UBT, gjegjësisht Fakulteti i Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor do të organizojë një ligjëratë tematike ndërkombëtare me titull “Competitions, Building Constructions and Design”, duke mirëpritur në Kosovë arkitektin e njohur austriak Heinz Neumann, një personalitet me kontribut të shquar në fushën e arkitekturës, urbanizmit dhe projektimit bashkëkohor.
Ngjarja do të mbahet më 22 maj 2026, duke filluar nga ora 13:30, në ambientet e Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së (Biblioteka), duke sjellë për studentët, stafin akademik dhe profesionistët e fushës një mundësi të rëndësishme për të përfituar njohuri dhe përvoja nga një ekspert me karrierë të gjerë ndërkombëtare në projektim arkitektonik dhe zhvillim urban.
Arkitekti Heinz Neumann njihet për angazhimin e tij në projekte të shumta profesionale dhe akademike në nivel ndërkombëtar, ndërsa gjatë ligjëratës do të trajtojë tema që lidhen me konkurset arkitektonike, proceset moderne të ndërtimit, projektimin inovativ dhe sfidat bashkëkohore të arkitekturës dhe urbanizmit.
Ky aktivitet synon të krijojë një platformë të avancuar akademike dhe profesionale ku studentët do të kenë mundësinë të lidhen drejtpërdrejt me praktikat më moderne të arkitekturës ndërkombëtare, duke kuptuar më mirë raportin ndërmjet kreativitetit, funksionalitetit dhe teknologjisë në projektim.
Në këtë ngjarje do të marrin pjesë gjithashtu përfaqësues të odave profesionale dhe asociacioneve të arkitekturës dhe ndërtimit, duke e kthyer aktivitetin në një hapësirë të rëndësishme të dialogut profesional, shkëmbimit të ideve dhe krijimit të bashkëpunimeve ndërmjet akademisë dhe industrisë.