Lajmet nga UBT

UBT organizoi punëtorinë për hartimin e raportit të vetëvlerësimit për studimet e doktoratës në kuadër të projektit PhDICTKES

Projekti PhDICTKES synon që të krijojë një shkollë kombëtare të PhD.

Publikuar

UBT ka mbajtur një punëtori përmes platformës zoom me institucione të tjera partnere pjesëmarrëse të projektit PhDICTKES, për hartimin e raportit të vetëvlerësimit për studimet e doktoratës në Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (ICT).

Në këtë punëtori mori pjesë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, i cili ka shtjelluar sfidat e procesit të akreditimit të programeve PhD në UBT, si dhe detaje të tjera lidhur me raportin e vetëvlerësimit të programeve PhD.

Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues të institucioneve si: Linnaeus University, Norwegian University of Science and Technology, South-East European Research Centre, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Prizrenit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, si dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim.

Projekti PhDICTKES synon që të krijojë një shkollë kombëtare të PhD, në të cilën partnerët e institucioneve të arsimit të lartë do të kenë lehtësi për të krijuar një kurrikulë model për programin e doktoratës në ICT (Teknologji të Informacionit dhe Komunikimit), duke përfshirë drejtpërdrejt institucionet e vendit që kanë demonstruar përvojë të gjatë në programe të ngjashme.

Lajmet

Diskutimi në UBT mbi rëndësinë e Sigurisë në Komunikacion  

Publikuar

nga

Më 23 maj 2024, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT organizoi një debat për sigurinë në komunikacion. Ky diskutim u zhvillua në bibliotekën e kampusit të UBT-së, si pjesë e Javës së Sigurisë në Komunikacion.

Debati ofroi një platformë për të diskutuar aspekte të ndryshme të sigurisë në komunikacion, duke përfshirë infrastrukturën, aspektet ligjore dhe rregullat e policisë së Kosovës. Pjesëmarrësit u informuan dhe patën mundësinë të debatojnë mbi këto tema të rëndësishme.

Në këtë aktivitete morën pjesë përfaqësues nga institucionet kryesore, përfshirë Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Diskutimet u përqendruan në rolin dhe rëndësinë e infrastrukturës për sigurinë në komunikacion, si dhe në sfidat dhe strategjitë për përmirësimin e saj.

Debati u hap nga Dekani i Fakultetit Inxhinierisë së Ndërtimit në UBT, Visar Krelani, i cili falënderoi të pranishmit për prezencën dhe theksoi nevojën e zhvillimit të diskutimeve të tilla në nivele akademike.

Togeri Nazim Zogaj, përfaqësues nga Policia e Kosovës ndau pikëpamjet dhe rekomandimet e tyre për sigurinë në komunikacion. Sipas togerit të Policisë së Kosovës, Nazim Zogaj, disa nga shkaktarët më të shpeshtë të aksidenteve rrugore në vitin 2023 ishin mosmbajtja e distancës së sigurisë mes automjeteve, manipulimi i pasigurt me automjet, mos përshtatja e shpejtësisë ndaj kushteve të rrugës, mos respektimi i përparësisë së kalimit, kyçje e pasigurt në rrugë, radhitje e parregullt apo ndërrim i shiritave, kthim, rrotullim dhe lëvizje prapa.

Togeri Zogaj raportoi se ka pasur një rritje të numrit të kundërvajtjeve të cilat kanë rezultuar me pikë negative. Në vitin 2018, ishin regjistruar 18 mijë kundërvajtës, ndërsa në vitin 2023 ky numër ka arritur në 28 mijë. Kjo rritje tregon për një trend negativ, por Zogaj shprehu shpresën se statistikat do të përmirësohen me ndryshime të mundshme ligjore gjatë këtij viti.

“Gjithashtu, numri i personave të cilëve u është ndaluar drejtimi i mjetit motorik është rritur nga mbi 6 mijë në vitin 2018 në mbi 9 mijë në vitin 2023. Po ashtu, është vërejtur një rritje e madhe në kundërshtimet ndaj kundërvajtjeve, nga 1791 ankesa në vitin 2018 në 5556 ankesa në vitin 2023”, tha Zogaj.

Zogaj gjithashtu pasqyroi të dhënat krahasuese të numrit të patentë shoferëve dhe mjeteve motorike me aksidentet fatale dhe personat e vdekur nga viti 2011 deri në 2023. Në vitin 2011, numri i patentë shoferëve të lëshuar nga MPB-ja ishte 475,902, ndërsa deri në vitin 2023 ky numër është rritur në 879,555, një rritje prej 403,653 ose 85%.

“Numri i mjeteve motorike në qarkullim është rritur nga 189,943 në vitin 2011 në 459,108 në vitin 2023, një rritje prej 269,165 ose 142%. Krahasimi i aksidenteve fatale me numrin e patentë shoferëve të lëshuar tregon një rënie për 34 aksidente fatale ose 26%, dhe numri i personave të vdekur ka rënë për 51 persona ose 33%”, theksoi togeri Zogaj.

Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit dhe profesor në UBT, ka deklaruar se çdo vit në aksidente rrugore humbin jetën rreth 1.300.000 persona, ndërsa rreth 50.000.000 persona pësojnë lëndime trupore. Sipas tij, parashikimet tregojnë se deri në vitin 2030, aksidentet rrugore mund të bëhen shkaku i pestë kryesor i vdekjeve në botë, me rreth 2.400.000 viktima nëse trendi aktual vazhdon.

“Në vitin 2020, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një program dhjetëvjeçar, mbështetur nga 100 shtete, me qëllim të stabilizimit dhe uljes së numrit të viktimave nga aksidentet rrugore. Ky program synon një reduktim prej 50% të viktimave deri në vitin 2030. Nëse arrihet ky objektiv, do të parandalohen rreth 5 milionë viktima dhe 50 milionë lëndime trupore, duke kursyer gjithashtu rreth 30 miliardë dollarë nga buxhetet e shteteve”, u shpreh Dedaj.

Visar Baxhuku, profesor në UBT, ka theksuar se kundërvajtjet që rezultojnë në pagesa gjobash kanë përfunduar si proces. Sipas tij, numri i kundërvajtjeve është rritur në mënyrë represive, duke shënuar një rritje prej 21.5% në Ballkan, ku nga 219 gjoba për çdo 1000 banorë në vit, krahasuar me 94 gjoba për çdo 1000 banorë në shtetet evropiane, që është një numër shumë i lartë dhe ka kosto financiare të konsiderueshme. Ai sugjeron që për të ulur aksidentet, masat preventive duhet të zëvendësohen me masa të tjera./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet nga UBT

UBT renditet në mesin e top 100 universiteteve në botë në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë civile

Publikuar

nga

UBT po vazhdon të merr vlerësime të rëndësishme dhe njohje të kontributit në arenën ndërkombëtare.

UBT falë kontributit dhe punës së studentëve dhe stafit akademik është renditur si i vetmi institucion i arsimit të lartë privat në mbarë trojet shqiptare në mesin e top 100 universiteve botërore në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë civile në INSPIRELI AWARDS.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi ka vlerësuar lartë kontributin e secilit student dhe stafit akademik për këtë arritje, e cila dëshmon edhe njëherë se UBT vazhdon rrugën me hapa të sigurt drejt përsosmërisë akademike dhe profesionale. Ai theksoi se ky sukses është rezultat i punës së palodhshme dhe përkushtimit të gjithanshëm për të ofruar një arsim cilësor dhe për të inkurajuar inovacionin dhe krijimtarinë në fushën e arkitekturës dhe inxhinierisë civile.

“Jemi krenarë për këtë arritje të madhe dhe për reputacionin që kemi ndërtuar në arenën ndërkombëtare. Ky sukses nuk është vetëm një reflektim i punës sonë të palodhshme, por edhe një nxitje për të vazhduar të investojmë në cilësinë e arsimit dhe kërkimit shkencor”, tha Rektori Hajrizi.

Renditja e UBT-së në INSPIRELI AWARDS njeh veçanërisht mbështetjen e institucionit për të motivuar studentët për të marrë pjesë në konkurs, gjë që është vendimtare për përgatitjen e tyre për suksesin e ardhshëm profesional. Përveç pjesëmarrjes në konkurs, performanca e studentëve individualë vlerësohet edhe në bazë të projekteve të tyre akademike.

Çdo finalist apo fitues i këtij konkursi konsiderohet kështu një talent i padiskutueshëm me potencial për t’u bërë një krijues i suksesshëm i së ardhmes së qyteteve botërore.

Vazhdo të lexosh

Lajmet nga UBT

Publikohet punimi shkencor i dekanit të Medias, Ferid Selimi në bashkautorësi me studentët Driton Hyseni, Marigona Xhigoli e Saranda Krasniqi

Publikuar

nga

Është publikuar në revistën shkencore – Revista de Gestão Social e Ambiental, punimi i dekanit të Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Ferid Selimi në bashkautorësi me studentët, Driton Hyseni, Marigona Xhigoli dhe Saranda Krasniqi. Punimi mban titullin “Young Kosovars, their preferred television and use of viewing devices”.

Në këtë punim autorët trajtojnë nivelin e shikueshmërisë dhe informimit përmes televizionit në mesin e të rinjve, në periudhën kur ky nuk konsiderohet më medium parësor, për shkak të burimeve alternative sikurse telefoni, respektivisht rrjetet sociale.

Përmes studimit autorët bënë dallimin midis shikueshmërisë së programeve televizive, krijimtarisë, besueshmërisë dhe mënyrës se si qasen deri te informacioni, sepse në fund të fundit çdo preferencë dhe shikueshmëria lidhet me besimin në fakte ose të vërteta alternative. Në këtë kontekst, vërehet se përdorimi i ulët i ekranit të televizorit shoqërohet me mundësinë e të rinjve për të përdorur pajisje alternative si celularët dhe laptopët.

Kjo revistë shkencore është e indeksuar në Scopus./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Lajmet nga UBT

Rektori i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë në UBT për diskutim të hapur

Publikuar

nga

Në një iniciativë të veçantë për të nxitur dialogun dhe përparimin në fushën e sigurisë dhe shkencave politike, UBT është krenar të njoftojë një ngjarje të rëndësishme që do të ndodhë të premten, më 24 maj, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan.

Prof. Dr. Ilirijan Mandro, Rektori i Akademisë së Sigurisë së Shqipërisë, do të vizitojë UBT-në për të mbajtur një diskutim të hapur me studentët dhe stafin akademik të institucionit. Diskutimi do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë në fushën e sigurisë, me një rëndësi të veçantë për studentët që studiojnë sigurinë dhe shkencat politike.

Ky takim është shans për të shkëmbyer pikëpamje, për të diskutuar për zhvillimet aktuale dhe për të ndjekur përparimet në këtë drejtim. Në një kohë kur siguria është një çështje thelbësore për shoqërinë, kjo ngjarje ofron një platformë të rëndësishme për të përmbushur qëllimet e dijes dhe angazhimit në këtë fushë të ndryshme.

Me fillim nga ora 14:00, UBT ju fton të merrni pjesë në këtë takim të rëndësishëm për të kontribuar në diskutimet e pasura dhe për të ndërtuar njohuri të reja në fushën e sigurisë dhe shkencave politike./UBTNews/

Vazhdo të lexosh

Të kërkuara