Botë

Ushtria urdhërohet “të qëllojë menjëherë”, teksa mbështetësit e Khanit përplasen me policinë

Published

on

Ushtria pakistaneze ka dislokuar trupa në Islamabad, teksa mijëra protestues që po kërkojnë lirimin e ish-kryeministrit Imran Khan, refuzuan që të anulojnë marshin e tyre në kryeqytet pas përplasjeve me forcat e sigurisë.

Ushtria raportohet se ka pranuar urdhra më 26 nëntor që të qëllojë menjëherë, pas vdekjes së të paktën tre pjesëtarëve të policisë gjatë një incidenti gjatë natës. Dhjetëra zyrtarë policorë u plagosën gjatë përleshjeve me protestuesit dhe disa nga ta kanë lëndime serioze.

Forcat e sigurisë hodhën gaz lotsjellës dhe përdorën plumba gome ndaj protestuesve të Khanit pasi mijëra protestues kaluan bllokadat rrugore dhe marshuan rreth 150 kilometra nga veriperëndimi drejt Islamabadit, pavarësisht se autoritetet kanë vendosur orë policore dhe kanë ndaluar tubimet publike.

Në Islamabad, ora policore ësht në fuqi nga 23 nëntori dhe shërbimet e internetit janë ndërprerë në mënyrë sporadike.

Administrata e qytetit të Islamabadit njoftoi javën e kaluar për një ndalesë dymujore për tubime publike, por autokolonat me mbështetësit e Khanit udhëtuan nga provinca veriperëndimore e Kiber Pakhtunkvas, të vendosur që të hynin në qytet.

Zyrtarët e sigurisë thanë se presin mes 9.000 deri në 11.000 protestues, ndërkaq partia e Khanit, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI), tha se numri i protestuesve do të jetë shumë më i lartë. Video të shpërndara në rrjete sociale shfaqën mbështetësit e Khanit duke bartur gazmaska dhe syze mbrojtëse.

Udhëheqja e partisë së Khanit vazhdoi me planet e saj për të udhëtuar drejt kryeqytetit, edhe teksa presidenti i Bjellorusisë, Alyaksandr Lukashenka, mbërriti për një vizitë treditore. Ai u prit në një aeroport afër kryeqytetit nga kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në orët e vona të 25 nëntorit.

Ndërkohë, Qeveria po zhvillon bisedime me partinë e Khanit për të shmangur dhunën e mëtejme, thanë zyrtarët.

Ministri i Brendshëm, Mohsin Naqvi, u tha gazetarëve se Qeveria pakistaneze është e gatshme të lejojë mbështetësit e Khanit që të mblidhen në periferi të Islamabadit, por ai kërcënoi me masa ekstreme nëse ata hyjnë në qytet për të protestuar.

Khan, 72-vjeçar, ka qenë në burg për më shumë se një vit dhe përballet me më shumë se 150 raste penale, megjithatë ai gëzon popullaritet të madh në mesin e pakistanezëve. PTI-ja ka thënë se rastet kundër Khanit janë të motivuara politikisht.

PTI-ja ka sfiduar fushatën shtypëse të Qeverisë që kur Khan u ndalua që të garojë në zgjedhjet e shkurtit. Partia ka organizuara rregullisht protesta, të cilat synojnë të marrin nën kontroll hapësira publike në Islamabad dhe në qytete të tjera të mëdha.

Kërkesa kryesore e PTI-së është lirimi i Khanit, i cili ka shërbyer si kryeministër nga viti 2018 deri më 2022.

Partia po proteston gjithashtu kundër manipulimeve të pretenduara në zgjedhjet e shkurtit dhe po ashtu kundër një amendamenti kushtetues të ndryshuar së fundi, që i jep gjykatave më shumë fuqi.

Qeveria e Sharifit gjithnjë e më shumë po përballet me kritika lidhur me përdorimin e masave të ashpra për të shtypur protestat e PTI-së.

Protestat gjerësisht kanë shkëputur Islamabadin nga pjesa tjetër e shtetit, pasi udhëtimet drejt pjesëve të tjera të Pakistanit pothuajse janë ndaluar plotësisht.

Autostrada kryesore, Grand Trunk, në provincën Punxhab është bllokuar nga autoritetet me kontejnerë transporti, duke i detyruar protestuesit të përdorin makineri të rënda për t’i hequr kontejnerët.

lajme

Trafiku ajror në SHBA nis rikthimin në normalitet pas kaosit të fundjavës; Trump e demokratët përplasen për fajin

Published

on

By

Udhëtimi ajror në Shtetet e Bashkuara ka shënuar shenja të rikthimit gradual në normalitet të hënën, pas disaditëshit me ndërprerje të mëdha të trafikut që lanë mijëra pasagjerë të bllokuar dhe shkaktuan anulimin e mijëra fluturimeve anembanë vendit.

Sipas faqes së monitorimit të fluturimeve FlightAware, situata në orët e para të së hënës është përmirësuar ndjeshëm, duke u regjistruar më pak se 300 fluturime të anuluara dhe rreth 1.000 të vonuara – një rënie e madhe krahasuar me rreth 2.300 anulimet dhe mbi 10.000 vonesat e së dielës.

Kompanitë kryesore ajrore amerikane kanë konfirmuar stabilizimin e operacioneve:

American Airlines njoftoi se është e përgatitur të operojë me orar kryesisht normal, duke theksuar se nuk parashikon anulime të tjera të gjera pas kësaj ngjarjeje që preku të gjithë industrinë.

Delta Air Lines deklaroi se shumica e fluturimeve po zhvillohen normalisht, ndonëse paralajmëroi se disa pasagjerë mund të përballen ende me vonesa të izoluara.

Southwest Airlines dhe Alaska Airlines raportuan gjithashtu se janë rikthyer në orar të plotë dhe se operacionet janë rikuperuar në pjesën më të madhe.

Kriza nisi të premten, kur Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi ndalimin e fluturimeve në të gjithë vendin për më shumë se katër orë, për shkak të një defekti në komunikim që preku sistemet e kontrollit të trafikut ajror. Edhe pse urdhri u hoq po atë mbrëmje, efektet zinxhir zgjatën gjatë gjithë fundjavës. Zyrtarët kanë fajësuar punimet e mirëmbajtjes për zëvendësimin e kabllove të vjetra prej bakri me fibra optike, por shkaku i saktë mbetet ende nën hetim.

Ndërprerja e trafikut ajror ka nxitur edhe debate politike në Uashington. Presidenti Donald Trump, pas heshtjes gjatë fundjavës, reagoi të dielën në platformën Truth Social, duke kritikuar gjendjen e sistemeve të kontrollit ajror dhe duke fajësuar administratën e kaluar, si dhe mungesën e fondeve nga Kongresi.

“Administrata Biden ishte një katastrofë për FAA-në. Gjithçka që prekën shkoi keq. U shpenzuan shumë para në mënyrë të pamenduar, duke e bërë një sistem të vjetër dhe të dëmtuar edhe më keq se sa ishte kur ata morën drejtimin”, shkroi Trump.

Nga ana tjetër, sekretari i Transportit, Sean P. Duffy, në një intervistë për CNN deklaroi se merr përgjegjësinë për sistemin e trashëguar, por përsëriti thirrjen për miliarda dollarë financime shtesë për modernizimin e infrastrukturës së vjetruar, duke kërkuar që të lihet mënjanë partizanizmi politik. Ndërkohë, senatori demokrat nga Maryland, Chris Van Hollen, akuzoi administratën Trump se po përpiqet t’ia kalojë përgjegjësinë Kongresit, ndonëse fondet për përmirësimin e sistemit të aviacionit janë miratuar tashmë.

 

Continue Reading

Aktualitet

Zelensky u bën thirrje SHBA-së dhe Muskut t’i heqin kufizimet e Starlinkut dhe të jenë në “anën e duhur të historisë”

Published

on

By

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se një shërbim jetik amerikan i internetit satelitor po funksionon ende shumë ngadalë, duke ndikuar në aftësinë e Ukrainës për t’i ndalur sulmet ruse.“Po llogarisim që këto kufizime të hiqen. Mbrojtja e jetëve dhe e infrastrukturës energjetike të Ukrainës para dimrit varet drejtpërdrejt nga kjo”, ka thënë ai.

Çështja e shpejtësisë së sistemit Starshield – një shërbim i nivelit ushtarak i zhvilluar nga kompania Starlink e Elon Muskut dhe i ofruar për Ukrainën nga qeveria amerikane – po zgjat prej javësh. Zelensky ka bërë të ditur se u ka kërkuar zyrtarëve “të punojnë sa më ngushtë që të jetë e mundur” me qeverinë amerikane dhe kompaninë e Muskut. “Është e rëndësishme të jesh në anën e duhur të historisë”, ka theksuar ai. BBC-ja ka kërkuar koment nga Shtëpia e Bardhë dhe Starlinku lidhur me këtë çështje.

Ukraina e përdor shërbimin e zakonshëm Starlink për komunikime në fushëbetejë, ndërsa Starshieldi shërben për kapjen e raketave dhe dronëve në hapësirën ajrore të vendit. Kufizimet e shpejtësisë u vunë re për herë të parë në muajin tetor, duke shkaktuar deklarata kundërthënëse mes Elon Muskut dhe presidentit amerikan, Donald Trump. Musku pati deklaruar se përgjegjëse ishte qeveria e SHBA-së pasi sistemi kontrollohet prej saj, mirëpo Trumpi e mohoi këtë, duke thënë se i kishte kërkuar pronarit miliarder ta “rikthente” shërbimin. Edhe pse pas një jave u duk se gjendja po kthehej në normalitet, Ukraina njoftoi se kufizimet po vazhdonin të zbatoheshin.

Problemet me lidhjen përkuan me një përplasje të tensionuar diplomatike mes Zelenskyt dhe Trumpit rreth sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës së naftës brenda Rusisë. Trumpi ka thënë se sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës – të cilat Kievi i konsideron vendimtare për t’ia prerë Moskës burimin kryesor të të ardhurave për luftën – kanë shkaktuar rritje të çmimeve globale.

Të dielën, Zelensky deklaroi se Ukraina po has vështirësi në kapjen e dronëve rusë me motor reaktiv që po godasin nënstacionet elektrike, sepse “kufizimet në shpejtësinë e funksionimit të terminaleve Starshield përgjatë vijës së frontit dhe në territoret e pushtuara përkohësisht janë ende aty”.

“Dronët tanë kapës humbasin lidhjen me operatorët e tyre në shpejtësinë 161 km/orë (100 milje në orë) dhe thjesht nuk mund t’i arrijnë ‘shahedët’ rusë me motor reaktiv”, ka shkruar ai, duke iu referuar dronëve të dizajnuar sipas modelit iranian. Më herët, të premten, ai kishte bërë të ditur se kufizimet prej rreth 100 miljesh në orë ishin vendosur që nga e hëna, por vetëm në zonat e pushtuara nga Rusia dhe jo në të gjithë Ukrainën.

“Kjo tashmë ka implikime politike. Nëse vendosni kufizime atje, ju tashmë po i njihni pjesërisht territoret e pushtuara përkohësisht si jo tonat”, ka cituar New York Times fjalët e tij.

Përveç kësaj, Ukraina po përballet edhe me mungesë të sistemeve mbrojtëse amerikane Patriot që përdoren kundër raketave ruse – një situatë që Rusia e ka shfrytëzuar për t’i intensifikuar sulmet. Gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, forcat ruse goditën infrastrukturën energjetike në Zaporizhzhia, si dhe në rajonet Sumy, Odesa, Zhytomyr e Kirovohrad, ndërsa sulmuan edhe infrastrukturën hekurudhore në rajonet Dnipro, Kharkiv dhe Zaporizhzhia. Dhjetëra persona raportohet se janë lënduar në këto sulme, përfshirë dy në rajonet Donetsk dhe Kiev. Në Mena të rajonit Chernihiv u vranë dy persona nga goditja e një objekti infrastrukturor, bëri të ditur guvernatori Vyacheslav Chaus, duke shtuar në Telegram se sulme të shumta u kryen edhe ndaj objekteve energjetike në mbarë rajonin.

Ndërkohë, ushtria ukrainase njoftoi se ka goditur një uzinë petrokimike dhe një rafineri nafte në qytetin qendror rus Nizhnekamsk. “Natën e 15 nëntorit, njësitë e Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës arritën në Nizhnekamsk të Tatarstanit. Dy ndërmarrje që e furnizojnë luftën ruse me lëndë të parë dhe karburant u vunë në shënjestër”, thuhet në njoftimin e ushtrisë në Telegram. Sulme të tjera ukrainase vranë një person në qytetin portual industrial Taganrog pranë kufirit, njoftoi guvernatori rajonal Yuri Slyusar, ndërsa në rajonin e pushtuar të Luhanskut mbetën të vrarë një shofer kamioni dhe një grua e moshuar, sipas liderit rajonal të emëruar nga Moska, Leonid Pasechnik.

Në një zhvillim tjetër, Estonia ka njoftuar se do t’i mbyllë pikat e kalimit kufitar me Rusinë nga 1 dhjetori, pas një sulmi të dyshuar sabotazhi ndaj një kompanie të mbrojtjes. Tetë persona janë ndaluar lidhur me një tentativë zjarrvënieje ndaj prodhuesit të dronëve “Threod Systems”. Autoritetet estoneze thonë se ata ishin urdhëruar nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse GRU për ta kryer sulmin, ndërsa Rusia nuk ka komentuar.

“Rusia duhet ta kuptojë se veprimet armiqësore kundër Estonisë sjellin pasoja”, ka deklaruar ministri i Jashtëm estonez, Margus Tsahkna. /BBC/

 

Continue Reading

Live

Ndërprerje globale e shërbimeve të Microsoft-it, preken përdoruesit në 74 shtete

Published

on

By

Gjiganti teknologjik Microsoft po përballet me vështirësi serioze në rregullimin e një ndërprerjeje globale të shërbimeve të tij, e cila ka lënë jashtë funksionit platformat kryesore si Teams, Outlook dhe softuerin e inteligjencës artificiale Copilot, për shkak të problemeve me lidhjen.

Sipas të dhënave nga faqet e monitorimit të rrjetit, kjo rënie e sistemit ka zgjatur për më shumë se 11 orë dhe ka prekur përdoruesit në 74 shtete të botës. Kompania, aplikacionet Microsoft 365 të së cilës përdoren nga mbi 430 milionë njerëz, bëri të ditur se përpjekjet e deritanishme për të zgjidhur problemin nuk po japin rezultatet e pritura.

Nga Microsoft-i kanë sqaruar se kjo ndërprerje nuk është shkaktuar nga ndonjë incident i sigurisë kibernetike. Megjithatë, kjo situatë ka nxitur reagime të ashpra në komunitetin teknologjik.

“Nëse ky nuk është një sulm kibernetik, atëherë është një paaftësi e pabesueshme”, deklaroi një ekspert i teknologjisë për BBC-në.

Pasojat e kësaj rënieje të rrjetit janë ndjerë edhe te kompani të tjera të mëdha të teknologjisë, ku gjigantët e inteligjencës artificiale, OpenAI dhe Anthropic, kanë raportuar po ashtu probleme në funksionimin e shërbimeve të tyre. /BBC/

 

Continue Reading

Lajmet

G7 paralajmëron Kinën: Veprimet rreth Tajvanit kërcënojnë stabilitetin rajonal

Published

on

By

Ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s kanë paralajmëruar se veprimet gjithnjë e më agresive të Kinës në ujërat në lindje të Tajvanit po kërcënojnë seriozisht stabilitetin rajonal, lirinë e lundrimit dhe sigurinë e transportit detar ndërkombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre në Paris, diplomatët kryesorë të grupit rikonfirmuan kundërshtimin e prerë ndaj çdo përpjekjeje të njëanshme për të ndryshuar status quo-në përmes forcës apo detyrimit. Ky paralajmërim vjen pasi Pekini ka shtuar patrullimet e rojës bregdetare në brigjet lindore të ishullit, veprime që zyrtarët tajvanezë i shohin si përgatitje për një bllokadë të mundshme detare.

Pekini zyrtar e hodhi poshtë me ashpërsi këtë reagim, duke e cilësuar si ndërhyrje të vrazhdë në punët e tij të brendshme.

“Deklarata shpërfill faktet objektive, shpif e njollos qëllimisht imazhin e vendit dhe dëshmon se G7 është një grupim ideologjik që i përmbahet mentalitetit të Luftës së Ftohtë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Kinës, Mao Ning.

Ndërkohë, presidenti kinez Xi Jinping përsëriti thirrjen për “ribashkimin” e plotë të Tajvanit me Kinën, duke u zotuar se kjo do të realizohet në mënyrë paqësore. Nga ana tjetër, Zyra presidenciale e Tajvanit e mirëpriti mbështetjen e vendeve të G7-s, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit dhe në rajonin Indo-Paqësor janë jetike për sigurinë globale. /Reuters/

Continue Reading

Të kërkuara