Teknologji

Tronditet rrjeti! Jep dorëheqje shkencëtari kryesor i Inteligjencës Artificiale në Meta

Published

on

Yann LeCun, shkencëtari kryesor i Inteligjencës Artificiale në Meta dhe fitues i Çmimit Turing, po planifikon të largohet nga kompania pas më shumë se një dekade për të lansuar startup-in e tij.

Largimi i tij vjen në një moment vendimtar, pasi CEO Mark Zuckerberg po ndryshon strategjinë e kompanisë, duke kaluar nga modeli i kërkimit me burim të hapur drejt zhvillimit të produkteve komerciale të AI-së për të rivalizuar Google dhe OpenAI.

LeCun konsiderohet një nga “kumbarët” e AI moderne, falë punës së tij pionier në rrjetet nervore dhe teknologjitë që fuqizojnë modelet gjuhësore të mëdha (LLM).

Ai është skeptik ndaj gjeneratës aktuale të LLM-ve dhe beson se këto modele nuk mund të arrijnë inteligjencën e përgjithshme artificiale, duke këshilluar zhvilluesit të fokusohen në sistemet e ardhshme të AI-së që tejkalojnë kufizimet e LLM-ve.

Ndërsa LeCun sheh të ardhmen në krijimin e modeleve “botërore” që kuptojnë botën tridimensionale përmes të dhënave fizike, Zuckerberg është përqendruar në dominimin afatshkurtër të tregut.

Largimi i LeCun pason zhgënjimin nga performanca e modelit Llama 4, aksionet e Meta-s ranë me gati 3% pas lajmit për largimin e tij.

Ky ndryshim nënvizon tensionin mes vizionit afatgjatë shkencor dhe strategjisë komerciale të kompanisë. /A.Z/UBT News/

Teknologji

PS5 mbush pesë vjet, por ku mbeti PlayStation 6?

Published

on

Më parë, gjeneratat e reja të konzolave të lojërave dilnin çdo pak vite. Sony PlayStation i parë debutoi në Mbretërinë e Bashkuar në shtator 1995, dhe pesë vjet më vonë erdhi PS2.

Por tani ritmi është ngadalësuar — dhe ndërsa PS5 shënon pesëvjetorin e saj, PS6 ende nuk duket në horizont.

Shefi i biznesit të PlayStation, Eric Lempel, tha për BBC News se arsyeja është e thjeshtë: “PS5 ka ende shumë jetë përpara. Ka shumë përmbajtje të shkëlqyer që po vjen.” Ai shtoi se kompania nuk ka ndërmend ta zëvendësojë shpejt konzolën aktuale.

Pavarësisht problemeve të furnizimit pas lansimit, PS5 ka shitur mbi 84 milionë njësi globalisht. Lempel theksoi se loja më e shitur e platformës “ende nuk është publikuar”.

Ekspertët thonë se përparimet teknologjike midis gjeneratave nuk janë më aq dramatike sa dikur, ndërsa zhvillimi i lojërave kërkon shumë më tepër kohë. Naughty Dog, për shembull, gjatë epokës së PS3 publikoi katër lojëra, ndërsa në PS5 ende asnjë.

Megjithatë, Sony ka disa projekte të mëdha në zhvillim, përfshirë Marvel’s Wolverine dhe Intergalactic nga Naughty Dog.

Sipas analistëve, kjo qasje e ngadaltë është pozitive për lojtarët: ata kanë më shumë kohë të shijojnë lojërat ekzistuese dhe përmirësimet teknike, ndërsa PS5 vazhdon të kryesojë tregun ndaj Xbox Series X/S.

Në segmentin portativ, megjithatë, Nintendo Switch mbetet në krye, si një nga konzolat më të shitura në histori. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Bugatti feston 20 vjetorin e Veyron në Las Vegas

Published

on

Bugatti riktheu në mënyrë spektakolare praninë e saj në Las Vegas për Concours 2025 në Wynn Las Vegas, duke festuar 20-vjetorin e Veyron-it ikonë me mbledhjen më të madhe ndonjëherë të këtij modeli.

Që nga debutimi i tij në vitin 2005, Veyron ka shënuar një epokë të re në botën e hipermakinave, duke kombinuar inxhinierinë e jashtëzakonshme me dizajnin inovativ dhe duke vendosur një standard të ri në performancë.

Për të nderuar trashëgiminë e tij, 47 Veyron u ekspozuan në lëndinat e pastra të Wynn, duke ofruar një pamje të rrallë të mjeshtërisë, inovacionit dhe historisë së automobilave.

Ndër modelet më të spikatura ishin Veyron Sang Noir me brendshme të kuqe, Sang Bleu me fibra karboni blu e Veyron Vagues de Lumière me pikturë të punuar me dorë. Koleksionistët prezantuan edicionet e Les Légendes de Bugatti dhe Veyron Super Sport, secili duke përfaqësuar një moment të veçantë në evolucionin e markës.

Në shfaqjen zyrtare të Bugatti-t, marka prezantoi edhe linjën e saj moderne, duke treguar ndikimin e qëndrueshëm të Veyron-it.

Modele si Chiron, Divo, Centodieci, Bolide dhe W16 Mistral shoqëruan debutimin e Tourbillon, një kryevepër të gjeneratës së ardhshme me motor krejtësisht të ri V16.

Festimi kulmoi me një Tour d’Elegance përgjatë Las Vegas Strip, ku gati 50 Bugatti kaluan pranë monumenteve më të njohura të qytetit. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Defekti teknik detyron Toyota-n të tërheq mbi 1 milion vetura nga tregu

Published

on

Kompania japoneze Toyota ka shpallur një tërheqje masive që prek më shumë se një milion automjete në mbarë botën, për shkak të një defekti në sistemin e kamerës së pasme.

Sipas njoftimit, kamera e pasme mund të mos shfaqet siç duhet në ekran nëse shoferi kryen veprime të caktuara pas ndezjes së automjetit.

Në disa raste, imazhi ngrin ose të mos shfaqet fare. Hetimet për problemin nisën në prill 2024, pasi Toyota mori raportime nga Japonia.

Gjatë testimeve, u konstatua se shkaku ishte një gabim në softuer, çka çoi kompaninë të lëshojë tërheqjen në fund të muajit të kaluar.

Ky problem mund të bëjë që automjetet të mos përmbushin standardet e sigurisë, ndaj Toyota ka vendosur të ndërhyjë menjëherë.

Tërheqja përfshin shumicën e modeleve Toyota dhe Lexus, dhe madje edhe Subaru Solterra, i zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë. /A.Z/UBT News/

Continue Reading

Teknologji

Shtyrje tjetër për Google në Korenë e Jugut, ende pa leje për eksportin e të dhënave të hartës

Published

on

Ministria e Tokës, Infrastrukturës dhe Transportit e Koresë së Jugut njoftoi të martën se ka shtyrë sërish vendimin për kërkesën e Google për leje eksportimi të të dhënave të hartave, duke theksuar se do të marrë një vendim përfundimtar vetëm pasi kompania të dorëzojë dokumentacion shtesë.

Sipas deklaratës zyrtare, Instituti Kombëtar i Informacionit Gjeografik do t’i japë Google një afat prej 60 ditësh pune, deri më 5 shkurt 2026, për të paraqitur materialet e kërkuara, raporton Telegrafi.

Koreja e Jugut kishte refuzuar kërkesat e ngjashme nga Google në 2007, duke përmendur shqetësime të lidhura me sigurinë kombëtare.

Në shtator, Google deklaroi se ishte e gatshme të plotësonte kërkesat e autoriteteve koreane për mbrojtjen e informacionit, duke siguruar që koordinatat e zonave brenda territorit të vendit të mos jenë të qasshme për përdoruesit, si brenda ashtu edhe jashtë Koresë së Jugut.

Kompania kishte pranuar gjithashtu të turbullonte imazhet e objekteve të ndjeshme për sigurinë.

Ministria koreane sqaroi se Google ende nuk ka dorëzuar një version të përditësuar të kërkesës që pasqyron këto ndryshime, duke theksuar se mospërputhjet midis deklaratave publike të kompanisë dhe dokumenteve të dorëzuara po e vështirësojnë procesin e shqyrtimit.

Google kërkon miratim për të eksportuar të dhëna hartash me shkallë 1:5,000 — ekuivalente me 50 metra për centimetër — të njëjta me ato që përdorin platformat vendase si Kakao Corp (035720.KS) dhe Naver (035420.KS).

Aktualisht, kompania operon me të dhëna në shkallë 1:25,000, që i konsideron të pamjaftueshme për navigim të saktë. /A.Z/UBT News/

 

Continue Reading

Të kërkuara