Lajmet

Uk Lushi -ministres Gërvalla: S’u citove, u parafrazove në një artikull të keq për Kosovën

Published

on

Ish luftëtari i UÇK-së nga Batalioni Atlantiku dhe analisti Uk Lushi iu është përgjigjur kryediplomates së Kosovës, Donika Gërvallës pas intervistës që ajo ka dhënë për një medium zvicerian ku shkruhet se ajo “kërkon që shumë vrasje të pasluftës në vend të zgjidhen. Pas tërheqjes së trupave serbe, ato u kryen kryesisht nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, UÇK” , raporton Gazeta Express.

Pas publikimit të artikullit, Gërvalla nuk i ka reaguar mediumit zvicerian, por, mediave kosovare duke thënë se fjalët e shkruara në artikull janë fjalët e gazetarit të NZZ, Andreas Reich dhe se nuk është deklaratë e saja.

Madje, Gërvalla ka thënë se publikimi i intervistës së saj në mediat kosovare është “një fushatë që po bëhet kundër saj”.

Përmes një shkrimi në Facebook, analisti shqiptaro-amerikan, Uk Lushi ka thënë se artikulli i mediumit zvicerian është një artikull i keq për Kosovën dhe shqiptarët, duke thënë se citati inkriminues e përgjithësues për UCK-në nuk është i ministres, por mund të merret si parafrazim.

“Për më keq, ndërsa gazetari i NZZ konstaton (thua se është instancë gjyqësore) që vrasjet e pasluftës ishin kryer kryesisht nga pjesëtarët e UÇK-së, Gërvalla- Schëartz askund, as në shkrim dhe as sqarimin e saj në Facebook, nuk reagon ndaj një gabimi të tillë të pafalshëm prejudikues. Ama po ky gazetar vendos dyshime që babain e Gërvallës, Jusuf Gërvallën– MBASE– e kanë vrarë shërbimet sekrete jugosllave.  Po si qenka e mundur që për vrasjet e pasluftës gjasa qenka absolute që janë kryer nga UÇK-ja kurse për vrasjen e Jusuf Gërvallës megjithatë paska dyshime se s’është bërë nga Jugosllavia? Si bre për UÇK-në gjithë kjo siguri kurse dyshim relativizues për Jugosllavinë? Pse standardi i dyfishtë?! Goditje gjykimi absolut për UÇK-në ama kërkim-faktim përtej dyshimit të bazuar për Jugosllavinë?!”, ka shkruar ai.

Lushi tutje ka thënë se një “kryediplomatja e cilitdo shtet nuk do të lejonte kurrë ambiguitete të këtilla me asnjë gazetar sepse do të kërkonte që shkrimi të mos autorizohet për botim pa u shikuar nga e intervistuara dhe pa u nënshkruar nga ajo për botim”.

Ai e ka pyetur Gërvallën nëse pajtohet me gazetarin lidhur me deklarimet e bëra në artikull.

“Megjithatë edhe këtë ja fali kreut të diplomacisë së shtetit të Kosovës, që nuk do të kishte diplomaci po të mos ishte lufta e UÇK-së. Ende nuk kemi përvojë dhe bëjmë gjëra pa u thelluar. Shumica e shqiptarëve.  Porse çfarë më shokoi ishte në fakt sqarimi i zonjës Gërvalla-Schëartz në Facebook. A pajtoheni me gazetarin e NZZ, Ministre?! Pse nuk e shprehni mospajtimin tuaj me pozicionet e Andreas Reich?! Pse nuk është kjo pjesë në sqarimin tuaj?!!!”

“Unë kam qenë ushtar i UÇK-së zonja Gërvalla-Schëartz. Nuk kemi pasë as bukë e municion të mjaftueshëm. Ne kemi luftuar me shpirt ndër dhëmbë dhe vetëm të mendohet që një ushtri e tillë ka kohë dhe energji që sistematikisht të planifikojë apo ekzekutojë vrasje të serbëve, romëve apo kundërshtareve, është infantilitet logjik dhe iracionalitet çmendurak. UÇK si grup kryengritës nuk ka mundur të kontrolloj çdo gjë dhe çdo person e as forcat serbe që mund të kenë vrarë shqiptarë për të futur konflikt ndërshqiptar. Jo se kemi qenë engjuj, por se kemi qenë shumë pak dhe shpirtin e kemi pasë ndër dhëmbë nga luftimet me armatën serbo-jugosllave 2000 herë më të fortë se ne. Goliati dhe kriminelët kanë qenë serbo-jugosllavët. Ata që ta kanë vrarë babën”, tha tutje ai.

Continue Reading

Lajmet

Prof. Blerim Canaj në “Inside Politics with Anisa”: Demokracia në Kosovë mes formalitetit, liderëve të fortë dhe rolit të mediave

Published

on

By

Në podcastin “Inside Politics with Anisa I”, i ftuar ishte profesori i shkencave politike në UBT, Blerim Canaj, i cili foli për gjendjen e demokracisë në Kosovë dhe në rajon, duke ngritur dilema mbi mënyrën se si ajo funksionon në praktikë.

Canaj tha se nëse demokracia shihet nga këndvështrimi historik që nga Greqia antike, atëherë shqetësimet e filozofëve si Platoni dhe Aristoteli mund të jenë ende relevante edhe sot. Sipas tij, shpesh krijohet përshtypja se sot jetojmë në një demokraci formale.

“Kam përshtypjen se ne sot jetojmë në një demokraci formale. Kemi zgjedhje, dhe në Kosovë ato madje janë për t’u lavdëruar krahas rajonit, por demokracia nuk nënkupton vetëm votimin,” u shpreh ai.

Sipas Canajt, demokracia nuk kufizohet vetëm te votimi, por përfshin edhe funksionimin e shoqërisë civile dhe mediave. Ai theksoi se në realitetin ballkanik, rol të madh shpesh luan edhe fuqia financiare dhe mënyra se si ajo ndikon në proceset politike.

Në Ballkan shpesh rol të madh luan kush i ka paratë. Fatkeqësisht, në periudhën e zgjedhjeve shpesh shohim sulme ndaj mediave dhe përdorim të buxhetit të shtetit, gjë që e dëmton zgjedhjen e lirë dhe të barabartë,” tha ai.

Ai shtoi se në shumë raste kjo krijon avantazh për ata që kanë më shumë burime financiare dhe e deformon garën demokratike.

Duke folur për fenomenin e “liderëve të fortë”, profesori Canaj u shpreh se në shoqërinë tonë ende nuk mbizotërojnë partitë programore, por kulti i liderit. Sipas tij, kjo ka ndikuar që vëmendja të largohet nga programet politike dhe të fokusohet te individi.

“Nuk fokusohemi te programet politike, por te kulti i liderit. Dhe nga kjo shpesh prodhohen edhe deputetë që nuk janë të përgatitur sa duhet,” u shpreh ai.

Ai theksoi se kjo qasje ka sjellë edhe largimin e njerëzve profesionalë nga politika, pasi shpesh përballja me kandidatë më pak të përgatitur krijon frustrim. Sipas tij, kjo ka ndikuar në forcimin e kultit të liderit dhe në krijimin e një dinamike ku lideri shihet si figurë qendrore, pothuajse “si baba”, ndërsa mbështetësit ndihen pjesë e një strukture familjare politike.

Në pjesën për mediat, Canaj tha se ato kanë rol thelbësor në funksionimin e demokracisë dhe në informimin e qytetarëve. Ai i konsideroi mediat si një lloj “qeverie në vete”, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe në politikë.

“Po të mos ishin mediat, njerëzit nuk do t’i dinin të mirat dhe të këqijat e një vendi. Unë mediat i shoh si një qeveri në vete,” u shpreh ai.

Sipas tij, një shoqëri që i sulmon mediat rrezikon të rrëshqasë drejt tendencave autokratike, ndërsa theksoi se pa media të lira dhe funksionale nuk mund të flitet për demokraci të mirëfilltë, pavarësisht sfidave dhe problemeve që mund të ekzistojnë brenda vetë mediave.

Continue Reading

lajme

Eksperti norvegjez Anders Johan Almas ligjëroi në UBT mbi ndërtimin e qëndrueshëm dhe adaptimin klimatik

Published

on

By

Fakulteti i Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës në UBT vazhdon të sjellë ekspertë ndërkombëtarë që u ofrojnë studentëve njohuri dhe përvoja nga praktikat më të avancuara globale.

Në këtë kuadër, studentët patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga Assoc. Prof. Dr. Anders Johan Almas nga Western Norway University of Applied Sciences (HVL), e organizuar në kuadër të lëndës “Arkitektura e Qëndrueshme”, të udhëhequr nga Prof. Dr. Visar Hoxha.

Gjatë ligjëratës me temën “Building Envelopes and Climate Adaptation”, Dr. Almas trajtoi rëndësinë e projektimit të mbështjellësve të ndërtesave dhe rolin e tyre në rritjen e efikasitetit energjetik, qëndrueshmërisë dhe rezistencës ndaj kushteve klimatike në ndryshim. Përmes shembujve konkretë dhe praktikave të aplikuara në vende të ndryshme, studentët u njohën me qasjet moderne që po transformojnë industrinë globale të ndërtimit.

Me më shumë se 20 vite përvojë në industri, kërkim shkencor dhe akademi, Dr. Almas ka kontribuar në fusha të ndryshme si menaxhimi i ndërtesave, projektimi, konsulenca, ndërtimi dhe hulumtimi shkencor. Përvoja e tij përfshin institucione dhe kompani prestigjioze si NTNU, SINTEF, Multiconsult, Veidekke, Vestlandsforsking dhe HVL, duke sjellë një perspektivë të gjerë mbi zhvillimet më të fundit në ndërtimin e qëndrueshëm.

Për studentët e Fakultetit të Menaxhimit të Patundshmërive dhe Infrastrukturës, kjo ligjëratë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për të kuptuar nga afër sfidat reale të sektorit dhe mënyrën se si njohuritë akademike zbatohen në praktikë. Diskutimet e zhvilluara gjatë aktivitetit i ndihmuan studentët të krijojnë një pasqyrë më të qartë mbi rolin e profesionistëve të ardhshëm në projektimin dhe menaxhimin e ndërtesave të qëndrueshme.

Continue Reading

Lajmet nga UBT

Studentët e Juridikut në UBT zhvillojnë vizitë studimore në Gjykatën Komerciale, duke përfituar përvojë praktike nga proceset gjyqësore

Published

on

By

Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Fakultetit Juridik në UBT për të kombinuar mësimin teorik me përvojën praktike, studentët e lëndës “Procedura Civile e Avancuar”, të udhëhequr nga Prof. Egzona Osmanaj, realizuan një vizitë studimore në Gjykatën Komerciale të Kosovës.

Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Kryetari i Gjykatës Komerciale, Mahir Tutuli, i cili i njoftoi me organizimin, kompetencat dhe funksionimin e kësaj gjykate, si dhe me rëndësinë e saj në trajtimin e çështjeve që lidhen me biznesin, investimet dhe marrëdhëniet tregtare.

Një nga momentet më të rëndësishme të vizitës ishte mundësia që studentët të ndjekin nga afër një seancë gjyqësore, duke vëzhguar në praktikë zbatimin e procedurave civile dhe mënyrën e zhvillimit të proceseve gjyqësore. Kjo përvojë u mundësoi atyre të lidhin njohuritë teorike të fituara në auditor me realitetin e sistemit gjyqësor dhe praktikën profesionale.

Vizitat studimore të këtij lloji përbëjnë një pjesë të rëndësishme të metodologjisë së mësimdhënies në Fakultetin Juridik të UBT-së, duke u ofruar studentëve mundësi të drejtpërdrejta për të njohur institucionet e drejtësisë, proceset ligjore dhe sfidat e profesionit juridik.

Continue Reading

Vendi

Arrestohet zyrtari i Kllokotit për keqpërdorim detyre, dëm rreth 39 mijë euro

Published

on

By

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar një person të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, pas dyshimeve se ka dëmtuar buxhetin e shtetit.

Sipas hetimeve, S.S., i punësuar në Komunën e Kllokotit si zyrtar për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës, dyshohet se nga viti 2019 deri në mars të vitit 2026 ka përfituar paga mujore pa u paraqitur fare në vendin e punës dhe pa ushtruar detyrat e tij zyrtare.

Prokuroria thotë se i dyshuari, “me dashje ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i përmbushur obligimet e punës”, duke shkaktuar dëm në buxhetin e Republikës së Kosovës në vlerë prej rreth 39 mijë euro. Rasti është zbuluar pas hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore nga prokuroria në bashkëpunim me njësitet përkatëse.

Nga Prokuroria është bërë e ditur se ndaj të dyshuarit janë duke u zhvilluar hetime të mëtejshme, ndërsa pritet që në afatet ligjore të kërkohet edhe masa e sigurisë në Gjykatën Themelore në Gjilan. “Do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit,” thuhet në njoftim.

Continue Reading

Të kërkuara