UBT po vazhdon suksesshëm projektin e saj madhor të krijimit të qendrave të inovacionit dhe teknologjisë, si investimin më premtues dhe më serioz për të ardhmen e gjeneratës së re.
Pas hapjes së “Korça Innovation and Technology Hub”, UBT po vazhdon lidhjen e fuqishme teknologjike, kësaj radhe, me potencialin më të madh që ka Kosova, rininë e saj.
Në kuadër të këtij projekti në tetor do të hapet “UBT Prizreni Innovation and Technology Hub”, si qendër lidere e teknologjisë dhe inovacionit në qytetin e Prizrenit, përmes të cilit synohet lidhja e rinisë dhe ndërmarrësisë së qytetit të bukur e të pasur me trashëgimi kulturore me zhvillimet e fundit të teknologjisë dhe inovacionit, me trendet aktuale botërore.
Marrëveshja për vendosjen e UBT-së në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren (ITP), u nënshkrua nga rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi dhe koordinatori i ITP-së, Muhamed Rexhepi, në prani edhe të drejtuesit të këtij parku të biznesit, Wolfgang Leidig.
Rektori Hajrizi tha se investimi i UBT-së në këtë Hub teknologjik dhe inovativ në Prizren është pjesë e përgjegjësisë shoqërore që ky institucion ka ndaj rinisë dhe potencialit inovativ e teknologjik të Kosovës, i cili ka nevojë për ofrim të dijes, përkrahjes dhe aftësimit për të ecur përpara.
“Duke qenë në hap me vendet e zhvilluara të botës në fushën e dijes dhe informacionit, Kosova po dëshmon fuqishëm se nuk është spektatore por pjesëmarrëse aktive dhe kontribuese në të ardhmen e reziliencës, inovacionit dhe qëndrueshmërisë, me UBT-në prijëse të këtyre proceseve”, u shpreh ai.
Ekosistemi që ofron sot UBT si lider në fushën e arsimit të lartë dhe lider i arsimit e aftësimit profesional, duke bashkuar dijen me teknologjinë, inovacionin me shkencën e studimet teorike me prodhimin si produkt final, e bëjnë UBT-në që të jetë konkurrente me universitetet më të mira të botës.
Ndryshe, ITP në Prizren është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që synon të krijojë një mjedis tërheqës biznesi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Parku ndodhet në ish-kampin ushtarak gjerman në Prizren, ka një hapësirë prej 40 hektarësh dhe përfshinë 56 ndërtesa dhe disa parcela për zhvillim të metutjeshëm. Në ballë të këtij parku biznesi nga tetori do ta keni UBT-në me super eksperiencën e pasur të saj në inovacion e teknologji.
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) shënon sot “Ditën e Forcës” përmes aktivitetit tradicional “Dita e Hapur”, duke mirëpritur qytetarët në të gjitha kazermat e saj në mbarë vendin.
Vizitat do të jenë të hapura nga ora 10:00 deri në 13:30 në kazermat e FSK-së në Prishtinë, Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj, Pomozotin dhe Gjakovë. Gjatë kësaj kohe, qytetarët do të kenë mundësi të shohin nga afër pajisjet ushtarake, kapacitetet operuese dhe demonstrimet e aktiviteteve të pjesëtarëve të FSK-së.
Ndërkaq, ceremonia qendrore do të mbahet në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, duke filluar nga ora 11:00, ku pritet të marrin pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë, përfaqësues diplomatikë dhe mysafirë të ftuar. /E.A/
Moti gjatë ditës së premte parashikohet të jetë kryesisht me vranësira dhe intervale të shkurtra me diell, i shoqëruar herë pas here me reshje lokale shiu, të cilat në momente të caktuara mund të shfaqen në formë rrebeshesh.
Era do të fryjë nga drejtime të ndryshme me shpejtësi prej 7 deri në 35 km/h.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 6 deri në 8 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale pritet të arrijnë nga 11 deri në 13 gradë Celsius./E.A/
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka bërë të ditur se ka pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të cilin ua ka prezantuar edhe anëtarëve të Grupit Strategjik për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se drafti është hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë, ndërsa theksoi se synimi i iniciativës është garantimi i një procesi të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore të njeriut dhe krijimi i mekanizmave të mbikëqyrjes institucionale, duke ruajtur pavarësinë e gjyqësorit.
Ajo bëri të ditur se iniciativa do të procedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, me synimin që të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor.
Para se drafti të dërgohet në Kuvend, Çitaku paralajmëroi takime me drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, organizatat e dala nga lufta, përfaqësues të OVL-UÇK-së, shoqërinë civile, ekspertë juridikë, akademikë, diplomatë dhe përfaqësues të vendeve partnere perëndimore.
Çitaku njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e Grupit Strategjik është miratuar strategjia për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në instancën e Apelit. Sipas saj, dokumenti është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të partive parlamentare shqiptare.
Ajo bëri të ditur se për draftin e ri ka njoftuar edhe shefin e Bashkimit Evropian në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për të nisur konsultimet me BE-në lidhur me ndryshimet e propozuara ligjore./A.K/
Fondacioni Shqipe Luzha Heroi, në bashkëpunim me Kolegjin UBT, në vazhdën e bashkëpunimit të suksesshëm të vitit të kaluar, shpall konkursin për ndarjen e tri bursave për studente të nivelit Bachelor në programet e Inxhinierisë në UBT, për vitin akademik 2026/2027.
Pas ndarjes së dy bursave gjatë vitit të kaluar, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi ka vendosur të vazhdojë mbështetjen për studentet e UBT-së, duke rritur numrin e bursave në tri . Ky bashkëpunim pasqyron përkushtimin e Fondacionit për mbështetjen dhe fuqizimin e vajzave dhe grave të reja në fushat inxhinierike, si dhe angazhimin e UBT-së për ofrimin e arsimit cilësor dhe krijimin e mundësive për zhvillimin e tyre akademik e profesional.
Qëllimi i këtij konkursi është mbështetja e studenteve me rezultate të larta akademike dhe potencial për zhvillim profesional, si dhe nxitja e pjesëmarrjes dhe kontributit të tyre në zhvillimin shkencor, kërkimor dhe teknologjik.
Të drejtën e aplikimit e kanë studentet që kanë të regjistruar vitin e dytë ose të tretë të studimeve në vitin akademik 2026/2027, në programet e Inxhinierisë në UBT.
Kandidatet duhet të plotësojnë këto kritere:
Të kenë notë mesatare mbi 7.5, të dëshmuar përmes pasqyrës së notave;
Të mos jenë përfituese të ndonjë burse tjetër;
Të jenë studente të rregullta;
Të jenë shtetase të Republikës së Kosovës.
Konkursi do të jetë i hapur nga data 25 nëntor 2026 deri më 15 dhjetor 2026.
Studentet që plotësojnë kriteret e përcaktuara mund të aplikojnë përmes linkut të mëposhtëm:
Dokumentacioni i pakompletuar, i pasaktë ose i dorëzuar jashtë afatit të përcaktuar nuk do të merret në shqyrtim nga komisioni vlerësues.
Lista e studenteve përfituese do të shpallet në ambientet e UBT-së, në Kampusin Inovativ.
Kandidatet që kanë aplikuar kanë të drejtë ankese brenda shtatë (7) ditësh nga data e publikimit të rezultateve. Ankesat dorëzohen në arkivin e Fondacionit dhe shqyrtohen nga komisioni për ankesa.
Përmes vazhdimit të këtij bashkëpunimi, Fondacioni Shqipe Luzha Heroi dhe Kolegji UBT dëshmojnë përkushtimin e përbashkët për mbështetjen e studenteve të dalluara dhe fuqizimin e rolit të grave në fushat e inxhinierisë. Rritja e numrit të bursave përbën një hap të rëndësishëm në këtë partneritet, duke krijuar më shumë mundësi për arsimim, zhvillim profesional dhe avancimin e vajzave të reja në shkencë dhe teknologji.