Lajmet nga UBT

UBT merr pjesë në pritjen e Ambasadës së Finlandës dhe Austrisë – Vlerëson mbështetjen e tyre për Kosovën

Published

on

UBT mori pjesë në dy pritje të veçanta organizuara nga Ambasada e Finlandës dhe Ambasada e Austrisë në Kosovë. Këto ngjarje, që shënuan Ditën e Pavarësisë së Finlandës më 6 dhjetor, ishin një reflektim i miqësisë së fortë dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe këtyre dy shteteve evropiane, të cilat kanë dhënë një kontribut të veçantë në zhvillimin e vendit.

Gjatë pritjes që u organizua nga Ambasada e Finlandës, e cila përfaqëson një nga shtetet model për demokracinë, inovacionin dhe zhvillimin e qëndrueshëm në Evropë, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, shprehu falënderime të sinqerta për përkrahjen e vazhdueshme që Finlanda ka ofruar për Kosovën në fusha të ndryshme.

Rektori Hajrizi vlerësoi angazhimin e Finlandës për zhvillimin e arsimit, teknologjisë dhe demokracisë, duke theksuar se ky mbështetje ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në avancimin e institucioneve dhe shoqërisë kosovare. Ai gjithashtu theksoi miqësinë e fortë dhe bashkëpunimin e suksesshëm të ndërmarrë ndërmjet popullit dhe institucioneve të Kosovës dhe Finlandës.

Në pritjen e organizuar nga Ambasada e Austrisë, Rektori Hajrizi falënderoi Ambasadorin e Austrisë për mbështetje të gjithanshme që ky shtet ka ofruar për Kosovën. Ai theksoi se Austria ka qenë një partner historik i rëndësishëm për Kosovën dhe ka kontribuar në shumë fusha, duke përfshirë arsimin e lartë dhe kulturën. Rektori vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që UBT ka pasur me institucione të ndryshme austriake, duke i falënderuar për angazhimin e tyre në avancimin e arsimit dhe shkëmbimin e përvojave të vlefshme.

“Finlanda dhe Austria kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Kosovës, duke ofruar mbështetje të pakursyer në fushat e arsimit, teknologjisë dhe kulturës. Ne si UBT vlerësojmë thellësisht partneritetet tona me këto dy shtete, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e institucioneve dhe promovimin e njohurive dhe vlerave të reja në shoqërinë tonë. Ky bashkëpunim është një dëshmi e miqësisë së fortë ndërmjet Kosovës dhe këtyre vendeve, dhe ne jemi të angazhuar për të vazhduar dhe thelluar këtë lidhje në të ardhmen”, u shpreh Hajrizi.

Pjesëmarrja e UBT-së në këto ngjarje ka theksuar përkushtimin e universitetit për të forcuar dhe zgjeruar partneritetet ndërkombëtare, si dhe për të promovuar shkëmbimin e njohurive dhe përvojave në fusha të ndryshme si arsimi, teknologjia dhe kultura. Aktivitetet e tilla janë një mundësi për UBT-në të ndërtojë ura bashkëpunimi dhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës si një qendër të rëndësishme të arsimit dhe inovacionit në Ballkan./UBTNews/

Lajmet

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT: Formimi profesional për liderët e së ardhmes

Published

on

By

Në një epokë ku media dhe komunikimi po transformohen me ritme të shpejta, profesionistët e së ardhmes kanë nevojë për njohuri të avancuara, mendim kritik dhe aftësi praktike.

Pikërisht për këtë, UBT ofron programin Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim, të konceptuar për të përgatitur profesionistë të aftë për të udhëhequr në sektorin e medias, komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun.

Programi Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim ndërthur në mënyrë strategjike shkencat sociale, teknologjinë e informacionit, gazetarinë, Marrëdhëniet me Publikun (PR) dhe krijimin e përmbajtjes digjitale.

Përmes kombinimit të njohurive teorike me përvojën praktike dhe hulumtimin shkencor, studentët zhvillojnë kompetenca të avancuara për t’u përballur me kërkesat e tregut modern të punës, si në Kosovë ashtu edhe në tregun global.

Një rëndësi e veçantë i kushtohet etikës profesionale, mendimit kritik dhe aftësisë për të analizuar, interpretuar dhe menaxhuar komunikimin dhe imazhin e institucioneve dhe organizatave.

Kjo e bën programin një mundësi të përshtatshme për të gjithë ata që synojnë të avancojnë profesionalisht në media, gazetari, komunikim strategjik, PR, marketing dhe përmbajtje digjitale.

Përveç mundësisë për të ndjekur një program Master të orientuar drejt zhvillimit profesional, UBT ofron edhe një mbështetje të rëndësishme financiare për studentët. Përmes bursës Engaged Scholarship, studentet që janë pjesë e kësaj fushe përfitojnë 20% zbritje në tarifën e studimeve gjatë gjithë periudhës së programit Master.

Kjo bursë përfaqëson një mundësi konkrete për studentët që duan të investojnë në arsimimin e tyre të avancuar, duke pasur njëkohësisht mbështetje financiare gjatë gjithë rrugëtimit akademik.

Master në Gjuhë, Media dhe Komunikim në UBT është një mundësi për të zgjeruar njohuritë, për të zhvilluar kompetenca profesionale dhe për të ndërtuar bazat e një karriere të suksesshme në një sektor që ndryshon vazhdimisht.

Apliko në programin Gjuhë, Media dhe Komunikim -Master dhe përfito 20% bursë përmes Engaged Scholarship.

Continue Reading

Lajmet

Rektori Hajrizi merr pjesë në hapjen e Samitit Ndërkombëtar Rinor për Paqe 2026 në Mitrovicë

Published

on

By

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, mori pjesë në hapjen e Samitit Ndërkombëtar Rinor për Paqe 2026, organizuar nga YSP Balkan, i cili po zhvillohet në Mitrovicë, duke mbledhur të rinj nga vende dhe komunitete të ndryshme, si dhe përfaqësues të institucioneve, akademisë dhe shoqërisë civile.

Në ceremoninë hapëse, Rektori Hajrizi mbajti një fjalë përshëndetëse, në të cilën theksoi rëndësinë e edukimit, bashkëpunimit dhe angazhimit të të rinjve në ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe paqësore.

Duke folur për rëndësinë e këtij samiti, Rektori Hajrizi theksoi se misioni i UBT-së është të kontribuojë në zhvillimin e një gjenerate të përgatitur për të vepruar përtej kufijve, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të krijuar ndikim pozitiv në shoqëri. Ai vuri në pah rolin e arsimit, inovacionit dhe angazhimit ndërkombëtar në fuqizimin e të rinjve si bartës të ndryshimit.

Samiti, me pjesëmarrjen e të rinjve dhe figurave institucionale, akademike e shoqërore, synon të nxisë dialogun, bashkëjetesën, paqen, lirinë dhe barazinë, duke krijuar mundësi për shkëmbim të ideve dhe përvojave dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

 

Continue Reading

Lajmet

Profesori i UBT-së, Milaim Berisha, publikon studim shkencor në revistën “Journal of Human Sport and Exercise”

Published

on

By

Profesori Milaim Berisha nga UBT, në bashkëpunim me studiuesin Pablo Prieto-González, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare “Journal of Human Sport and Exercise” (JHSE), të fokusuar në analizën e aftësive motorike në gjimnastikën artistike.

Studimi sasior përshkrues analizon 239 teknika të përcaktuara në udhëzuesin teknik të Federatës Ndërkombëtare të Gjimnastikës (FIG) për të dyja gjinitë. Hulumtimi ka identifikuar praninë dhe rëndësinë e komponentëve kryesorë motorikë, si koordinimi, fuqia, shpejtësia, lëvizshmëria, fleksibiliteti, ekuilibri, qëndrueshmëria dhe shkathtësia në secilin aparat.

Gjetjet e studimit tregojnë se, ndonëse disiplinat e gjimnastikës artistike ndajnë aftësi të përbashkëta, secila prej tyre ka kërkesa specifike që ndryshojnë në bazë të nivelit të vështirësisë së lëvizjeve.

Autorët përfundojnë se me evoluimin e teknikave dhe integrimin e teknologjive të reja në këtë sport, programet e stërvitjes duhet të përditësohen në mënyrë të vazhdueshme për t’iu përshtatur kërkesave bashkëkohore. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology” studimi i profesorëve të UBT-së për sigurinë e barnave të hipertensionit

Published

on

By

Një studim i ri farmakoepidemiologjik i realizuar nga profesorët e UBT-së, Arieta Hasani Alidema dhe Fitim Alidema, ka sjellë të dhëna me rëndësi mbi përdorimin, sigurinë dhe rivlerësimin e hershëm klinik të terapisë antihipertensive në kujdesin parësor shëndetësor.

Hulumtimi shkencor, i publikuar në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology“, bazohet në analizën e 1,212 pacientëve të rritur me hipertension arterial, të trajtuar në kujdesin parësor gjatë periudhës janar 2024 – korrik 2026. Mosha mesatare e pacientëve të përfshirë në studim ishte 63.4 vjeç, ku 60.8% e tyre ishin gra dhe 80.1% banorë të zonave rurale, ndërsa mbi 82% e tyre vuanin nga hipertensioni i shkallës së dytë dhe të tretë.

Sipas gjetjeve të studimit, bari më i përshkruar nga mjekët ishte Losartani 40 mg në 56.4% të rasteve, i ndjekur nga Lisinoprili 5 mg me 25.7%. Reaksionet e padëshiruara nga barnat u dokumentuan te 25.2% e pacientëve, duke treguar dallime të ndjeshme statistikore ndërmjet klasave të ndryshme të antihipertensivëve. Në veçanti, analizat treguan se bllokuesit e kanaleve të kalciumit shoqëroheshin me mundësi më të larta për shfaqjen e efekteve anësore, ndërsa përdorimi i statinave dhe trajtimi kronik i rregullt lidheshin me një shkallë më të ulët të këtyre reaksioneve.

Gjithashtu, studimi nxori në pah se rivlerësimi i hershëm klinik brenda 7 deri në 30 ditë u realizua te 96.9% e pacientëve me përcjellje të dokumentuar, çka dëshmon rëndësinë e monitorimit të afërt. Përmes këtij hulumtimi, profesorët e UBT-së nënvizojnë nevojën për një qasje të individualizuar dhe ndjekje të strukturuar të pacientëve në mjekësinë familjare, me qëllim optimizimin e trajtimit dhe rritjen e sigurisë shëndetësore.

Continue Reading

Të kërkuara