Lajmet

​Tri gra të vrara e mbi 2 mijë raste të dhunës familjare gjatë 2023-ës

Shteti sërish u trondit me vrasjen e tyre nga burrat.

Published

on

Edhe 2023-ta u përgjak me privimin nga jeta të tri grave. Shteti sërish u trondit me vrasjen e tyre nga burrat. Naim Murseli dyshohet se planifikoi vrasjen e bashkëshortes, Liridona Ademajt, ani pse ai vetë nuk ishte dorasi. Urim Hyseni dyshohet se ekzekutoi nënën e tij, duke ia prerë kokën e ther në 22 vende të trupit.

Në gusht të vitit të kaluar, e pasigurt ishte edhe një grua argjentinase në Fushë-Kosovë, ku edhe në këtë rast dyshohet se vrasësi ishte burri i saj.

Organizatat që avokojnë për të drejtat e grave konsiderojnë, se ka dështuar zinxhiri institucional në trajtimin e rasteve të dhunës në familje. Po ashtu, thuhet se 90 për qind e rasteve të dënimeve për dhunë janë me gjobë, e shumë pak me burgim efektiv. Veç kësaj kërkojnë që të punohet në parandalim, për çka ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu deklaron se kanë ndërmarrë disa veprime.

Policia e Kosovës njofton se gjatë vitit të kaluar janë vrarë tri gra e janë raportuar mbi 2000 raste të dhunës në familje.

“Gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë evidentuar 2.186 raste të dhunës në familje. Viktimë të këtyre rasteve kanë qenë 1.763 femra dhe 497 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur katër raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar pesë viktima (një rast me dy viktima), dy meshkuj dhe tri femra”, thuhet në njoftimin e PK-së.

Shteti ka dështuar të parandalojë këto raste, thotë për Arrita Rezniqi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD). Ajo shton se ende këto raste nuk kanë arritur të adresohen në mënyrën e duhur nga institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

“Në vazhdimësi, ne kemi raportuar dhe kemi përmendur raste ku ka dështuar zinxhiri institucional, qoftë në fazën e trajtimit të rastit në polici, qoftë pastaj në fazën e trajtimit në prokurori apo në fund edhe në gjykatë. Kur them në gjykatë, në vazhdimësi vërejtjet tona më të mëdha kanë pasur të bëjnë me politikën ndëshkimore në këto raste, sepse rastet e dhunës në familje fatkeqësisht në bazë të hulumtimit tonë nuk kanë marrë dënimet e merituara. Dhe në momentin kur prej gjykatave ka një trajtim të tillë dhe prej institucioneve ka një neglizhencë, atëherë këto automatikisht përkthehen në rritje të rasteve, në riviktimizim të viktimave dhe fatkeqësisht edhe përfundojnë me raste në fatalitet”, thekson ajo.

Sipas saj, rastet me fatalitet janë pikërisht ato që paraprakisht janë raportuar, por që nuk janë ndërmarrë masa të duhura.

Edhe Adelinë Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës, thotë se iu takon institucioneve të Kosovës të punojnë në parandalimin e dhunës në familje.

“Është shqetësuese kur i kemi rastet kur kanë qenë të njohura për institucionet tona e që kanë përfunduar me fatalitet. Nuk po flas vetëm për 2023, por kemi pasur raste edhe në të kaluarën, të cilat për shkak të mos efikasitetit të punës së institucioneve kanë përfunduar me fatalitet… Parandalimi është një fushë që na takon gjithë shoqërisë, veçanërisht institucioneve, mirëpo është një rol të cilin e kemi edhe ne si individë, për ta parandaluar dhunën, por edhe shteti veçanërisht me mënyrat e ndryshme mund ta parandalojë këtë. Një prej këtyre formave, përveç infrastrukturës ligjore, fushatave vetëdijesuese është edhe ashpërsimi i dënimeve për rastet e dhunës me bazë gjinore. Ne shpesh kemi parë fatkeqësisht që dënimet për këto raste kanë qenë shumë të ulëta – mbi 80 ose 90 për qind të dënimeve për dhunë janë me gjobë, dënime alternative dhe ka shumë pak dënime me burgim efektiv”, shprehet Berisha.

Gjatë insistimit të grave për raportim të dhunës në stacion policor, Berisha thotë se kanë vërejtur se policia nuk ruan konfidencialitetin e tyre.

“Në momentin kur ti hyn në stacion policor ka zyrtarë, të cilët nga largësia thërrasin ‘kush ke viktima e dhunës në familje’. Normal, që kjo automatikisht do ta dekurajojë viktimën për t’u ndjerë rehat dhe të flasë për përjetimet e dhunës së saj. Fillimisht, konfidencialiteti, besueshmëria, është një parim, i cili duhet të mbrohet në rastet e dhunës e që shumë shpesh institucionet kanë dështuar. Fajësimi i viktimës, pyetjet që iu bëhen viktimave ‘çfarë ke bërë ti, çfarë ke pasur vesh, a ia ke kthyer fjalën, a ia ke përgatitur drekën’, të gjitha këto aludojnë që faji është te viktima, që ajo me veprimet e veta ka bërë diçka që e ka detyruar ushtruesin e dhunës të ushtrojë dhunë ndaj saj”, shprehet Berisha.

Për rastin e fundit të vrasjes së Liridona Ademajt, flet edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila konsideron se ky është rasti më i rëndë dhe tragjik.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që rastet e tilla të parandalohen, por nëse kjo ka ndodhur tashmë, siç është edhe rasti i fundit i të ndjerës, Liridonës, institucionet e drejtësisë të bëjnë punën e tyre. Në këtë rast unë kam përgëzuar edhe punën e policisë dhe prokurorisë, sepse përbrenda një kohe shumë të shkurtër janë arrestuar personat e dyshuar. Ju e dini që ka pasur një tendencë që të manipulohet me të vërteten, duke thënë që ky rast ka qenë një rast i grabitjes dhe si pasojë me vrasje. Por që doli krejtësisht ndryshe ku një prej vrasësve, gjegjësisht personave që kishte urdhëruar vrasjen, ishte vetë bashkëshorti i së ndjerës, Liridonës”, tha Haxhiu.

Përkundër rasteve fatale, Haxhiu konsideron se institucionet kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e rasteve të dhunës familjare. Ajo përmend strategjinë për parandalimin, për çka thotë se obligon institucionet të ndërmarrin veprime.

“Kemi mundësuar kompensimin e viktimave të krimit, kemi ofruar ndihmë juridike falas, si rrallë ndonjë vend tjetër, pavarësisht gjendjes socio-ekonomike të viktimave të dhunës. Po ashtu, kemi ashpërsuar dënimet për kryerësit e dhunës në familje, por edhe ata të dhunës seksuale, ashtu që personat që shpallen fajtorë për dhunë në familje apo dhunë seksuale, marrin edhe dënime plotësuese që iu pamundësohet punësimi në institucione publike brenda periudhës që e përcakton gjykata. Gjithashtu, së fundmi kemi miratuar edhe protokollin, gjegjësisht programin e parë për rehabilitimin e dhunuesve, sepse është interes i shtetit që personat që vuajnë dënimin për vepra të tilla të rehabilitohen dhe të kthehen me sjellje të përgjegjshme në shoqëri dhe jo të përsërisin vepra penale”, tha Haxhiu.

Në kuadër të fushatës globale të “16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore” është lansuar edhe masa për punësimin e viktimave të dhunës në familje.

“Duke pasur parasysh që edhe përkundër rasteve që raportohen rreth dy mijë, pak më shumë se dy mijë në vit, ne konsiderojmë që kemi edhe shumë raste të tjera të cilat nuk raportohen. Arsyeja për këtë ka të bëjë ndoshta me mungesën e pavarësisë ekonomike të vajzave dhe grave që i bën që ato ta durojnë dhunën dhe ta mbajnë të izoluar brenda mureve të shtëpisë. Kësisoj kërkohet një koordinim me institucionet tjera. Në këtë rast si koordinatore nacionale për parandalim të dhunës në familje dhe adresim të dhunës në familje dhe në baza gjinore, jam duke u përpjekur maksimalisht që të kemi koordinim të duhur me institucionet e drejtësisë dhe Policinë e Kosovës, sikurse edhe me qendrat për punë sociale dhe strehimore që strehojnë viktimat”, përfundon ajo.

Ajo deklaron se janë në pritje të Ligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ku mendohet se do t’u jepen në shfrytëzim viktimave të dhunës në familje. Të gjitha këto raste të vrasjeve të grave gjatë vitit të kaluar po hetohen në institucionet kompetente, për çka epilogu pritet këtë vit.

Lajmet

Ditari: Lajmet kryesore që shënuan datën 4 shtator 1993-1998

Published

on

By

Në rubrikën Ditari, kemi përzgjedhur disa nga lajmet më të rëndësishme të kësaj dite, në periudhën 1993-1998.

4 shtator 1995

Kumtesë e KMDLNJ lidhur me gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë

Krahas kolonizimit të Kosovës me serbë nga Kraina e Kroacisë, regjimi serb i Beogradit, po vazhdon përpjekjet që përmes dhunës, të krijojë gjendje të padurueshme dhe të paperspektivë për popullin shqiptar dhe të provokojë konflikte, të cilat mund të kenë pasoja të paparashikueshme, thuhet në fillim të kumtesës së KMDLNJ-së për gjendjen aktuale në Kosovë.

Përveç disa qindra rasteve individuale dhe kolektive të ushtrimit të dhunës në komunat e Podujevës, Vushtrrisë, Prishtinës, Gllogocit, Kaçanikut, Gjilanit, Mitrovicës, Skënderajt, Ferizajt etj., që shënojnë një rritje të dukshme të dhunës, policia dhe ushtria serbe janë duke bërë provokime të hapëta, si me rastin e vrasjes mizore të Ymer Devish Agushit (22 vjeçar) baba i një fëmije, nga Gërçina e Gjakovës, më 26 gusht.

Në kumtesë më tutje thuhet se me arrestimin dhe keqtrajtimin e dhjetëra qyetarëve të pafajshëm shqiptarë të fshatrave Radavc, Jabllanicë e Madhe, Jabllanicë e Vogël dhe Novosellë, gjoja në kërkim të kriminelëve pas gjetjes së një kufome të masakruar në Bjeshkën e Zhlepit të Pejës; e mësimdhënësve dhe qytetarëve në lokalet e shkollës “Zenel Hajdini” në Prishtinë; të veprimtarëve për të drejtat e njeriut dhe atyre politikë; shqetësimin dhe keqtrajtimin e dasmorëve në Ferizaj; përzënien e shqitparëve nga Kosova, si në rastin e Gani Bajraktarit nga Ferizaj, më 9 gusht; mohimin e dokumenteve personale qytetarëve shqiptarë në komunën e Obiliqit dhe komunat tjëera të Kosovës; hapjen e proceseve të reja gjyqëesore dhe dëenimin e aktivistëve politikë dhe të atyre për të drejtat e njeriut si dhe të qytetarëve të pafajshëm shqiptarë; uzurpimin me dhunë të shtëpive të qytetarëve shqiptarë nga kolonët serbë nga Kraina me lejen e policisë dhe të organeve shtetërore serbe; nxjerrjen para gjyqit të Ganimet Podvoricës, i cili akuzohet për vepër terroriste; lajmet e shpifura mbi vrasjen e policëve në komuna të ndryshme të Kosovës dhe keqtrajtimi masiv i qytetarëve shqitparë; akuzat e pabaza ndaj shqitparëve për vrasjen e ushtarëve serbë në kufirin shqiptaro-serb e kështu me radhë, synohet mbjellja e psikozës së frikës dhe jetës së padurueshme për shqiptarët në Kosovë, me qëllim të ikjes së tyre nga Kosova”.

Në tendosjen e situatës jashtëzakonisht të acaruar në Kosovë, armata serbe luan një rol gjithnjë e më të ndjeshëm, thuhet më tutje në kumtesë.

“Më 22 gusht 1995 rreth orës 17:00 në Ferizaj, në lagjen “Prizreni”, nga kazerma e qytetit, ushtarët serbë me trombllonë mbi 50 herë gjuajtën në shtëpitë e qytetarëve shqiptarë, të cilat gjenden në afërsi të kazermës.

Shtëpitë e qytetarëve shqiptarë gjenden në afërsi të kazermës. Nga trombllonët e ushtrisë serbe, u dëmtuan shtëpitë e Faik Rizanit, Rifat Bekteshit, Isa Halimit, Ismet, Shefki e Ilmi Ukzajmit etj.

Policët që bënë shikimin e vendit dhe mblodhën mbi 20 trombllone më tepër ishin të shqetësuar pse predhat nuk e kishin goditur fotografinë e kryetarit të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, të vendosura në muret e shtëpive të qytetarëve, se sa për rrezikun që u kërcënohej qytetarëve. Për të qenë ironia edhe më e madhe, policët u propozojnë të dëmtuarëve që herave të tjera, në rastet e ngjashme, që duhet të priten në të ardhmen, të lajmërojnë organet ushtarake të kazermës.

Këshilli pëer Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, që nga themelimi vazhdimisht ka tërhequr dhe vemendjen e opinionit për shkeljet e rënda të të drejtave individuale dhe kolektive të njeriut në Kosovë, me theks të posaçëm në brutalitetin dhe vrazhdësinë e sjelljeve të organeve policore, ushtarake dhe të organeve tjera shtetërore serbe në Kosovë.

Duke pasur parasysh seriozitetin e situatës së tillë, KMDLNJ edhe kësaj radhe apelon te të gjitha organizatat simotra në botë dhe Komiteti Ndërkomëtar, të ndërmarrin atë ç’ është e mundur për t’i dhënë fund dhunës dhe veprimeve provokative të policisë, ushtrisë dhe organeve shtetërore serbe në Kosovë, në mënyrë që të parandalohet konflikti i mundshëm, që do të sillte tragjedi të reja në Ballkan.

 

4 shtator 1997

Të shtëna enigmatike në stacionin e policisë në Kërpimeh të Podujevës

Mbrëmë, rreth orës 23. 45 minuta, në afërsi të stacionit të policisë në Kërpimeh të Podujevës, u dëgjuan të shtëna armësh. Në njoftimin e Komisionit për Informim të Degës së LDK-së në Podujevë thuhet se të shtënat zgjatën rreth një orë, ndërsa gjatë kësaj kohe u dëgjua edhe një detonim.

Gjurmët e të shtënave vërehen edhe në shtëpitë përreth këtij stacioni.

Nga Podujeva njoftohet se për në Kërpimeh kanë shkuar forca të shtuara të policisë, me vetura dhe me autoblindë. Gjendja në këtë lokalitet është e rëndë, ndërsa policia e vendosur në katër punkte po kontollon të gjitha veturat dhe kalimtarët. Lëvizje të shtuara të policisë vërehen sot edhe në Podujevë.

Tash për tash nuk ka njoftime më të hollësishme për këtë situatë të pasqaruar as për epilogun e saj.

 

4 shtator 1998

Prizren: Para stacionit të policisë serbe u sollën mbi 30 shqiptarë të arrestuar

Prishtinë, 4 shtator (QIK)

Sot në orën 10:30, para stacionit të policisë serbe në Prizren, policia serbe solli me autobus mbi 30 shqiptarë të arrestuar, të cilët nga policët serbë detyroheshin që t’i ngritnin tre gishta lartë, njofton KI i Degës së LDK-së në Prizren.

I njëjti burim konfirmon se policia serbe ka arrestuar edhe disa civilë të tjerë shqiptarë.

 

Në Lubizhdë vdiq një foshnje 6 muajshe

Në Lubizhdë të Malishevës gjatë ditëve të fundit janë vendosur shumë banorë të ikur nga fshatrat e sulmuara, Sferka, Llapçeva, Panorci etj.

Njoftohet se, për shkak të kushteve të rënda të jetës, në këtë fshat sot në mëngjes vdiq foshnja gjashtëmuajshe Besart Tafaj nga Carraleva.

 

Klinë: Granatime të fshatrave – 8 mijë banorë pa kulm mbi kokë

Edhe sot që nga orët e hershme të mëngjesit e deri në mesditë, forcat serbe kanë vazhduar së granatuari me armë të rënda artilerike fshatrat Gremnik, Çupevë e Lartë, Çupevë e Ulët, Volljak, Sferkë e fshatra të tjera, bën të ditur KI i Degës së LDK-së në Klinë.

Në këto fshatra deri tash janë plaçkitur e djegur qindra shtëpi shqiptare, ndërsa rreth 8 mijë banorë shqiptarë kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Banorët e këtushëm janë vendosur në malet rreth Panorcit e Llapçevës, ku gjenden edhe mijëra të zhvendosur të tjerë shqiptarë pa ushqime, ilaçe e gjësende të tjera më elementare për jetë.

Njoftohet gjithashtu se gjatë ofensivës së fundit të forcave serbe në fshatrat e Klinës, në fshatin Çabiq patën mbetur tri plaka dhe Halime Gashi (53), e sëmurë e cila vdiq para dy ditësh.

Bëhet e ditur se e ndjera Halime Gashi ishte e palëvizshme dhe e sëmurë nga kanceri, ndërsa ajo është varrosur në oborrin e shtëpisë së saj nga tri plakat tjera shqiptare që mbetën në këtë fshat.

 

Continue Reading

Lajmet

Shqipëria ndalon importin e mishit nga Brazili, rriten shqetësimet për shtrenjtim të çmimeve

Published

on

By

Shqipëria ka ndaluar zyrtarisht importin e mishit nga Brazili, në zbatim të një direktive të kërkuar nga Bashkimi Europian. Ky vendim prek drejtpërdrejt tregun vendas, ku shteti latin mbulonte një të tretën e furnizimit të përgjithshëm me mish.

Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë periudhës janar-korrik të këtij viti, nga 28 mijë tonë mish të importuar në Shqipëri, rreth 9.200 tonë (apo 33%) kishin origjinë braziliane. Prania e mishit brazilian në tregun shqiptar ka shënuar rritje të vazhdueshme ndër vite, nga 16% që ishte në vitin 2021 në 29% gjatë vitit 2025.

Me mbylljen e kësaj rruge tregtare, importuesit vendas detyrohen të gjejnë tregje të reja furnizimi. Ekspertët paralajmërojno se kalimi në alternativa më të shtrenjta mund të krijojë presion për rritjen e çmimeve të mishit për konsumatorin përfundimtar. /E.A/

 

Continue Reading

Lajmet

Sot dorëzohet aktakuza për krimet e luftës në Prekaz

Published

on

By

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë një konferencë për media lidhur me dorëzimin e aktakuzës për krimet e luftës të kryera në lagjen e Jasharajve, në Prekaz të Skenderajt.

Sipas njoftimit zyrtar, konferenca do të zhvillohet në ambientet e Prokurorisë Speciale (kati VI), me fillim nga ora 13:30.

Gjatë këtij takimi me gazetarë, prokurorët e çështjes pritet të shpalosin detaje rreth përmbajtjes së aktakuzës dhe personave të akuzuar për masakrën dhe krimet e kryera në këtë ngjarje historike. /E.A/

Continue Reading

Lajmet

Britani: Dënohet familja shqiptare që drejtonte rrjetin e kokainës në Mançester

Published

on

By

Gjykata “Manchester Crown Court” në Britaninë e Madhe ka dënuar me burgim anëtarët e një grupi të organizuar kriminal që merrej me shpërndarjen e kokainës. Në krye të rrjetit ndodhej 44-vjeçari Rezart Balesi, i cili u dënua me 7 vite e 6 muaj burg, ndërsa në burg përfunduan edhe djali i tij 22-vjeçar, Joshua Balesi (4 vite burg) dhe vëllai Refail Balesi (5 vite e 3 muaj burg).

Sipas hetimit të kryer nga njësia rajonale kundër krimit të organizuar (NWROCU), grupi përdorte një lokal në zonën e Bury-t si bazë operative, ndërsa porositë e drogës merreshin përmes aplikacionit WhatsApp dhe u shpërndaheshin klientëve nga korrierë të besuar. Hetimet treguan se rrjeti, i cili funksiononte nga maji i vitit 2024 deri në mars të vitit 2026, gjeneronte deri në 9,000 paund në një natë të vetme.

Gjatë dhënies së vendimit, gjykatësja e çështjes kritikoi ashpër kryetarin e grupit, Rezart Balesi, për futjen e djalit të tij në rrugën e krimit që në moshën 18-vjeçare.

Përveç anëtarëve të familjes Balesi, gjykata dënoi edhe pesë persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal: Fatos Vrenezi (53 vjeç) – u dënua me 4 vite burg, Imanuel Lumaj (30 vjeç) – u dënua me 3 vite e 9 muaj burg, Fjoraldo Lukaj (31 vjeç) – u dënua me 3 vite e 6 muaj burg dhe përballet me dëbim nga Britania, Lorenzo Canovi (48 vjeç) – u dënua me 37 muaj burg, Antonino Precaj (33 vjeç) – u dënua me 27 muaj burg për përfshirje në kultivim kanabisi.

Continue Reading

Të kërkuara