Lajmet
Ushqimet që shkaktojnë inflamacion dhe shtim në peshë
Konsumimi i ushqimeve të duhura është çelësi për të menaxhuar përgjigjen inflamatore të trupit tuaj.
Published
4 years agoon
By
UBT newsInflamacioni është një reaksion mbrojtës i trupit, por kur ndodh në mënyrë kronike mund të lindin probleme të rënda shëndetësore.
Konsumimi i ushqimeve të duhura është çelësi për të menaxhuar përgjigjen inflamatore të trupit tuaj.
Inflamacioni ndahet në dy kategori: kronik dhe akut.
Inflamacioni akut ndodh si një përgjigje e menjëhershme, ai mbron trupin dhe nxit shërimin. Ndërsa inflamacioni kronik ndodh kur sistemi imunitar mbingarkohet për një periudhë të gjatë kohore, nga shumë substanca të padëshiruara.
Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj këtyre substancave, e vë trupin tuaj në një gjendje të zgjatur të vetëmbrojtjes. Kjo mund të shkaktojë një sërë problemesh shëndetësore, që nga astma deri tek sëmundjet e zemrës dhe kanceri.
Gjithashtu inflamacioni kronik mund të shkaktojë shtim në peshë dhe madje të çojë në mbipeshë.
Lloje të caktuara ushqimesh mund të shkaktojnë inflamacion kronik, por eliminimi i tyre mund t’ju ndihmojë të mbani trupin tuaj në formë të mirë.
Më poshtë do të lexoni një listë të ushqimeve që shkaktojnë inflamacion.
Vaj perimesh i rafinuar
Vajrat e perimeve si vaji i sojës mendohet se shkaktojnë inflamacion kronik, kjo për shkak të përmbajtjes të lartë të yndyrës omega-6.
Yndyrnat omega-6, kur konsumohen me shumicë bashkë me yndyrnat omega-3 dhe omega-9, shkaktojnë inflamacion të dëmshëm që lidhet me sëmundjet e zemrës, sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur, sindromën e zorrëve të irrituara dhe mbipeshën.
Karbohidratet e përpunuara
Karbohidratet nuk janë të dëmshme, por karbohidratet e përpunuara si buka e bardhë dhe makaronat mund të shkaktojnë inflamacion.
Karbohidratet e rafinuara janë të varfëra në fibra.
Fibrat janë një lëndë ushqyese e rëndësishme që ngadalëson thithjen e sheqerit nga sistemi i qarkullimit të gjakut dhe ushqen bakteret probiotike në zorrë duke përmirësuar imunitetin.
Karbohidratet e përpunuara bëjnë që sheqeri në gjak të rritet, gjë e cila rrit inflamacionin.
Sheqeri i rafinuar
Studimet kanë treguar se konsumi i ushqimeve me sheqer të rafinuar mund të rrisë shënjuesit inflamatorë të mbipeshes, sëmundjeve të zemrës, të veshkave apo dhjamosjen e mëlçisë.
Sasi të vogla të sheqernave natyralë në fruta dhe perime nuk shkaktojnë inflamacion.
Produktet ushqimore me sheqer si lëngjet, drithërat, karamelet, ëmbëlsirat janë shkaktarë të inflamacionit.
Alkooli
Konsumimi i alkoolit mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin. Ky zakon mund të çojë në inflamacion që lidhet me shëndetin e zorrëve dhe mëlçisë./AgroWeb.org
Lajmet
Kosova nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Trumpit
Published
14 minutes agoon
January 22, 2026By
UBTnews
Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në një ceremoni që është mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës.
Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë biseduar për pak sekonda.
Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë rreth 35 nga 50 vende të ftuara. Por asnjë nga aleatët e Evropës Perëndimore.
Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.
Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.
Sipas statutit të propozuar, Bordi i Paqes synon të “sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, jo vetëm në Gazë, duke bërë thirrje për krijimin e “një organi ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv”.
Lista e shteteve të ftuara përfshin Britaninë e Madhe, Rusinë dhe vende të tjera. Deri tash, Franca, Norvegjia, Britania e Italia kanë refuzuar pjesëmarrjen.
Disa shtete kanë shprehur skepticizëm, edhe për shkak të kostos financiare. Për të siguruar një vend të përhershëm në Bordin e Paqes, secili shtet do të duhej të paguante më shumë se një miliard dollarë brenda vitit të parë për financimin e funksionimit të këtij organi, ndonëse ekziston mundësia e anëtarësimit pa pagesë për një mandat trevjeçar.
Lajmet
Kryetari i Prishtinës takon ambasadorin francez, diskutohet forcimi i bashkëpunimit dypalësh
Published
16 minutes agoon
January 22, 2026By
UBTnews
Përparim Rama, Kryetar i Prishtinës, ka pritur të enjten në takim ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guérot, me të cilin ka diskutuar për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy palëve.
Në fokus të takimit kanë qenë fushat me interes të përbashkët, përfshirë arsimin, kulturën dhe zhvillimin e qytetit.
Rama ka vlerësuar lart partneritetin me Francën, duke e cilësuar atë si të rëndësishëm për Kryeqytetin dhe për Kosovën në përgjithësi.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka theksuar se partneritetet e qëndrueshme ndërtojnë ura bashkëpunimi dhe krijojnë mundësi të reja për qytetarët e Prishtinës.
“Bashkëpunimi me Francën mbetet një partneritet i rëndësishëm për Kryeqytetin dhe Kosovën. Sot mirëprita Ambasadorin e Francës në Kosovë, z. Olivier Guérot, me të cilin diskutuam për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët”, ka shkruar Rama.
Lajmet
Arianit Sllamniku mbetet një muaj në paraburgim
Published
19 minutes agoon
January 22, 2026By
UBTnews
Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit dhe i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit Arianit Sllamniku, i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale.
Sipas njoftimit, i dyshuari, nga një periudhë e papërcaktuar e deri më 20 janar 2026, në rrugën “17 Shkurti” në Gjilan, në lokalin e regjistruar si “Consulence”, dyshohet se ka ushtruar veprimtari të kundërligjshme mjekësore dhe farmaceutike pa kualifikim profesional, pa licencë dhe pa autorizime ligjore.
Po ashtu, aty thuhet se Sllamniku ka kryer trajtime dhe vizita mjekësore e këshilluese, duke pretenduar se ofron shërime për autizëm, duke përshkruar terapi të ndryshme të paverifikuara dhe të pakonfirmuara, përkundër që ai nuk ka pasur njohuri e as kualifikim për këtë fushë mjekësore.
“Gjatë zbatimit të urdhrit të kontrollit nga NJHP në Gjilan, në lokalin “Consulence” është gjetur edhe një dëshmitar, i cili kishte shkuar për konsultim lidhur me trajtimin e autizmit, ndërsa janë sekuestruar edhe medikamente të ndryshme”, thuhet në njoftim.
Gjykata bën të ditur se i pandehuri dyshohet edhe për kryerjen e “eksperimenteve të kundërligjshme mjekësore dhe testimit të barërave”, pasi përmes komunikimit elektronik dhe telefonit ka rekomanduar terapi farmaceutike të paverifikuara për persona të ndryshëm, kryesisht fëmijë me spektrin autik, duke pranuar edhe pagesa për këto shërbime.
Gjyqtarja e procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, duke theksuar se masat alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Sllamniku ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Lajmet
Kërkohet paraburgim për djalin që dyshohet që vrau nënën e tij në Restelicë
Published
3 hours agoon
January 22, 2026By
UBTnews
Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit F.B., i cili gjendet në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit se vrau nënën e tij në fshatin Restelicë të Dragashit.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari F.B., më datë 20.01.2026, në fshatin Restelicë- Komuna e Dragashit, në shtëpinë e tij familjare ku jetonte së bashku me viktimën, me dashje privon nga jeta nënën e tij, viktimën T.B., në atë mënyrë që fillimisht e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e shtrëngon për fyti me duar, me ç’rast viktima nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatën për media të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Kosova nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Trumpit
Kryetari i Prishtinës takon ambasadorin francez, diskutohet forcimi i bashkëpunimit dypalësh
Arianit Sllamniku mbetet një muaj në paraburgim
Kërkohet paraburgim për djalin që dyshohet që vrau nënën e tij në Restelicë
Rinumërohen 40.16 për qind e votave, procesi vazhdon ende
Ngrihet aktakuza e parë për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, për asgjësim të dokumenteve të votimit
KEDS-i me punime në rrjet, këto janë zonat ku paralajmërohet të ketë reduktime
Kurti në Davos: Kosova po shënon rritje të vazhdueshme ekonomike
Konfiskohen fishekë, maska ushtarake e uniforma me simbole të Serbisë në Leposaviq
Të kërkuara
-
Lajmet3 months agoU mbajt Mbledhje Komemorative në nder të Prof. Dr. Faton Kabashit në UBT Prizren
-
Rajoni2 months agoProfesorët e UBT-së publikojnë studim shkencor mbi cilësinë e ujërave nëntokësore në Komunën e Suharekës
-
Rajoni2 months agoMe shumicë votash, Vesa Shatri zgjidhet Kryetare e re e Këshillit Studentor të UBT-së
-
Rajoni3 months agoNjë kontribut shkencor për ruajtjen e trashëgimisë inxhinierike në Kosovë – Publikohet artikulli i profesorëve të UBT-së, Naser Morina dhe Hazir Çadraku
