Trupat e ngrirë të shtatë emigrantëve të tjerë janë zbuluar afër kufirit grek, thanë zyrtarët turq të enjten, duke e çuar numrin e të vdekurve në 19.
Turqia akuzon rojet kufitare në Greqi se i kanë lejuar emigrantët të vdesin në të ftohtin e dimrit pasi u kanë hequr rrobat dhe më pas i kanë detyruar të kthehen përtej kufirit.
“Pas operacioneve të kërkim-shpëtimit në rajon, numri i emigrantëve që ishin kthyer mbrapa dhe ngrinë deri në vdekje është rritur për fat të keq në 19”, tha në një deklaratë zyra e guvernatorit të Edirne në kufirin me Greqinë.
Trupat e 12 migrantëve të zbuluar për herë të parë të mërkurën janë dërguar në një institucion të mjekësisë ligjore në Stamboll për identifikim, njoftoi agjencia private e lajmeve DHA. Zyrtarët turq thonë se nuk kanë ende informacion për kombësitë e emigrantëve.
Ministri i Brendshëm Suleyman Soylu postoi të mërkurën foto të paqarta të trupave pjesërisht të zhveshur të shtrirë në anë të rrugës, duke thënë se ata ishin “zhveshur (nga) rrobat dhe këpucët e tyre” nga rojet kufitare greke.
Grupet e të drejtave të njeriut besojnë se veprime të tilla, të raportuara nga emigrantët në pjesë të ndryshme të botës, bëhen për të dekurajuar njerëzit nga përpjekjet për të hyrë në një vend të caktuar dhe për të kërkuar një rrugë tjetër.
Ndërsa ministri i Migracionit i Greqisë, Notis Mitarachi, nuk i kundërshtoi vdekjet, por hodhi poshtë versionin e Turqisë për ngjarjet si “propagandë të rreme”.“Këta migrantë nuk arritën kurrë deri në kufi” tha Mitarachi, duke thënë se edhe akuza e kthimit mbrapa të tyre përsëri në Turqi “është absurditet i plotë”.
Komisionerja e çështjeve të brendshme të BE-së, Ylva Johansson shprehu alarmin për pretendimin e Turqisë.
“Jam paksa e tronditur”, i tha ajo AFP-së me telefon ndërsa merrte pjesë në një takim të ministrave të brendshëm të bllokut 27-vendesh në Francë.“Kemi ministrin grek këtu, do ta ngre me të [këtë temë] dhe do të kërkoj sqarime për këtë. Kjo sigurisht që duhet të hetohet”.
Incidenti kërcënon të përshkallëzojë tensionet mes anëtarëve rivalë të aleancës mbrojtëse të NATO-s.
“Nuk është hera e parë që ne po shohim këtë lloj sjelljeje nga Greqia”, tha të enjten presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan./UBTNews/
Niclas Fullkrug ka mbërritur në Itali për të finalizuar transferimin e tij te Milani nga West Ham United, në formë huazimi me mundësi blerjeje.
Sulmuesi 32-vjeçar pritet t’i kryejë vizitat mjekësore të martën në Milano dhe të zhvillojë seancën e parë stërvitore nën drejtimin e Massimiliano Allegrit të mërkurën, në prag të Krishtlindjeve.
Marrëveshja fillimisht u raportua me një opsion blerjeje prej 11–13 milionë eurosh, por sipas Sky Sport Italia, shifra reale është rreth 5 milionë euro dhe huazimi është pa komision.
Fullkrug pritet të zyrtarizohet në fillim të janarit dhe, falë ndryshimeve të fundit në rregullore, mund të jetë i gatshëm për ndeshjen ndaj Cagliarit më 2 janar.
Milani kishte nevojë urgjente për një qendërsulmues, pasi Santiago Gimenez është i dëmtuar dhe do të mungojë për disa muaj. Fullkrug vjen si alternativë e rëndësishme në skemën 3-5-2 të Allegrit, edhe pse sezoni i tij te West Ham ka qenë i vështirë, pa gola në tetë paraqitje në Premier League këtë edicion./S.K/KP/
Me iniciativë të Odës Ekonomike të Kosovës, është themeluar Forumi i Sektorit Privat në Republikën e Kosovës, si një mekanizëm i përbashkët bashkëpunimi ndërmjet organizatave përfaqësuese të biznesit në vend.
Forumi ka për qëllim paraqitjen e qëndrimeve të unifikuara të sektorit privat, forcimin e dialogut me institucionet shtetërore dhe avokimin për krijimin e një klime më të favorshme për biznesin, investimet dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.
Në njoftim bëhet e ditur përveç përfaqësimit të interesave të bizneseve vendore, Forumi përfshin edhe organizata që përfaqësojnë interesat tregtare dhe investuese të huaja në Kosovë, duke synuar koordinim më të mirë ndërmjet sektorit privat vendas dhe atij ndërkombëtar, si dhe forcimin e rolit të Kosovës në ekonominë rajonale dhe globale.
“I ndërtuar mbi parimet e transparencës, përfaqësimit dhe funksionimit të rregullt institucional, Forumi shërben si një platformë e strukturuar për koordinim, avokim dhe trajtim të çështjeve me interes të përbashkët ekonomik. Veprimtaria e tij rregullohet përmes Rregullores së Punës, e cila përcakton anëtarësinë, organet drejtuese, kryesimin rotativ, Sekretariatin dhe mënyrën e organizimit të takimeve.”, thuhet në komunikatë.
Këshilli përcakton prioritetet e avokimit, miraton qëndrimet e përbashkëta dhe zgjedh udhëheqjen e Forumit. Kryesimi realizohet në mënyrë rotative me mandat njëvjeçar, duke garantuar përfaqësim të barabartë dhe vazhdimësi institucionale, ndërsa organizata kryesuese ushtron edhe funksionin e Sekretariatit.
Neymar i është nënshtruar me sukses një operacioni artroskopik në gju, njoftoi klubi i tij Santos, ndërsa ylli brazilian përpiqet të rikthehet në formë për të mbajtur gjallë shanset për Kupën e Botës.
“Një artroskopi u krye për të trajtuar një dëmtim të meniskut medial. Ndërhyrja kirurgjikale ishte e suksesshme dhe atleti është mirë”, thuhet në deklaratën e klubit, ku theksohet se operacioni u krye nga mjeku i përfaqësueses braziliane, Rodrigo Lasmar.
33-vjeçari ishte në formë të mirë me Santosin para ndërhyrjes, duke luajtur edhe me dhimbje dhe duke shënuar pesë gola në katër ndeshjet e fundit, rol kyç në mbijetesën e ekipit në elitën braziliane.
Edhe pse klubi nuk dha një afat zyrtar rikuperimi, mediat braziliane raportojnë se ai mund të mungojë deri në një muaj.
Neymar, golashënuesi më i mirë në historinë e Brazilit me 79 gola, nuk ka luajtur për kombëtaren që nga viti 2023 për shkak të lëndimeve të shpeshta.
Trajneri Carlo Ancelotti ka qenë i qartë: ai duhet të jetë “në formë të mirë” për t’u rikthyer në skuadër për Kupën e Botës që zhvillohet verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe SHBA. Shëndeti dhe koha tani janë vendimtare për rikthimin e tij./S.K/KP/
Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT, të programit Ndërtimtari dhe Infrastrukturë, realizuan një vizitë studimore në Stacionin Hekurudhor të Fushë Kosovës, në kuadër të lëndës “Hekurudhat”.
Qëllimi i vizitës ishte njohja praktike me infrastrukturën e transportit hekurudhor, funksionimin e stacionit, sistemet e sinjalizimit dhe komunikimit, si dhe ndërlidhjen me format e tjera të transportit multimodal.
Vizita u zhvillua me 23 studentë, nën monitorimin e Dr. sc. Visar Baxhukut, ndërsa studentët u informuan nga z. Sabit Thaqi, Drejtor i Divizionit të Udhëheqjes së Trenave. Programi përfshiu një pjesë teorike mbi historikun e hekurudhave të Kosovës dhe një pjesë praktike në terren.
Gjatë vizitës, studentët u njohën me trasen e hekurudhës, binarët dhe lidhjet e tyre, pajisjet e sinjalizimit dhe komunikimit, sistemet e kontrollit të lëvizjes së trenave, si dhe sfidat aktuale në funksionimin e trafikut hekurudhor.
Bazuar në vlerësimet e ligjëruesve dhe reagimet e studentëve, u konstatua se vizita studimore arriti qëllimin e saj, duke ofruar përvojë praktike të vlefshme dhe duke forcuar lidhjen mes teorisë dhe praktikës profesionale.