Rektori i UBT, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka bërë të ditur se institucioni është akredituar nga British Accreditation Council për një periudhë katërvjeçare, duke e cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme për institucionin dhe për arsimin e lartë në Kosovë.
Gjatë një konference për media, Rektori Hajrizi theksoi se ky akreditim konfirmon se UBT përmbush standardet e larta britanike dhe evropiane të cilësisë në arsim, duke përforcuar më tej pozicionin e universitetit në skenën ndërkombëtare akademike.
British Accreditation Council është një nga institucionet më të njohura ndërkombëtare për sigurimin e cilësisë në arsim, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, që vlerëson dhe akrediton institucione arsimore në mbarë botën për të garantuar standarde të larta akademike dhe menaxhim institucional të qëndrueshëm.
“Procesi i akreditimit nga British Accreditation Council është i detajuar dhe shumë rigoroz. Gjatë këtij procesi janë analizuar në mënyrë të thelluar programet tona akademike, cilësia e mësimdhënies, infrastruktura, menaxhimi institucional, shërbimet për studentët dhe angazhimi ynë për përmirësim të vazhdueshëm”, tha Hajrizi.
Ai bëri të ditur se si rezultat i këtij procesi, UBT është bërë institucioni i parë dhe i vetëm në Kosovë dhe në rajon që merr këtë akreditim prestigjioz nga British Accreditation Council.
Rektori Hajrizi e cilësoi këtë arritje si dëshmi të qartë se përkushtimi i universitetit për cilësi, inovacion dhe ndërkombëtarizim po njihet dhe vlerësohet edhe në nivel ndërkombëtar. Ai shprehu mirënjohje për stafin akademik dhe administrativ, studentët dhe partnerët ndërkombëtarë të UBT-së, të cilët kanë kontribuar në arritjen e këtij suksesi.
Sipas tij, për studentët dhe të gjithë ata që zgjedhin të studiojnë në UBT, ky akreditim përfaqëson një garanci shtesë se ata janë pjesë e një institucioni që funksionon sipas standardeve më të larta britanike dhe evropiane, duke i përgatitur për një treg pune gjithnjë e më global dhe konkurrues.
Në përfundim, Hajrizi theksoi se UBT do të vazhdojë të investojë në cilësi, kërkim shkencor, inovacion dhe bashkëpunim ndërkombëtar, me synimin që institucioni të mbetet një lider i arsimit të lartë në Kosovë, në rajon dhe më gjerë.