Lajmet

UBT dhe Coursera nisin partneritet strategjik për avancimin e arsimit dhe punësimit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor

Published

on

UBT ka kënaqësinë të njoftojë lansimin e një partneriteti strategjik me Coursera, platformën lider botërore të mësimit online. Ky bashkëpunim synon të rrisë cilësinë e arsimit, punësimit dhe zhvillimin e aftësive të së ardhmes për studentët, stafin akademik dhe administrativ në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Përmes këtij partneriteti, komuniteti i UBT-së do të ketë qasje në mijëra kurse online me cilësi të lartë, certifikata profesionale dhe specializime nga universitete prestigjioze globale dhe kompani lider të industrisë si Google, IBM dhe Microsoft.

Kjo iniciativë është e dizajnuar për të forcuar procesin e mësimit brenda UBT-së dhe për të nxitur një kulturë rajonale të të mësuarit gjatë gjithë jetës, inovacionit digjital dhe përgatitjes për karrierë.

“Ky partneritet me Coursera shënon një moment të rëndësishëm për UBT-në në 25-vjetorin e tij, si dhe për Kosovën dhe rajonin”, tha Themeluesi dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

“Duke kombinuar ekspertizën arsimore të UBT-së me platformën globale të mësimit të Coursera-s, ne jemi të përkushtuar të rrisim cilësinë e arsimit dhe të zhvillojmë punësimin për studentët në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Së bashku, do ta pajisim gjeneratën e ardhshme me aftësitë e nevojshme për të pasur sukses në një treg pune global që po ndryshon me shpejtësi”, potencoi Rektori Hajrizi.

“Jemi të nderuar të bashkëpunojmë me UBT , një institucion në ballë të inovacionit arsimor në Ballkanin Perëndimor”, tha Andy Poole, nga Coursera.

Pikat kyçe të partneritetit strategjik:

  • Fokus në aftësitë e së ardhmes: Theksi i UBT-së në aftësitë digjitale, sipërmarrëse dhe teknike krijon një bazë të fortë për integrimin e kredencialeve të njohura nga industria, të ofruara përmes Coursera-s, në kurrikulën akademike.
  • Model inovativ i kampusit: Kampusi i vetë-qëndrueshëm i UBT-së “10-Minute City” shërben si një laborator i gjallë për pilotimin e qasjeve të reja arsimore, duke kombinuar mësimin fleksibil online të Coursera-s me laboratorë fizikë, klinika dhe partneritete me biznese.
  • Ndikim i zgjeruar rajonal: Ky bashkëpunim zgjeron qasjen në arsim cilësor online për studentët dhe profesionistët në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor, duke e pozicionuar UBT-në si një qendër rajonale për zhvillimin e talenteve.

Ky bashkëpunim thekson përkushtimin e UBT për të ofruar arsim modern, fleksibil dhe të lidhur me standardet globale. Për Coursera-n, ky partneritet përfaqëson një mundësi për të bashkëpunuar me një institucion inovativ në formësimin e së ardhmes së arsimit të lartë, duke ndërthurur në mënyrë efektive mësimin online të klasit botëror me një kampus fizik dinamik dhe lidhje të forta me industrinë.

Vendi

Tentimi i fundit për zgjedhjen e Presidentit sonte në orën 23:00

Published

on

By

Seanca për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës është shtyrë për në orën 23:00, pak para skadimit të afatit kushtetues të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi se deputetët do të mblidhen edhe një herë gjatë natës për një përpjekje të fundit për zgjedhjen e kreut të shtetit.

Seanca e sotme, sikurse edhe ato paraprake, është karakterizuar nga mungesa e partive opozitare, të cilat kanë bojkotuar procesin. Pas rifillimit të shkurtër të punimeve, Haxhiu e ndërpreu sërish seancën për shkak të mungesës së kuorumit të plotë, duke bërë të ditur se ajo do të vazhdojë në orën 23:00.

Në seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u hodhën në votim dy kandidatet e propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha. Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha nuk arriti të sigurojë asnjë votë; një votë rezultoi e pavlefshme.

Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile kanë kundërshtuar procesin, duke vlerësuar se votimi pa pjesëmarrjen e plotë të deputetëve cenon rendin kushtetues.

Nëse Kuvendi dështon të zgjedhë presidentin deri në mesnatë, vendi pritet të shkojë në zgjedhje të reja.

Continue Reading

Vendi

PDK mbledh Kryesinë: Zgjedhja e njëanshme e presidentit po rrezikon rendin kushtetues

Published

on

By

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbledhur urgjentisht Kryesinë e saj për të diskutuar zhvillimet e fundit politike, nga ku ka lëshuar një alarm për rrezikimin e rendit kushtetues në vend. Sipas PDK-së, përpjekjet e mazhorancës për të zgjedhur presidentin në mënyrë të njëanshme përbëjnë një shkelje flagrante të aktit më të lartë juridik të shtetit.

Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, kjo parti ka bërë thirrje për respektimin e procedurave demokratike dhe ka paralajmëruar veprime për të parandaluar atë që e cilëson si cenim të demokracisë.

“Në përfundim, Partia Demokratike e Kosovës zotohet se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme politike dhe institucionale për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit demokratik dhe të ardhmes së vendit, duke ftuar njëkohësisht qytetarët të jenë vigjilentë dhe aktivë në mbrojtje të shtetit të së drejtës”, thuhet në njoftimin zyrtar të PDK-së.

Ky reagim i PDK-së vjen në një kohë kur procesi i zgjedhjes së presidentit ka hyrë në një fazë bllokimi, duke rritur tensionet mes pozitës dhe opozitës në Kuvendin e Kosovës.

Continue Reading

Vendi

Kurti i kërkon listën e nënshkrimeve LDK-së: “Silleni emrin e kandidatit dhe Kosova bëhet me president sonte”

Published

on

By

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka bërë thirrje zyrtare Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) që t’i dorëzojë nënshkrimet e deputetëve në rrugë institucionale dhe të bëjë të qartë emrin e kandidatit të tyre për president. Kurti u shpreh i gatshëm për kompromis, duke propozuar tërheqjen e njërës prej kandidateve aktuale për t’i hapur rrugë garës me propozimin e opozitës.

Gjatë konferencës për media, Kurti potencoi se nëse LDK-ja e zyrtarizon emrin, ai do të kërkojë nga Hatixhe Hoxha që të tërhiqet nga gara, në mënyrë që kandidati i LDK-së të garojë përballë Feride Rushitit.

“Ne me mirësinë dhe kënaqësinë më të madhe do t’i pranonim. Po ta kishim të qartë emrin e LDK-së, ne do ta takonim kandidaten Hatixhe Hoxha dhe do t’i kërkonim të tërhiqet. Neve duhet të na i sjellin ato nënshkrime dhe duhet të jetë e qartë për kë e kanë fjalën. Ajo listë tregon që ata janë bashkë, por për kë dhe për çka, ne nuk e dimë. Le të na e sjellin kandidatin dhe sonte Kosova bëhet me president ose presidente të re”, deklaroi Kurti.

Kryeministri u shpreh kritik ndaj mënyrës se si u prezantua lista e nënshkrimeve në orët e vona të natës, duke e quajtur atë një veprim mediatik dhe jo institucional. Sipas tij, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka bërë asnjë propozim konkret gjatë takimeve paraprake.

“Ju jeni dëshmitarë që Abdixhikun e kam takuar disa herë dhe nuk ka pasur asnjëherë asnjë propozim. Unë bëja propozime, ai bënte refuzime. Sa i përket paraqitjes së djeshme në orët e vona, ata dolën pas seancës, ndërsa gjatë seancës nuk pati asgjë. Letra me 15 nënshkrime duhet t’i ofrohej LVV-së në mënyrë institucionale, ose te shefja e grupit parlamentar, ose te unë. Ata emra duhet të m’i japin mua, jo juve të nderuar gazetarë”, përfundoi Kurti.

Kjo thirrje e kryeministrit vjen në një moment kritik për sigurimin e kuorumit dhe përmbylljen e procesit të zgjedhjes së kreut të shtetit.

 

Continue Reading

Lajmet

UBT shënon Ditën Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë: Kërkohet vetëdijesim dhe zbatim i standardeve evropiane

Published

on

By

Me qëllim të adresimit të sfidave kritike në mjediset e punës dhe rritjes së vetëdijesimit institucional, UBT ka organizuar një konferencë shkencore dhe panel diskutimi për nder të Ditës Botërore të Sigurisë dhe Shëndetit në Punë.

Në këtë ngjarje, përfaqësues të qeverisë, odave profesionale dhe akademisë, analizuan faktorët që po çojnë në pasiguri fizike dhe aksidente fatale, duke kërkuar zbatim strikt të standardeve ndërkombëtare.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, hapi diskutimin duke vënë në dukje hendekun mes legjislacionit evropian dhe kulturës së sigurisë në Kosovë. Ai sqaroi se ndonëse Bashkimi Evropian ka agjenci dhe standarde strikte për këtë fushë, në Kosovë kjo ende nuk është përpunuar si lloj kompetence profesionale.

Sipas Hajrizit, është e domosdoshme që siguria dhe shëndeti të trajtohen si kushte prioritare në çdo vend pune. Ai ngriti pyetjen nëse numri i lartë i aksidenteve vjen si pasojë e dështimit të proceseve, mungesës së kompetencave apo nivelit të ulët të vetëdijesimit, duke shtuar se “Definitivisht kemi një numër të rasteve që janë vështirë të pranueshme, qoftë me aksidente fatale, qoftë me aksidente të llojeve të tjera”.

Shqetësimin për përkeqësimin e situatës në terren e ndau edhe Binak Beqaj, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës dhe Planifikimit Hapësinor. Ai u shpreh i habitur se si krahas konsolidimit ligjor dhe institucional, shifrat e aksidenteve mbeten në rritje, gjë që sipas tij tregon se diçka nuk po funksionon siç duhet.

Beqaj veçoi mungesën e kujdesit në punishte dhe mospërdorimin e duhur të makinerive si shkaktarë kryesorë.

“Faktorët kryesorë lidhen me mosrespektimin e standardeve për sigurinë fizike, sidomos në fushën e ndërtimtarisë, siç është pasiguria në punishte dhe moskujdesi gjatë përdorimit të makinerive”, u shpreh ai.

Mbi rolin e institucioneve dhe ndryshimet legjislative foli Avni Zogiani, zëvendësministër në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ai bëri të ditur se monitorimet e shtuara gjatë fundit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025 kanë treguar një ndryshim pozitiv në uljen e rasteve fatale, por theksoi se sektori i ndërtimit mbetet më i ekspozuari.

Zogiani njoftoi se ministria është duke punuar në ligjet e reja për ndërtimin dhe planifikimin hapësinor, duke kërkuar angazhim më të madh nga odat e profesionistëve.

“Odat dhe forumet e profesionistëve do të duhej t’i kushtonin më shumë kohë këtij diskutimi rregullativ në fushën e sigurisë dhe të jenë bartëse të aktiviteteve për rregullimin e kësaj fushe”, deklaroi Zogiani.

Ndërkaq, Kryetari i Odës së Inxhinierëve të Kosovës, Arsim Rapuca, u fokusua te specifikat teknike të rrezikshmërisë, duke kujtuar se jeta e punëtorit duhet të jetë mbi çdo interes tjetër industrial.

Ai përmendi rreziqet e larta që vijnë nga punët në lartësi, gërmimet e thella dhe përdorimi i skelerive, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut. Rapuca potencoi se: “Parimi bazë, edhe në Ligjin e Ndërtimit edhe në ligjin e odave, është që prioriteti kryesor të jetë shëndeti dhe siguria e punëtorit”.

Në përmbyllje të diskutimeve, Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, Prof. Dr. Visar Krelani, theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla që bashkojnë akademinë me industrinë.

Ai vuri në dukje se bashkëpunimi i ngushtë është kyç për të trajtuar tema thelbësore si siguria dhe zhvillimi i qëndrueshëm në sektorin e ndërtimit, duke u bërë thirrje të gjithë akterëve që ta trajtojnë këtë fushë jo vetëm si detyrim ligjor, por si një vlerë njerëzore dhe profesionale.

 

Continue Reading

Të kërkuara