-së dhe Hil Mala nga Shqipëria shpallen fitues

Published

on

By

Në një ceremoni solemne, Forca e Sigurisë së Kosovës ka shpallur sot fituesit e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2026”, pas një sfide intensive dyjavore.

Gara, e cila u zhvillua nga 13 deri më 17 prill, bëri bashkë 44 konkurrentë, ku gjysma ishin pjesëtarë të FSK-së dhe pjesa tjetër ushtarakë nga vendet partnere si SHBA-të (Ajova dhe Corps V), Mbretëria e Bashkuar, Italia, Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Në kategorinë e FSK-së, titullin e më të mirit e rrëmbeu Elvis Qitaku nga Regjimenti i Dytë i Këmbësorisë, i ndjekur nga Ismail Ahmeti në vendin e dytë dhe Sead Veseli në vendin e tretë. Ndërkohë, te radhët e ndërkombëtarëve, ushtarakët e Republikës së Shqipërisë dominuan plotësisht podiumin. Hil Mala u shpall “Ushtari më i mirë ndërkombëtar 2026”, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë u takuan kolegëve të tij, Hambel Peçi dhe Marjus Cauli.

Gjatë kësaj gare, ushtarakët u sfiduan në disiplina të rënda si testi fizik, navigimi tokësor, gjuajtja me armë, kalimi i poligonit të besueshmërisë dhe marshimi.

Pjesëmarrja e ushtrive të NATO-s në këtë aktivitet u vlerësua si një dëshmi e qartë e profesionalizmit të FSK-së dhe ndërveprueshmërisë së lartë me partnerët euroatlantikë.

Continue Reading

Lajmet

Deklarimi i pasurisë, Haxhiu blen banesë me kredi

Published

on

By

Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe njëherësh kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka bërë publike pasurinë e saj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas formularit të dorëzuar, gjatë vitit 2026 ajo ka blerë një banesë me sipërfaqe 128.74 metra katrorë, në vlerë prej 128,740 euro, e cila figuron si pronë e përbashkët. Kjo pasuri është siguruar përmes kredie bankare.

Në deklarim përfshihen edhe pasuri në emër të bashkëshortit: një banesë me vlerë 60 mijë euro dhe një parcelë toke prej 15 mijë euro.

Sa i përket pasurive të luajtshme, Haxhiu ka raportuar një veturë në vlerë 9,700 euro, gjithashtu në pronësi të përbashkët, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,531 euro.

Në pjesën e detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar një kredi prej 160 mijë euro, e marrë për blerjen e banesës. Po ashtu, figuron edhe një obligim financiar prej 1,100 euro në emër të bashkëshortit.

Të hyrat vjetore të saj përfshijnë pagën nga Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë në shumën 22,658 euro, mëditje prej 234 euro dhe 1,140 euro nga shtesa dhe kompensime të tjera.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj ka deklaruar të ardhura prej 16,739 euro nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe 1,747 euro mëditje nga udhëtimet jashtë vendit.

Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani më 4 prill 2026, Haxhiu mori përkohësisht detyrën e Presidentes. Ajo ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës më 11 shkurt 2026.

Continue Reading

Të kërkuara