Lajm në zhvillim:
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e rifillimit të bombardimeve kundër Iranit në bashkëpunim me Izraelin, pas presionit në rritje nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Sipas raportimeve të The Telegraph, një fushatë e përbashkët ushtarake mund të zgjasë nga katër deri në shtatë ditë, mes tensioneve të shtuara në Lindjen e Mesme.
Ky shqyrtime vjen pas një kthese të mundshme në qëndrimin e Trumpit, i cili javët e fundit kishte dhënë sinjale se nuk mbështeste rifillimin e luftimeve, duke e quajtur konfliktin me Iranin “praktikisht të përfunduar” dhe duke folur për një “fitore shumë të madhe” të SHBA-së. Ai gjithashtu kishte udhëzuar zëvendëspresidentin JD Vance të ndërpriste negociatat me Teheranin për programin bërthamor, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit dy javë më parë, ku partia humbi kontrollin e Kongresit.
Megjithatë, New York Times dhe Axios raportojnë se Trump po merr parasysh një fushatë të re bombardimesh pas informacioneve të inteligjencës amerikane mbi përparimin e Iranit në rindërtimin e kapaciteteve raketore. Këto zhvillime pasojnë vizitën në Uashington të drejtorit të Mossadit, Roman Goffman, i cili ka bërë presion për rifillimin e operacioneve, ndërsa Izraeli ka paralajmëruar Shtëpinë e Bardhë edhe për përparim të Iranit në programet e armëve kimike dhe biologjike.
Ndërkohë, SHBA-ja mban një prani të madhe ushtarake në rajon, përfshirë dy aeroplanmbajtëse dhe një anije sulmuese amfibe drejt zonës së operacioneve, ka evakuuar një pjesë të personelit jo të domosdoshëm për shkak të rrezikut të kundërpërgjigjes iraniane, dhe ka dërguar në Izrael një tjetër bateri të mbrojtjes ajrore Patriot.
Në Izrael, pas humbjes së shumicës qeverisëse në zgjedhjet e përgjithshme të fundit të tetorit, Netanyahu po u bën thirrje partive opozitare për një qeveri të “unitetit kombëtar” duke përmendur kërcënimin iranian. Raportohet se lideri opozitar Naftali Bennett zhvilloi një takim privat disaorësh me Netanyahun, por sipas burimeve do të shqyrtonte ndarjen e pushtetit vetëm nëse Gadi Eisenkot merrte fillimisht postin e kryeministrit me rotacion.
Paralelisht, në rajon ka pasur shkëmbime të kufizuara sulmesh hakmarrëse pranë Ngushticës së Hormuzit mes SHBA-së dhe Iranit, ndërsa Izraeli nuk ka zhvilluar sulme ajrore që nga prilli, në një kohë kur përshkallëzimi i ri do ta ekspozonte sërish ndaj raketave balistike iraniane.
Trump, Xi dhe Putin bien dakord për rritjen e furnizimit me naftë dhe reforma në OKB
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë rënë dakord të rrisin furnizimin global me naftë, sipas një deklarate të përbashkët të publikuar pas takimit të tyre trepalësh të enjten në Kinë.
Në një marrëveshje me katër pika, të cilën mediat shtetërore kineze dhe ruse e kanë quajtur “deklaratë për paqen”, të tre liderët janë zotuar gjithashtu të angazhohen për reformimin e Kombeve të Bashkuara, për bisedime të mëtejshme mbi çarmatimin bërthamor dhe për garantimin e imunitetit për zyrtarët shtetërorë.
Bisedimet u zhvilluan në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC) në Shenzhen të Kinës, ku liderët diskutuan edhe për Ukrainën, përhapjen e armëve bërthamore dhe Gadishullin Korean, sipas mediave shtetërore kineze.
Në hapje të takimit, Trumpi deklaroi se liderët po “bënin histori”, ndërsa para seancës trepalëshe zhvilloi edhe takime të ndara me Xi-në dhe Putinin. Sipas Kremlinit, Putini u largua në një “humor të shkëlqyer” nga bisedimet me dyer të mbyllura me presidentin amerikan, ku u trajtua edhe lufta në Ukrainë.
Putini vlerësoi se bisedimet shkuan më mirë se sa pritej, ndërsa Xi e përshkroi takimin si “pozitiv, konstruktiv dhe frytdhënës”.
Trump, Xi dhe Putin përfundojnë takimin trepalësh në Shenzhen, në fokus Ukraina dhe armët bërthamore
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, presidenti i Kinës, Xi Jinping, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë përfunduar të enjten një takim trepalësh në qytetin kinez të Shenzhenit, ku në qendër të diskutimeve ishin lufta në Ukrainë dhe kontrolli i armëve bërthamore.
Takimi i liderëve të tri fuqive më të mëdha bërthamore u zhvillua rreth një tavoline të rrumbullakët në Vilën Kylin, pranë një liqeni dhe të rrethuar nga kodra të pyllëzuara, një ambient me histori të gjatë të mbajtjes së takimeve të ndjeshme diplomatike, ku më herët kanë qëndruar edhe ish-lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-il, babai i Xi-së, Xi Zhongxun, si dhe përfaqësues të Dalai Lamës.
Në hapje të bisedimeve, Trumpi e cilësoi takimin si historik, duke theksuar se paqja nuk arrihet duke refuzuar mundësitë për dialog. Putini, i cili vjen në këtë takim pas dëmtimit të rëndë të një ure kyç që lidh Krimenë me Rusinë gjatë luftës me Ukrainën, deklaroi se tri vendet ndajnë interesa të përbashkëta në zgjidhjen e konflikteve rajonale, duke përfshirë edhe atë në Ukrainë.
Nga ana e tij, Xi, i cili drejtonte takimin, nuk iu referua drejtpërdrejt Ukrainës, por tha se historia tregon se harmoninë mes fuqive të mëdha e sjell paqen, ndërsa përplasjet e tyre sjellin trazira. Sipas agjencisë shtetërore Xinhua, Xi u bëri thirrje dy liderëve të tjerë për ndalimin dhe eliminimin e armëve bërthamore me synim një botë pa to, ndonëse Kina ka vijuar zgjerimin e programit të saj bërthamor, ndërsa shtoi se tri vendet duhet të inkurajojnë zgjidhjen politike dhe diplomatike të konflikteve.
Para seancës së përbashkët, Trumpi pati takime të ndara me Xi-në dhe Putinin, të cilët i quajti miq. Ai deklaroi se ai dhe Xi ndajnë bindjen se qarkullimi i naftës në Ngushticën e Hormuzit, i prekur nga lufta me Iranin, duhet të vazhdojë, megjithëse Xi nuk e përmendi drejtpërdrejt Iranin në deklaratat e tij.
Pavarësisht tonit të lartë diplomatik, mes Uashingtonit, Pekinit dhe Moskës mbeten dallime të thella për Ukrainën, Iranin, armët bërthamore dhe tregtinë, çka ngre pikëpyetje për rezultate afatgjata, ndërkohë që mbajtja e takimit në kuadër të një samiti të Azi-Paqësorit ka nxitur shqetësime te shtetet më të vogla për mundësinë e anashkalimit të interesave të tyre. /BBC/