Botë

Trump paralajmëron Putinin për luftën në Ukrainë

Published

on

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka sugjeruar se do ta godasë Rusinë me sanksione shtesë, nëse presidenti Vladimir Putin nuk i pranon bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përderisa i ka bërë thirrje udhëheqësit kinez, Xi Jinping, gjatë një bisede telefonike, për të ndihmuar në ndaljen e konfliktit.

“Duket se po”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, më 21 janar, kur është pyetur nëse Uashingtoni do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Putin nuk i bashkohet tavolinës së negociatave.

Trump nuk ka ofruar hollësi për masat e reja të mundshme, të cilat do t’i shtoheshin një varg sanksionesh që tashmë shënjojnë Rusinë për pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022.

Presidenti amerikan ka ritheksuar synimin e tij për të biseduar me Putinin në planin afatshkurtër, por pa përmendur një periudhë.

“Ne po bisedojmë me [udhëheqësin ukrainas, Volodymyr] Zelensky. Do të flasim me presidentin Putin shumë shpejt. Do ta shikojmë”.

Trump ka thënë më 20 janar se Zelensky i kishte thënë atij se dëshironte një marrëveshje për paqe për t’i dhënë fund luftës.

Duke iu referuar aleatit të ngushtë të Putinit, udhëheqësit kinez Xi, Trump ka thënë se e ka nxitur atë që të kontribuojë që t’i jepet fund luftës brutale.

“Ai nuk ka bërë shumë në këtë drejtim. Ai ka shumë… fuqi, sikurse ne që kemi shumë fuqi. I thashë: ‘Duhet ta zgjidhësh’. Ne diskutuam për të”, ka deklaruar Trump.

Presidenti amerikan ka thënë, po ashtu, se ekipi i tij po shikon mundësitë për dërgimin e armëve shtesë për Ukrainën.

Gjatë fushatës së tij për president, Trump ka folur ashpër kundër nivelit të ndihmave të mundësuara nga administrata e presidentit Joe Biden.

Megjithatë, Trump ka thënë, herë pas here, se është i hapur ndaj idesë së një programi kreditor, sipas të cilit Ukraina do të paguante SHBA-në për dërgesat e armëve.

Në deklaratat e tij të fundit, ai ka përsëritur edhe qëndrimin e tij se aleatët e tjerë duhet të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen e Ukrainës, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian që të “barazojë” ndihmat me ato të ofruara nga SHBA-ja.

Komentet e Trumpit u bënë në ditën e dytë të mandatit të tij të ri në Shtëpinë e Bardhë, dhe përfaqësojnë ditën e dytë rresht në të cilën ai është dukur t’i bëjë trysni Putinit – të cilin ai shpesh e ka lavdëruar – për të ecur përpara drejt negociatave për paqe.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump ishte zotuar se do t’i jepte fund luftës brenda 24 orëve pas marrjes së pushtetit. Ai është tërhequr nga këto deklarata javëve të fundit, por është zotuar se do t’i japë shpejt fund luftës.

Shumë analistë kanë thënë se do të jetë e vështirë që lufta në Ukrainë të përfundojë në të ardhmen e afërt, sepse Putin beson se është duke fituar dhe nuk është i interesuar t’i ndërpresë luftimet, pavarësisht humbjeve të mëdha që po pëson Rusia.

Një natë më parë, presidenti amerikan ka thënë se Putin “po e shkatërron” Rusinë duke refuzuar arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Këshilltari për politikë të jashtme i Rusisë, Yury Ushakov, u ka thënë gazetarëve se Moska “po i merr parasysh” komentet e Trumpit, por nuk ka pranuar të japë hollësi, teksa ka shtuar se Kremlini po pret “propozime konkrete që do të përbënin bazë për kontakte”.

Sanksionet e vëna tashmë nga Shtetet e Bashkuara dhe nga BE-ja e kanë sakatuar ekonominë ruse. Rusia, po ashtu, ka djegur qindra miliarda dollarë për luftën, ka humbur rreth 700.000 ushtarë dhe i ka frikësuar fqinjët e saj, përderisa ka sakrifikuar tregun fitimprurës evropian të gazit dhe qasjen në tregjet financiare perëndimore, teksa rublës i ka rënë vlera.

Aktualitet

Trump mbledh drejtuesit e teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë

Published

on

By

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, priti të martën një takimi të drejtuesve më të lartë të teknologjisë për atë që e quajti “një grumbullim të jashtëzakonshëm” të mendjeve që po “ndërtojnë Epokën e Artë të Amerikës”.

Lista e të ftuarve përfshinte udhëheqës nga OpenAI, Anthropic, Nvidia, SpaceX, Meta dhe Google — të gjithë figura kyçe në industrinë e inteligjencës artificiale (AI) në SHBA.

Takimi erdhi ndërsa disa ekzekutivë dhe ekspertë të teknologjisë kanë kërkuar mbikëqyrje më të rreptë të AI-së, duke cituar shqetësimet për rreziqet potenciale që ajo i kanos njerëzimit.

Më poshtë janë tri nga pikat kryesore nga samiti i teknologjisë i organizuar nga Trump në Shtëpinë e Bardhë.

 

Pakti për “vetërregullimin” e AI-së

Trump u ulë për t’ju përgjigjur pyetjeve të medias për rreth 30 minuta krah drejtuesve të lartë të teknologjisë pas takimit me dyrore të mbyllura.

Presidenti tha se ekzekutivët kishin nënshkruar një dokument “moralisht detyrues” që do të shërbente si një “formë mbrojtjeje” ndaj rreziqeve potenciale të AI-së.

Sipas marrëveshjes, të cilën Trump e publikoi online, kompanitë janë përgjegjëse për garantimin e sigurisë së teknologjisë së tyre. Kompanitë po ashtu u dakorduan të zbatojnë masa mbrojtëse për t’i mbajtur modelit në funksionim siç është parashikuar, si dhe për të detektuar e rregulluar me shpejtësi çdo problem.

Ata do të bashkëpunojnë gjithashtu me “auditorë të pavarur” për të vlerësuar nëse sistemet e tyre të AI-së po funksionojnë siç duhet dhe për t’u siguruar që platformat e tyre të mos “sulmojnë ose të qasen në sisteme teknike në mënyra të paplanifikuara.”

Paktit i vunë firmën Trump, shefi i Google Sundar Pichai, ai i Anthropic Dario Amodei, Mark Zuckerberg i Meta-s, presidenti i OpenAI Greg Brockman, Elon Musk i SpaceX dhe drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang.

“Është pothuajse si një kushtetutë, në njëfarë mënyre,” tha Trump duke iu referuar marrëveshjes. “Dhe njerëzit më të fuqishëm në botë e nënshkruan atë, si dhe unë e nënshkrova si president.”

Trump shtoi se do të krijojë një bord për të mbikëqyrur sigurinë e mjeteve të AI-së, mirëpo nuk specifikoi se kush do të jetë pjesë e këtij bordi.

Zuckerberg tha se pakti i jep “popullit amerikan dhe klientëve besimin se teknologjia funksionon” siç duhet, duke e quajtur takimin një “bisedë historike”.

Amodei e cilësoi si një mënyrë “për të fituar me siguri”, duke ju referuar deklaratës së presidentit në fillim të këtij muaji se “kushdo që fiton garën e AI-së, fiton gjithçka”.

 

Ekspertët skeptikë ndaj paktit

Sidoqoftë, jo të gjithë ekspertët janë në linjë me këtë marrëveshje.

Hulumtuesi i qeverisjes së AI-së në Universitetin Teknologjik Nanyang, Jose Miguelito Enriquez, tha se pakti tregon një “konsensus në rritje”, por nuk adreson çështjen se a duhet të mbahen përgjegjës zhvilluesit e AI-së në rast incidentesh.

Marrëveshja është “thellësisht e paimpresionueshme” dhe vjen përkundër thirrjeve nga disa liderë botërorë e figura të industrisë për rregullore më të rrepta mbi teknologjinë, deklaroi profesoresha e së drejtës Kimberlee Weatherall nga Universiteti i Sidneit.

Ajo shtoi se marrëveshja duket se i lejon kompanitë të “përcaktojnë vetë se çfarë konsiderohet siguri” dhe nuk specifikon pasojat në rast shkeljesh.

“Pakti duhet të injorohet, pasi shërben thjesht si shpërqendrim,” shtoi ajo.

Jeannie Paterson nga Qendra për Inteligjencë Artificiale dhe Etikë Digjitale në Universitetin e Melburnit tha se vetërregullimi mund të nënkuptojë që kompanitë të vendosin “vetëm masa minimale mbrojtëse”.

Ajo shtoi se marrëveshja ngjall “shumë pak besim”, duke marrë parasysh se incidentet e fundit me AI-në që del nga kontrolli sugjerojnë se kompanitë kanë qenë të padisiplinuara në qasjen e tyre.

(Lajmi vjen gjithashtu pas hapave të fundit nga kompania OpenAI, e cila anuloi lansimin e modelit të saj më të ri AI, GPT-6.1 Astra, për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë, pasi kontrollet e saj ranë nën hetim pas incidenteve ku modelet u qasën pa autorizim në platforma qeveritare në Australi).

Këmbëngulja te qendrat e të dhënave (Data Centres)

Trump po ashtu ritheksoi mbështetjen e tij për zgjerimin e shpejtë të qendrave të të dhënave — infrastrukturës kryesore kompjuterike që mundëson funksionimin e inteligjencës artificiale.

Zgjerimi i qendrave të të dhënave ka nxitur reagime dhe rezistencë në të gjithë vendin për shkak të shqetësimeve mbi konsumin e lartë të energjisë elektrike dhe ndikimit të mundshëm në komunitetet lokale.

Ndërtimi i këtyre qendrave është shndërruar po ashtu në një pengesë potenciale politike për Partinë Republikane të Trumpit përpara zgjedhjeve të afërta afatmesme (midterm) në SHBA në nëntor.

Sipas një sondazhi të realizuar nga Marist Poll në bashkëpunim me NPR dhe PBS News në fillim të këtij muaji, 65% e votuesve të regjistruar u shprehën kundër ndërtimit të qendrave të të dhënave në zonat e tyre.

 

Continue Reading

Lajmet

Rubio: Një “aktor i huaj” i përfshirë në komplotin e dyshuar për bombë pranë bazës ushtarake në Britani

Published

on

By

Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, ka deklaruar se një “aktor i huaj” ishte i përfshirë në një komplot të dyshuar për sulm me bombë pranë një baze ajrore në Britaninë e Madhe, e cila përdoret nga ushtria amerikane.

Policia arrestoi të dielën pesë persona — të gjithë shtetas britanikë nga Londra, të mosshës 20 deri në 25 vjeç — pasi u njoftua nga një fermer lokal për lëvizjen e tri furgonëve të bardhë në drejtim të bazës RAF Fairford. Kjo bazë britanike strehon bombarduesit amerikanë që kryejnë misione kundër Iranit.

Njësia kundër terrorizmit njoftoi se po heton nëse të dyshuarit po vepronin në emër të një shteti të huaj në këtë plan për të sulmuar bazën ajrore, ndërsa më vonë bëri të ditur se ata do të lirohen me dorëzani.

Duke komentuar rastin në emisionin “Hannity” në Fox News, Rubio u shpreh: “Ajo që ndodhi, ajo që për pak sa nuk ndodhi dhe ajo që mund të kishte ndodhur në Britani gjatë fundjavës është një situatë shumë serioze. Është një çështje që qartësisht përfshin dorën e një aktori të huaj, megjithëse nuk do të hyj ende në detaje të mëtejshme.”

Nga ana tjetër, Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kishte deklaruar në korrik se baza Fairford përbënte një “cakt të legjitim”. Megjithatë, Ambasada e Iranit në Londër i hodhi poshtë këto pretendime përmes një deklarate, duke i cilësuar si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që synojnë të nxisin propagandë kundër Iranit.

Lidhur me ngjarjen reagoi edhe presidenti amerikan Trump, i cili tha se autoritetet britanike dhe ato amerikane i kishin pasur të dyshuarit nën hetim prej kohësh, duke pretenduar se ata “po kërkonin të shkaktonin dëme të mëdha”. Pas lajmit për lirimin e tyre me dorëzani, Trump shtoi se rasti “mund të ketë lidhje” me Iranin, por pa dhënë detaje të tjera.

 

Continue Reading

Aktualitet

Incidenti pranë bazës ushtarake britanike: Lirohen 5 të arrestuarit për terrorizëm

Published

on

By

Pesë burra të cilët u arrestuan nën dyshimin për vepra penale që lidhen me terrorizmin pranë bazës ajrore ushtarake “RAF Fairford”, janë liruar me dorëzani, ka njoftuar Policia Kundër Terrorizmit në Britani të Madhe, raporton BBC.

Arrestimi i tyre erdhi pasi policia u alarmua për praninë e tri “automjeteve të dyshimta” pranë bazës ajrore në Gloucestershire, gjë që nxiti shpalljen e gjendjes së incidentit madhor dhe evakuimin e dhjetëra shtëpive aty pranë.

Sipas policisë kundër terrorizmit (CTP), hetuesit po shqyrtojnë disa pista, përfshirë mundësinë që personat e përfshirë të kenë vepruar në emër apo si përfaqësues të ndonjë shteti të huaj.

Të arrestuarit janë pesë shtetas britanikë të moshave mes 23 dhe 25 vjeç, me banim në Londër. Ata fillimisht u ndaluan nën dyshimin për shkelje të Ligjit për Lëndët Plasëse, ndërsa më pas u arrestuan për përgatitje të akteve terroriste. Lirimi i tyre me dorëzani përfshin kushte të rrepta lëvizjeje dhe kontakti.

Një fermere vendase, e cila njoftoi numrin e emergjencës 999 pasi pikasi tri kombi të bardha, deklaroi për BBC se ishte “fat i pastër” që i kishte parë. Ajo tregoi për emisionin Today të BBC Radio 4 se kur mbërriti në shtëpi pa rrugën e bllokuar nga një grup burrash me kapuçë e maska, të cilët u ikën nëpër arat përreth.

“Besoj se thirrja ime në 999 ndaloi cilindo plan që ata kishin,” tha ajo, duke shtuar se brenda 10 minutave fshati u mbush me polici të armatosur.

Komisioneri i Policisë Kundër Terrorizmit, Laurence Taylor, konfirmoi se tri automjetet po i nënshtrohen ekzaminimeve detaje nga ekspertët e forenzikës dhe ushtria.

Lidhur me ngjarjen, Kryeministri Andy Burnham kryesoi një takimi të komitetit të emergjencave “Cobra”, duke bërë thirrje që të shmangen spekulimet.

Nga ana tjetër, Ambasada e Iranit në Londër ka hedhur poshtë me kategori çdo lidhje me ngjarjen, duke i cilësuar pretendimet si “spekulime të pabazuara dhe keqdashëse” që nxisin iranofobinë.

Mirëpo, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi për rrjetin Fox News se situata është shumë serioze dhe se “përfshin qartë dorën e një aktori të huaj”. Gjithashtu, Presidenti amerikan Donald Trump shprehu mospajtimin e tij me lirimin e të dyshuarve me dorëzani, duke deklaruar nga Zyra Ovale se është i surprizuar nga ky vendim i autoriteteve britanike.

Baza “RAF Fairford” përdoret prej dekadash nga Forcat Ajrore të SHBA-së (USAF) dhe së fundmi është shfrytëzuar për nisjen e bombarduesve amerikanë drejt Lindjes së Mesme.

Autoritetet kanë njoftuar se banorët e 85 shtëpive të evakuuara tashmë janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, por perimetri i sigurisë rreth mjeteve të dyshimta dhe kufizimet në hapësirën ajrore mbi bazë mbeten ende në fuqi.

 

Continue Reading

Lajmet

Rusia sulmon ndërtesën e Akademisë Kombëtare të Shkencave në qendër të Kievit

Published

on

By

Një sulm rus ka goditur një ndërtesë të Akademisë Kombëtare të Shkencave të Ukrainës dhe një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar.

Zjarrfikësit po luftojnë me flakët dhe po kërkojnë për këdo që mund të ketë qenë brenda, ka thënë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Telegram.

Forcat ruse kanë goditur gjithashtu një kompani farmaceutike dhe pika karburanti në Kiev, një qendër biznesi në Dnipro, si dhe objekte civile, ndërmarrje dhe infrastrukturë komunikimi në qytete e rajone të tjera, shtoi lideri ukrainas.

Zelensky ka thënë se ka viktima dhe u ka shprehur ngushëllime familjeve të tyre. Ai ka thënë se Rusia do të marrë një përgjigje.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar se forcat e saj kanë goditur dy qendra të dhënash në Kiev, si dhe pika karburanti në kryeqytetin ukrainas. Ajo ka njoftuar gjithashtu se një qendër shpërndarjeje e shërbimit postar “Nova Poshta” u godit në qytetin jugor të Odesës. /BBC/

Continue Reading

Të kërkuara