Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njofton opinionin publik se sot, më 23.06.2025, njësia A5 e Termocentralit Kosova A është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 10:03 të mëngjesit, duke shënuar një rikthim të suksesshëm në operim, pas realizimit të një sërë ndërhyrjesh dhe sanimesh teknike të domosdoshme.
Procesi i startimit të njësisë kishte filluar këtë mëngjes, pasi kishin përfunduar me sukses të gjitha ndërhyrjet e planifikuara, në kohë dhe me cilësi të lartë teknike.
Punimet e realizuara përfshijnë:
Sanimin e rrjedhjeve në ritejnxehëse (i përfunduar të premten);
Sanimin e rrjedhjeve në ekonomajzer (ngrohës i ujit) dhe në ekranet e kaldajës (i përfunduar të dielën);
Pastrimin me pompë presioni të ftohësve të hidrogjenit;
Pastrimin e komorave në hyrje të kondenzatorit;
Punime mirëmbajtëse në pajisjet e sistemit MRRK;
Pastrimin e kuotave rreth kaldajës nga materiale të huaja – për rritje të sigurisë dhe efikasitetit operacional.
Ky rikthim në operim konfirmon edhe një herë kapacitetin dhe gatishmërinë e ekipeve tona teknike, të cilat, me përkushtim profesional dhe koordinim të vazhdueshëm, siguruan një proces të suksesshëm dhe të qëndrueshëm të rikthimit të njësisë A5.
Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hashani, ka falënderuar të gjithë punonjësit për angazhimin dhe përkushtimin e tyre:
“Edhe ky rast tregon përgjegjësinë që bartin punonjësit e KEK-ut, të cilët, edhe në ditë pushimi, nuk kursejnë as përpjekjet e as profesionalizmin për të mbështetur sistemin energjetik të vendit. Ju falënderoj për angazhimin dhe jam krenar për punën që keni bërë!”