Lajmet

Ura më e lartë hekurudhore në botë do të hapet së shpejti në Kashmir

Ura do të lidhë rajonin e largët me rrjetin e gjerë hekurudhor të Indisë.

Published

on

Në mes të Himalajeve në Kashmir shtrihet ura më e lartë hekurudhore në botë. Ura mbi lumin Chenab – 1 mijë e 315 metra e gjatë dhe 359 metra e lartë nga shtrati i lumit – do të lidhë rajonin e largët me rrjetin e gjerë hekurudhor të Indisë.

Gjatë kulmit të dimrit, një pjesë e madhe e rajonit të diskutueshëm është shkëputur nga pjesa tjetër e Indisë.

Kjo urë e cila është më e lartë se Kulla Eifel në Paris, shtrihet midis fshatrave Bakkal dhe Kauri në rrethin Reasi të zonës jugore Jammu të Kashmirit.

Me një kosto prej 168 milionë euro, ura është pjesë e projektit Udhampur-Srinagar-Baramulla Rail Link (USBRL), i cili do të lidhë qytetin kryesor të rajonit të Srinagarit me kontinentin e Indisë nëpërmjet rrjeteve hekurudhore në të cilat filloi puna në vitin 1999.

Ura me hark, e bërë nga 28 mijë ton çelik, konsiderohet një mrekulli inxhinierike pasi është ndërtuar në një zonë të prirur ndaj aktivitetit të lartë sizmik. Terreni i ashpër dhe i pabarabartë gjithashtu sjell rrëshqitje të shpeshta të dheut dhe kushte të vështira atmosferike.

Projekti hekurudhor 119 km i gjatë (73 milje) përfshin 38 tunele dhe 931 ura që kanë një gjatësi të kombinuar prej 13 km (8 milje) për ta mundësuar lidhjen hekurudhore.

Derisa inspektoi përfundimin e urës muajin e kaluar, Ashwini Vaishnaw, ministri i hekurudhave të Indisë, pranoi se kjo ishte sfida më e vështirë inxhinierike për departamentin.

“Kjo urë dhe tunelet tjera ishin të vështira, sepse e gjithë kjo zonë është shumë e prirur ndaj aktiviteteve sizmike. Për ta mbrojtur atë nga çdo aktivitet sizmik është përdorur teknologji e posaçme forcuese”, tha ministri.

Dyshimet për këtë projekt që u shtye u adresuan kur ministri tha se lidhja hekurudhore me Srinagarin do të përfundojë deri në dhjetor të këtij viti ose janar të vitit të ardhshëm.

Sipas dokumenteve zyrtare, ura është ndërtuar për t’u bërë ballë erërave të forta dhe tërmeteve me magnitudë të lartë./UBTNews/

Lajmet

Brazili kalon si lider i grupit në fazën nokaut, Vinicius shkëlqen ndërsa kthehet Neymar

Published

on

By

Pesë herë kampionët e botës, Brazili, kanë siguruar vendin e parë në Grupin C të Kupës së Botës 2026, pas një fitoreje bindëse 3-0 ndaj Skocisë. Ndeshja e zhvilluar në mesnatën mes të mërkurës dhe enjtes (sipas kohës në Kosovë), përveç dominimit brazilian, solli edhe një moment të shumëpritur: rikthimin e yllit Neymar në fushë pas tre vjetësh mungesë.

Figura qendrore e këtij takimi ishte Vinicius Junior, i cili shkëlqeu duke realizuar dy golat e parë. Sulmuesi i Real Madridit hapi serinë e golave që në minutën e 7-të, ndërsa dyfishoi epërsinë në minutën e tretë shtesë të pjesës së parë. Me këto dy realizime, Vinicius ka arritur në kuotën e katër golave në këtë Botëror, duke u barazuar me Erling Haaland dhe Kylian Mbappe, dhe duke mbetur vetëm një gol pas Lionel Messit që kryeson listën. Fitoren e “Seleçaos” e vulosi Matheus Cunha në minutën e 60-të për rezultatin përfundimtar 3-0.

Përveç spektaklit të golave, vëmendjen maksimale e mori minuta e 76-të, kur stadiumi “Hard Rock” shpërtheu në ovacione të mëdha për hyrjen në fushë të Neymarit. Sulmuesi 34-vjeçar, i cili është golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola, regjistroi paraqitjen e tij të parë ndërkombëtare që nga viti 2023.

Me këtë sukses, Brazili pozicionohet i pari në grup dhe të hënën do të luajë në Houston në kuadër të 1/32 së finales kundër vendit të dytë të Grupit F.

Në anën tjetër, Skocia, që merr pjesë në një Botëror për herë të parë që nga viti 1998, dështoi të shkruajë historinë për të kaluar fazën e grupeve në tentativën e nëntë. Megjithatë, shpresat e tyre nuk janë shuar plotësisht; me një diferencë golash prej -3, skocezët do të presin në kampin e tyre në Charlotte rezultatet e grupeve të tjera me shpresën për t’u kualifikuar tutje si një nga katër kombëtaret më të mira të vendeve të treta. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Shënohet 90-vjetori i lindjes së akademikut Rexhep Qosja

Published

on

Sot shënohet 90-vjetori i lindjes së akademikut, shkrimtarit, studiuesit dhe kritikut letrar Rexhep Qosja, një prej figurave më të shquara të kulturës dhe mendimit shqiptar.

Rexhep Qosja lindi më 25 qershor 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Arsimin fillor e kreu në vendlindje dhe në Guci, ndërsa Shkollën Normale e përfundoi në Prishtinë. Studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe i kreu në Universitetin e Prishtinës, ku diplomoi në vitin 1964.

Gjatë karrierës së tij, ai dha një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e albanologjisë, historisë së letërsisë dhe kritikës letrare, duke vepruar si profesor universitar, studiues dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Qosja është autor i dhjetëra veprave letrare dhe shkencore, ndër të cilat veçohen romanet “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje”, “Nata është dita jonë” dhe “Bijtë e askujt”, si dhe studimet “Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi”, “Anatomia e kulturës” dhe “Çështja shqiptare – historia dhe politika”.

Për kontributin e tij në kulturë, letërsi dhe shkencë, ai u nderua me çmime dhe mirënjohje të shumta, ndërsa në vitin 2000 u dekorua me titullin “Nderi i Kombit”.

Edhe pas ndarjes nga jeta më 23 prill 2026, Rexhep Qosja mbetet një nga figurat më të rëndësishme të mendimit intelektual dhe letërsisë shqiptare, ndërsa vepra e tij vazhdon të studiohet dhe të frymëzojë breza të tërë lexuesish dhe studiuesish./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Vazhdojnë gërmimet në Istog, zbulohen struktura banimi të vitit 1900 p.e.s.

Published

on

By

Përmes një njoftimi, ministrja e Kulturës dhe Turizimit, Saranda Bogujevci, ka bërë të ditur se në lokalitetin prehistorik të Pepajt në Lubozhdë të Istogut po vazhdojnë gërmimet e rëndësishme arkeologjike, të cilat po sjellin në dritë rezultate të mëdha shkencore për historinë e hershme të Kosovës. Sipas saj, ky projekt po realizohet në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Institutit Arkeologjik të Kosovës dhe Universitetit të Miçiganit.

Ministrja Bogujevci ka sqaruar se hulumtimet e fundit kanë dëshmuar ekzistencën e një vendbanimi të Epokës së Bronzit të Hershëm. Ndër gjetjet më me vlerë janë disa struktura banimi që datojnë rreth vitit 1900 para erës sonë, të cilat pritet të ndihmojnë studiuesit për të kuptuar më nga afër jetën dhe organizimin shoqëror në këtë zonë mijëra vjet më parë.

Sipas Bogujevcit ky projekt ka edhe një karakter të rëndësishëm akademik, pasi në të janë përfshirë studiues dhe studentë si nga vendi, ashtu edhe nga arena ndërkombëtare. Në përfundim, Bogujevci ka theksuar se arkeologjia në Kosovë po vazhdon të sjellë dëshmi të reja dhe të rëndësishme për historinë tonë të hershme. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

REL: LDK-ja kërkon Presidencën: Abdixhiku ose Haziri

Published

on

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund të unifikohet dhe t’i ofrojë votat e 18 deputetëve të saj të zgjedhur në Kuvendin e Kosovës, në rast se Lëvizjen Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, i ofron postin e presidentit të vendit në një marrëveshje eventuale.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas tij, votat e LDK-së mund të unifikohen në rast se emri i presidentit del nga radhët e LDK-së dhe jo përtej kësaj partie.

“Në rast se ky emër është Lumiri [Abdixhiku, kryetar i partisë] ose emri im, atëherë mund të unifikohemi. Lumirit i bie të jetë i pari, sipas detyrës zyrtare, sepse është kryetar. Pas Lumirit, konsensus më të madh [brenda LDK-së] kam unë”, theksoi Haziri.

Në zgjedhjet e 7 qershorit, LDK-ja garoi me emrat e Vjosa Osmanit si kandidate për presidente dhe të Lumir Abdixhikut si kandidat për kryeministër.

Kjo parti siguroi 18 ulëse në Kuvendin e Kosovës, por sipas Hazirit, për emrin e Osmanit, LDK-ja nuk do të mund të sigurojë mbështetjen e të gjithë deputetëve të saj.

“Mund të jetë sikur herën e kaluar, pra, dy-tri vota, mund të ndahen, por në rastin e Lumirit ose rastin tim, mund të unifikohemi”, sqaroi Haziri.

Osmani më herët ka deklaruar se emri i saj “nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”.

Haziri theksoi se LDK-ja aktualisht “ka vetëm një adresë kryesore”, të cilës mund t’i drejtohet Lëvizjen Vetëvendosje, për ndonjë marrëveshje eventuale.

“Vetëm me Lumir Abdixhikun. Ai është kryetar. Ne nuk kemi mbledhur Kuvendin [e LDK-së]. Nëse mblidhet Kuvendi ose ka akt të dorëheqjes, atëherë kemi situatë të re. Deri atëherë është vetëm një adresë dhe nuk ka adresë të dytë”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Kjo është përgjigja e tij ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, ministre në detyrë e Drejtësisë në Qeverinë e Albin Kurtit, kryetarit të LVV-së.

Gërvalla në një intervistë për televizionin vendor KTV, duke komentuar zhvillimet brenda LDK-së, tha se brenda saj “janë disa rryma të ndryshme”.

Sipas saj, LVV-ja e ka problem të flasë me LDK-në, sepse “nuk e dimë me cilën rrymë je duke folur”, për ndonjë marrëveshje eventuale për konsolidimin e institucioneve të vendit, pas zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Unë po kërkoj që ai që potencialisht ulet për të negociuar me ne, të jetë edhe personi që e përfaqëson këtë parti. Ne nuk mund të ulemi me pesë veta të ndryshëm në LDK. Sepse nëse LDK-ja dëshiron të jetë faktor në zgjedhjen e presidentit, atëherë ata duhet të garantojnë edhe votat e grupit të vetë parlamentar”, theksoi Gërvalla.

Në anën tjetër, nënkryetari i LDK-së, Haziri shpjegoi se deri më tash në adresë të LDK-së “nuk ka ardhur nga LVV-ja ndonjë ftesë” për të biseduar për ndonjë marrëveshje eventuale.

Sipas tij, në rast se një ftesë e tillë arrin në adresë të partisë, atë do ta shqyrtojnë organet e LDK-së dhe vendimmarrja do të jetë e brendshme varësisht se cila do të jetë oferta e LVV-së.

Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit u mbajtën pasi legjislatura paraprake dështoi të votonte një president të ri brenda afatit kushtetues, pasi Vjosa Osmanit i skadoi mandati pesëvjeçar në prill.

Nga LVV-ja kanë thënë se janë të gatshëm të bisedojnë për çështjen e krijimit të institucioneve të reja, pasi të certifikohet rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit.

Sipas Kushtetutës, për themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë kërkohet vota e së paku 61 deputetëve.

Fituesja e zgjedhjeve, LVV-ja e Kurtit pritet të ketë 53 mandate në Kuvendin prej 120 vendesh dhe ajo mund t’i bëjë numrat, së bashku me pakicat joserbe, për Kuvendin dhe Qeverinë.

Por, për çështjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota – apo dy e treta e deputetëve – në dy rundet e para, dhe presidenti i ri do të mund të zgjidhej me 61 vota në rundin e tretë. /REL//A.K/

Continue Reading

Të kërkuara