Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit refuzojnë ta takojnë kryeministrin e Kosovës. Ata kërkojnë që më parë Kurti të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pronat përreth Manastirit të regjistrohen si prona të Kishës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ditë më parë i dërgoi një letër kryemurgut të Manastirit të Deçanit Sava Janjiç, ku shpreh dëshirën që ta vizitojë Manastirin dhe të bisedojë me zotin Janjiç. Por, ky i fundit duket se nuk e ka pranuar një gjë të tillë. Kryeministri Kurti, në letrën e tij, thotë se vetëm me komunikim të sinqertë mund të arrihet mirëkuptimi, zgjidhja e sfidave dhe largimi i paragjykimeve. Manastiri i Deçanit kërkon prej disa vjetësh që tokat përreth të regjistrohen nga komuna e Deçanit si prona të Manastirit.
Në përgjigje të letrës së kryeministrit Kurti, në një njoftim publik nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit thuhet se është “krejtësisht e pakuptimtë” që t’i përgjigjet letrës së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të cilën ia ka dërguar abatit të manastirit të Deçanit, Sava Janjiç.
Arsyeja që udhëheqësit e Manastirit të Deçanit refuzojnë ta takojnë kryeministrin e Kosovës është siç thuhet në komunikatë “mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronën e manastirit të Deçanit”.
“Lidhur me letrën që zoti Albin Kurti ka dërguar në manastirin ortodoks serb të Deçanit të Lartë, Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit mbetet në qëndrimin e saj të deklaruar në mënyrë të qartë më parë, se nëse institucionet shqiptare të Kosovës dëshirojnë të tregojnë një minimum të vullnetit të mirë për të respektuar të drejtat fetare të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, ato janë të obliguara që të përmbushin plotësisht vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2016, për njohjen e pronës së Manastirit ”.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vjet më parë i njohu Manastirit të Decanit pronat përreth tij, të cilat kontestohen nga Komuna e Deçanit. Kjo e fundit, nuk i ka regjistruar në kadastër këto prona si prona të Kishës.
Letra e kryeministrit Kurti dërguar kryemurgut të manastirit të Deçanit Sava Janjiç, është në funksion të dialogut me klerikët dhe sipas Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit i Qeverisë së Kosovës, Hajrulla Çeku, “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar maksimalisht për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe në veçanti të kishave ortodokse”.
“Dialogu me klerikët ortodoksë në Kosovë është rruga e vetme për një zgjidhje të qëndrueshme”, shkroi ministri Çeku duke shtuar se “Qeveria e Kosovës do të kujdeset për të gjitha monumentet e kulturës në veçanti për kishat dhe manastiret ortodokse”.
Komuna e Deçanit: pronat rreth Manastirit të ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria”
Udhëheqësit e komunës së Deçanit thonë se pronat përreth Manastirit të Deçanit, që janë 24 hektarë u përkasin ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se asnjëherë nuk i kanë takuar Manastirit. Në vitin 1997, autoritetet e atëhershme serbe me në krye Slobodan Milosheviçin, vendosën që pronat përreth Manastirit të Deçanit t’i takojnë këtij Manastiri. Dhe pikërisht kjo është arsyeja pse autoritetet e komunës së Deçanit refuzojnë t’i legalizojnë këto prona, pavarësisht vendimit të pesë viteve më parë, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës i njohu këto prona si prona të Manastirit. E prania ndërkombëtare në Kosovë, po kërkon me ngulm respektimin e këtij vendimi.
Ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara, QUINT-it i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, inkurajuan Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Më 22 Mars, Qeveria e re është emëruar me mandat të fuqishëm për reforma dhe respektimin e sundimit të ligjit. Një nga provat kryesore e vendosmërisë së tij do të jetë zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i marrë në maj 2016 mbi regjistrimin e tokës së Manastirit të Deçanit. Respektimi i sundimit të ligjit është detyrim për të gjitha qeveritë. Shefat e Misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara inkurajojnë fuqishëm Qeverinë e Kosovës që pa vonesa të mëtejshme të vazhdojë me regjistrimin ligjor në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në komunikatën e QUINT-it.
Por qeveria e Kosovës akoma nuk ka marrë ndonjë vendim që të detyrojë komunën e Deçanit t’i regjistrojë pronat përreth manastirit si prona të Kishës. Zëdhënësi i qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu tha për mediet lokale se “qeveria e kupton ndjeshmërinë e çështjes dhe se është e vetëdijshme që vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen”, por ai thekson se “duhet të kihen parasysh edhe kundërthëniet që e kanë përcjellë çështjen e tokave përreth Manastirit, në aspektin historik dhe ligjor”.
Profesorët e UBT-së kanë shënuar një tjetër arritje të rëndësishme shkencore me publikimin e punimit të tyre më të ri me titull “Evaluation of Systemic Pharmacotherapy in Bacterial Skin Infections: Adherence to Clinical Guidelines and Factors Associated with Treatment Outcomes” në revistën prestigjioze ndërkombëtare Pharmacoepidemiology (MDPI).
Kjo revistë është me Impact Factor 1.6, e indeksuar në platformat shkencore Scopus dhe Web of Science (ESCI), si dhe e renditur në kuartilin Q2 sipas SCImago Journal Rank (SJR).
Studimi trajton farmakoterapinë sistemike të infeksioneve bakteriale të lëkurës, nivelin e zbatimit të udhëzimeve klinike dhe faktorët kyç që ndikojnë në rezultatet e trajtimit. Përmes të dhënave nga praktika reale klinike, ky punim jep një kontribut të rëndësishëm në promovimin e përdorimit racional të antibiotikëve dhe forcimin e parimeve të antimicrobial stewardship në mjekësi.
Ky botim është rezultat i bashkëpunimit shkencor të profesorëve të UBT-së me kolegë nga University of Maribor dhe Jacksonville University. Autorë të studimit janë Lirim Shefki Mustafa, Arieta Hasani Alidema, Mirlinda Havolli, Linda Connelly dhe Fitim Bexhet Alidema.
Punimi është publikuar në Pharmacoepidemiology (2026, Volume 5, Article 38).
Policia e Kosovës ka njoftuar se të hënën ka sekuestruar 9.4 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë që është gjetur në fashitin Popoc në Gjakovë.
Lënda narkotike dyshohet se ishte fshehur aty të dielën nga persona të dyshuar derisa ishin në ndjekje nga patrulla policore kufitare.
“Me datën 21 shtator 2026, gjatë patrullimit dhe punës intensive në terren të njësiteve policore të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare “Perëndimi” Gjakovë, është arritur që të identifikohet dhe të lokalizohet vendi ku ishin fshehur disa lëndë narkotike. Persona të dyshuar, një natë më parë, përderisa ishin nën ndjekje nga patrullat policore kufitare, kishin fshehur lëndën narkotike dhe kishin braktisur automjetin”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Tutje thuhet se në vendin e ngjarjes që është zonë e brezit kufitar, persona të dyshuar kanë fshehur dhe kanë braktisur tri çanta dhe një qese, të mbushura me lëndë narkotike.
Një i dyshuar, shtetas turk, pasi ishte identifikuar thuhet se është arrestuar nga njësitë policore në Prishtinë dhe Mitrovicë e Jugut, të cilët ishin në asistim policor.
“Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet relevante dhe prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘blerje, posedim, shitje e paautorizuar e lëndëve narkotike’, përderisa pas intervistimit personi është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim. /A.K/
Të paktën tetë persona kanë mbetur të plagosur, prej të cilëve njëri në gjendje të rëndë, pasi një person i armatosur hapi zjarr të martën në afërsi të një shkolle të mesme në Turgutlu të provincës Manisa, në perëndim të Turqisë.
Sipas zyrës së guvernatorit lokal, sulmi ndodhi rreth orës 07:59. I dyshuari shtëni pranë hapësirës së shkollës dhe u largua nga vendngjarja, por u kap dhe u arrestua me shpejtësi nga forcat e sigurisë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë ekipet mjekësore dhe ato policore, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e sigurisë përreth zonës.
Motivet e këtij sulmi mbeten ende të panjohura.
Ky incident pason një seri ngjarjeve të ngjashme tragjike në shkollat e Turqisë. Në prill, një 14-vjeçar vrau 9 nxënës dhe një arsimtar në provincën Kahramanmaraş, ndërsa në një tjetër rast në Şanlıurfa, një ish-nxënës plagosi 16 persona para se të kryente vetëvrasje. Ngjarjet kanë nxitur reagime të forta publike, duke shtyrë presidentit Recep Tayyip Erdoğan të paralajmërojë masa të reja ligjore për kufizimin e posedimit të armëve.