Institucioni më i madh i arsimit të lartë në vend, UBT, në bashkëpunim me University of Cambridge, po sjellin në Kosovë për herë të parë qendrën: “Public Policy Simulation Lab”, e cila është qendra e vetme në tërë Evropën Juglindore.
Në bashkëpunimin mes UBT-së dhe University of Cambridge, parashihet ndërtimi i kapaciteteve në fushën e politikave publike, ngritjen e nivelit të qasjes sistemore, studimin, analizën dhe simulimin në fushën e politikave publike.
Ky bashkëpunim, sjellë këtë qendër në kuadër të 20 inovacioneve për 20-vjetorin e UBT-së, që do të ketë benefite të mëdha për studentët e UBT-së, me fokus ata të shkencave politike, politikave publike, ekonomisë e inxhinierisë. Ndër të tjera, nga kjo marrëveshje e UBT-së me University of Cambridge, do të përfitojnë edhe profesionistët dhe akademikët e UBT-së, por edhe do të jetë një mbështetje edhe për Qeverinë e Kosovës, nivelin lokal të qeverisjes, si dhe për organizatat e ndryshme të cilat kanë nevojë për ndihmë në këtë fushë.
Rektori i UBT-së, prof.dr Edmond Hajrizi ka thënë se kjo marrëveshje është jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për UBT-në, por për të gjithë Kosovën, duke krijuar një potencial tashmë të ri për t’i dhënë përgjigjje gjendjes aktuale mbi politikat publike, teksa ka theksuar se do të bashkëpunojë me të gjitha palët e interesit në Kosovë, që kanë për fokus forcimin e politikave publike.
“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me palët e interesit me fokus te pjesa e qeverisë në Kosovë, qeverisjes së politikave publike, shërbyesve civil, dhe bashkë me ta, me pjesën akademike të UBT-së do të krijojmë një ekosistem, të cilin besoj se do të sjellë ngritje të cilësisë së politikave publike dhe vlerave që lidhen me një kualitet më të mirë të jetës”, ka thënë rektori Hajrizi.
Ky projekt i përbashkët mes UBT-së dhe University of Cambridge, i cili është vazhdimësi i një marrëveshjeje paraprake, do të ofrojë shumë mundësi për shkëmbimin e përvojave mes profesorëve e studentëve tanë me University of Cambridge.
Menaxhimi i politikave publike dhe dizajnimi i tyre është fokusi i këtij projekti, teksa vlerësohet të jetë një nga projektet më të rëndësishme të realizuara ndonjëherë në Kosovë, që do të luaj rol kyç në vlerësimin e politikave publike dhe ndikimin që këto politika mund ta kenë në jetën e qytetarëve.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka përfunduar pa një pajtim për rendin e ditës të seancës së radhës, pas mospajtimeve mes partive politike për pozicionimin e rezolutës për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës.
PDK-ja, e mbështetur edhe nga opozita tjetër, ka insistuar që kjo rezolutë të jetë pika e parë e rendit të ditës për seancën e së premtes. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që ajo të trajtohet si pikë e fundit, duke kërkuar një dakordim më të gjerë paraprak.
Për shkak të kësaj bllokade, rendi i ditës pritet të miratohet në fillim të seancës plenare. Përveç rezolutës për luftën, në agjendë janë edhe katër marrëveshje ndërkombëtare, votimi për anëtarin e Këshillit Prokurorial, si dhe debati për rritjen e çmimit të naftës.
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot drejtoren e NATO-s për Operacione, Charlotte Hallengren, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe sigurinë në vend.
Gjatë takimit, Kurti falënderoi aleancën veri-atlantike për rolin e saj në stabilitetin e Kosovës, ndërsa kërkoi më shumë mundësi trajnimi për pjesëtarët e FSK-së në institucionet e NATO-s.
Kryeministri njoftoi se Forca e Sigurisë së Kosovës, pas sukseseve në disa misione ndërkombëtare, aktualisht po përgatitet për të zbarkuar në Gazë, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.
“Kryeministri Kurti tha se Forca e Sigurisë së Kosovës ka demonstruar performancë të lartë në misionet ndërkombëtare, përfshirë bashkëzbarkimet në Kuvajt, Belize dhe Ishujt Falkland, si dhe misionin në Turqi. Ndërsa, shtoi se aktualisht është duke u përgatitur për misionin në Gaza, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese. Ndërsa, përmendi edhe trajnimet për personelin ukrainas për deminim dhe misione të kërkim-shpëtimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.
Nga ana tjetër, zyrtarja e lartë e NATO-s vlerësoi lart këtë vendim dhe falënderoi Kosovën për bashkërendimin e ngushtë me aleancën në rrugën drejt integrimit.
Një aksident fatal në vendin e punës ka ndodhur mesditën e sotme në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit, ku si pasojë e lëndimeve ka vdekur një punëtor dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.
Lajmi është konfirmuar nga Policia Rajonale e Pejës, sipas së cilës ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në një punëtori druri, ku disa materiale kanë rënë mbi dy punëtorët. Viktimat u dërguan menjëherë në Emergjencën e Spitalit të Pejës, ku mjekët konstatuan vdekjen e njërit prej tyre.
Njësitet kompetente kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
Kryesia e Kuvendit është mbledhur sot për të koordinuar punët dhe për të caktuar pikat që do të shqyrtohen në seancën e ardhshme plenare.
Sipas procedurës, deputetët fillimisht do të kalojnë nëpër fazën e deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, për të vijuar me vendimmarrje të rëndësishme, raporton Ekonomia online.
Në fokus të kësaj seance pritet të jetë ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare të kredisë me agjencitë zhvillimore franceze e gjermane, që prekin sektorët e energjisë, klimës dhe transportit.
Një tjetër temë me interes publik është edhe propozim-rezoluta për shtrenjtimin e naftës, ku do të diskutohet roli i Qeverisë përballë rritjes së kostos së jetesës.
Gjithashtu, agjenda përfshin zgjedhjen e një anëtari në Këshillin Prokurorial, një rezolutë për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës së fundit, si dhe rregullimin e përbërjes së disa komisioneve parlamentare. /Ekonomia online/