Kardiologët kanë paralajmëruar se qëndrimi ulur rrit mundësinë për mpiksje të gjakut, duke shtuar se njerëzit duhet të lëvizin sa më shumë për ta parandaluar këtë gjë.
Sipas Aleancës Kombëtare për Mpiksjen e Gjakut në SHBA, çdo ditë rreth 274 persona humbin jetën nga mpiksja e gjakut. Hulumtimet e fundit tregojnë se ka mbi 900 mijë raste në vit, çka e bën këtë problem një kërcënim të madh për shëndetin publik, ka raportuar Parade.
Megjithëse tingëllon frikshëm, mpiksja e gjakut në vetvete është një proces normal i trupit – një mënyrë për të ndaluar gjakderdhjen. Por kur ndodh në mënyrë jonormale, brenda enëve të gjakut ose kur ajo shkëputet dhe udhëton në pjesë të tjera të trupit, rreziku bëhet serioz.
Mos qëndroni ulur shumë gjatë
“Mundohuni të mos qëndroni joaktivë për kohë të gjatë dhe shtoni më shumë lëvizje në rutinën tuaj, në mënyrën që është e sigurt dhe e përshtatshme për ju”, ka thënë doktoresha Danielle Belardo, kardiologe në Los Anxhelos.
Ajo ka thënë se aktiviteti fizik ndihmon në qarkullimin e mirë të gjakut.
“Levizja zvogëlon rrezikun e mpiksjes. Kur i lëvizni muskujt, përmirësoni qarkullimin dhe e parandaloni mbledhjen e gjakut në vende të caktuara”, ka shtuar ajo.
Edhe doktori Mohanakrishnan Sathyamoorthy, kardiolog dhe shef i mjekësisë së brendshme në Burnett School of Medicine në Universitetin TCU, ka thënë se qëndrimi ulur për kohë të gjatë është një nga shkaktarët kryesor të mpiksjes së gjakut.
Çka e shkakton mpiksjen?
Kjo varet nga vendndodhja, por në përgjithësi, mpiksjet në arterie apo vena mund të shkaktohen nga:
-Sëmundje që rrisin tendencën për mpiksje
-Çrregullimet e vetë enëve të gjakut
Sipas doktorit Peter Kowey, profesor i mjekësisë në Thomas Jefferson University, “shumë sëmundje ndikojnë në mënyrën si mpikset gjaku, dhe kjo mund të çojë në komplikime të rënda.”
Belardo ka thënë se duhen vëzhguar me kujdes simptomat si:
-Kollë me gjak
-Rrahje të shpejta të zemrës
-Marramendje ose ndjesi që do të bini
-Vështirësi në frymëmarrje
-Dhimbje apo shtrëngim në gjoks
-Fryrje, ngrohtësi apo ndryshim ngjyre në krahë apo këmbë
Ndërkohë, Sathyamoorthy ka theksuar se shenjë specifike është “fryrja e njëanshme, në pjesën e poshtme të këmbëve, që shfaqet papritur dhe shoqërohet me dhimbje, sidomos gjatë përkuljes, është diçka që duhet kontrolluar menjëherë”.
Si ta parandaloni mpiksjen e gjakut?
Lëvizni sa më shumë
Nëse keni punë që kërkon shumë qëndrim ulur, apo jeni në udhëtime të gjata me avion, ecni herë pas here.
“Gjatë fluturimeve të gjata, rekomandoj të ecni çdo disa orë për të mbajtur aktiv qarkullimin e gjakut”, ka thënë Kowey.
Në jetën e përditshme, mjaftojnë edhe hapa të vegjël si ngjitja e shkallëve në vend të ashensorit, apo ecje të shkurtra.
Pini ujë mjaftueshëm. Dehidratimi e rrit rrezikun për mpiksje.
“Veçanërisht në mot të nxehtë, hidratimi është thelbësor për të parandaluar trashjen e gjakut. Pyesni mjekun për sasinë e duhur të ujit që duhet të pini çdo ditë”, ka thënë Kowey.
Njihni rreziqet tuaja
Sipas American Heart Association, disa prej faktorëve që rrisin rrezikun janë:
-Mbipesha;
-Diabeti;
-Shtatzënia;
-Mosha e shtyrë;
-Qëndrimi ulur për kohë të gjatë;
-Pirja e duhanit.