Për kontributin e shquar në sigurimin e paqes dhe lirisë në vend, kjo falë edhe rezistencës dhe sakrificës së popullit shqiptar, si dhe kontributit të komunitetit ndërkombëtar, rolin gjatë vitit 1999 dhe këtej, mbështetjen e pareshtur të institucioneve të vendit dhe qytetarëve të saj, si dhe misionin human në Kosovë, UBT i ka ndarë çmimin “Excellence Leadership Award”, misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Çmimin në një ceremoni solemne në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, e ka ndarë rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, çmim i cili u pranua nga komandanti i KFOR-it, gjeneral major Ferenc Kajari, si dhe shefi i stafit të KFOR-it në Kosovë, gjeneral brigade John Maier.
Rektori Hajrizi, në fjalën e tij tha se prezenca e KFOR-it në Kosovë siguroi paqe në vendin tonë, si dhe solli një stabilitet mes qytetarëve të një vendi të dalë nga lufta.
“Është interesante, unë jam themeluesi i UBT-së dhe u ktheva në Kosovë pas lufte. Për shkak të krizës në Kosovë, vazhdova shkollimin në një vend tjetër. Kjo ishte një mundësi të kthehesha në Kosovë. Kjo mundësi erdhi falë kontributit të komunitetit ndërkombëtar në sigurimin e paqes dhe lirisë në Kosovë”, potencoi mes tjerash rektori Hajrizi.
Gjeneral major Ferenc Kajari tha se është nder dhe privilegj për të që ta pranojë këtë çmim prestigjioz nga UBT, dhe se është i lumtur që kontributi i KFOR-it po vlerësohet.
Përmes këtij çmimi, UBT si institucion i arsimit të lartë që ka krijuar një ekosistem të gjerë të dijes, e ndan për personalitetet dhe institucionet që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribut të madh në sfera të ndryshme të jetës.
UBT do të organizojë nesër, më 5 shtator, Ceremoninë e Gradimit, një ngjarje solemne që shënon përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm akademik për studentët dhe fillimin e një etape të re drejt së ardhmes së tyre profesionale.
Ceremonia do të mbledhë të diplomuarit, familjarët e tyre, profesorët, stafin akademik dhe drejtuesit e institucionit, për të festuar së bashku rezultatet e një rrugëtimi të karakterizuar nga përkushtimi, puna dhe sfidat e tejkaluara ndër vite.
Ceremonia do të zhvillohet në dy termine, në orën 10:00 dhe 15:00, duke krijuar një moment të veçantë për secilin të diplomuar që kurorëzon rrugëtimin e tij akademik në UBT.
Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, ka njoftuar se e ka thirrur vazhdimin e seancës për datën 9 shtator nga ora 11:00
“Si Kryesues i Seancës Konstitutive e kam parë si një lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Edhe pse ende nuk ka qartësi të plotë, nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve, kam vendosur që vazhdimin e Seancës Konstitutive ta thërras më 9 shtator, në orën 11:00”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Ai ka thënë se deri atëherë pret që kjo marrëveshje të shoqërohet “me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka shkruar Dehari.
Afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht. Seanca e fundit për këtë çështje është mbajtur një ditë më vonë, ndërsa prej atëherë nuk është thirrur vazhdimi i saj.
LDK-ja dhe Vetëvendosja arritën marrëveshje që profesori universitar Bekim Sejdiu të jetë kandidati i përbashkët për president. Por kundër marrëveshjes dolën deputetët e LDK-së Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi./A.K/
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka njoftuar se ka vendosur të anulojë vizitën e planifikuar në Serbi, pas reagimeve ndaj glorifikimit të Ratko Mlladiqit pas vdekjes së tij.
Në një postim në platformën X, Kos ka thënë se Mlladiqi ishte dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Ajo ka theksuar se glorifikimi i tij është i papajtueshëm me vlerat evropiane dhe se rruga drejt Bashkimit Evropian kërkon përballje me të kaluarën, pajtim dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës.
“Kjo rrugë kërkon përballje me të kaluarën, pajtim të vërtetë dhe respektim të viktimave të krimeve të luftës”, ka deklaruar Kos.
Për këtë arsye, ajo ka vendosur që, në këtë moment, të mos e realizojë vizitën e planifikuar në Serbi./A.K/
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj 35 të pandehurve për krime lufte në lagjen e Jasharëve në Prekaz. Sipas Prokurorisë Speciale, të gjithë të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë janë persona të gjallë ndaj të cilëve do të zhvillohet procedura gjyqësore.
Kryeprokurori i Speciales, Blerim Isufaj, në një konferencë për media të mbajtur të premten, ka thënë se aktakuza lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve.
“Rëndësia e kësaj aktakuze është e veçantë dhe për faktin se bëhet fjalë për aktakuzën e parë që lidhet me vrasjen e civilëve në lagjen e Jasharëve në Prekaz”, është shprehur Isufaj, duke thënë se tani i takon Gjykatës që ta vlerësojë aktakuzën dhe provave e paraqitura në të.
Isufaj ka thënë se në këtë rast është punuar me kujdes të shtuar me qëllim që pretendimet e ngritura të provohen para Gjykatës.
Ndërsa prokurori Valdet Gashi, ka thënë se aktakuzë është ngritur pas një pune disavjeçare të Prokurorisë. Ai e ka cilësuar rastin si shumë kompleks.
“Bazuar në provat e siguruara, kemi arritur që ta vërtetojmë dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit e përfshirë në këtë aktakuzë kanë kryer veprën penale ‘Krime lufte kundër popullatës civile’, si rezultat i veprimeve të tyre në ngjarjet e datave 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në fshatin Prekaz i Poshtëm, konkretisht në lagjen e Jasharëve”, është shprehur Gashi. /E.A/