Lajmet

Twitter etiketon disa media serbe si “bashkëpunëtore të qeverisë”

Çfarë tregojnë analizat e përmbajtjes së mediave të bëra në Serbi?

Published

on

Mediat në Serbi, në llogaritë e të cilave Twitter u ka vendosur etiketën se bashkëpunojnë me qeverinë, janë duke reaguar në mënyra të ndryshme ndaj këtij shenjëzimi, ndërkaq që disa prej tyre kanë paralajmëruar ankesa dhe ndaj kësaj kompanie.

Kompania Twitter, më 17 gusht, i ka shenjëzuar mediat e caktuara që bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë. Etiketa qëndron në llogaritë zyrtare të atyre mediave.

Gazeta ditore Politika: Do të kontaktojmë Twitterin

Në mesin e këtyre mediave është edhe gazeta ditore Politika. Ushtruesi i detyrës së kryeredaktorit përgjegjës të kësaj gazete, Marko Albunoviq, në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se lidhur me këtë çështje do ta kontaktojë kompaninë Twitter.

“Twitter është kompani private dhe mund të etiketojë dhe madje të mbyllë llogaritë e përdoruesve sipas gjykimit të saj. Gjithashtu e përditshmja Politika mund të mbyllë llogarinë e saj në Twitter në çdo kohë. Tash për tash ne nuk do ta bëjmë këtë, por do të përpiqemi që të kontaktojmë me njerëzit në Twitter dhe të kuptojmë se cili është shkaku për një vendim të tillë”, theksoi Albunoviq.

Ai shtoi që Politika “nuk turpërohet për bashkëpunimin me Qeverinë e Serbisë”.

“Fundja, Politika këtë e bën tash e 117 vjet dhe do të bashkëpunojë edhe në të ardhmen, ashtu siç bashkëpunon me të gjitha institucionet shoqërore, me sektorin joqeveritar, me partitë opozitare, me përfaqësuesit e korit diplomatik, bashkësitë fetare”, sqaron Albunoviq.

Etiketën në Twitter ai e sheh si një presion mbi Qeverinë e Serbisë dhe jo mbi mediat.

“Këtë etiketim e shohim si një formë të presionit mbi Qeverinë e Serbisë sepse Twitter, në këtë rast, po zbaton standarde të dyfishta dhe etiketën e njëjtë nuk ua kanë vendosur madje as shërbimeve publike të disa shteteve në rajon dhe të mos flasim për shembujt e ndryshëm në botë”, theksoi Albunoviq, duke shtuar që Politika ka politikë redaktuese të pavarur dhe objektive dhe se “nuk do të durojë presionet as nga qeveria, as nga opozita dhe as nga grupet e interesit”.

Në përgjigjen e dhënë Radios Evropa e Lirë, Albunoviq ka theksuar që mediat në Serbi janë “të ndara ashpërsisht” në ato të qeverisë dhe ato të opozitës.

“Politika e ka zgjedhur rrugën e mesme. Në qoftë se kjo nuk i pëlqen dikujt, në rregull, por vlerësimin përfundimtar për kualitetin e një mediumi nuk e japin rrjetet sociale, por tirazhi, reputacioni dhe besueshmëria e informacionit që publikon”, përfundon Albunoviq.

Çfarë ka bërë saktësisht Twitter?

Siç thuhet në shpjegimin e kompanisë Twitter, në pjesën që lidhet me rregullat e përdorimit të këtij rrjeti social, shënjimi i llogarive që janë të lidhura me shtetin “mundëson kontekstin shtesë në lidhje llogaritë e kontrolluara nga zyrtarë të caktuar të qeverive, shtëpive mediatike të lidhura me shtetin dhe individët që bashkëpunojnë ngushtë me ato entitete”.

Mediat e lidhura me shtetin janë të definuara si “media, në të cilat shteti ushtron kontrollin mbi përmbajtjen redaktuese përmes mjeteve financiare, presioneve të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta politike dhe/ose kontrollin mbi prodhimin dhe shpërndarjen (e përmbajtjes)”.

Etiketimi i mediave të lidhura me shtetin, në praktikë, ka për pasojë që Twitter, siç thuhet, nuk do t’ua rekomandojë llogaritë e tyre njerëzve dhe as nuk do të “rrisë” shtrirjen e postimeve të tyre.

Në gushtin e vitit të kaluar, Twitter ka paralajmëruar se do të fillojë t’u vë etiketa llogarive që janë të lidhura me qeveritë.

Telegrafi Serb: “Formulimi i paqartë”

Nga redaksia e gazetës së përditshme Telegrafi Serb, në një përgjigje me shkrim të nënshkruar nga redaktori Milan Lagjeviq, thuhet që “nuk është i qartë formulimi” i Twitterit.

“Së pari, nuk e kam të qartë formulimin ‘bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë’ sepse ka mjaft media ‘të pa shenjëzuara’ që bashkëpunojnë”, tha Lagjeviq.

Etiketën ai e konsideron se një lloj i “mediave me shenjë”.

“E rëndësishme është që publikisht t’i bësh me shenjë mediat që nuk i financojnë vendet e caktuara perëndimore sepse me këtë as nuk mund ë ndikojnë në politikën tonë redaktuese. E dini, mjaft media kinse të pavarura, marrin para nga qeveritë e SHBA-së, Britanisë, Norvegjisë, Gjermanisë, madje edhe për shumë vjet. Pse ato media nuk bëhen me shenjë se me kë bashkëpunojnë? Pse CNN nuk etiketohet se me kë bashkëpunon dhe në fund, pse media e juaj me reputacion (Radio Evropa e Lirë) nuk etiketohet se me kë bashkëpunon”, theksoi Lagjeviq.

Radio Evropa e Lirë në Serbi është e regjistruar si përfaqësi e huaj. Bëhet fjalë për media të pavarur, e cila në drejtorinë për tatim në Shtetet e Bashkuara është e regjistruar si organizatë private, jofitimprurëse, e cila financohet nga granti i SHBA-së përmes Agjencisë amerikane për Media Globale. Politika editoriale e pavarur e Radios Evropa e Lirë garantohet me ligjin e SHBA-së.

Situatën në të cilën janë gjetur mediat e caktuara në Serbi, redaktori i Telegrafit Serb e konsideron absurde.

“Sot kemi një situatë absurde, që mund të themelojë, të themi, Qeveria e SHBA-së, të të financojë më pas qeveria e një vendi tjetër evropian, por Twitter duket se nuk dëshiron ta shohë këtë. Sidoqoftë, më mirë të më etiketojnë se bashkëpunoj me qeverinë e vendit tim sesa me ndonjë të huaj, pavarësisht se a është nga Lindja apo Perëndimi”, tha Lagjeviq.

Gazeta ditore Informer: “Bërja me shenjë e mediave”

Gazeta ditore Informer, komentin e saj e ka dhënë në formë të komunikatës në faqen e internetit. Ajo e akuzon Twitterin për, siç thuhet, “bërje me shenjë të mediave”.

“Twitter, recetën e saj për t’i bërë me shenjë mediat, të cilat nuk u shkojnë për shtati të fuqishmëve të huaj, tashmë e ka provuar mbi Donald Trumpin, të cilit i është hequr llogaria në këtë platformë pas zgjedhjeve presidenciale, për shkak se ka treguar për mashtrimet e demokratëve gjatë zgjedhjeve. Tash të njëjtën metodë ka nisur ta zbatojë edhe në Serbi”, thuhet në tekstin e publikuar më 16 gusht.

Më 9 janar të këtij viti, kompania Twitter pezulloi përgjithmonë llogarinë e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për shkak të rrezikut të nxitjes së mëtejshme të dhunës, pas trazirave në Uashington, kur mbështetësit e dhunshëm të Donald Trump sulmuan ndërtesën e Kongresit.

Mariq, në emër të TV Happy: Asgjë e keqe

Milomir Mariq, kryeredaktor i TV Happy, një televizion komercial me frekuencë kombëtare në Serbi, të cilit Twitter i vendosi etiketën, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se ai nuk shihte asgjë të keqe në këtë veprim.

“Unë shpresoj që të gjitha televizionet e rëndësishme evropiane bashkëpunojnë me njerëzit që sjellin vendime vendimtare në vendet e tyre. Në këtë vendim të Twitterit nuk kam parë asgjë të keqe”, tha Mariq.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të marrë komente edhe nga mediat tjera, të cilat janë etiketuar në këtë mënyrë, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë arritur përgjigjet.

Çfarë tregojnë analizat e përmbajtjes së mediave të bëra në Serbi?

Në mesin e mediave që Twitter i shënoi si “bashkëpunëtorë të qeverisë” janë gjetur edhe shërbimi publik medial Radio Televizioni i Serbisë (RTS), agjencia e lajmeve Tanjug, televizionet komerciale me frekuencën kombëtare Pink, Prva, B92 dhe Happy, si dhe të përditshmet e shtypura Kurir, Informator, Politika dhe Telegrafi Serb.

Në prill 2021, portali Raskrikavanje (Demaskimi), i cili merret me zbulimin e lajmeve të rreme dhe analizimin e mediave në Serbi, publikoi një analizë të pesë të përditshmeve: Telegrafit Serb, Informer, Alo, Kurir dhe Večernje novosti (Veçernje novosti).

Duke analizuar përmbajtjet e botuara nga këto gazeta në vitin 2020, portali Raskrikavanje erdhi në përfundim se të pesë gazetat ishin “jashtëzakonisht të prirura” ndaj presidentin të Serbisë dhe Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq, i cili, siç thuhet, u prezantua “pothuajse pa përjashtim, gjithmonë në kontekstin pozitiv”.

Kur bëhet fjalë për televizionet me një frekuencë kombëtare në Serbi, analiza e përmbajtjes së tyre e bërë nga Qendra joqeveritare për Kërkimin, Transparencën dhe Llogaridhënien (CRTA), në mars të vitit 2021, tregoi se partitë qeverisëse në Serbi janë të përfaqësuara kryesisht në programet qendrore të lajmeve të atyre televizioneve.

Hulumtimi mbuloi programet qendrore të lajmeve të televizioneve me frekuenca kombëtare: Radio Televizioni i Serbisë (RTS), TV Pink, Prva, Happy dhe B92.

Llogaritë e të gjitha këtyre televizioneve të përmendura, që nga 17 gushti, në Twitter mbajnë shenjën se bashkëpunojnë me Qeverinë e Serbisë.

Vuçiq: Urime mediave të shënuara

Vendimin e Twitterit e ka komentuar edhe presidenti i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një vizite të tij në Bajina Bashta, më 17 gusht, Vuçiq tha se etiketa e Twitterit ishte “lavdërim për ato media”.

“Unë vetëm nuk e kuptova pse u shqetësuat të gjithë për këtë. Epo, me kë do të bashkëpunojnë? Me manjatët, hajdutët dhe kriminelët? Është shumë normale që ata do të bashkëpunojnë me qeverinë. Njëkohësisht ata thonë dhe ‘bashkëpunojnë’, ndërkaq ne as që i paguajmë shumicën e atyre mediave”, tha Vuçiq.

Ai ngriti çështjen e censurës dhe e lidhi rastin me anulimin e llogarisë në Twitter të ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

“Kjo çon deri te një pyetje tjetër, kush është censori i vërtetë? Ata do të donin të ishin censurues, kështu që mezi pres që llogaria ime të përjashtohet, të jetë një Trump tjetër në botë”, tha Vuçiq.

Ministria e Kulturës e Serbisë e “befasuar” nga veprimi i Twitter

Ministria e Kulturës e Qeverinë e Serbisë gjithashtu reagoi ndaj vendimit të Twitterit për të etiketuar llogaritë e mediave të caktuara serbe.

Në një komunikatë të lëshuar më 17 gusht, Ministria e Kulturës deklaroi se ishte “e befasuar” nga veprimet e kompanisë.

“Paralajmërimi nga Twitter se llogaritë e mediave që mbajnë këtë etiketë nuk do t’ua rekomandojnë njerëzve dhe as nuk do të ‘forcojnë’ shtrirjen e postimeve të tyre, është në kundërshtim me parimet dhe qëllimin me të cilin filloi ky rrjet”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu është shtuar që etiketimin e mediave e konsideron “të padëshirueshëm”.

“Ministria nuk do të merret me atë se çfarë e shtyri këtë faqe të internetit shumëgjuhëshe që nga shkëmbimi i mendimeve dhe lirisë së fjalës, gjë që i theksojnë edhe vetë ata, të arrijnë deri te censurimi i disa mediave në vendin tonë. Por, tërheq vëmendjen për faktin se shënimi i mediave dhe redaktorëve ose drejtuesve të tyre, pavarësisht se nga vjen, është i padëshirueshëm dhe nuk çon në dialogun demokratik për të cilin ne si shoqëri përpiqemi”, është thënë nga kjo ministri.

Në vitin 2019, Twitter gjithashtu ndaloi reklamimin e të gjitha mediave të lidhura me shtetin, si dhe reklamat politike, me qëllim që t’u sigurojë njerëzve që përdorin Twitterin kontekstin, në bazë të të cilin ata mund të marrin vendime për atë që shohin në Twitter, si dhe vendimet se në cilën mënyrë do të marrin pjesë.

“Besojmë se shtrirja (reach) politike duhet të fitohet dhe jo të blihet”, ka thënë Twitter në sqarimin për këtë vendim.

 

Continue Reading

Vendi

Fokus te Institucionet dhe Zhvillimi Ekonomik: Studiuesja nga Harvardi prezanton vizionin për prosperitet të qëndrueshëm në Kongresin e EOQ në UBT

Published

on

By

Për herë të parë, Kosova është bërë qendra e komunitetit evropian të cilësisë, duke mirëpritur në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së Kongresin e 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi. Ky organizim madhor shënon një moment historik për vendin dhe dëshmon angazhimin e UBT-së në fuqizimin e bashkëpunimit evropian dhe zhvillimin e inovacionit.

Në kuadër të këtij kongresi prestigjioz, punimet kanë vazhduar me sesione të rëndësishme në sallën e koncerteve, ku u zhvilluan prezantime kyçe përmes lidhjeve online me ekspertë të njohur ndërkombëtarisht.

Një nga pikat më kulmore të këtij sesioni ishte kontributi i znj. Fatema Z. Sumar, nga Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Universitetin e Harvardit (Harvard Center for International Development).

Në fjalën e saj me titull “Institucionet cilësore, zhvillimi ekonomik dhe prosperiteti i qëndrueshëm”, znj. Sumar solli një analizë të thelluar mbi rolin e pazëvendësueshëm që luajnë strukturat e besueshme institucionale në nxitjen e rritjes ekonomike afatgjatë. Ajo shtjelloi se si standardet e larta të cilësisë dhe qeverisja e mirë janë çelësi për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme, duke ofruar shembuj dhe praktika ndërkombëtare të zbatuara në vendet në zhvillim.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Inteligjenca artificiale dhe transformimi digjital në fokus të cilësisë 5.0

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në UBT u mbajt sesioni “Inteligjenca Artificiale, Transformimi Digjital dhe Cilësia 5.0”, i moderuar nga Prof. Dr. Blerton Abazi.

Ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të akademisë e industrisë diskutuan mbi ndikimin e inteligjencës artificiale, sistemeve inteligjente dhe transformimit digjital në zhvillimin e modeleve të reja të menaxhimit të cilësisë, duke trajtuar gjithashtu rëndësinë e qëndrueshmërisë, inovacionit dhe besueshmërisë së të dhënave.

Gjatë sesionit, u prezantuan këto tema:

Prof. Dr. Galia Marinova, Universiteti Teknik i Sofjes – “Transformimi digjital, sistemet inteligjente dhe Cilësia 5.0”.
Prof. Henriqueta Sampaio da Novoa dhe Fatima Carneiro – “Integrimi i strategjisë ESG me përsosmërinë operacionale: Një kornizë e integruar për menaxhimin e cilësisë të qëndrueshëm, rezistent dhe të fuqizuar nga inteligjenca artificiale”.
Mina Gavrilova, menaxhere e lartë e cilësisë në Huvepharma, dhe David Isaacson, nënkryetar i marketingut të produkteve në Octave – “Avancimi i menaxhimit të cilësisë në organizatë: Si ka nxitur Huvepharma cilësinë dhe inovacionin për ndikim më të madh në biznes”.

Prof. Dr. Bertan Karahoda, UBT – “Cilësia në shkallë globale: Inteligjenca artificiale, aftësitë dhe e ardhmja e të nxënit global”.
Prof. Dr. Blerton Abazi, UBT – “Sigurimi i cilësisë së inteligjencës artificiale, cilësia e të dhënave dhe sistemet inteligjente të besueshme”.

Përmes këtyre kontributeve, sesioni vuri në pah rëndësinë e ndërthurjes së inteligjencës artificiale me standardet e cilësisë, zhvillimin e aftësive dhe inovacionin organizativ.

Diskutimet theksuan se transformimi digjital dhe qasja e Cilësisë 5.0 krijojnë mundësi të reja për ndërtimin e sistemeve më efikase, të qëndrueshme dhe të besueshme në arsim, industri dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.

Continue Reading

Vendi

EOQ Congress 2026 në UBT: Ekspertët diskutojnë cilësinë, inteligjencën artificiale dhe menaxhimin e rrezikut

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ Congress 2026), në kampusin inovativ të UBT-së, ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë trajtuan çështje kyçe që lidhen me akreditimin, certifikimin, vlerësimin e konformitetit, menaxhimin e rrezikut dhe vazhdimësinë e biznesit, me theks të veçantë në rolin e inteligjencës artificiale në transformimin e sistemeve të menaxhimit të cilësisë.

Sesioni “Akreditimi, Certifikimi, Validimi dhe Vlerësimi i Konformitetit – Rreziku, Rezilienca dhe Vazhdimësia e Biznesit”, i moderuar nga Prof. Dr. Fisnik Laha, mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, akademisë dhe sektorit privat. Diskutimet u përqendruan në rëndësinë e standardeve ndërkombëtare, besueshmërisë së matjeve, inovacionit, qeverisjes së inteligjencës artificiale dhe ndërtimit të organizatave rezistente ndaj sfidave të së ardhmes.

Gjatë sesionit, ekspertët prezantuan temat e tyre përmes këtyre kontributeve:

Irfan Lipovica, drejtor i përgjithshëm i Drejtorisë së Akreditimit të Kosovës (DAK) – “Akreditimi si infrastrukturë e besimit: Nga kompetenca te njohja ndërkombëtare”.


Blerim Halabaku, menaxher i cilësisë në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës – “Roli i menaxherit të cilësisë në sigurimin e saktësisë, besueshmërisë dhe gjurmueshmërisë së rezultateve të matjeve”.

Prof. Maroš Finka, Universiteti Comenius në Bratislavë – “Modeli i katërfishtë i bashkëpunimit në ekosistemet e inovacionit: Rasti i Grupimit të Inovacionit për Transformim të Mençur në Sllovaki”.

Carlos Da Silva, ekspert kryesor në sistemet e integruara të menaxhimit, rrezikut dhe qeverisjes së inteligjencës artificiale – “Menaxhimi i integruar i biznesit dhe besimi në epokën e inteligjencës artificiale”.

Constantin Brescan, koordinator për sigurimin e cilësisë dhe auditimet e zinxhirit të furnizimit në Fusion for Energy – “Auditimet e cilësisë në zinxhirin e furnizimit – Fusion for Energy”.

Dr. Ömer Özkan, fitues i EQL 2025 – “Nga pajtueshmëria te besimi: E ardhmja e menaxhimit të cilësisë në epokën e inteligjencës artificiale”.

Luc Marivoet, menaxher i QHSE-së dhe partner në Pauwels Consulting – “Auditori i fuqizuar nga teknologjia: Si e forcon inteligjenca artificiale besimin, reziliencën dhe cilësinë përmes auditimit me në qendër njeriun”.

Merita Gjyshinca Peja, drejtoreshë financiare në Raiffeisen Bank Kosovo – “Rezilienca dhe vazhdimësia e biznesit në sisteme komplekse dhe të digjitalizuara”.

Genond Mesareja, kryetar i Bordit të Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC) – “Ndërtimi i organizatave rezistente: Udhëheqja, menaxhimi i rrezikut dhe vazhdimësia e biznesit në kohë ndryshimesh”.

Prof. Dr. Fisnik Laha, drejtues i laboratorëve të akredituar – “Matjet, besueshmëria dhe cilësia në sistemet shëndetësore dhe laboratorike”.

Përmes këtyre tematikave, sesioni theksoi rëndësinë e integrimit të standardeve të cilësisë me inovacionin teknologjik, menaxhimin e rrezikut dhe udhëheqjen efektive. Diskutimet nënvizuan gjithashtu rolin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, akademisë dhe sektorit privat në forcimin e besimit, rritjen e qëndrueshmërisë organizative dhe përgatitjen për sfidat e transformimit digjital.

Continue Reading

Lajmet

Inovacioni në mjekësi: UBT sjell ekspertët botërorë në sesionin kyç të Kongresit të 67-të të EOQ-së

Published

on

By

Në kuadër të Kongresit të 67-të të Organizatës Evropiane për Cilësi (EOQ), një vëmendje e jashtëzakonshme iu kushtua sesionit mbi shëndetin dhe performancën, i cili shërbeu si një platformë kyçe për të adresuar sfidat globale, rritjen e rezistencës së sistemeve shëndetësore dhe ngritjen e standardeve të cilësisë përmes inovacionit.

Ky sesion i rëndësishëm, i mbështetur dhe promovuar fuqishëm nga UBT, u moderua nga Prof. Dr. Milaim Berisha, duke mbledhur ekspertë të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë për të sjellë qasje të avancuara në fushën e mjekësisë dhe mirëqenies njerëzore.

Punimet e këtij sesioni u hapën nga Dr. Ardita Baraku, Drejtore Nacionale e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës, e cila theksoi rëndësinë e shëndetit publik, parandalimit efikas dhe nevojës parësore për ndërtimin e sistemeve shëndetësore rezistente ndaj sfidave të kohës.

Diskutimet vazhduan me kontributin e Prof. Dr. Norbert Bacht nga Universiteti i Vjenës, i cili u ndal tek aplikimi i teknologjive moderne, duke shpjeguar rolin kyç të inteligjencës artificiale në arritjen e një parandalimi sa më të saktë dhe funksional në mjekësi.

Në fokus të sesionit u sollën gjithashtu dimensionet e specializuara të performancës fizike dhe menaxhimit global. Prof. Dr. Milaim Berisha prezantoi standardet ndërkombëtare për mjekësinë sportive, duke vënë në pah ekselencën e kërkuar për shëndetin dhe performancën e atletëve.

Ky vizion u plotësua nga fjalimi kryesor i Ms. Fatema Z. Sumar nga Qendra e Harvardit për Zhvillim Ndërkombëtar, e cila e lidhi drejtpërdrejt forcimin e institucioneve të cilësisë me zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin e qëndrueshëm shoqëror.


Pjesa e dytë e sesionit solli praktika të avancuara nga Azia, ku Assoc. Prof. Dr. Ryoko Shimono nga Universiteti Waseda prezantoi indikatorët gjithëpërfshirës të vlerësimit TQM në kujdesin shëndetësor, duke vizualizuar lidhjen mes qëllimeve dhe aktiviteteve të menaxhimit të cilësisë.

Ndërsa Dr. Shogo Kato nga Universiteti i Tokios shpalosi zhvillimin e një sistemi algoritmik për të ndihmuar në rehabilitimin e pacientëve pas goditjeve në tru në spitalet e rikuperimit, duke dëshmuar ndikimin e drejtpërdrejtë të inovacionit teknik në shërimin dhe përmirësimin e jetës së pacientëve.

Continue Reading

Të kërkuara