Lajmet

UBT e nis vitin 2022 me një hapësirë shtesë me mbi 22 mijë metra katrorë

Të gjitha këto investime kanë për synim që të nxisin të diplomuarit që të përballen suksesshëm me sfidat e ardhshme.

Published

on

UBT ka zgjeruar infrastrukturën e tij edhe me mbi 22 mijë metra katrorë më shumë, duke modernizuar deri në detajin e fundit kushtet për studime të avancuara e komode për studentët e saj. Po ashtu, duke krijuar një ambient frymëzues e relaksues të punës për komunitetin e saj të madh që përbëhet nga mbi një mijë të punësuar.

Me hapësirën e re, një objekt modern e me arkitekturë bashkëkohore e me standardet më të larta të ndërtimit, përfshirë kujdesin e jashtëzakonshëm për izolimin e tij sipas standardeve më të mira eco, me vendosjen e paneleve solare për energjinë e ripërtëritshme, UBT krahas kualitetit të lartë të studimeve tani po vendos një standard të ri në arsimin e lartë edhe në fushën e infrastrukturës e ndërtimit, duke e bërë këtë institucion model edhe për universitetet përtej Kosovës me kushtet që ofron.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi, konsideron se infrastruktura është një prej parametrave kryesorë krahas cilësisë, që garanton një shkollim të suksesshëm.

“Ne punojmë çdo ditë për të rritur kualitetin e studimeve, duke përmirësuar infrastrukturën, duke sjellë teknologjinë më të avancuar, laboratorët më modern e duke e kombinuar mësimdhënien me punë praktike brenda ekosistemit që kemi krijuar në UBT”, është shprehur rektori Hajrizi, duke e parë si çelësin e suksesit ndërlidhjen e mësimdhënies teorike me angazhim në prodhim apo shërbim, si testin final për kualifikimin e profesionistëve të rinj, e për çka infrastruktura e avancuar e moderne është parakushti themelor.

“Me infrastrukturën që ofron sot UBT, studenti ynë ka gjithçka çka i nevojitet brenda ekosistemit për të korrur sukses në studimet e tij dhe për t’i shërbyer me kapacitete të forta profesionale e akademike shoqërisë”, ka shtuar ai.

UBT aktualisht ka mbi njëmijë të punësuar, mbi 15 mijë studentë aktivë, mbi 150 specializime të ndryshme studimi, mbi 200 laboratorë të ndryshëm, poliklinikën, qendrat më të mëdha në rajon për teknologji dhe inovacion, qendrën 5G, qendrën e realitetit virtual dhe të shtuar, fabrikat e mençura, serat bujqësore, kopshtin botanik, infrastrukturën e modernizuar sportive e rekreative, kampuse në të gjitha qendrat kryesore në Kosovë, si dhe Hub-et më të mëdha teknologjike në Korçë – Shqipëri, Prishtinë dhe Prizren.

Të gjitha këto investime kanë për synim që të nxisin të diplomuarit që të përballen suksesshëm me sfidat e ardhshme, duke i shërbyer me krenari familjes, shtetit e kombit të tyre.

Lajmet

Trump ka pritur Melonin në Shtëpinë e Bardhë: Italia një nga aleatët tanë më të ngushtë

Published

on

By

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni u takua me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Në një takim dypalësh të zhvilluar në Zyrën Ovale, i ndjekur nga një drekë me dyer të mbyllura në dhomën e kabinetit, të dy liderët iu përgjigjën pyetjeve nga grupi i gazetarëve të Shtëpisë së Bardhë dhe gazetarëve italianë, duke rikonfirmuar mirëkuptimin dhe marrëdhënien e tyre të ngushtë.

Trump pranoi një ftesë të kryeministries italiane për një vizitë zyrtare në Romë “në të ardhmen e afërt”, një rast, thotë Meloni, për të rifilluar dialogun midis Uashingtonit dhe Brukselit. Meloni thotë se presidenti amerikan gjatë vizitës së tij në Itali mund të mendojë të takohet edhe me përfaqësues të BE-së.

“Italia mund të jetë aleati më i mirë i Shteteve të Bashkuara nëse Meloni mbetet kryeministre”, tha Trump. “Ajo është një person i madh, ajo po bën një punë të shkëlqyer dhe marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera. Italia është një nga aleatët tanë më të ngushtë jo vetëm në Evropë,” shtoi ai.

Për tarifat, të dy udhëheqësit thanë se kishin besim se mund të gjenin një marrëveshje të drejtë tregtare. “Nuk do të ketë asnjë problem për të bërë një marrëveshje me BE-në për tarifat, nuk do të ketë asnjë problem me askënd”, theksoi Trump në Zyrën Ovale.

Presidenti amerikan përsëriti se ai ishte duke negociuar me disa vende, por pohoi se ai “nuk po nxitonte”. “SHBA do të bëjë gjithashtu një marrëveshje të mirë me Kinën” për tarifat, shtoi ai.

Meloni thotë se ka besim se mund të arrihet një marrëveshje, duke shtuar se ajo beson se “ne duhet të flasim sinqerisht dhe të jemi në mes”.

“Unë besoj në unitetin e Perëndimit, ne thjesht duhet të flasim dhe të arrijmë në rezultate dhe të gjejmë veten në rrugën më të mirë të mesme për t’u rritur së bashku. Kur flas për Perëndimin nuk po flas vetëm gjeografikisht, por si qytetërim,” tha Meloni, e cila ripërshtati sloganin “Make America Great Again” të Trump dhe shprehu dëshirën e saj për të “MWGA”; Bëje Perëndimin Përsëri të Madh.

Kryeministrja italiane njoftoi gjithashtu se Italia “do të duhet të rrisë importet e energjisë” dhe se “kompanitë italiane do të investojnë 10 miliardë euro” në SHBA.

Shpenzimet e mbrojtjes, migracioni, lufta në Ukrainë dhe marrëveshja bërthamore me Iranin ishin gjithashtu ndër temat e diskutuara gjatë takimit të ngrohtë të dy liderëve.

“Italia synon të arrijë pragun e 2%”, njoftoi ajo duke iu referuar kërkesës së NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes, e cila ka qenë një temë e nxehtë për presidentin e 47-të të SHBA-së, i cili është paralajmëruar vazhdimisht për tërheqjen e Uashingtonit nga aleanca nëse vendet evropiane dështojnë të bëjnë pjesën e tyre dhe të investojnë në kapacitetet e tyre mbrojtëse.

“Italia do të njoftojë në samitin e ardhshëm të NATO-s se do të rrisë shpenzimet në 2 përqind siç kërkohet. Evropa është e përkushtuar të bëjë më shumë, duke punuar në instrumente për të mundësuar dhe ndihmuar vendet anëtare të rrisin shpenzimet e mbrojtjes. Ne jemi të bindur se të gjithë duhet të bëjnë më shumë,” vuri në dukje Meloni.

Trump, i pyetur nëse objektivi prej 2 për qind ishte i mjaftueshëm, u përgjigj duke thënë “Kurrë nuk mjafton”.

“Italia dhe Shtetet e Bashkuara kanë qëndrime të përbashkëta për një sërë çështjesh, si lufta kundër emigracionit të parregullt dhe drogave sintetike”, tha Meloni.

Pasi përsëriti linjën e ashpër të vendosur në muajt e parë të presidencës së tij kundër emigrantëve (të parregullt dhe të tjerë) në Shtetet e Bashkuara, Trump e zhvendosi fokusin te Evropa, duke kritikuar politikat e saj të emigracionit.

“Unë nuk jam një tifoz i madh i Evropës dhe asaj që ata kanë bërë për emigracionin, por mendoj se ata do të duhet të bëhen më të zgjuar, sepse po dëmtohen seriozisht nga ajo që kanë bërë,” tha Trump, i cili nga ana e tij vlerësoi qeverinë italiane, të kryesuar nga Meloni, për politikën e saj të emigracionit.

Meloni ndërhyri menjëherë për të vënë në dukje se edhe politikat europiane po ndryshojnë, duke i dhënë disa merita Italisë.

“Ne po fillojmë ta bëjmë këtë, do të shihni politikat që po zbaton Europa: Komisioni Evropian sapo ka miratuar rregulloret për riatdhesimet, gjërat po ndryshojnë, edhe falë shembullit të Italisë. Ne po punojmë së bashku dhe jam optimiste.”

Meloni nuk iu shmang temës së luftës në Ukrainë,

Në dukje një nga pikat e pakta, nëse jo të vetmet, të mosmarrëveshjes në takimin e dyshes, të dy liderët kanë treguar gjatë muajve se qëndrimet e tyre për këtë çështje janë shumë të ndryshme.

“Unë mendoj se ka pasur një pushtim dhe se pushtuesi ka qenë Putini dhe Rusia, por sot ajo që është e rëndësishme është që së bashku duam të punojmë dhe po punojmë për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë. Këto janë përpjekje për të cilat ne ndamë punën tonë edhe sot”, tha Meloni.

“Italia ka qenë shumë e dobishme në mbështetjen e Ukrainës”, tha Trump, duke theksuar se “jemi afër përfundimit të luftës, por do të shohim në ditët në vijim”.

“Tani do të përpiqem t’i jap fund, por siç e dini Rusia është shumë më e madhe si një forcë ushtarake dhe, nëse jeni të zgjuar, nuk përfshiheni në luftëra që nuk mund t’i përballoni më vonë”, shtoi presidenti amerikan.

“Unë nuk do të thosha se ai (Zelensky) ka bërë punën më të mirë, në rregull? Unë nuk jam një fans i madh. Unë me të vërtetë, nuk jam një fans i madh i tij”, tha Trump.

Continue Reading

Lajmet

​Përkujtohen dëshmorët dhe martirët në Prishtinë

Published

on

By

Ditët e 17, 18, 19, 20 dhe 21 prillit 1999, për shumë familje dhe qytetarë të trevave të Llapit e Gollakut që kishin marrë rrugën e shpëtimit përmes fshatrave Koliq, Grashticë, Makoc e Llukar, u shndërruan në ditë tmerri e krimi të paparë.

Ushtria policia dhe paramilitarët serbë në pritën që u kishin bërë, vranë dhe masakruan më se 124 qytetarë, në mesin e tyre fëmijë, vajza, djem, gra e pleq.

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, Kryeqyteti në bashkëpunim me degët në Prishtinë të OVL, SHFD dhe SHIL të UÇK-së, organizon aktivitetet përkujtimore: homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Velani, nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, aksion për dhurim gjaku në sheshin “Zahir Pajaziti”, homazhe në kompleksin e varrezave të dëshmorëve dhe martirëve në Makovc.

Tubimi qendror-tradicional “Epopeja e UÇK-së” mbahet në Marec nga ora 13:00, ndërsa nga ora 17:00 mbahet ceremonia për ndarjen e 71 mirënjohjeve për familjet e dëshmorëve dhe heronjve të Komunës së Prishtinës.

Continue Reading

Lajmet

​Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientit

Published

on

By

18 prilli njihet si Dita evropiane për të Drejtat e Pacientit, ku në këtë ditë synohet të sensibilizohen pacientët, institucionet shëndetësore dhe ligjvënëse, që të formulohet dhe miratohet Karta e Pacientit.

Dita Evropiane e të Drejtave të Pacientëve 2025 do të fokusohet në një sërë temash kritike që lidhen me shkëmbimin e të dhënave shëndetësore, përfitimet dhe sfidat e tij.

Krijimi i Hapësirës Evropiane të të Dhënave Shëndetësore (EHDS) po formëson të ardhmen e menaxhimit elektronik të të dhënave shëndetësore në BE.

EHDS është krijuar për të lehtësuar ndarjen e të dhënave shëndetësore, veçanërisht për kërkimin shkencor, duke siguruar që të dhënat të përdoren në mënyrë etike dhe efektive në të gjitha shtetet anëtare. Ky kuadër i ri ka potencialin për të transformuar peizazhin e qeverisjes së të dhënave shëndetësore në Evropë.

Të dhënat shëndetësore mblidhen nga organizata të ndryshme për qëllime specifike.

Spitalet, për shembull, analizojnë të dhënat e pacientëve për të përmirësuar cilësinë, kohën dhe sigurinë e shërbimeve të tyre. Megjithatë, këto të dhëna gjithashtu mund të grumbullohen në nivel popullsie për të mirën e parandalimit të sëmundjeve dhe ofrimit të kujdesit shëndetësor në rajone dhe vende.

Duke i bërë të dhënat shëndetësore më të qasshme dhe tërheqëse, ne mund të përmirësojmë rezultatet e kujdesit shëndetësor, të promovojmë mësimin dhe të nxisim bashkëpunimin ndërkufitar.

Përfitimet e ndarjes dhe kthimit të të dhënave shëndetësore te pacientët, shembulli i provave klinike:

– Shkëmbimi i të dhënave shëndetësore mund t’i bëjë sistemet e kujdesit shëndetësor më të përgjegjshëm, efikas dhe të qëndrueshëm. Pacientët kanë kërkuar prej kohësh vlerë në këmbim të përdorimit të të dhënave të tyre.

– Dhënia e pjesëmarrësve të dhëna nga provat klinike individuale, për shembull, jo vetëm që u siguron atyre informacion të vlefshëm për kujdesin shëndetësor ose menaxhimin e sëmundjeve, por gjithashtu i fuqizon ata duke i bërë pjesë të procesit të vendimmarrjes. Kjo ripërcakton marrëdhëniet midis pacientëve, kërkimit dhe industrisë.

Në mënyrë që shkëmbimi i të dhënave shëndetësore të jetë i suksesshëm, individët duhet të ndihen të sigurt se privatësia e tyre respektohet.

Ekuilibri midis nevojës për të garantuar privatësinë e të dhënave dhe imperativit për të përdorur të dhënat shëndetësore për kërkime mjekësore dhe përmirësimin e sistemit duhet të hulumtohet dhe diskutohet midis palëve të interesuara.

Si shembull kombëtar, në Itali, Cittadinanzattiva ka punuar në një dekalog për të rishikuar, për sa i përket llogaridhënies, rregullat që rregullojnë pëlqimin e qytetarëve/pacientëve, i cili është thelbësor për përpunimin dhe ndarjen e të dhënave dhe bashkëpunimin midis studiuesve.

Continue Reading

Lajmet

26 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

Published

on

By

Sot mbushen 26 vjet nga beteja e zhvilluar te Shkëmbi i Gradinës, për të mos lejuar depërtimin e forcave armike në rrafshnaltën e Berishës, ku ndodhej SHP i UÇK-së, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Agjencia e Lajmeve KosovaPress, Radio Kosova e Lirë dhe rreth 100 mijë banorë nëpër grykat e maleve.

Në këtë betejë, pikërisht më 18 prill 1999, ranë heroikisht Islam Kastrati nga Kishnareka, Halim Bajraktari nga Drenasi, Mentor Morina nga Bushati, Ramadan Bytyqi nga Gjergjica dhe Mentor Gashi nga Llapushniku.

Luftimet e prillit 1999 në këtë anë kanë qenë vendimtare jo vetëm për rrjedhat e luftës çlirimtare, por mbi të gjitha kanë qenë vendimtare për të shpëtuar jetën e njerëzve që kanë qenë në këto gryka.

Po ashtu, luftëtarët që e bënë betejën e prillit 1999 kanë qenë muri i gjallë që nuk e ka lejuar ushtrinë dhe policinë serbe të depërtojë te popullata.

Continue Reading

Të kërkuara