Lajmet

UBT ju uron Vitin e Ri 2022

Viti 2021 ishte vit i projekteve të mëdha.

Published

on

Me rastin e ndërrimit të motmoteve, rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, ka uruar gjithë studentët, stafin akademik e administrativ, si dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, Vitin e Ri 2022.

Urimi i plotë i rektorit prof.dr. Edmond Hajrizi:

I nderuar staf dhe studentë të UBT-së,

Puna jonë e përditshme dhe profesionalizmi i lartë janë çelësi i arsimit me cilësi të lartë në UBT. Të gjithë kemi një përgjegjësi të madhe për edukimin e një brezi të ri profesionistësh të ardhshëm, njerëz të pasur shpirtërisht dhe qytetarë të denjë.

Ky vit solli një sërë ngjarjesh e aktivitetesh, me to edhe arritje dhe suksese të reja jo vetëm për institucionin, por për të gjithë vendin. Përgjatë vitit që po e lëmë pas, UBT u rikonfirmua si një nga universitetet kryesore në vend dhe ka përmirësuar edhe më shumë pozicionin në renditjen ndërkombëtare dhe vendore. Institucioni arriti që Kosovën ta rendit të parën në rajon për nga implementimi i gjeneratës së pestë së teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela – 5G. Konfirmuam edhe njëherë se jemi lider në zbatimin e teknologjisë së realitetit virtual dhe të shtuar, duke hapur kështu edhe qendrën e parë, të vetmen dhe më të madhen në Ballkan, “EON Reality, Augmented and Virtual Center”.

Në vitin 2021 ne vazhduam t’i qëndrojmë afër komunitetit, industrisë dhe partnerëve tanë, duke ndihmuar ata në zhvillimin e strategjive për Smart City ose që njihen ndryshe si qytete të mençura, mirëpo në të njëjtën kohë përuruam qendrën më të madhe dhe më moderne të shkencës, teknologjisë dhe inovacionit UBT Smart City, të lokalizuar në Parkun Shkencor dhe Inovativ të UBT-së.

Viti 2021 ishte vit i projekteve të mëdha, dhe i tillë ishte edhe hapja e qendrës së teknologjisë dhe inovacionit në qytetin e Korçës, projekt ky shumë i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm për zhvillimin e të rinjve tanë që jetojnë në qytetin e Korçës.

Po në këtë vit, ne patëm një numër të madh të projekteve të realizuara, rreth 150 sosh, duke marrë akreditimin edhe për arsimin e mesëm të lartë si dhe për shkollën e mesme të mjekësisë, një hap tjetër në përgatitjen e gjeneratave në mënyrë profesionale qysh në shkollimin e mesëm të lartë.

Të nderuar, unë ju falënderoj për punën tuaj, përkushtimin dhe për arritjet e përbashkëta. Gjithashtu, falënderoj studentët tanë, të cilët na përfaqësuan në aktivitete të ndryshme shkencore, shoqërore, dhe bënë që zëri i rinisë kosovare të dëgjohet gjithandej botës.

Ky vit ishte i veçantë për shkak të përvjetorit jubilar të UBT-së, si dhe sjelljes së 30 inovacioneve në fushën e edukimit, shkencës e teknologjisë në Kosovë, duke e vendosur vendin tonë në shumicën prej tyre si të parin në rajon, ndaj uroj që viti i ardhshëm të jetë plot momente të paharrueshme dhe të mrekullueshme.

Ju uroj të vendosni qëllime të reja dhe të filloni të punoni në mënyrë që t’i arrini ato. Uroj që të jeni energjikë dhe të gëzuar. Ka shumë punë përpara për të bërë që përfshijnë: projekte inovative, ide të reja, projekte kërkimore, pjesëmarrje në konkurse të ndryshme, festivale dhe gara botërore, si dhe kërkime shkencore.

Jam optimist dhe i sigurt se viti 2022 do të jetë edhe më i mirë dhe më i fuqishëm se ky vit që po e lëmë pas.

Gëzuar 2022!

Presidenti i UBT-së,

Prof.dr. Edmond Hajrizi

Lajmet

UBT nis bashkëpunim ndërkombëtar me Liberty University për “Virtual NATO Simulation”

Published

on

By

Është mbajtur takimi i parë online i punës që shënon nisjen e një bashkëpunimi të rëndësishëm akademik ndërkombëtar në kuadër të aktivitetit “Virtual NATO Simulation”, i cili për herë të parë po zhvillohet në Kosovë me përfshirjen e studentëve të University for Business and Technology.

Ky projekt inovativ synon të sjellë një përvojë të drejtpërdrejtë të proceseve vendimmarrëse dhe diplomatike në kuadër të NATO, përmes një simulimi virtual që përfshin role të nivelit të lartë politik, diplomatik dhe të sigurisë.

Në kuadër të këtij simulimi, me iniciativë të Dekanes së Fakultetit Shkenca Politike në UBT, dy grupe studentësh, do të përfaqësojnë shtete anëtare të NATO-s përmes formatit role play. Njëri grup do të simulojë rolin e Turqia, ndërsa grupi tjetër atë të Italia, duke u angazhuar në diskutime dhe vendimmarrje që pasqyrojnë realitetin e sfidave të sigurisë ndërkombëtare.

Përmes këtij angazhimi, studentët do të përjetojnë nga afër dinamikën e negociatave, koordinimit institucional dhe diplomacisë shumëpalëshe.

Ky bashkëpunim po realizohet në partneritet me Liberty UniversityShtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe me universitete të tjera të rajonit, duke krijuar një hapësirë të përbashkët akademike për shkëmbim përvojash, njohurish dhe praktikash ndërkombëtare.

Virtual NATO Simulation u ofron studentëve një qasje praktike dhe ndërvepruese ndaj çështjeve të sigurisë globale, duke zhvilluar aftësi konkrete në analizë strategjike, komunikim institucional dhe bashkëpunim ndërkombëtar.

Takimi i parë online përbën hapin fillestar të një rrugëtimi të ri për UBT-në dhe studentët e saj, duke e pozicionuar Kosovën në një platformë aktive të bashkëpunimit akademik ndërkombëtar dhe duke dëshmuar rolin në rritje të institucioneve vendore në nisma që ndërlidhin arsimin e lartë me realitetet globale.

Continue Reading

Lajmet

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku pjesë e konferencës shkencore në Universitetin e Bolonjës

Published

on

By

Profesoresha e Fakultetit të Medias dhe Komunikimit në UBT, Xhevahire Millaku mori pjesë në një konferencë shkencore ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti i Bolonjës, në bashkëpunim me disa universitete shqiptare.

I themeluar në vitin 1088, Universiteti i Bolonjës konsiderohet universiteti më i vjetër në botë dhe një ndër institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në Evropë, me një traditë të gjatë akademike dhe kërkimore.

Konferenca, e mbajtur më 19 dhe 20 shkurt 2026, kishte për temë kryesore: “Arbëreshët e Italisë, një qytetërim midis dy brigjeve të Adriatikut” (The Arbëreshë of Italy, a civilization between the two shores of the Adriatic Sea).

Gjatë dy ditëve të zhvillimit të saj, studiues nga fusha të ndryshme trajtuan aspekte historike, kulturore, gjuhësore dhe identitare të komunitetit arbëresh, duke theksuar rolin e tyre në ndërlidhjen mes Shqipërisë dhe Italisë.

Në kuadër të kësaj konference, Prof. ass. dr. Xhevahire Millaku prezantoi kumtesën me temë: “Gjuha dhe arti diplomatik e letrar i Ismail Kadaresë në studimet italiane”.

Në paraqitjen e saj, ajo trajtoi dimensionin gjuhësor dhe estetik të veprës së shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare, duke u ndalur në mënyrën se si krijimtaria e tij është studiuar dhe interpretuar në qarqet akademike italiane, si dhe në rolin që ajo ka luajtur në ndërtimin e urave kulturore ndërmjet dy vendeve.

Continue Reading

Lajmet

Pjesëmarrje rekord në Testin Provues të Arritshmërisë të organizuar nga UBT International Smart Schools: Mbi 1,500 nxënës nga e gjithë Kosova

Published

on

By

UBT International Smart Schools organizoi me sukses edicionin e dytë të Testit Provues të Arritshmërisë, me mbi 1,500 nxënës të klasave të 9-ta nga e gjithë Kosova që morën pjesë. Ky test, i vetmi i këtij lloji në vend, ka për qëllim vlerësimin gjithëpërfshirës të njohurive të nxënësve dhe do t’u ofrojë atyre që kanë sukses mundësinë për të fituar bursa shkollimi nga 25% deri në 100% në UBT International Smart Schools.

Testi u zhvillua online dhe pa pagesë, duke mundësuar pjesëmarrje të lehtë nga çdo vend. Ai u nda në katër pjesë kryesore:

  • Gjuhët dhe Komunikimi – Gjuhë Shqipe dhe Gjuhë Angleze
  • Shkencat e Natyrës – Biologji, Kimi dhe Fizikë
  • Shkencat Shoqërore – Histori dhe Gjeografi
  • Matematika dhe Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK)

Ky test provues ishte një mundësi unike për nxënësit që të testojnë njohuritë e tyre dhe të hapin rrugën drejt një arsimi cilësor, inovativ dhe ndërkombëtar. Pjesëmarrja rekord e mbi 1,500 nxënësve tregon interesin e madh të të rinjve për të zhvilluar potencialin e tyre akademik dhe për të përfituar nga mundësitë e bursave të ofruara.

UBT International Smart Schools falënderon të gjithë nxënësit dhe prindërit për besimin dhe pjesëmarrjen, duke theksuar se përkushtimi ndaj arsimit dhe inovacionit mbetet prioritet kryesor i institucionit.

Për më shumë informacione mbi programet dhe mundësitë e tjera të UBT International Smart Schools, mund të kontaktoni në 046 332 233.

Continue Reading

Lajmet

Fatlume Bunjaku nderohet me çmimin “European Shooting Star” në Berlinale

Published

on

By

Aktorja shqiptare nga Kosova, Fatlume Bunjaku, është shpallur fituese e çmimit prestigjioz European Shooting Stars në kuadër të Berlinale, duke shënuar një arritje të jashtëzakonshme për kinematografinë shqiptare dhe atë ballkanike në skenën ndërkombëtare. Ky program, i organizuar çdo vit nga European Film Promotion në bashkëpunim me Berlinalen, konsiderohet një nga platformat më prestigjioze për promovimin e aktorëve evropianë me potencial për një karrierë ndërkombëtare të suksesshme.

Juria e këtij edicioni përbëhej nga emra të njohur të botës së filmit, përfshirë regjisorin fitues të Oscar-it, Danis Tanović, aktoren Danica Ćurčić, kritiken e filmit Leila Latif, regjisoren Jo Monteiro dhe producentin Jacques-Henri Bronckart. Sipas vlerësimit të tyre, Bunjaku lë një gjurmë të pashlyeshme te shikuesi, duke shfaqur një prezencë të fuqishme në ekran dhe një thellësi emocionale mbresëlënëse. Juria theksoi se talenti dhe angazhimi i saj e bëjnë atë një aktore me potencial të jashtëzakonshëm.

Përveç suksesit në film, Fatlume Bunjaku njihet edhe si profesoreshë në Fakultetin e Arteve Dramatike në UBT, ku ndan eksperiencën dhe pasionin e saj me studentët, duke i frymëzuar ata drejt karrierave në art dhe aktrim. Prania e saj si “Shooting Star” në Berlinale u cilësua si një moment historik jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë, por për të gjithë rajonin e Ballkanit.

Gjatë ceremonisë, Bunjaku tërhoqi vëmendjen e agjentëve dhe regjisorëve ndërkombëtarë, jo vetëm për interpretimin e saj bindës, por edhe për qasjen modeste dhe të ngrohtë. Në fjalimin e saj, ajo bëri thirrje që industria globale e filmit të vlerësojë kineastët e Ballkanit, duke theksuar potencialin e madh të rajonit dhe nevojën për më shumë mundësi dhe bashkëpunime ndërkombëtare.

Aktorja u nominua në këtë program për filmin Hana, me regji nga Ujkan Hysaj, ku interpreton rolin suportues të Mrikës. Ky vlerësim i hap rrugë prezantimit të saj në një nga skenat më të rëndësishme të kinematografisë botërore dhe shënon një kapitull të ri krenarie për artin shqiptar në nivel evropian dhe global.

Continue Reading

Të kërkuara