Kulturë

Ushqimet që e përmirësojnë humorin tonë

Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë.

Published

on

Kjo thënie e romakëve të lashtë, është vërtetuar prej disa kohësh edhe nga shkenca. Dieta e duhur ushqimore, veçanërisht ajo mesdhetare, mund ta ndihmojë vërtet mendjen tonë që të mendojë pozitivisht.

Ndërkohë ushqimet e pashëndetshme, ku kryesisht futen ato të gatshme, duket se janë të shijshme për momentin, por në një periudhë afatgjatë mund të ndikojë negativisht në ekuilibrin tonë psikofizik. Duke iu referuar disa studimeve, ne kemi zgjedhur 10 ushqime që falë përbërjes së tyre, promovojnë një humor të mirë.

  1. Banania

E pasur me vitamina B, kripëra minerale (sidomos kalium), probiotikë dhe triptofan, banania na jep shumë energji dhe ndihmon në lehtësimin e stresit, duke nxitur një ndjenjë të përgjithshme të mirëqenies.

  1. Çokollata e zezë

Ajo përmban prebiotikë, antioksidantë dhe triptofan, duke stimuluar çlirimin e hormoneve të lidhura me emocionet (endorfina, feniletilamina, serotonina), duke kryer në mënyrë efektive një funksion anti-depresiv, siç theksohet edhe në një studim të vitit 2019 nga Kolegji Universitar në Londë.

  1. Thjerrëzat

Përveç acidit folik dhe magnezit, thjerrëzat përmbajnë tirozinë (një aminoacid që stimulon dopaminën) dhe acidin gama-aminobutirik (që redukton ankthin). Kjo është arsyeja pse një studim i botuar në vitin 2017 në “Science of Food and Agriculture”, thekson se thjerrëzat nxisin humorin e mirë tek njerëzit.

  1. Boronica

E pasur me antioksidantë dhe vitamina, boronica e ndihmon trurin të aktivizojë hormonet që frenojnë stresin. Jo vetëm kaq. Siç e thekson një hulumtim i botuar në “Journal of Agricultural and Food Chemistry”, ky fryt stimulon aftësitë njohëse, duke përmirësuar ndjeshëm kujtesën.

  1. Arrat

Arrat sigurojnë mirëqenien tonë psikologjike falë pranisë së neuroprotektorëve (vitaminës E, folateve, magnezit, melatoninës dhe Omega 3),të cilat e përmirësojnë performancën intelektuale, dhe sipas një studimi të botuar në vitin 2012 e reduktojnë tensionin emocional.

  1. Patatja e ëmbël

Sikurse dëshmohet nga një studim i “Center of Science in the Public Interest” në SHBA, patatja e ëmbël është një karbohidrate komplekse që garanton mirëqenie fizike dhe mendore duke nxitur një rritje të niveleve të dehidroepiandrosteronit dhe serotoninës, hormonet e humorit të mirë.

  1. Domatja

Një burim i vitaminave, fosforit dhe kaliumit, domatet janë gjithashtu shumë të pasura me likopen, një substancë që e mbron trurin duke nxitur ndjenjat e mirëqenies, aq sa përbën një anti-depresant të vërtetë, siç tregohet edhe nga një studim i publikuar në vitin 2013 në “Journal of Affective Disorders”.

  1. Spinaqi

Siç nënvizohet nga një hulumtim i botuar në vitin 2018 në “Journal of Clinical Medicine”, spinaqi është i pasur me lëndë ushqyese, dhe mbi të gjitha përmban vitaminë C dhe magnez, substanca shumë të çmuara për prodhimin e serotoninës dhe dopaminës, hormonet përgjegjëse për humorin e mirë tek njeriu.

  1. Veza

Është shumë ushqyese, por edhe shumë e pasur me vitamina të grupit B. Ajo përmban gjithashtu Omega 3, vitaminë D, zink dhe triptofan, substanca që garantojnë mirëqenien e organizmit duke nxitur mendimet pozitive, siç dëshmohet nga një studim i Institutit Leiden për Trurin dhe Njohjen në Holandë.

  1. Kosi

Kosi është i pasur me kalcium (që e ndihmon shumë funksionimin e sistemit nervor) dhe probiotikë (të cilët stimulojnë prodhimin e hormoneve “pozitive”):Për këtë arsye, shpjegon një hulumtim i vitit 2015 i botuar në “Food Research International” (që rekomandon kosin me vanilje), konsumimi i tij e përmirëson ndjeshëm gjendjen shpirtërore. / bota.al

Continue Reading

Lajmet nga UBT

UBT shënon International Jazz Day me koncert artistik në Parkun Shkencor

Published

on

By

Me rastin e International Jazz Day, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u organizua një koncert i veçantë në UBT Concert Hall, duke sjellë një atmosferë artistike dhe një përvojë unike për studentët dhe dashamirësit e muzikës.

Ky aktivitet u realizua nga klasa e profesorit Dukagjin Muhaxheri, duke vënë në pah talentin dhe përkushtimin e studentëve në interpretimin e veprave të njohura dhe improvizimeve jazz. Programi i koncertit përfshiu performanca të ndryshme, ku Ledian Shala interpretoi në piano solo vepra të Chopin dhe improvizime, Sunaj Qerimi solli “Summertime” në klarinetë dhe piano, ndërsa Leon Shehu performoi “Habanera” për flautë dhe bend.

Në vazhdim, profesori Dukagjin Muhaxheri u prezantua me “Tico Tico” në saksofon, i shoqëruar nga bendi, ndërsa pjesa përmbyllëse përfshiu performanca të përbashkëta si “Caravan” dhe “Mo Better Blues”, të interpretuara nga Bendi i UBT-së me pjesëmarrjen e studentëve Shend Xhini, Rinor Hysemi, Sunaj Qerimi, Ledian Shala dhe vetë profesori Muhaxheri.

Ky koncert është një dëshmi e qartë e angazhimit të UBT-së për të promovuar artin dhe kulturën brenda komunitetit akademik, duke u ofruar studentëve hapësira konkrete për të shfaqur talentin e tyre dhe për të zhvilluar aftësitë profesionale në skenë.

Përmes programeve të tij në fushën e muzikës dhe arteve, UBT vazhdon të ndërthurë teorinë me praktikën, duke organizuar aktivitete të rregullta si koncerte, performanca live dhe projekte artistike që i përgatisin studentët për sfidat reale të industrisë kreative.

Ngjarje të tilla jo vetëm që pasurojnë jetën studentore, por gjithashtu dëshmojnë përkushtimin e UBT-së për të krijuar një mjedis dinamik, inovativ dhe ndërdisiplinor, ku talenti zhvillohet dhe promovohet në mënyrë të vazhdueshme.

Continue Reading

Kulturë

30 prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Xhazit

Published

on

Sot në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Xhazit, një ngjarje globale që kremton fuqinë e muzikës për të bashkuar njerëzit dhe kulturat.

E shpallur nga UNESCO, kjo ditë i kushtohet një prej zhanreve më me ndikim në historinë e muzikës moderne. Xhazi, i lindur në fillim të shekullit 20-të, është bërë simbol i lirisë artistike, improvizimit dhe dialogut kulturor.

Përmes koncerteve, aktiviteteve edukative dhe performancave të ndryshme, artistë dhe institucione në mbarë botën e shënojnë këtë ditë, duke promovuar diversitetin kulturor dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Dita Ndërkombëtare e Xhazit synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin për rolin e muzikës në ndërtimin e paqes dhe mirëkuptimit mes popujve, duke e kthyer xhazin në një gjuhë universale që tejkalon kufijtë.

Continue Reading

Kulturë

Baleti Kombëtar i Kosovës shënon premierën e parë për vitin 2026

Published

on

Baleti Kombëtar i Kosovës ka dhënë premierën e parë për vitin 2026, duke sjellë para publikut një mbrëmje artistike me dy shfaqje koreografike, në kuadër të Ditës Botërore të Baletit.

Programi përfshiu veprën “We Will Never Give Up on Love”, me koreografi nga Erion Kruja, si dhe shfaqjen “Bletë”, me koreografi nga Clébio Oliveira.

Kjo mbrëmje u karakterizua nga një ndërthurje e stileve bashkëkohore dhe ekspresivitetit skenik, duke sjellë reflektime mbi temat e dashurisë, qëndrueshmërisë dhe jetës kolektive. Premiera shënon hapjen e sezonit artistik të këtij institucioni për vitin 2026.

Continue Reading

Lajmet

Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës

Published

on

Një mbrëmje e veçantë që vjen në bashkëpunim me Konsullatën e Kosovës në Varshavë, Filharmonia e Kosovës sjell në Prishtinë Kuartetin Harkor të Filharmonisë së Krakovës – një ansambël që mishëron traditën e shkëlqyer polake të muzikës së dhomës dhe finesën e interpretimit evropian.
Më 5 maj 2026, në Hollin e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani”, katër muzikantë të shquar të Filharmonisë së Krakovës – Joanna Konarzewska, Zuzanna Frankiewicz, Jan Czyżewski dhe Martyna Sołtys do të interpretojnë dy kryevepra të muzikës polake për kuartet harkor: Kuartetin Harkor Nr. 3 të Grażyna Bacewicz dhe Kuartetin Harkor Nr. 2, Op. 42 të Władysław Żeleński.
Në këtë program takohen energjia moderne dhe forca ekspresive e Bacewicz me lirizmin romantik dhe finesën kompozicionale të Żeleński-t, duke krijuar një udhëtim artistik përmes identitetit muzikor polak. Për publikun e Prishtinës, kjo mbrëmje është një mundësi e rrallë për të përjetuar nga afër interpretimin e një ansambli që përfaqëson një prej institucioneve më të rëndësishme muzikore të Evropës Qendrore.
Ky koncert është më shumë se një paraqitje artistike  është një takim kulturash, një dialog përmes tingullit dhe një dëshmi e fuqisë së muzikës për të ndërtuar ura ndërmjet vendeve.

Continue Reading

Të kërkuara