Leonardo DiCaprio do të nderohet me një nga çmimet më prestigjioze të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Palm Springs.
Aktori do të marrë Çmimin Desert Palm Achievement Award, i cili i jepet artistëve që kanë shënuar arritje të madhe në kinematografi.
Lajmin e bëri të ditur kryetari i festivalit, Natchatar Singh Chandi, i cili vlerësoi performancën e DiCaprios në “One Battle After Another”.
“Në filmin ‘One Battle After Another’, Leonardo DiCaprio ofron një performancë bindëse dhe të ngarkuar emocionalisht, duke portretizuar një njeri të shtyrë deri në kufijtë e tij përballë vështirësive të mëdha”, tha Chandi.
Ai shtoi se gjatë gjithë karrierës së tij, DiCaprio ka sfiduar kufijtë e mundësive të aktrimit, duke sjellë gama emocionale, integritet artistik dhe përkushtim të palëkundur në çdo rol.
Filmi, i shkruar, drejtuar dhe prodhuar nga Paul Thomas Anderson, ndjek historinë e Bob Ferguson, një ish-rebel që përballet me harresën dhe pasivitetin e jetës së tij.
Kur armiku i tij i betuar, i interpretuar nga Sean Penn, rikthehet pas 16 vitesh dhe vajza e tij zhduket, Ferguson nis një udhëtim të dëshpëruar për ta gjetur. Ngjarjet e detyrojnë babanë dhe vajzën të përballen me trauma të vjetra që nuk i kanë kapërcyer kurrë.
Në kast përfshihen Regina Hall, Teyana Taylor, Alana Haim dhe Benicio del Toro. Filmi është xhiruar me VistaVision 35 mm, duke i dhënë një estetikë klasike dhe vizuale të fuqishme, kryesisht në Kaliforni dhe El Paso, Teksas.
Performanca ka marrë vlerësime nga kritika,filmi ka pasur sukses komercial, duke grumbulluar mbi 200 milionë dollarë në mbarë botën.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Palm Springs, i themeluar më 1990, është bërë një nga eventet më të rëndësishme kinematografike.
Edicioni i ardhshëm zhvillohet nga 2 deri më 11 janar 2026, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimeve do të mbahet më 3 janar në Qendrën e Konventave të Palm Springs. Nderimi i DiCaprios pritet të jetë një nga momentet më të spikatura të festivalit, duke theksuar edhe njëherë statusin e tij si një nga aktorët më të vlerësuar të gjeneratës së tij. /A.Z/UBT News/