Lajm në zhvillim:
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Hajredin Kuçin me një muaj burgim me kusht.
Dënimi nuk do të ekzekutohet nëse Kuçi nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale gjatë periudhës njëvjeçare të provës.
Fadil Fazliu dënohet me 12 muaj burgim nga Gjykata Speciale në Hagë, lirohet pas seancës
Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur dënimin prej 12 muajsh burgim për Fadil Fazliun në rastin e pengimit të drejtësisë.
Megjithatë, ai do të lirohet menjëherë pas përfundimit të seancës, pasi koha e kaluar në paraburgim ia mbulon plotësisht dënimin e shqiptuar.
Isni Kilaj shpallet i pafajshëm nga Gjykata Speciale në Hagë dhe lirohet pas seancës
Gjykata Speciale në Hagë ka shpallur të pafajshëm Isni Kilajn lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë.
Pas përfundimit të seancës, gjykatësi Christopher Gosnell ka lëshuar urdhër për lirimin e tij.
Bashkim Smakaj dënohet me 12 muaj burgim
Gjykata Speciale në Hagë e ka dënuar Bashkim Smakajn me 12 muaj burgim në rastin për pengim të drejtësisë, ku i akuzuar është edhe Hashim Thaçi.
Gjykata Speciale e shpall fajtor Thaçin, e dënon me 17 muaj burgim
Gjykata Speciale në Hagë e ka shpallur fajtor Hashim Thaçin për disa nga pika e aktakuzës në rastin për pengim të drejtësisë.
Gjyqtari Christopher Gosnell shqiptoi ndaj tij një dënim të njësuar prej 17 muajsh burgim.
Nis leximi i aktgjykimit në Hagë ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Gjykatësi Gosnell zbërthen akuzat për ndërhyrje te dëshmitarët
Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka nisur seanca për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe katër të bashkakuzuarve të tij — Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu — në rastin që lidhet me akuzat për pengim të drejtësisë. Të pesë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit, ndërsa transmetimi i seancës po zhvillohet me dhjetë minuta vonesë.
Gjykatësi Christopher Gosnell ka nisur leximin e përmbledhjes së aktgjykimit, duke shpjeguar se sipas aktakuzës, të akuzuarit kishin rënë në marrëveshje për veprime të përbashkëta me qëllim pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre. Sipas tij, Hashim Thaçi akuzohet se ishte drejtues ose organizator i tri grupeve — ku përfshiheshin Fadil Fazliu, Bashkim Smakaj dhe Isni Kilaj me synim ndërhyrjen në dëshmitë e dëshmitarëve dhe zbulimin e informacioneve konfidenciale gjatë vizitave në Qendrën e Paraburgimit. Gjykatësi bëri të ditur se trupi gjykues ka pranuar 241 prova materiale të Prokurorisë, përfshirë audioincizimet e bisedave në paraburgim, regjistrimi i të cilave ishte i autorizuar nga gjykata.
Duke u ndalur te pika e akuzës që lidhet me Fadil Fazliun, gjykatësi Gosnell sqaroi se Thaçi dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë lidhur me një vizitë të realizuar më 2 korrik 2023. Gjatë këtij takimi, ata kishin diskutuar gjerësisht për dëshminë e pritur të Rrustem Mustafës, të cilin Thaçi e kishte cilësuar si dëshmitar vendimtar, duke i dhënë Fazliut mesazhe specifike për t’ia përcjellë, si: “Shkurt thuaji, shkurt”, “Mos filozofo” dhe “Thuaj kam besim në ty shumë”. Po ashtu, Thaçi e kishte paralajmëruar Fazliun për pyetjet e mundshme të Prokurorisë, duke i thënë: “Ata të pyesin: A të ka thirrur kush?”.
Sipas gjykatësit Gosnell, në këtë rast bëhet fjalë për tentativë të pengimit të drejtësisë — e cila përbën vepër penale kur ndërmerren veprime konkrete — dhe jo për pengim të kryer faktikisht. Ai theksoi se kjo tentativë u konkretizua në korrik të vitit 2023, kur Fahri Fazliu, djali i Fadil Fazliut, kontaktoi dëshmitarin Rrustem Mustafa, në veprime që kishin për cak prokurorët dhe gjyqtarët dhe ku Thaçi kishte rolin e organizatorit.
Thaçi, Smakaj, Kilaj, Kuçi dhe Fazliu presin sot vendimin e Speciales
Ish-presidenti Hashim Thaçi, së bashku me katër të akuzuar të tjerë, presin sot shpalljen e aktgjykimit në Dhomat e Specializuara në Hagë, lidhur me akuzat për pengim të drejtësisë, të cilat mbrojtja i ka kundërshtuar si të paprovuara dhe juridikisht të gabuara.
Seanca për shpalljen e vendimit është caktuar në orën 10:00 nga gjykatësi Christopher Gosnell, i cili ka urdhëruar paraqitjen e të pesë të akuzuarve. Krahas Thaçit, vendimin do ta dëgjojnë edhe ish-drejtori i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ish-ministri Hajredin Kuçi dhe Fadil Fazliu.
Në qendër të këtij procesi gjyqësor janë bisedat e regjistruara gjatë vizitave në qendrën e paraburgimit. Në fjalën përmbyllëse, prokurori Joshua Hafetz përmendi rreth 28 orë incizime të realizuara gjatë nëntë vizitave përgjatë katër muajve, të cilat Prokuroria i interpreton si dëshmi të përpjekjeve për ndërhyrje te dëshmitarët. Për këtë, ajo mbështetet te incizimet, dokumentet përcjellëse dhe verifikimet e njësisë gjuhësore të gjykatës.
Nga ana tjetër, ekipi mbrojtës i Thaçit ka kundërshtuar ashpër si interpretimin e Prokurorisë, ashtu edhe besueshmërinë e transkripteve. Sipas avokatëve, hetimet nuk kanë siguruar prova për kontakte të papërshtatshme me dëshmitarët, pjesë të bisedave kanë qenë të pakuptueshme, ndërsa transkriptimi nga personeli i Prokurorisë rrezikonte të ndikohej nga pritshmëritë e hetuesve. Po ashtu, mbrojtja ka kontestuar trajtimin si konfidencial të informacioneve që ishin publike ose kujtime të përbashkëta, duke argumentuar se dispozitat penale janë interpretuar përtej praktikës gjyqësore të Kosovës.
Për besueshmërinë e transkripteve në gjykatë dëshmoi edhe ekspertja e thirrur nga mbrojtja, Helen Fraser, e cila e vlerësoi të ulët besueshmërinë e tyre për shkak të metodës së përdorur dhe mungesës së garancive të mjaftueshme për saktësi, ndonëse sqaroi se nuk mund të pohonte që ato ishin të gabuara, duke pranuar edhe kufizimin nga mosnjohja e gjuhës shqipe. /E.A/