Artistët e grafitit në të gjithë globin përmes artit po i mbështesin protestat antiqeveritare të udhëhequra nga gratë në Iran gjatë javëve të fundit. Mitingje solidariteti po zhvillohen edhe në qytete të ndryshme të botës.
Në ambasadën iraniane në Mexico City
Një grua spërkati murin e ambasadës iraniane në Mexico City në solidaritet me gratë iraniane dhe në kujtim të Mahsa Aminit, 22-vjeçares që vdiq në paraburgim pasi u arrestua nga autoritetet iraniane, për të cilën u tha se ka shkelur kodet e rrepta islame të veshjes.
Në një protestë në Frankfurt
Protestat që bëjnë thirrje për rënien e regjimit islamik përfshinë vendin e Lindjes së Mesme pas vdekjes së 22-vjeçares në mes të muajit shtator. Autoritetet iraniane mohuan përgjegjësinë për vdekjen e Aminit, por pak i besojnë atyre. Shumë gra e kanë përjetuar vetë brutalitetin e të ashtuquajturës polici të moralit. Ky imazh shfaq protestuesit që kanë dalë në rrugët e Frankfurtit në mbështetje të grave iraniane.
Në Milano, Simpsons solidarizohen me gratë iraniane
Në Iran dhe jashtë tij, shumë gra kanë prerë flokët e tyre si shenjë mbështetjeje për protestuesit. Në një mur në qytetin italian të Milanos, përballë konsullatës iraniane, Marge Simpson – një personazh në sitcom-in e animuar “The Simpsons” – shfaqet duke bërë të njëjtën gjë. Fotoja është realizuar nga artisti i rrugës, AleXsandro Palombo.
Mahsa Amini do të shpallet qytetare nderi e Parisit
Në Paris, Mahsa Amini dhe lëvizja protestuese e Iranit nuk përkujtohet vetëm përmes muraleve. Kryeqyteti francez po planifikon gjithashtu ta shpallë Aminin qytetare nderi pas vdekjes, tha kryebashkiakja Anne Hidalgo. Edhe një lokacion në Paris do të emërohet me emrin Amini, “në mënyrë që askush të mos e harroj”.
“Parisi do të jetë gjithmonë në anën e atyre që luftojnë për të drejtat dhe lirinë e tyre”, deklaroi ajo.
‘Gratë, Jeta, Liria’ në Frankfurt
Artistët nga “Kollektiv ohne Namen” (Kolektivi pa emra) kanë pikturuar një fotografi të gruas kurde Mahsa Amini, e njohur edhe si Jina, në një ndërtesë të lirë në Frankfurt. Pranë saj janë fjalët kurde “Jin, Jiyan, Azadi” – “gra, jetë, liri”. Ky është slogani i gjithëpranishëm i protestuesve kundër regjimit islamik në Teheran, i huazuar nga lëvizja feministe kurde në Siri.
Solidaritet në Poloni
Kryengritja e vajzave dhe grave kundër shtypësve të tyre në Iran meriton solidaritet, thonë shumë gra në mbarë botën. Dhe ato po dalin në rrugë anembanë botës – siç shihet këtu në Krakov, Poloni. Në shumë vende anembanë globit, gratë janë të pafavorizuara apo edhe të diskriminuara për shkak të gjinisë së tyre. Ideja e një revolucioni feminist në Iran magjeps shumë prej tyre.
Shfaqje proteste nga studentët e artit në Teheran
Studentët e artit nga Universiteti Azad në Teheran protestuan para ndërtesës së fakultetit të artit të hënën. Boja e kuqe në duart e tyre simbolizon shtypjen e përgjakshme të protestave nga forcat e sigurisë.
Efekti i dëshiruar domino
Protestat pas vdekjes së Mahsa Aminit nuk janë të drejtuara vetëm kundër kodeve strikte të veshjes për vajzat dhe gratë. Në të gjithë vendin, protestuesit po vënë në pikëpyetje legjitimitetin e regjimit islamik dhe me slogane sikurse “Hiqni qafe mullahët” ose “Vdekje diktatorit”, duke synuar liderin suprem të vendit, Ayatollah Ali Khamenei./UBTNews/
DJ-i i njohur ndërkombëtar Martin Garrix ka ndarë emocionet e tij pas një fundjave të ngarkuar me performanca në Ibiza, Finlandë dhe Kosovë.
Përmes një postimi në Instagram, Garrix falënderoi familjen Lipa për mikpritjen dhe kujdesin gjatë qëndrimit në Kosovë, ndërsa vlerësoi energjinë e publikut në të gjitha skenat ku performoi.
“Fundjavë e çmendur në Ibiza, Finlandë dhe Kosovë. Faleminderit familjes Lipa për kujdesin e jashtëzakonshëm dhe faleminderit për energjinë e çmendur në të gjitha koncertet”, shkroi ai, duke e shoqëruar postimin me flamujt e vendeve ku ishte i pranishëm.
Performanca e Garrix në Kosovë u bë pjesë e një fundjave të veçantë artistike, ku një prej emrave më të mëdhenj të muzikës elektronike botërore solli atmosferën e tij para publikut kosovar./A.K/
Një pjesë rreth katër tonëshe e raketës “Falcon 9” të kompanisë SpaceX mendohet se është përplasur paqëllimshëm në sipërfaqen e Hënës.
Objekti, i cili ka qenë në hapësirë që nga viti i kaluar, u përplas me shpejtësi të madhe, por sipas NASA-s nuk paraqet asnjë rrezik për Tokën.
Bëhet fjalë për fazën e dytë të raketës “Falcon 9”, e cila u lansua në janar të vitit 2025 për një mision drejt Hënës. Ekspertët vlerësojnë se përplasja mund të ketë krijuar një krater rreth 18 metra të gjerë dhe katër metra të thellë.
NASA ka bërë të ditur se do të analizojë imazhet e sipërfaqes hënore para dhe pas goditjes, për të studiuar ndikimet e krijuara nga objektet artificiale në Hënë.
Zakonisht, pjesët e raketave pas përfundimit të misioneve kthehen në atmosferën e Tokës dhe digjen ose përfundojnë në oqeane. Megjithatë, në këtë rast, për shkak të energjisë më të madhe të nevojshme për misionin hënor, pjesa e raketës mbeti në hapësirë deri në përplasjen me Hënën./A.K/
Një tjetër histori suksesi shënohet në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT. Studentja Diellza Vishi ka përmbyllur me sukses studimet e saj të nivelit master, duke realizuar një hulumtim të rëndësishëm shkencor në kuadër të programit të mobilitetit Erasmus+.
Gjatë një semestri të kaluar në Valencia të Spanjës, pjesën eksperimentale dhe hulumtimin shkencor për temën e saj të diplomës, Diellza i ka zhvilluar në laboratorin e njohur ICITECH (Instituto de Ciencia y Tecnología del Hormigón), brenda Universitat Politècnica de València (UPV). ICITECH njihet si një nga institutet kërkimore më me zë në Evropë në fushën e materialeve ndërtimore dhe inxhinierisë strukturore.
Hulumtimi shkencor u zhvillua nën mbikëqyrjen e dy emrave të shquar të fushës: Prof. Dr. Pedro Serna Ros, ekspert me reputacion ndërkombëtar në fushën e betonit të përforcuar me fibra, si dhe Prof. Dr. Visar Krelani, Dekan i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Infrastrukturës në UBT.
Studentja Diellza Vishi mbrojti me sukses temën me titull “Experimental Analysis of the Effect of Fiber Orientation on the Mechanical Behavior of Prismatic and Slab Elements”.
Pjesë e komisionit në mbrojtjen e diplomës ishte edhe vetë Prof. Dr. Pedro Serna Ros, i cili u kyç drejtpërdrejt nga Spanja përmes platformës Google Meet.
Ky sukses dëshmon edhe një herë cilësinë e përgatitjes akademike në UBT dhe mundësitë e mëdha që institucioni u ofron studentëve për të depërtuar në qendrat më të njohura kërkimore evropiane. /E.A/
Një burri nga fshati Zupç i komunës së Zubin Potokut i është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, të martën, pasi dyshohet për deklarim të rremë gjatë një hetimi për krime lufte.
Sipas avokatit të tij, Milosh Deleviq, personi me inicialet D.V. ishte ndaluar rreth orës 13:00 në pikëkalimin kufitar në Bërnjak dhe ishte dërguar për të dhënë dëshmi si dëshmitar në hetimin që Prokuroria Speciale po zhvillon për krime lufte në Zubin Potok. Më pas, prokurori vendosi të nisë procedurë ndaj tij për deklarim të rremë, siç ka deklaruar avokati për mediumin lokal Zubin Potok INFO.
Edhe Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën rreth orës 14:30 është arrestuar një burrë në Mitrovicën e Veriut, pasi kishte deklaruar rrejshëm gjatë intervistimit nga njësia policore, duke u dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Prokuroria Speciale e Kosovës është duke zhvilluar hetime për krime lufte në komunën e Zubin Potokut, ku po kryhen gërmime në disa lokacione për mbetje mortore të personave të zhdukur nga lufta e vitit 1999. Në lidhje me këtë rast, më parë janë arrestuar tre persona ndaj të cilëve është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji. /Telegrafi/