Lajmet

“Ushtarët izraelitë rrahën të sëmurët dhe të plagosurit”

Publikuar

Forcat izraelite sulmuan një numër të stafit mjekësor dhe infermierët brenda spitalit al-Shifa, tha zyra e mediave e qeverisë së Gazës.

“I detyruan të hiqnin rrobat, i shanin dhe mallkonin. Ata i kërkuan personelit mjekësor të largohej nga stacionet e tyre, në mënyrë që të mund t’i merrnin në pyetje nën kërcënimin e armëve”, tha zyra për media.

Zyra tha gjithashtu se ushtarët izraelitë dëbuan një numër fëmijësh dhe disa pacientë, “duke i privuar nga trajtimi dhe duke i lënë ata të përballen me kërcënimet e bombardimeve, snajperëve dhe dronëve vdekjeprurës”./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Kurti takohet me partnerët e koalicionit, diskutojnë për zhvillimet aktuale dhe procesin zgjedhor

Publikuar

nga

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti të martën në mbrëmje u takua me bashkëdrejtuesit e Partisë Guxo, njëherësh zëvendëskryeministren dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, si dhe Kryetaren e Alternativës dhe njëherësh Kryetaren e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila.

Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit, gjatë darkës u diskutua mbi zhvillimet aktuale, arritjet dhe sfidat e përmbushjes së agjendës legjislative si dhe planet për të ardhmen, me fokus në agjendën legjislative në interes shtetëror dhe përtej vijave ndarëse politike.

Në takim po ashtu u trajtuan edhe kërkesat dhe qëndrimet e opozitës aktuale në Kuvendin e Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.

“Aty u theksua se duke qenë se legjislativi dhe qeverisja kanë arritur në vitin e katërt të mandatit, është e kuptueshme se procesi zgjedhor është çështje e muajve, por që dakordimi për hapat e mëtutjeshëm duhet të jetë në përputhje me vullnetin e qytetarëve të Republikës si dhe harmonizimin e plotë të kërkesës së partive opozitare karshi pozitës në Kuvend. Vetëm atëherë mund të trajtohen seriozisht nismat për diskutime të procesit të ri zgjedhor”, thuhet në njoftim.

Partnerët e koalicionit qeverisës, sipas komunikatës u shprehën të gatshëm dhe tërësisht të bindur se vlerat e kultivuara të demokracisë dhe progresi i deritanishëm i Qeverisë do të vazhdojë bashkë me përcaktimin për shtet demokratik të zhvilluar, me sundim të rendit dhe ligjit dhe për integrim në strukturat veri atlantike.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Komandanti i KFOR-it: Siguria e brishtë, por jemi gati t’i përgjigjemi çdo sfide

Publikuar

nga

Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash deklaroi se situata e sigurisë në Kosovë është e qëndrueshme, por e brishtë. Ai tha se 4 mijë e 600 trupa në kuadër të KFOR-it që vijnë nga 28 vende partnere dhe anëtare të NATO-s janë gati t’i përgjigjen çdo lloj sfide.

Gjeneralmajori Ulutash nuk e komentoi kërkesën e pak muajve më parë të kryeministrit Albin Kurti për trupa shtesë por tha se në varësi të situatës mund të rishohin dislokimin e trupave shtesë.

“NATO rishikon vazhdimisht qëndrimin e saj dhe mbetet e gatshme ta rregullojë atë sipas nevojës ose ta përshtasë. Përmes një rritjeje prej 1000 trupash, NATO vendosi forca shtesë rezervë në Kosovë pas dhunës që ndodhi vitin e kaluar. Për të parandaluar çdo rrezik të përshkallëzimit ose rritjes së përtërirë të dhunës, ne jemi të gatshëm t’u përgjigjemi sfidave të mundshme. Nëse është e nevojshme, ne mund të rregullojmë qëndrimin tonë sipas nevojës, në përputhje me mandatin tonë të OKB-së”, tha Ozkan Ulutas, komandant i KFOR-it.

Në lidhje me paralajmërimet e disa agjencive të huaja të inteligjencës për ngritje tensionesh në veriun e Kosovës, komandanti i KFOR-it siguron se janë të gatshëm t’i përgjigjen çfarëdolloj sfide.

“Jemi të pajisur mirë dhe të gatshëm për të trajtuar çdo situatë që mund të ndikojë në mjedisin e sigurisë dhe vazhdojmë të operojmë si reagues i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët jemi në koordinim të ngushtë”, theksoi Ulutas.

Në lidhje me bazat ushtarake serbe që gjenden në kufi dhe pretendimet se Serbia po stërvit njerëz për të sulmuar Kosovën, ai tha për A2 CNN, se do të vijojnë përpjekjet për të parandaluar çdo përshkallëzim të situatës.

“Ne monitorojmë nga afër çdo zhvillim që mund të ndikojë në sigurinë në mbarë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide që mund të ndodhë, duke rregulluar qëndrimin tonë sipas nevojës dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe EULEX-in”, deklaroi komandanti i KFOR.

Komandanti i KFOR-it kërkoi përgjegjësi për aktin terrorist të Banjskës por nuk tha nëse ata vetë kishin ndonjë hetim për ngjarjen.

“NATO vazhdon të kërkojë përgjegjësi për sulmet e dhunshme të 29 majit dhe 24 shtatorit. Hetimet për incidente si ai që ndodhi në Banjska përfshijnë koordinim me autoritetet lokale dhe palët e interesuara. Prandaj, ne u kemi kërkuar autoriteteve përkatëse në Prishtinë dhe Beograd që të kryejnë hetimet e nevojshme ligjore për të vërtetuar faktet dhe për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë”, shtoi Ulutas.

Gjeneralmajori Utulash që mori pjesë edhe në stërvitjen e fundit të ushtrisë serbe, tha se e ka të rëndësishëm komunikimin me gjeneralin e Forcave të Armatosura të Serbisë për të identifikuar sinjalet e hershme për ndonjë tension të mundshëm.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Ligji i ri i trafikut rrugor, për një muaj shqiptohen 36 mijë e 427 gjoba

Publikuar

nga

Policia e Kosovës ka bërë me dije masat e ndërmarra sipas ligjit të ri për rregullat e trafikut rrugor gjatë implementimit në muajin e parë.

Sipas policisë, numri i gjobave për kundërvajtje në total ishte 36 mijë e 427. Ndërkaq, mjetet e konfiskuara të pa regjistruara janë 639 ndërkaq mjete të konfiskuara të drejtuara nën masën mbrojtëse janë 251.

“Me qëllim të rritjes së sigurisë rrugore, mbrojtjen e jetës dhe zhvillimin normal të rrjedhës së trafikut, Policia e Kosovës gjatë muajit të parë të implementimit të ligjit të ri të trafikut ka ndërmarrë fushata për vetëdijesimin dhe sensibilizimit e qytetarëve në respektim të rregullave dhe kontributit të përbashkët për parandalimin e aksidenteve në trafik”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës, ka apeluar të gjithë pjesëmarrësit në trafik të respektojnë rregullat e trafikut që të kontribuohet në në sigurinë rrugore duke shpëtuar veten dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.

Vazhdo të lexosh

Lajmet

​Sot mbahet takimi i radhës për dinarin

Publikuar

nga

Sot për herë të gjashtë me radhë në Bruksel do të takohen kyenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me Rregulloren e BQK-së ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë.

Pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në takimin e Brukselit e ka konfirmuar këshilltari i tij, Klisman Kadiu, mirëpo nuk dha detaje sa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshje.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak është shprehur optimist se në takim do të arrihet një dakordim për çështjen e dinarit.

Më 12 maj ka përfunduar faza e tranzicionit që ka ndërmarrë BQK-ja për rregulloren, rrjedhimisht edhe një nga masat lehtësuese që ishte mosaplikimi i gjobave dhe masave, si ndalimi i importimit të valutave të huaja për subjektet që operojnë me para të gatshme në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore dhe ligjet e tjera në fuqi.

Për çështjen e dinarit palët janë takuar pesë herë të tjera në Bruksel, mirëpo kanë dështuar të arrihet një ujdi kompromisi.

Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti.

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara