Lajmet nga UBT

UBT organizoi suksesshëm Edicionin e Tretë të Konferencës për Lidership – Ekspertët ndajnë vizionet për qeverisjen dhe politikat efektive

Published

on

Në ambientet e UBT-së, u mbajt me sukses edicioni i tretë i Konferencës për Lidership, një ngjarje prestigjioze që është kthyer në një traditë të rëndësishme në Kosovë. Kjo konferencë u organizua nga Qendra për Lidership e UBT-së dhe mblodhi një audiencë të gjerë, duke përfshirë liderë të industrisë, akademikë, dhe ekspertë ndërkombëtarë.

Tema e këtij edicioni, “Sundimi Efektiv: Forcimi i Hartimit dhe Zbatimit të Politikave”, i ofroi mundësinë pjesëmarrësve të diskutonin çështje kyçe të qeverisjes, zhvillimit të qëndrueshëm dhe rëndësinë e përmirësimit të proceseve të vendimmarrjes.

Konferenca u hap nga profesori Faton Limani, i cili theksoi rëndësinë e lidershipit në proceset e qeverisjes dhe u shpreh për nevojën urgjente për trajnimin dhe zhvillimin e liderëve të cilët do të përballen me sfidat globale dhe lokale të të sotmes. Ai nënvizoi se një lidership i fortë është çelësi i suksesit në zbatimin e politikave efektive dhe menaxhimin e krizave.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi në fjalën e tij rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe nevojën për zhvillimin e politikave që mbështesin ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme.

Ai shpjegoi se UBT ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të kontribuar në zhvillimin e lidershipit, duke ofruar arsimin cilësor dhe mundësi për zhvillimin profesional të brezave të rinj.

“UBT e ka bërë të qartë angazhimin e tij për të kontribuar në zhvillimin e lidershipit dhe përgatitjen e liderëve të ardhshëm, duke ofruar një arsimin cilësor dhe mundësi për zhvillim profesional. Kjo është një mundësi e shkëlqyer për të forcuar ndikimin e politikave dhe për të kontribuar në avancimin e shoqërisë“, tha ai.

Ai gjithashtu theksoi se Kosova, si një vend në zhvillim, ka mundësi të jashtëzakonshme për të shfrytëzuar burimet e saj natyrore dhe për të investuar në teknologji dhe inovacion, siç janë digjitalizimi dhe inteligjenca artificiale.

Në lidhje me zhvillimin e lidershipit etiko-ndihmues, Rektori Hajrizi e theksoi nevojën për liderë që udhëheqin me vlera dhe jo vetëm me interesat personale.

“Lidershipi është për të bërë një hap përpara dhe për të marrë përgjegjësi. Na duhen më shumë liderë me kompetenca të duhura, të aftë për të adresuar kompleksitetet e sfidave të sotme“, theksoi ai.

Sipas tij, universitetet, përfshirë UBT-në, kanë një rol kyç në krijimin e mundësive për zhvillimin e resurseve njerëzore dhe ndihmimin e zhvillimit të lidershipit të ardhshëm. Në përfundim të fjalës së tij, ai vlerësoi Qendrën e Lidershipit të UBT-së për kontributin e saj të çmuar në trajnimin dhe zhvillimin e liderëve të rinj të Kosovës.

Një tjetër fjalim ishte ai i Pankaj Agarwal, Kancelar i Shri Ram Swaroop Memorial University nga India, i cili theksoi rolin e arsimit dhe lidershipit në transformimin e shoqërive. Agarwal ndau eksperiencën e tij si edukator dhe lider transformues, duke theksuar se “Arsimi është ai që mund të sjellë ndryshimin e vërtetë në shoqëri“.

Ai i inkurajoi pjesëmarrësit që të investonin në zhvillimin e potencialit të rinisë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë.

“Suksesi është rezultat i përqendrimit në një filozofi udhëheqëse dhe besimit se gjithçka mund të arrihet përmes angazhimit të përbashkët“, shtoi ai.

Agarwal gjithashtu theksoi se arritjet e tij janë të mundura përmes punës së përbashkët dhe besimit në filozofinë e lidershipit të ndërtuar gjatë viteve.

Fjalimi i Ahmet Ismailit, Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, shtoi një dimension të rëndësishëm në konferencë, duke folur për rëndësinë e qeverisjes efektive dhe rolin e Bankës Qendrore të Kosovës në forcimin e sektorit bankar të vendit.

Ismaili theksoi se “Qeverisja korporative është një shtyllë kritike për stabilitetin, integritetin dhe qëndrueshmërinë e sektorit bankar“. Ai foli për praktikat e dobëta të qeverisjes që janë shpesh shkaktarë të dështimeve të mëdha bankare, duke çuar në kriza sistemike dhe humbje të besimit të publikut.

“Duke zhvilluar dhe përmirësuar vazhdimisht kornizën tonë rregullatore dhe duke punuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, ne sigurojmë që sistemi bankar i Kosovës të qeveriset me përgjegjshmëri dhe qëndrueshmëri“, theksoi ai.

Në përfundim, Ismaili nënvizoi se qeverisja nuk është thjesht një kërkesë rregullatore, por është baza mbi të cilën ndërtohen institucione bankare të qëndrueshme, transparente dhe besueshme. Ai shprehu angazhimin e Bankës Qendrore të Kosovës për të vazhduar forcimin e sektorit bankar përmes politikave të qëndrueshme dhe të bazuara në transparencë dhe siguri.

Konferenca për Lidership, edicioni i tretë, është një dëshmi e angazhimit të UBT-së dhe institucioneve të tjera për zhvillimin e lidershipit dhe forcimin e proceseve të qeverisjes në Kosovë. Ngjarja përfundoi me një angazhim të fortë për të vijuar përpjekjet në avancimin e politikave që promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe krijimin e mundësive për lidership të përgjegjshëm dhe efektiv.

lajme

UBT prezanton dy punime shkencore në Konferencën Ndërkombëtare “AI Horizon” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Published

on

By

UBT po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Shkencore “AI Horizon – A New Era of Creativity and Innovation”, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, më 12–13 nëntor 2026, në Tiranë, ku UBT është një nga partnerët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore ndërkombëtare.

Në këtë konferencë, UBT përfaqësohet nga rektori, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, Besnik Qehaja, dhe asistenti Elton Boshnjaku, të cilët prezantuan dy punime shkencore që trajtojnë zhvillimet më të fundit në fushat e Internetit të Gjërave (IoT), Qyteteve të Mençura (Smart City), Vizionit Kompjuterik dhe Inteligjencës Artificiale.

Dy punimet shkencore të prezantuara janë: “Mobile Augmented Reality with an LLM Assistant Connected to Live Sensor Data for Remote Learning in a University Campus Digital Twin”

Punimi trajton integrimin e realitetit të shtuar mobil me një asistent të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (LLM), të ndërlidhur me të dhëna në kohë reale nga sensorët, duke krijuar mundësi të reja për mësim interaktiv dhe në distancë përmes binjakut digjital të kampusit universitar.

“Secure Protocol Translation and Weather-Referenced Drift Detection for Commercial IoT Devices on Azure IoT Hub: A 4G Node Case Study in a University Smart City”

Ky punim fokusohet në sigurinë dhe ndërveprimin e pajisjeve komerciale IoT, përmes përkthimit të protokolleve të komunikimit dhe zbulimit të devijimeve të të dhënave në raport me kushtet atmosferike, duke u mbështetur në një rast studimor me nyje 4G në kuadër të një Smart City universitar.

Përmes këtyre dy prezantimeve, përfaqësuesit e UBT-së sollën para komunitetit shkencor ndërkombëtar rezultate kërkimore dhe qasje inovative që ndërlidhin inteligjencën artificiale, sensorët inteligjentë, realitetin e shtuar dhe infrastrukturën e qyteteve të mençura.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë konferencë, krahas prezantimit të rezultateve shkencore, përfaqëson edhe një mundësi të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe kërkimore, shkëmbimin e përvojave dhe avancimin e projekteve inovative.

UBT vazhdon të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj kërkimit shkencor, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, duke kontribuar aktivisht në zhvillimin dhe zbatimin e teknologjive të së ardhmes.

Continue Reading

Lajmet

Leonardo da Vinci sjell frymën e Rilindjes në UBT – ekspozitë që ndërthur artin, shkencën dhe inovacionin

Published

on

By

Kampusi Shkencor Inovativ dhe Teknologjik i UBT-së është bërë nikoqir i një ekspozite të veçantë kushtuar njërit prej mendjeve më të jashtëzakonshme në historinë njerëzore, Leonardo da Vincit.

Përmes kësaj ekspozite, studentët, stafi akademik dhe vizitorët kanë mundësi të njihen më nga afër me botën krijuese të Da Vincit, idetë e tij revolucionare dhe projektet që dëshmojnë gjenialitetin e tij në fusha të ndryshme, nga arti e anatomia, deri te inxhinieria dhe teknologjia.

E organizuar në kuadër të edicionit të XXVI të Javës së Gjuhës Italiane në Botë, me temën “Gjuhë e mirësjelljes, gjuhë gjeniale: të ideosh, të projektosh, të krijosh me italisht”, ekspozita sjell në vëmendje rëndësinë e gjuhës, kulturës dhe trashëgimisë italiane në zhvillimin e mendimit krijues dhe shkencor.

Ky aktivitet është realizuar në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Prishtinë dhe përfaqëson një mundësi të rëndësishme për të nxitur kureshtjen intelektuale, kreativitetin dhe frymën inovative te gjeneratat e reja.

Përmes kësaj ekspozite, UBT sjell në kampusin e tij trashëgiminë e një figure që vazhdon të frymëzojë botën, duke dëshmuar se idetë e mëdha nuk njohin kohë dhe se arti, shkenca dhe teknologjia janë pjesë e së njëjtës gjuhë: gjuhës së inovacionit.

 

 

 

Continue Reading

Vendi

Profesoresha Lisjeta Thaqi Jashari mban ligjërata për inteligjencën artificiale në Universitetin e Salentos

Published

on

By

Profesoresha e gjuhës angleze në UBT, Lisjeta Thaqi Jashari, po qëndron për një vizitë akademike në Universitetin e Salentos në Lecce të Italisë, ku po zhvillon ligjërata dhe takime profesionale me kolegë të universitetit pritës.

Në qendër të ligjëratave të saj janë metodat bashkëkohore të mësimdhënies së diferencuar me mbështetjen e inteligjencës artificiale. Profesoresha e UBT-së po trajton mënyrat se si mësimdhënësit mund t’i shfrytëzojnë këto teknologji inovative për t’ua përshtatur materialet dhe aktivitetet mësimore studentëve me nivele të ndryshme të njohurive.

Gjatë kësaj vizite akademike po zhvillohen edhe takime që synojnë shkëmbimin e përvojave mbi përdorimin e teknologjisë në arsim, si dhe hapjen e rrugëve për bashkëpunime të reja akademike.

Continue Reading

Lajmet

Fakulteti i Psikologjisë organizon bashkëbisedim për parandalimin e dhunës dhe rolin e shërbimeve psikologjike

Published

on

By

Fakulteti i Psikologjisë në UBT ka organizuar një bashkëbisedim me studentët e vitit të parë lidhur me trajtimin e dhunës, parandalimin e saj dhe rolin e shërbimeve psikologjike në shoqëri.

Aktiviteti i udhëhequr nga ligjëruesja Violeta Zefi bëri bashkë Zana Hamiti Asllanin nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë, Kadri Gashin nga Qendra për Këshillim, Shërbime Sociale dhe Hulumtime, si dhe Dekanen e Fakultetit të Psikologjisë Denis Celcima dhe ligjëruesen Elona Krasniqi.

Të nxitur nga ngjarjet e fundit në vend, pjesëmarrësit u përqendruan te rreziku i përsëritjes së rasteve të dhunës dhe nevoja për një qasje të koordinuar institucionale.

Vëmendje e veçantë gjatë diskutimit i u kushtua edukimit, risocializimit dhe mbështetjes psikologjike për burrat dhe djemtë kryerës të dhunës, si element kyç për parandalimin e këtij fenomeni.

Continue Reading

Të kërkuara