Lajmet

Ukraina fuçi baruti

SHBA e kanë kërcënuar Rusinë në rast të shkallëzimit ushtarak me pasoja të rënda.

Published

on

Perëndimi i forcon krahët Ukrainës. Për shkak të rritjes së tensioneve ushtarake me Rusinë, SHBA, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe Gjermania kanë mbështetur demonstrativisht Ukrainën e presidentin e saj.

Sovraniteti i Ukrainës duhet “të respektohet”, deklaruan Shtëpia e Bardhë në Uashington dhe Pallati  Élysée në Paris pas një konference telefonike të krerëve të shteteve e qeverive të SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Gjermanisë Jemi gati “për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Europë”, u tha. Ujdia mes krerëve perëndimorë erdhi para video-samitit të pritur me interes të madh mes presidentit të SHBA, Joe Biden dhe atij rus, Vladimir Putin të martën (07.12.). Për shkak të lëvizjes masive të trupave ruse në kufirin ukrainas, qeveritë perëndimore i tremben një sulmi të Rusisë ndaj vendit fqinj.

Edhe krerët e shtabeve të përgjithshme të 30 vendeve të NATO-s u bashkuan në një takim të posaçëm. Sipas të dhënave të aleancës ushtarake verio-atlantike, Rusia ka stacionuar në kufi në mënyrë të pazakontë  kontigjente të mëdha trupash të gatshme për luftë si edhe armatime të rënda dhe drone.

Konflikt i vazhdueshëm

Zhvillimet më të fundit zgjojnë kujtime të hidhura të vitit 2014. Atëkohë Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë dhe filloi me mbështetjen e vazhdueshme të separatistëve në Ukrainën Lindore. Konflikti deri më sot nuk është zgjidhur, në Ukrainën Lindore rregullisht zhvillohen luftime. Rusia mbështet rebelët që në rajonet Luhansk e Donjeck kanë shpallur republikat e tyre.

Qeveria në Moskë betohet se nuk ka qëllime ushtarake. Ajo argumenton me atë, që në territorin e saj mund të lëvizë trupat si t’i përshtatet. Në të njëjtën kohë Kremlini kritikon prezencën ushtarake të vendeve perëndimore në afërsi të kufirit rus si “provokim”. Putin dëshiron po ashtu garanci, që Ukraina nuk do të bëhet anëtare e NATO-s.

SHBA e kanë kërcënuar Rusinë në rast të shkallëzimit ushtarak me pasoja të rënda. Një përfaqësues i qeverisë amerikane në Uashington është shprehur, se Biden do t’ia bëjë të qartë Putinit në video-samitin e së martës, se çmimi do të jetë shumë i lartë, “nëse Rusia do të vendosë për një procedim të tillë”. Jemi të gatshëm për “sanksione të ashpra ekonomike” dhe stacionim të ushtarëve të tjerë në Europën Lindore. Por nuk merret në shqyrtim një përgjigje ushtarake e perëndimit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Selenskyj ndërkohë zhvilloi një vizitë tek ushtarët ukrainas në linjën e frontit në lindje të vendit. Ai vizitoi pozicione të ushtarëve në Donjeck dhe falënderoi ushtarët “për mbrojtjen e integritetit territorial të Ukrainës”, bëri të ditur zyra presidenciale në Kiev. “Me njerëz si ju ne qartësisht fitojmë”, u shpreh me besim Selenskyj.

Continue Reading

Vendi

Studentët e UBT-së prezantojnë kreativitetin e tyre në ekspozitën “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”

Published

on

By

Në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, është hapur ekspozita artistike “Whatever is Found Online, Do Not Look For Here”, një aktivitet që solli para publikut kreativitetin, imagjinatën dhe qasjen bashkëkohore të studentëve të Fakultetit të Artit dhe Medias Digjitale.

Ekspozita u hap në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, duke mbledhur studentë, profesorë, artistë dhe vizitorë të shumtë të interesuar për artin dhe dizajnin bashkëkohor.

Punimet e ekspozuara janë realizuar nga studentët në kuadër të lëndëve “Moduli i Pikturës” dhe “Vizatim Kreativ”, nën mentorimin e ligjëruesit Fatmir Mustafa, i cili ka udhëhequr studentët në zhvillimin e koncepteve artistike dhe eksplorimin e formave të reja të shprehjes vizuale.

Ekspozita është një gamë e gjerë punimesh artistike, të cilat trajtojnë perceptimin e realitetit digjital, ndikimin e internetit në kulturën vizuale dhe raportin mes hapësirës virtuale dhe asaj reale. Përmes qasjeve kreative dhe eksperimentale, studentët sollën interpretime unike artistike, duke reflektuar mbi mënyrën se si informacioni dhe imazhet online ndikojnë në përditshmërinë dhe identitetin modern.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të Ditëve të Artit dhe Dizajnit në UBT, një platformë që synon promovimin e talenteve të reja, zhvillimin e mendimit kritik artistik dhe krijimin e hapësirave për prezantimin e punës së studentëve para publikut.

Continue Reading

Lajmet

Studentët e Dizajnit të Modës në UBT prezantojnë krijimtarinë e tyre në Ditët e Artit dhe të Dizajnit

Published

on

By

Në kuadër të aktivitetit Ditët e Artit & Dizajnit 2026, në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së u hap ekspozita me punë të përzgjedhura të studentëve të vitit të parë të Dizajnit të Modës.

Punimet janë realizuar në kuadër të lëndëve “Dizajn Studio 1: Bazat e Dizajnit të Modës” dhe “Dizajn Studio 2: Zhvillimi i Modës”, nën mentorimin e profesoreshës Hana Zeqa.

Kjo ekspozita sjell procesin krijues të punës se studentëve, duke nisur nga eksplorimet fillestare të formës, kompozimit dhe kërkimit vizual, e deri te zhvillimi i koncepteve të strukturuara të modës.

Projektet e semestrit të parë trajtojnë tema individuale dhe qasje personale të studentëve, ndërsa punimet e semestrit të dytë janë zhvilluar rreth temës “Liza në Botën e Çudirave”, duke interpretuar universin fantastik përmes qasjeve bashkëkohore në modë, ilustrim dhe zhvillim konceptual.

Përmes skicave, hulumtimeve, referencave vizuale, eksperimenteve me materiale dhe prezantimeve kreative, ekspozita synon të shfaqë jo vetëm rezultatet finale, por edhe rrugëtimin artistik dhe evolucionin e mendimit kreativ të studentëve gjatë dy semestrave të studimit.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Promovohet në UBT libri “Rezistenca e Materialeve – 2” i Prof. Naser Morina

Published

on

By

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan u promovua libri universitar “Rezistenca e Materialeve – 2”, i autorit Prof. Ass. Dr. Naser Morina, një botim akademik që synon të avancojë literaturën profesionale në fushën e inxhinierisë së ndërtimit në Kosovë.

Në ceremoninë e promovimit morën pjesë profesorë, studentë, kolegë të profesionit, të cilët vlerësuan kontributin shumëvjeçar të Prof. Morinës në arsim, shkencë dhe zhvillimin e literaturës universitare në gjuhën shqipe.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, vlerësoi librin si një kontribut të rëndësishëm për studentët dhe zhvillimin e arsimit inxhinierik në vend, duke potencuar rëndësinë e krijimit të literaturës autentike universitare.

“Ky është një kontribut shumë i vlefshëm për studentët dhe për gjeneratat e reja të inxhinierëve. Fusha e teknikës dhe teknologjisë kërkon kuptim të thellë të formulave, llogaritjeve dhe bazës shkencore, prandaj literatura profesionale është esenciale”, deklaroi Rektori Hajrizi.

Ai shtoi se UBT po ndërton një kulturë të fuqishme të botimeve akademike dhe se profesorët e institucionit po krijojnë literaturë që i shërben drejtpërdrejt zhvillimit të arsimit të lartë dhe industrisë.

“Është shumë e rëndësishme që profesorët tanë të krijojnë literaturën e tyre universitare. Kjo i ndihmon studentët të kenë materiale më konkrete dhe më të orientuara drejt praktikës profesionale. Sot, UBT ka mbi 100 botime universitare dhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha akademike në vend”, tha ai.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, gjatë fjalës së tij, tha se promovimi i librave universitarë paraqet një moment të rëndësishëm për zhvillimin akademik të institucionit dhe për avancimin e edukimit në fushat teknike.

“Është nder për fakultetin dhe për institucionin tonë që të jemi pjesë e promovimit të një libri universitar në fushën e inxhinierisë. Në disiplinat teknike, krijimi i literaturës profesionale në gjuhën shqipe është një proces i domosdoshëm për studentët dhe për standardet akademike”, u shpreh ai.

Autori i librit, Prof. Ass. Dr. Naser Morina, falënderoi UBT-në për mbështetjen e vazhdueshme në botimin e literaturës universitare dhe tregoi se libri është ndërtuar mbi standardet dhe praktikat evropiane të inxhinierisë.

“Libri është përgatitur sipas standardeve të Bashkimit Evropian dhe trajton tema që janë të nevojshme jo vetëm për studentët, por edhe për inxhinierët profesionistë që merren me ndërtimtari dhe zhvillim infrastrukturor”, u shpreh Morina.

Libri “Rezistenca e Materialeve – 2” trajton përmbajtje teorike dhe praktike nga fusha e rezistencës së materialeve, duke ofruar njohuri të avancuara për studentët e inxhinierisë, arkitekturës dhe profesionistët e ndërtimtarisë.

Continue Reading

Vendi

Hapet aplikimi për subvencionimin e punëtorëve të sektorit privat dhe jo-publik

Published

on

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar për hapjen e aplikimit për subvencionimin e punëtorëve të sektorit jo-publik.

Sipas njoftimit, aplikimi mund të bëhet online përmes platformës së Administratës Tatimore të Kosovës, ndërsa secili punëtor duhet të aplikojë individualisht dhe të sigurohet që të dhënat e paraqitura të jenë të sakta.

Murati ka bërë të ditur se llogaria bankare duhet të jetë në emër të përfituesit, ndërsa aplikimet me të dhëna të pasakta ose gabime do të refuzohen.

Afati për aplikim është deri më 5 qershor 2026.

Të drejtë aplikimi kanë punëtorët në sektorin privat, punëtorët në organizata joqeveritare, si dhe punëtorët në entitete publike që nuk paguhen nga lista shtetërore e pagave, përfshirë ndërmarrjet publike dhe RTK-në.

Sipas kritereve të përcaktuara, përfituesit duhet të kenë të ardhura mujore bruto deri në 1,000 euro dhe të jenë të deklaruar në ATK nga punëdhënësi përmes deklaratës së muajit prill, e dorëzuar deri më 15 maj.

Continue Reading

Të kërkuara