Gjatë 24 orëve të fundit tre mjekë janë sulmuar nga qentë endacakë, dy nga ta në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe një jashtë QKUK-së. Lajmi u konfirmua nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës.
“ShSKUK ka kërkuar dhe në vazhdimësi dhe kërkon nga organet kompetente që të trajtojnë me prioritet çështjen e qenve endacak brenda oborrit të QKUK-së. Poashtu, konfirmojmë se tre mjekët kanë marrë trajtimin e duhur mjekësor në kuadër të QKUK-së”, thuhet në njoftim./UBTNews/
RILEM Association, një nga organizatat ndërkombëtare më të njohura në fushën e materialeve, sistemeve dhe strukturave të ndërtimit, do të bashkë-sponsorizojë Konferencën Ndërkombëtare për Inxhinieri Civile, Inovacion dhe Mjedis (ICCEIE), e cila do të mbahet më 23–25 tetor 2026, në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së.
Konferenca do të mbledhë ekspertë ndërkombëtarë, profesorë, studiues, profesionistë të industrisë dhe përfaqësues të institucioneve nga Kosova dhe jashtë saj, duke krijuar një platformë të rëndësishme për shkëmbimin e njohurive, prezantimin e rezultateve të reja shkencore dhe diskutimin e sfidave që lidhen me zhvillimin e ardhshëm të sektorit të ndërtimtarisë.
Në fokus të edicionit të sivjetmë do të jenë tema me rëndësi të veçantë për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit të ndërtimit, me theks të veçantë në restaurimin dhe ruajtjen e objekteve historike, ndërtimin e gjelbër, teknologjitë e avancuara dhe zgjidhjet inovative për ndërtim të qëndrueshëm.
Në kuadër të konferencës do të zhvillohen ligjërata dhe prezantime nga ekspertë të njohur ndërkombëtarë, përfshirë key lectures nga universitete prestigjioze evropiane, si Universiteti “La Sapienza” i Romës, krahas një numri të konsiderueshëm prezantimesh shkencore dhe profesionale.
Konferenca zhvillohet në një periudhë të rëndësishme për Fakultetin e Ndërtimtarisë të UBT-së, i cili, bazuar në të dhënat e indeksuara në Scopus, ka një pozitë udhëheqëse sa i përket publikimeve shkencore në fushën e ndërtimtarisë në Kosovë dhe në hapësirën shqipfolëse.
Përmes kësaj konference, UBT synon të avancojë më tej bashkëpunimin ndërmjet shkencës, industrisë dhe praktikës profesionale, duke krijuar mundësi për bashkëpunime të reja, projekte të përbashkëta, shkëmbim të përvojave dhe zhvillim të zgjidhjeve inovative për sfidat e sektorit të ndërtimit.
Thirrja për abstrakte është e hapur, ndërsa studiuesit dhe profesionistët e interesuar mund t’i dërgojnë abstraktet e tyre në adresën [email protected].
Profesoresha e Fakultetit të Psikologjisë në UBT, Fatbardha Qehaja – Osmani, së bashku me bashkëautoren Elma Berisha, ka publikuar një studim të ri shkencor në revistën ndërkombëtare Child Neuropsychology, revistë e specializuar në zhvillimin normal dhe jo-normal të fëmijëve dhe adoleshentëve.
Studimi me titull “Working memory, updating and vocabulary development in Albanian-speaking children aged 8 and 10: the primacy of socioeconomic status” trajton marrëdhënien ndërmjet zhvillimit të fjalorit, kujtesës punuese, aftësisë për përditësimin e informacionit, dhe statusit socioekonomik te fëmijët që flasin shqip.
Studimi tregon se zhvillimi i fjalorit receptiv te fëmijët shqipfolës ndikohet si nga faktorët kognitiv, ashtu edhe nga faktorët mjedisorë. Statusi socio-ekonomik (SES) doli të ishte faktori më i rëndësishëm, duke treguar se mjedisi familjar, ekspozimi ndaj gjuhës dhe mundësitë për arsimim luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e fjalorit.
Kujtesa punuese pati një ndikim më të kufizuar në zhvillimin e fjalorit dhe ky ndikim ndryshonte në varësi të statusit socio-ekonomik. Gjetjet sugjerojnë se aftësia e kujtesës punuese nuk është e mjaftueshme për të nxitur zhvillimin e fjalorit nëse mjedisi socio-ekonomik kufizon mundësitë e fëmijës për ekspozim dhe përvojë gjuhësore.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur sot në takim udhëheqësen e Sektorit të Operacioneve Aktuale në Divizionin e Operacioneve të NATO-s, Blanca Hereza Atienza, e cila shoqërohej nga delegacioni i saj.
Fokus i këtij takimi ishin zhvillimet e fundit të sigurisë në rajon, situata aktuale, si dhe rëndësia e bashkërendimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës Veriatlantike.
Gjatë bisedës, ministri Maqedonci vlerësoi lart bashkëpunimin dypalësh dhe rolin e NATO-s në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë e më gjerë.
Ai ritheksoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për thellimin e këtij partneriteti dhe për të dhënë kontributin e saj me kapacitetet ekzistuese në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. /E.A/
Gjykata ka përfunduar shqyrtimin gjyqësor ndaj Xhelal Sveçlës lidhur me rastin e gazit lotsjellës në Kuvend, ndërsa shpallja e aktgjykimit është caktuar për 2 shtator.
Në fjalën përfundimtare Prokuroria ka kërkuar që Sveçla të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit, duke renditur disa prova dhe dëshmi që, sipas saj, vërtetojnë kryerjen e veprës penale, raporton”Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Avni Namani ka thënë se në CD-në e administruar si provë materiale, ku është incizuar seanca e Kuvendit, shihet momenti kur Sveçla aktivizon bombolën e gazit lotsjellës dhe e hedh brenda sallës së seancave plenare.
Sipas Namanit, pas përhapjes së gazit, personat e pranishëm largohen nga salla. Prokuroria ka përmendur edhe fotoalbumin e përpiluar nga zyrtarët policorë, ku, sipas saj, dokumentohet gjetja e bombolave të gazit lotsjellës, të aktivizuara dhe të paaktivizuara, në sallën plenare.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, në raportin e vendit të ngjarjes janë dokumentuar 18 dëshmi materiale, shumica prej tyre bombola të gazit lotsjellës.
Në anën tjetër, mbrojtja ka kërkuar aktgjykim lirues, duke pretenduar se nuk është vërtetuar se Sveçla ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Avokati Luar Prenaj ka deklaruar se ekspertiza nuk përputhet me veprimet e të mbrojturit të tij, ndërsa sipas tij, edhe pamjet e video-incizimeve nuk dëshmojnë simptomat e përmendura në aktakuzë te deputetët e pranishëm.
Në fjalën e tij përfundimtare, Sveçla ka thënë se veprimi për të cilin po gjykohet ka qenë aktivitet politik, me qëllim kundërshtimin dhe parandalimin e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi.
“Si mundet që për humbjen e territorit të mos japë llogari askush, por për pengimin e tij të kërkohet përgjegjësi penale?”, ka deklaruar Sveçla, duke shtuar se territori që, sipas tij, ishte kërkuar të mbrohej nuk është më pjesë e territorit të Kosovës.