Lajmet nga UBT

UBT nderon Tony Clement me çmimin më të lartë institucional Honorary Degree – Excellence in Leadership

Published

on

Në një ceremoni solemne të mbajtur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së, në Lipjan, UBT ndau çmimin më të lartë institucional Honorary Degree – Excellence in Leadership për liderin dhe politikanin e njohur kanadez, Tony Clement.

Ky çmim i veçantë vjen si njohje për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në fushën e udhëheqjes, inovacionit politik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në ceremoni ishte i pranishëm edhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili tha se ky çmim përfaqëson një nderim të veçantë për një personalitet me një përvojë të thellë në lidership dhe, njëkohësisht, për një mik të çmuar të Kosovës.

“Përmes këtij çmimi ne po nderojmë jo vetëm një personalitet me përvojë të pasur në lidership, por edhe një mik të Kosovës, i cili ka mbështetur vazhdimisht avancimin e vlerave demokratike dhe zhvillimin ndërkombëtar”, tha Rektori Hajrizi.

Në vijim të ceremonisë, Rektori Hajrizi theksoi se figura e Clement është shembulli më i qartë i një udhëheqësi që përmes vizionit, risisë dhe përkushtimit ndaj së mirës së përbashkët ka krijuar ndikim të qëndrueshëm.

“Clement është shembulli më i mirë se si lidershipi vizionar, inovacioni dhe përkushtimi ndaj të mirës publike mund të krijojnë ndikim afatgjatë. Me këtë çmim, ne duam të inspirojmë brezat e rinj që të ndjekin rrugën e lidershipit të përgjegjshëm dhe bashkëpunimit global”.

Clement, gjatë fjalës së tij, theksoi se ndjehej veçanërisht i nderuar për çmimin nga një institucion që përfaqëson përparimin, edukimin cilësor dhe të ardhmen. Ai vlerësoi Kosovën dhe UBT-në si shembuj të përkushtimit të sinqertë ndaj zhvillimit dhe integrimit ndërkombëtar, duke shprehur bindjen se këto vlera janë themeli i një bote më të bashkuar dhe të drejtë.

“Është një privilegj i madh të pranoj këtë nderim nga një institucion që përfaqëson të ardhmen, përparimin dhe edukimin cilësor. Kosova dhe UBT janë shembuj të fuqishëm të përkushtimit ndaj zhvillimit dhe integrimit global”, tha Clement.

Në përmbyllje të fjalës së tij, Clement u shpreh se ky ishte nderimi i tij i parë i këtij lloji, të cilin e konsideronte si një pikënisje të një marrëdhënieje të re dhe të veçantë me UBT-në.

“Ky është nderimi im i parë i këtij lloji dhe e konsideroj si një lidhje të veçantë që sapo është krijuar mes meje dhe UBT-së. Do të jem krenar të jem pjesë e komunitetit tuaj dhe do të përpiqem të kontribuoj përtej këtij momenti simbolik”.

Tony Clement ka mbajtur disa nga pozitat më të larta në qeverinë e Kanadasë, përfshirë ministrin e Shëndetësisë dhe ministrin e Industrisë, dhe ka qenë një zë i fuqishëm në mbështetje të bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe reformave të thella politike dhe ekonomike.

Me këtë çmim, UBT vazhdon traditën e tij për të nderuar personalitete të shquara që kanë lënë gjurmë në udhëheqje, arsim dhe shoqëri.

 

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare

Published

on

By

UBT do të organizojë Konferencën e 15-të Ndërkombëtare të Shkencave Stomatologjike, e cila do të mbledhë studiues, stomatologë, teknikë dentarë dhe profesionistë vendorë e ndërkombëtarë për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, inovacionet teknologjike dhe sfidat bashkëkohore në fushën e shëndetit oral.

Nën temën “Artificial Intelligence and Digital Dentistry: Smart Solutions for Better Clinical Outcomes – Redefining Diagnosis, Treatment Planning, and Clinical Excellence”, konferenca do të fokusohet në rolin e inteligjencës artificiale dhe teknologjive digjitale në diagnostikim, planifikimin e trajtimeve dhe avancimin e praktikës klinike.

Programi përfshin fusha të ndryshme të stomatologjisë, si ortodoncia, implantologjia, protetika, endodoncia, stomatologjia pediatrike dhe shëndeti publik oral. Koordinatorja e Konferencës së Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare në UBT, Prof. Asst. Dr. Miranda Sejdiu Abazi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje në avancimin e njohurive shkencore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet profesionistëve të fushës.

“Përmes konferencës shkencore për stomatologji dhe teknikë dentare, synojmë të krijojmë një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave klinike, duke lidhur zhvillimet më të reja teknologjike me sfidat konkrete të praktikës ditore. Pjesëmarrja e studiuesve dhe profesionistëve vendorë e ndërkombëtarë krijon mundësi të reja për bashkëpunim akademik, zhvillim profesional dhe promovim të trajtimeve të sigurta, të individualizuara dhe të bazuara në evidencë shkencore”, u shpreh ajo

Një element i rëndësishëm i këtij edicioni është akreditimi i konferencës nga Oda e Stomatologëve të Kosovës dhe Oda e Infermierëve të Kosovës.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë 15 pikë kredituese për pjesëmarrje pasive dhe 20 pikë për pjesëmarrje aktive, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e shëndetësisë. Konferenca do të përfshijë gjithashtu prezantime të hulumtimeve nga Kosova dhe vende të tjera, ndërsa ligjëruese kryesore do të jetë dekania e Fakultetit të Stomatologjisë në Tiranë, Prof. Dr. Edit Xhajanka.

Pjesëmarrja e ekspertëve ndërkombëtarë nga vende si Rumania, Gjermania dhe Austria do të mundësojë shkëmbimin e përvojave dhe njohjen me qasjet bashkëkohore në stomatologji. Përmes organizimit të Konferencës Ndërkombëtare të Stomatologjisë dhe Teknikës Dentare, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, duke kontribuar në avancimin e praktikave profesionale dhe në përmirësimin e cilësisë së kujdesit për shëndetin oral.

Continue Reading

Lajmet

UBT pret nesër Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ)

Published

on

By

Nesër në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së do të nisë punimet Kongresi i 67-të i Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), i cili do të zhvillohet deri më 23 tetor 2026.

Ky ngjarje e nivelit të lartë organizohet nga “Quality Kosova” – anëtare e rregullt e EOQ-së që nga viti 2013 – dhe do të mbledhë në Kosovë profesionistë, akademikë, ekspertë dhe përfaqësues institucionalë nga mbarë bota.

Me temën kryesore “Shaping Quality for a Smart, Sustainable and Resilient Future – Quality, Growth, Human Values and Trust in the Age of AI”, kongresi do të shërbejë si një platformë ndërkombëtare për të diskutuar të ardhmen e menaxhimit të cilësisë, transformimin digjital dhe zhvillimin e institucioneve. Vëmendje e veçantë gjatë takimeve do t’i kushtohet ndikimit të inteligjencës artificiale në arsim, shëndetësi, financa, industri e qytete të mençura, si dhe rëndësisë së besimit e vlerave njerëzore në ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme.

Përmes këtij organizimi, EOQ dhe Quality Kosova synojnë të nxisin shkëmbimin e praktikave më të mira dhe krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet komunitetit akademik, sektorit privat dhe institucioneve publike. Pritja e këtij eventi nga UBT dëshmon angazhimin e saj të vazhdueshëm për promovimin e standardeve ndërkombëtare, duke fuqizuar potencialin inovativ të Kosovës dhe lidhjen e ekspertizës vendore me rrjetet globale.

 

Continue Reading

lajme

Ekspertët ndërkombëtarë në UBT: Diskutohet e ardhmja e mjekësisë sportive dhe teknologjive emergjente në parandalimin e sëmundjeve

Published

on

By

Ekspertë, shkencëtarë dhe profesorë ndërkombëtarë po prezantojnë zhvillimet më të fundit në fushën e mjekësisë sportive, edukimit dhe teknologjisë, në kuadër të edicionit të dytë të Konferencës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive, i cili po zhvillon punimet në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.  

Ngjarja ka mbledhur personalitete drejtuese të mjekësisë sportive botërore dhe ekspertë nga Italia, Austria, Gjermania dhe Kosova, me fokus kryesor kalimin drejt mjekësisë parandaluese, shëndetit funksional dhe integrimit të inteligjencës artificiale në ekosistemet e qëndrueshme shëndetësore.  

Punimet e konferencës u hapën me prezantimin e Prof. Dr. Fabio Pigozzi, President i Federatës Ndërkombëtare të Mjekësisë Sportive (FIMS), i cili trajtoi rolin global të FIMS-it dhe rrjetit të saj prej 118 shoqatash kombëtare në ndërthurjen e shkencës, edukimit dhe politikave shëndetësore.  

Pigozzi vuri në dukje se mjekësia sportive moderne po i shërben gjithnjë e më shumë shëndetit të popullatës përmes konceptit “Ushtrimi si Mjekësi” (Exercise is Medicine), si një përgjigje ndaj pandemisë së pasivitetit fizik që prek 1.8 miliardë të rritur në botë dhe shkakton miliona vdekje nga sëmundjet jo të transmetueshme. Ai vlerësoi përfshirjen e Institutit për Mjekësi Sportive të UBT-së në rrjetin e Qendrave Bashkëpunuese të FIMS-it (CCSM).  

Në vijim, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, prezantoi vizionin e UBT Smart City, si një platformë e integruar e teknologjive emergjente dhe mbështetjes inteligjente për edukimin, kërkimin shkencor, inovacionin dhe shërbimet klinike në mjekësinë sportive.  

Duke u bazuar në konceptin e UBT 5S, Rektori Hajrizi theksoi se UBT nuk ofron thjesht infrastrukturë fizike, por një ekosistem të plotë dhe laborator të gjallë (Living Lab) që ndërlidh edukimin, spitalin UNITED Hospital, Institutin për Mjekësi Sportive, rrjetet 5G/IoT, inteligjencën artificiale dhe realitetin e zgjeruar (XR).  

Ai prezantoi rrugëtimin e integruar klinik — nga parandalimi, triazhi, trajtimi kirurgjikal, fizioterapia dhe rehabilitimi deri te rikthimi i sigurt i sportistit në fushë (Return-to-Sport) — si dhe agjendën kërkimore strategjike 2027–2030 për parandalimin preciz dhe shëndetin e komunitetit.  

Prof. Dr. Norbert Bachl nga Austria, Zëvendëspresident i FIMS-it dhe profesor në Universitetin e Vjenës dhe UBT, u përqendrua në shëndetin funksional, parashikimin e rreziqeve dhe revolucionin e inteligjencës artificiale.  

Bachl prezantoi kalimin nga mjekësia tradicionale episodike drejt “Mjekësisë P4” (parandaluese, e personalizuar, pjesëmarrëse dhe prediktive), ku theksi vihet te kapaciteti funksional dhe trajektoret dinamike të jetëgjatësisë së shëndetshme (healthspan).  

Duke analizuar rolin e AI-së si një “krah ndihmës” (helping hand), ai tregoi sesi integrimi i të dhënave të vazhdueshme multimodale dhe simulimi i skenarëve të stilit të jetesës mbështesin mjekun dhe pacientin në vendimmarrjen e përbashkët (Shared Decision-Making).  

Ndërkaq, një paraqitje të thelluar mbi rolin e teknologjisë dha Christian Stammel nga Gjermania, Themelues dhe Drejtor Ekzekutiv (CEO) i platformës globale WT | Wearable Technologies AG.  

Stammel trajtoi temën se si pajisjet e bartshme (wearables) dhe inteligjenca artificiale po mundësojnë parandalimin preciz dhe avancimin e shëndetit funksional. Duke theksuar rritjen e shpejtë të industrisë së teknologjive të bartshme — me një parashikim prej rreth 1 miliard pajisjesh të prodhuara në vit deri në vitin 2026 — ai shpalosi segmentimin e këtij tregu, nga unazat inteligjente (smart rings), orët dhe byzylykët (wristables), syzet (eyewearables), kufjet me sensorë shëndetësorë (hearables), e deri te fashat e zgjuara me biosensorë (smart patches).  

Stammel shpjegoi rolin e “Binjakut Digjital Njerëzor” (Human Digital Twin) në zbulimin e hershëm të anomalive dhe udhëheqjen e procesit të rimëkëmbjes, duke theksuar se përparësia e së ardhmes po zhvendoset nga sensorët e thjeshtë matës drejt sistemeve të plota “nga sensori në veprim” (sensor-to-action). Ai nënvizoi se nëse sensorët fiziologjikë janë tashmë të maturuar, e ardhmja deri në vitin 2030 i përket sensorëve biokimikë në kohë reale (si matja e kortizolit, glukozës dhe metabolitëve përmes djersës dhe lëngut intersticial), të cilët funksionojnë si një ndërlidhës i pandërprerë mes biologjisë njerëzore dhe vendimmarrjes klinike.  

Përmes kësaj Konference, UBT po rikonfirmon rolin drejtues në rajon për bashkimin e mjekësisë sportive me teknologjinë më bashkëkohore dhe inteligjencën artificiale, duke krijuar një mjedis unik ku shkenca, klinika dhe inovacioni vihen drejtpërdrejt në shërbim të shëndetit publik dhe mirëqenies njerëzore. 

Punuan: Diona Hajrizi, Gresa Osmani, Elisa Istrefi, Dea Gashi, Enkela Maqedonci, Anisa Kryeziu – studente të vitit të tretë në programin Media dhe Komunikim në UBT.

Continue Reading

Lajmet

UBT organizon Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës

Published

on

Më 24 tetor 2026, UBT do të organizojë Konferencën Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës (IC-CEIE 2026), e cila synon të bashkojë akademikë, studiues, inxhinierë dhe profesionistë të industrisë për të shkëmbyer njohuri dhe përvoja, si dhe për të diskutuar zhvillimet më të fundit shkencore, sfidat dhe inovacionet në sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe mjedisit.

Konferenca do të krijojë një platformë bashkëpunimi ndërmjet akademisë, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale, duke nxitur zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe të qëndrueshme për sfidat me të cilat përballet industria e ndërtimit dhe e infrastrukturës.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, theksoi rëndësinë e kësaj konference në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe sektorit profesional.

“Përmes IC-CEIE 2026 synojmë të forcojmë lidhjen ndërmjet akademisë, kërkimit shkencor, industrisë dhe profesionistëve të fushës, duke krijuar një platformë të përbashkët për shkëmbimin e njohurive, përvojave dhe praktikave më të mira. Pjesëmarrja e profesionistëve dhe anëtarëve të Odës së Inxhinierëve i jep konferencës një dimension të veçantë, duke afruar kërkimin dhe edukimin universitar me sfidat reale të industrisë dhe praktikës inxhinierike. Synimi ynë është që ky bashkëpunim të kontribuojë në zhvillimin e zgjidhjeve inovative, të qëndrueshme dhe të zbatueshme për sektorin e ndërtimit, infrastrukturës dhe mjedisit”, ka thënë Krelani.

Një element i rëndësishëm i konferencës është edhe përfshirja e Odës së Inxhinierëve të Republikës së Kosovës, përmes së cilës pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë pikë profesionale, duke mbështetur zhvillimin e vazhdueshëm profesional dhe avancimin e kompetencave në fushën e inxhinierisë.

Përmes organizimit të IC-CEIE 2026, UBT vazhdon të promovojë kërkimin shkencor, inovacionin dhe bashkëpunimin ndërmjet akademisë dhe industrisë, duke krijuar mundësi për shkëmbim të përvojave profesionale dhe zhvillimin e praktikave bashkëkohore në funksion të infrastrukturës së qëndrueshme.

Continue Reading

Të kërkuara