Kosova është bërë me kampusin e parë universitar që ka instaluar rrjetin global 5G, duke e lokalizuar në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së, në Lipjan, përmes një marrëveshje mes UBT-së dhe kompanisë finlandeze të telekomunikacionit “Nokia”.
Në një ceremoni solemne, nën patronatin e rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, është bërë inaugurimi i shtrirjes së gjeneratës së pestë së teknologjisë së rrjeteve celulare pa tela – 5G.
Pjesëmarrës në këtë ceremoni në formë virtuale ishin: ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, përfaqësuesi i kompanisë së telekomunikacionit “Nokia”, David Pavlinic, si dhe profesori i Fakultetit Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri në UBT, Xhafer Krasniqi, ndërkaq fizikisht morën pjesë përfaqësues nga zyra e kryeministrit, ARKEP, komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sporte, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfaqësues të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përfaqësues nga Zyra e Koordinatores për Zhvillim të OKB-së, drejtues të Parkut Trajnues në Prizren, përfaqësues të Telekomit të Kosovës, përfaqësues të Odës Ekonomike Gjermane, përfaqësues të Odës së Afarizmit, përfaqësues nga kompani të ndryshme, si dhe përfaqësues dhe pjesëmarrës të tjerë nga institucionet vendore.
Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, në hapje të kësaj ceremonie tha se UBT po prezanton një teknologji të re në Kosovë, e cila tashmë po kompleton një ekosistem të quajtur “Placed based Innovation Ecosystem”.
“Besojmë se tashmë e kemi krijuar një ekosistem që po e quajmë “Placed based Innovation Ecosystem”, ku përveç teknologjisë 5G kemi bërë edhe një qendër për virtualizim të bazuar në Virtual Reality dhe Argumented Reality. Kur të mbledhim të gjitha këto komponente është një investim diku rreth 50 milionë euro dhe që shumica është bërë nga investimi ynë 20 vjeçar, por që kemi pasur edhe investime që vijnë edhe nga partnerët tjerë, në këtë rast nga kompanitë që kemi krijuar njëlloj kornize të një sipërmarrje të përbashkët”, ka thënë rektori Hajrizi.
Virtualisht, ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, ka thënë se ndihet e lumtur me këtë arritje të UBT-së, duke theksuar se UBT ka bërë një progres të jashtëzakonshëm që i ka ndihmuar shumë promovimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Jam shumë krenare që po arrini ta jetësoni këtë projekt në një universitet dhe po mundoheni t’i gjeni format më të mira për ta shfrytëzuar rrjetin 5G. Ka shumë gjëra pozitive që mund t’i bëni me 5G. Studentët në universitetin tuaj janë me të vërtetë të privilegjuar sepse ata mund të shohin edhe mundësi të tjera”, ka thënë ambasadorja e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Përfaqësuesi nga kompania finlandeze e telekomunikacionit “Nokia”, David Pavlinic, tha se UBT pa pikë mëdyshje është institucioni i parë në rajon që po vendos rrjetin privat 5G, përderisa dha mbështetjen e plotë të kompanisë “Nokia” për UBT-në dhe Kosovën në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.
“Rrjeti 5G është i rëndësishëm sepse po e zhvendos të gjithë industrinë, Qeverinë dhe të gjithë sektorët në epokën e digjitalizimit, në industrinë 4.0. Nokia është këtu për t’ju mbështetur dhe mezi po presim ta vazhdojmë bashkëpunimin me UBT-në dhe për ta mbështetur të gjithë Kosovën në epokën e digjitalizimit”, theksoi përfaqësuesi i kompanisë finlandeze të telekomunikacionit “Nokia”, David Pavlinic.
Nga Londra, profesori i UBT-së, Xhafer Krasniqi, për pjesëmarrësit e kësaj ceremonie, virtualisht ka bërë një prezantim të periudhës së implementimit të teknologjisë më të re të rrjeteve celulare pa tela në UBT, 5G.
Ai ka thënë se UBT vendosi rrjetin 5G për të shfrytëzuar aftësitë e kësaj teknologjie, për të lejuar studentët dhe studiuesit të testojnë dhe eksperimentojnë ide dhe zgjidhje të ndryshme kërkimore pa pasur nevojë për simulime dhe pa pasur nevojë të presin për vendosjen e plotë të rrjetit 5G.
Anëtarja e bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Rrezarta Duraku Rizaj, ka theksuar se iniciativat e tilla si të UBT-së promovojnë inovacion dhe ju ndihmojnë jashtëzakonisht shumë gjeneratave të reja të zhvillohen edhe më shumë profesionalisht në lëmin e teknologjive digjitale, pse jo edhe në fusha të tjera.
“Iniciativat e tilla promovojnë inovacion dhe ju mundësojnë gjeneratave të reja të shohin nga afër funksionimin e teknologjive më të reja në botë. Si përfaqësuese e ARKEP-it, mund të them se edhe ne e kemi dhënë një kontribut duke e lejuar përdorimin e brezeve frekuencore që janë të nevojshme për funksionimin e këtij laboratori, në përjashtim të brezit 700 mhz i cili është momentalisht i zënë nga shërbimet radiodifuzive”, ka thënë anëtarja e bordit të ARKEP, Rrezarta Duraku Rizaj.
Shefi i Kabinetit të Zyrës së Kryeministrit, Luan Dalipi, tha se zhvillimi i teknologjisë dhe inovacionit është e vetmja alternativë që ne si shoqëri kemi, dhe institucionet si UBT tregojnë se si duhet punuar në gjëra inovative pa pritur që qeveria t’i shtyejë ato para.
Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sporte, Ardian Gola, ka thënë se UBT është një nga kontribuuesit kryesor që i ka kthyer institucioneve të arsimit të lartë kulturën akademike, shkencore dhe inovative, përderisa ka vlerësuar lartë arritjen e implementimit të 5G, si një prej revolucioneve digjitale që pason revolucionin industrial dhe teknologjik.
Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Jahja Kokaj, në një fjalë rasti tha se arritja e sotme e Kosovës përmes UBT-së në teknologjinë 5G është shumë emocionale, duke falënderuar rektorin Hajrizi për angazhimin e tij të palodhshëm për të qenë të parët në regjion në teknologjinë e rrjeteve celulare pa tela 5G.
Me këtë arritje të jashtëzakonshme, UBT e fut në rangun e 20 inovacioneve të saj në 20-vjetorin e themelimit, njërën prej teknologjive më të sofistikuara të kohës, kështu duke krijuar hapësirë dhe mbështetje edhe më të madhe për të gjithë të rinjtë dhe të rejat novator, për të krijuar një shoqëri të dijes, që mbështetet në kërkim, zhvillim dhe inovacion.
Një vajzë 8-vjeçare nga Luiziana, Lillian Smart, ka humbur jetën pasi u infektua me Naegleria fowleri, një amebë e rrallë e njohur si “ameba trungrënëse”.
Sipas familjes, Lillian nga Ruston ndërroi jetë pak pasi kishte festuar ditëlindjen e saj të tetë, ndërsa dëmtimet në trurin e saj ishin shumë të rënda.
Departamenti i Shëndetësisë i Luizianës kishte njoftuar më herët për një rast të dyshuar të infektimit me këtë amebë te një banor i zonës, pas notit në liqenin Claiborne, rreth 48 kilometra në veriperëndim të Ruston. Dyshohet se edhe infektimi i vajzës ka ndodhur gjatë notit në ujë të ëmbël.
Naegleria fowleri gjendet zakonisht në ujëra të ëmbla dhe të ngrohta. Infeksioni mund të ndodhë kur uji i kontaminuar hyn përmes hundës dhe arrin në tru.
Autoritetet theksojnë se ameba nuk shkakton infeksion kur uji gëlltitet dhe nuk transmetohet nga personi në person.
Departamenti i Shëndetësisë e ka cilësuar infeksionin si “jashtëzakonisht të rrallë, por pothuajse gjithmonë fatal”.
Në Shtetet e Bashkuara janë raportuar vetëm 180 raste të konfirmuara të infeksionit me Naegleria fowleri nga viti 1937 deri në vitin 2025./A.K/
Fusha e drejtësisë kërkon dije, integritet dhe aftësi për të parë përtej një rregulli, për të kuptuar një çështje dhe për të ndërtuar argumentin e duhur. Në një shoqëri ku ligji është pjesë e çdo fushe të jetës, nevoja për profesionistë të përgatitur juridikisht është gjithnjë më e madhe. Pikërisht për këtë, UBT ofron Programin Bachelor në Juridik si një rrugëtim akademik dhe profesional që i pajis studentët jo vetëm me njohuri të thelluara juridike, por edhe me aftësitë praktike të nevojshme për t’i zbatuar ato në realitet.
Programi Bachelor në Juridik në UBT ofrohet në Prishtinë dhe në Kampusin e UBT-së në Prizren, duke u krijuar studentëve mundësinë të ndjekin studimet në një mjedis modern dhe të orientuar drejt zhvillimit profesional. Programi synon të ofrojë cilësinë më të lartë të edukimit juridik dhe të përgatisë studentë të aftë për të përballuar kërkesat e profesionit, për të kontribuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe për të luajtur një rol aktiv në zhvillimin e shoqërisë.
Gjatë studimeve, studentët ndërtojnë njohuri të qëndrueshme në fushat kryesore të së drejtës, duke përfshirë të drejtën civile, penale, administrative, tregtare dhe kushtetuese, si dhe dimensionet e së drejtës ndërkombëtare. Ata mësojnë të analizojnë legjislacionin, të interpretojnë normat juridike dhe të kuptojnë mënyrën se si parimet dhe rregullat juridike zbatohen në raste konkrete.
Por një jurist i mirë nuk mjaftohet vetëm me njohjen e ligjit. Për këtë arsye, programi i kushton rëndësi të veçantë zhvillimit të mendimit kritik, aftësive analitike, komunikimit profesional dhe argumentimit juridik. Studentët mësojnë të analizojnë çështje të ndryshme ligjore, të hartojnë dokumente juridike dhe të ndërtojnë argumente të strukturuara, duke përdorur edhe metodën IRAC – Çështja, Rregulla, Analiza dhe Përfundimi. Kjo qasje i ndihmon ata të zhvillojnë një mënyrë sistematike të të menduarit dhe të zgjidhjes së problemeve juridike.
Programi i nxit studentët edhe në fushën e hulumtimit dhe analizës juridike. Ata angazhohen në projekte që kërkojnë mbledhjen, analizimin dhe interpretimin e legjislacionit të Kosovës, vendimeve gjyqësore dhe çështjeve të së drejtës kombëtare e ndërkombëtare. Në këtë mënyrë, studentët zhvillojnë aftësinë për të hulumtuar në mënyrë të pavarur, për të vlerësuar burimet juridike dhe për të ndërtuar përfundime të bazuara në argumente profesionale.
Përveç njohurive individuale, rëndësi i kushtohet edhe aftësisë për të bashkëpunuar dhe komunikuar në mënyrë profesionale. Studentët përgatiten për punë ekipore dhe bashkëpunim me institucionet e drejtësisë, policinë, prokuroritë, gjykatat, organizatat joqeveritare dhe sektorin privat. Kjo i pajis ata me kompetenca që janë të rëndësishme jo vetëm për profesionin juridik, por për çdo mjedis profesional ku kërkohet përgjegjësi, analizë dhe vendimmarrje.
Me përfundimin e studimeve, të diplomuarit synohet të jenë të përgatitur për të vazhduar rrugëtimin e tyre profesional dhe akademik në fusha të ndryshme të drejtësisë. Ata fitojnë një bazë të fortë për zhvillimin e mëtejshëm në profesionet juridike, në institucione publike, organizata, sektorin privat dhe fusha të tjera ku kërkohen njohuri dhe kompetenca juridike.
Juridiku në UBT është një përvojë që ndërthur dijen, praktikën, kërkimin dhe zhvillimin personal. Është vendi ku studenti mëson jo vetëm çfarë thotë ligji, por edhe si ta analizojë, ta interpretojë dhe ta përdorë atë me përgjegjësi. Në Prishtinë dhe Prizren, UBT u hap rrugën të rinjve që duan ta shndërrojnë interesimin për drejtësinë në një profesion dhe një karrierë me ndikim.
UBT ka shënuar një tjetër arritje të rëndësishme në Times Higher Education (THE) Impact Rankings 2026, duke u renditur si institucioni më i lartë në mesin e institucioneve akademike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të përfshira në këtë krahasim rajonal.
UBT: 801–1000 në nivel global
Pozicioni i përgjithshëm i UBT-së në renditjen globale është përmirësuar krahasuar me vitet e mëparshme, duke kaluar nga grupi 1001–1500 në vitet 2024 dhe 2025, në grupin 801–1000 në vitin 2026. Ky progres dëshmon për forcimin e profilit ndërkombëtar të UBT-së në fushën e qëndrueshmërisë dhe rritjen e ndikimit të tij në nivel rajonal.
Performanca më e fuqishme e UBT-së në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm është veçanërisht e dukshme në:
SDG 7 – Affordable and Clean Energy: 50.6–55.3
SDG 2 – Zero Hunger: 54.4–62.7
SDG 1 – No Poverty: 56.4–62.7
UBT ka shënuar gjithashtu rritje të dukshme në disa nga SDG-të krahasuar me vitet e mëparshme, me progres të veçantë në reduktimin e varfërisë, shëndetin dhe mirëqenien, barazinë gjinore, ujin e pastër, energjinë e pastër dhe punën e denjë.
Me një pikëzim të përgjithshëm në THE Impact prej 53.7–60.6, UBT qëndron në krye të institucioneve të përfaqësuara nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Ky rezultat shkon përtej një pozicioni në renditje. Ai pasqyron ndikimin në rritje të kërkimit shkencor, edukimit, politikave institucionale, angazhimit me komunitetin dhe përkushtimit të UBT-së ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara.
Një punëtor ka humbur jetën pasi dyshohet se ka rënë nga lartësia gjatë punimeve në një objekt banesor në ndërtim në lagjen Veternik të Prishtinës.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, aksidenti ka ndodhur më 24 gusht, rreth orës 10:30. Viktima ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe nuk ka mundur t’u mbijetojë atyre.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës, Inspektorati i Punës, eksperti i sigurisë në vendin e punës, Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Drejtoria e Inspektimit e Komunës së Prishtinës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë një person me inicialet Xh.Sh., nën dyshimin për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në vendin e ngjarjes janë intervistuar edhe dëshmitarë okularë, ndërsa po vazhdon grumbullimi dhe administrimi i provave për të sqaruar rrethanat e aksidentit.
Prokurori i çështjes pritet të shqyrtojë, brenda afatit ligjor, mundësinë e kërkimit të ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarit./A.K/