Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka paralajmëruar digjitalizimin e 100 shërbimeve të reja gjatë vitit 2025.
Bislimi, në prezantimin e Programin për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative 2025-2028, tha se reforma e administratës publike në Kosovë është hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik.
Sipas tij, deri tani janë thjeshtësuar mbi 80 shërbime dhe kjo ka bërë që gjatë këtij viti të kursehen rreth 3.5 milionë euro.
“Synojmë që të digjitalizojmë mbi 100 shërbime të reja sipas metodologjisë së barrës administrative dhe të njëjtën kohë të punojnë edhe në thjeshtësimin e procedurave administrative të nivelit qendror dhe lokal. Është në finalizim edhe digjitalizimi i shërbimeve që kanë të bëjnë me auto shkollat, arkitektët, inxhinierët, nostrifikimin e diplomave, grante dhe subvencione në kulturë, në bujqësi si dhe për shërbimet që ofrojnë odat e shëndetësisë. Në të njëjtën kohë sistemi i rezidencës tatimore në Administratën Tatimore të Kosovës do të lansohet shumë shpejtë. Analizat dhe kalkulimet vjetore na tregojnë se thjeshtësimi dhe eliminimi i këtyre kërkesave dhe dokumenteve e procedurave në nivelin qendror dhe lokal ka arritur të kursej si qytetarëve ashtu edhe bizneseve diku 3.5 milionë euro”, tha ai.
Ai theksoi se ekzekutivi synon ndërtimin e një administrate të përgjegjshme, transparente dhe që ka aftësi të krijojë mjedis të favorshëm për qytetarët dhe bizneset.
“Reforma e Administratës Publike përbën hap thelbësor drejt modernizimit dhe përmirësimit të qëndrueshëm ekonomik. Ajo çka ne synojmë është ndërtimi i një administrate të përgjegjshme, transparente dhe që ka aftësi të krijojë mjedis të favorshëm si për qytetarët ashtu edhe për bizneset”, shtoi Bislimi.
Miratimin e këtij programi e mirëpriti edhe Johannes Madsen nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Janë disa hapa të reformave konkrete për të cilat është zotuar qeveria që t’i përfshijë në digjitalizim dhe me ulë barrën administrative. Është shumë mirë me pa përparimin që është bërë në reformën e administratës publike. Mirëpo ka edhe disa reforma që duhet ndërmarrë dhe këtu ne do përqendrohemi në ditët dhe muajve në vijim”, tha ai.
Ndërkaq, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde tha se ulja e barrës administrative do të ofrojë shërbime efikase për qytetarët dhe bizneset.
“Dua të nënvizoj që një pjesë e programit është barra administrative që ulet në komuna. Kjo është tash edhe pjesë e grantit të performacës së komunave. Komunat do të maten në këtë indikator duke filluar nga vitin tjetër. Kjo ka qenë e mundshme falë udhëheqjes së suaj zëvendëskryeministër dhe ekipit tuaj që kanë qenë kyç për arritjen e këtij përparimi”, theksoi Rohde.
Kurse, ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jurg Sprecher, tha se bashkëpunimi ndër vite me qeverinë e Kosovës ka sjell rezultate në uljen e barrës administrative në vend.
“Bashkë kemi punuar tash e tetë vjet për të reduktuar barrën administrative dhe reformuar inspektimet e bizneset. Kjo ndikohet drejtpërdrejtë në uljen e barrës administrative dhe procedurat administrative të lehtësuara”, deklaroi ambasadori zviceran.
Mes tjerash në këtë takim u tha se zvogëlimi i barrës administrative është shumë i rëndësishëm edhe për agjendën e reformës në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.