Aktualitet

Ushtarët e FSK-së shfaqen me flamur të Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar: Gati ta nisin trajnimin e ukrainasve

Published

on

Një ekip i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po qëndron në Mbretërinë e Bashkuar në kuadër të operacionit “Interflex”, është shfaqur me flamurin e Kosovës në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, krah ushtarakave britanikë.

Ambasada e Mbretërisë së Bashkua në Prishtinë, e cila ka shpërndarë fotografitë, ka njoftuar se ky ekip tashmë e ka përfunduar trajnimin fillestar dhe është gati për të filluar me trajnimin e ushtarëve ukrainas.

“Ekipi i fundit i FSK-së INTERFLEX ka përfunduar trajnimin e tyre fillestar në Thetford të Mbretërisë së Bashluar . Ata tani janë gati dhe të përgatitur për të ofruar trajnimin bazik të këmbësorisë për ukrainasit që u mundëson atyre të kthehen në Ukrainë dhe të mbështesin vendin e tyre gjatë konfliktit që po vazhdon” , thuhet në njoftimin e Ambasadës, e cila me këtë rast ka uruar pavarësinë e Kosovës.

“Autoritetet e Kosovës muajin e kaluar kanë njoftuar se kontingjenti i radhës të Forcës së Sigurisë së Kosovës që do të zbarkoj në Mbretërinë e Bashkuar për të vazhduar misionin trajnues për personelin ushtarak ukrainas në kuadër të Operacionit Interflex. Operacioni Interflex është operacion shumëkombësh që ka synim përgatitjen dhe trajnimit e ushtarakëve ukrainas në taktikat dhe teknikat luftarake. Republika e Kosovës po vazhdon të jetë kontribues aktiv në mbështetjen e luftës së drejtë të popullit ukrainas”, thuhej në njoftim.

Bota

Trump paralajmëron tarifa 50% për importet nga Brazili

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të mërkurën se do të vendosë tarifa prej 50% për importet nga Brazili, duke e lidhur këtë masë me gjyqin që po zhvillohet ndaj ish-presidentit brazilian, Jair Bolsonaro.

Bolsonaro po përballet në Brazil me akuza për përpjekje për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2022. Ai akuzohet për përfshirje në një organizatë kriminale të armatosur dhe përpjekje për heqje të dhunshme të sundimit demokratik.

Trump ka shprehur më parë mbështetjen ndaj Bolsonaro, duke e konsideruar mik dhe duke e pritur atë në resortin e tij Mar-a-Lago në Florida në vitin 2020, gjatë kohës kur të dy ishin në pushtet.

Ky gjyq nuk duhet të zhvillohet,” shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social, duke e quajtur atë një “gjueti shtrigash” që duhet të përfundojë menjëherë. Ai iu drejtua presidentit brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, i cili mori detyrën në 2022, duke paralajmëruar për tarifat.

Përgjigja e presidentit Lula nuk vonoi. Ai paralajmëroi se tarifa 50% do të aktivizonte ligjin e reciprocitetit ekonomik të Brazilit, i cili lejon pezullimin e marrëveshjeve tregtare, investimeve dhe të pronësisë intelektuale ndaj vendeve që dëmtojnë konkurrueshmërinë braziliane.

“Brazili është një vend sovran me institucione të pavarura që nuk do të pranojnë të merren si të mirëqena nga askush,” tha Lula.

Ai shtoi se SHBA-të kanë pasur një suficit tregtar prej mbi 410 miliardë dollarësh me Brazilin gjatë 15 viteve të fundit.

Bolsonaro dëshmoi para Gjykatës Supreme të Brazilit në qershor për komplotin e dyshuar për të mbajtur pushtetin pas zgjedhjeve të vitit 2022. Gjyqtarët pritet të dëgjojnë edhe 26 të pandehur të tjerë gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa një vendim mund të merret që në shtator.

Ish-presidentit Bolsonaro i është ndaluar të kandidojë për poste publike deri në vitin 2030. Ai vetë e ka përshkruar situatën e tij si persekutim politik dhe nuk ka komentuar mbi paralajmërimin e tarifave nga Trump.

Continue Reading

Bota

Shefja e BE-së përballet me votëbesim

Published

on

By

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian organizojnë të enjten votëbesim kundër shefes së bllokut evropian, Ursula von der Leyen, teksa kryeministri hungarez, Viktor Orban është në krye të thirrjeve për rrëzimin e saj.

Ky votim, i pari i këtij lloji në Parlamentin Evropian në mbi një dekadë, është organizuar nga ligjvënës të ekstremit të djathtë. Për të kaluar nevojiten dy të tretat e votave të shumicës.

Von der Leyen mund të detyrohet të japë dorëheqje nëse humb, ndonëse fitoren e ka pothuajse të garantuar pasi shumica e grupeve politike kanë dhënë sinjale se do të votojnë kundër. Ajo nuk pritet të marrë pjesë në votimin që zhvillohet në Strasburg të Francës.

Mocioni përbëhet nga një mori dyshimesh kundër von der Leyenit, përfshirë mesazhet private me shefin e fabrikës Pfizer që ka prodhuar vaksina kundër koronavirusit, për keqpërdorim të fondeve të BE-së dhe për ndërhyrje në zgjedhjet në Gjermani dhe Rumani.

Orbani ka thënë përmes një postimi në Facebook se votimi “do të jetë moment i së vërtetës, në njërën anë do të jetë elita imperialiste e Brukselit, në tjetrën patriotët. Është thelbësore të bëhet një zgjidhje”.

“Zonja presidente, thelbi i udhëheqës tuaj është përgjegjësia. Është koha të largoheni!”.

Shefja e BE-së ka pasur shpesh mospajtime me Orbanin për shkak të veprimeve të tij në Budapest që kanë dëmtuar demokracinë. Prandaj, Komisioni Evropian ia ka ngrirë qasjen në miliarda euro në fonde të BE-së.

Ky votim ka hapur rrugën për shumë kritika ndaj von der Leyenit – e cila ka qenë në krye të nismës së BE-së për të gjetur vaksina për gati 450 milionë banorë gjatë pandemisë – por edhe për Partinë e saj Popullore Evropiane, e cila përbën grupin më të madh politik në parlament.

Continue Reading

Bota

Rusia nis sulmin e saj më të madh me dronë dhe raketa kundër Ukrainës

Published

on

By

Ukraina pretendoi sot se Rusia nisi sulmin e saj më të madh me dronë dhe raketa gjatë natës që nga fillimi i pushtimit në shkurt 2022, mes përshkallëzimit të sulmeve ruse dhe një ngërçi diplomatik.

Ky raund i ri sulmesh vjen pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi të hënën se po dërgonte “më shumë armë” në Kiev, kryesisht armë “mbrojtëse”, dhe të nesërmen akuzoi Vladimir Putinin se po fliste “budallallëqe” për Ukrainën.

Rusia nisi 728 dronë dhe 13 raketa”, sipas Forcave Ajrore Ukrainase, të cilat pretenduan se kishin kapur ose shkatërruar përkatësisht 711 dhe shtatë prej tyre.

Sulmet e natës lanë një person të vdekur në rajonin Khmelnytskyi (perëndim) dhe tetë të plagosur në Kiev, Sumy (verilindje), Zaporizhzhia (jug) dhe Kherson (jug), sipas autoriteteve lokale.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili mbërriti sot në Romë për bisedime me homologun e tij italian, Sergio Mattarella, papa Leonen XIV dhe të dërguarin e SHBA-së Keith Kellogg, denoncoi refuzimin e Rusisë për të rënë dakord për një armëpushim.

Ai bëri thirrje edhe një herë për “sanksione të ashpra” kundër Moskës dhe ekonomisë së saj, veçanërisht sektorit të naftës, “i cili ka ushqyer makinën e luftës së Moskës për më shumë se tre vjet”.

Të gjithë ata që duan paqe duhet të veprojnë”, këmbënguli ai.

Kievi ka akuzuar edhe Pekinin për shumë muaj se furnizon Moskën me pjesë thelbësore për programin e raketave dhe dronëve të Rusisë dhe do të donte të shihte sanksione perëndimore kundër Kinës. Shërbimi i Sigurisë Ukrainase (SBU) njoftoi sot arrestimin e dy shtetasve kinezë, babë dhe bir, të dyshuar për spiunazh në lidhje me prodhimin e raketave ukrainase kundër anijeve “Neptune”.

Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes pretendoi se kishte shënjestruar dhe “goditur” disa objekte të aviacionit ushtarak në Ukrainë gjatë natës, përveç rrëzimit të 86 dronëve ukrainas në territorin e saj. Ndërkohë, sulmet ruse vranë tetë civilë sot në mëngjes në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, sipas zyrës së prokurorit rajonal./atsh

Continue Reading

Bota

Gjykata evropiane e shpall Rusinë fajtore për shkelje në Ukrainë dhe për rrëzimin e avionit civil MH17

Published

on

By

Gjykata më e lartë evropiane për të drejtat e njeriut ka vendosur se Rusia ishte përgjegjëse për shkelje të mëdha të së drejtës ndërkombëtare në Ukrainë, përfshirë edhe rrëzimin avionit të fluturimit MH17 të Malaysia Airlines në vitin 2014.

Kjo është hera e parë që një gjykatë ndërkombëtare e mban zyrtarisht Moskën përgjegjëse për shkeljen e të drejtave të njeriut që lidhen me konfliktin në Ukrainë.

Të mërkurën, gjyqtarët e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut shpallën aktgjykime për katër raste të ngritura nga Ukraina dhe Holanda kundër Rusisë që nga fillimi i konfliktit në vitin 2014.

Akuzat përfshijnë vrasje, torturë, përdhunim, shkatërrim të infrastrukturës civile, rrëmbim të fëmijëve ukrainas dhe rrëzimin e avionit të udhëtarëve të Malaysia Airlines, fluturimi MH17, nga separatistë ukrainas që mbështesin Rusinë.

Duke i lexuar aktgjykimet në një sallë të mbushur gjyqi në Strasburg, presidenti i gjykatës, Mattias Guyomar, tha se forcat ruse kanë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar në Ukrainë duke kryer sulme që “vranë dhe plagosën mijëra civilë dhe krijuan frikë e terror”.

Gjykatësit gjetën se shkeljet e të drejtave të njeriut tejkaluan çdo synim ushtarak, dhe Rusia përdori dhunën seksuale si pjesë të një strategjie për ta thyer moralin ukrainas, tha gjyqtari francez.

Përdorimi i përdhunimit si armë lufte ishte një akt mizorie ekstreme që përbënte torturë”, u shpreh Guyomar.

Ankesat ishin paraqitur para se trupi drejtues i gjykatës ta përjashtonte Moskën në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës.

Megjithatë, vendimet kanë më shumë vlerë simbolike, pasi Moska ka theksuar se nuk do t’i njohë ato.

Nuk do ta respektojmë këtë, e konsiderojmë të pavlefshme”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një bisedë me gazetarët të mërkurën.

Familjarët e viktimave të katastrofës së MH17 e konsiderojnë vendimin si një hap të rëndësishëm në kërkimin e drejtësisë që prej 11 vjetësh.

Është një hap i vërtetë për të kuptuar se kush ishte vërtet përgjegjës”, tha për Associated Press Thomas Schansman, i cili humbi djalin e tij 18-vjeçar, Quinn, në atë tragjedi.

Avioni Boeing 777 që po fluturonte nga Amsterdami për në Kuala Lumpur u qëllua më 17 korrik 2014 me një raketë Buk të prodhimit rus, e lëshuar nga një territor në Ukrainën lindore të kontrolluar nga rebelë separatistë.

Që të gjithë 298 udhëtarët dhe anëtarët e ekuipazhit humbën jetën, përfshirë 196 qytetarë holandezë.

Në maj, agjencia e OKB-së për aviacionin e shpalli Rusinë përgjegjëse për rrëzimin e avionit.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut është pjesë e rëndësishme e Këshillit të Evropës, institucioni më i lartë për të drejtat e njeriut në kontinent.

Rusia u përjashtua nga ky këshill për shkak të pushtimit dhe luftës në Ukrainë. Megjithatë, gjykata akoma mund t’i trajtojë raste kundër Rusisë që datojnë para përjashtimit të saj.

Në vitin 2023, gjyqtarët i dhanë të drejtë Ukrainës dhe Holandës në një sfidë për juridiksionin, duke gjetur prova të mjaftueshme që zonat në Ukrainën lindore të kontrolluara nga separatistët ishin “nën juridiksionin e Federatës Ruse”, përfshirë sigurimin e armëve dhe mbështetjen politike e ekonomike./REL

Continue Reading

Të kërkuara