Lajmet

Trajtimi dhe parandalimi i dhunës së fëmijëve i domosdoshëm

Nagavci ka thënë se sfidë vazhdon të mbetet raportimi i rasteve të dhunës në shkolla.

Published

on

Në tryezën me temën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”, është thënë se trajtimi dhe parandalimi i dhunës së fëmijëve është i domosdoshëm.

Në këtë tryezë të organizuar nga Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ministrja e MAShT, Arbërie Nagavci ka thënë se sfidë vazhdon të mbetet raportimi i rasteve të dhunës në shkolla.

“Raportimi vazhdon të mbetet si një nga sfidat shumë të mëdha […] Raportimi i këtyre rasteve vazhdon të jetë shumë i vogël gjatë viteve 2018-2019 kemi pas vetëm 18 raste të raportuara gjatë vitit 2020-2021 15 raste dhe viti 2021-2022 deri më tani janë 20 raste të raportuara. Raportimet deri në vitin e fundit deri më tani janë më të mëdha në krahasim me vitet e kaluara”, theksoi Nagavci.

Nagavci ka treguar se janë në proces të angazhimit të një numri më të madh të psikologëve dhe pedagogëve, e ku theksoi se aktualisht në nivel vendi janë 146 staf psikologë e pedagogë.

“Jemi në proces të angazhimit të një numri më të madh të psikologeve dhe pedagogëve në mënyrë që të ofrohet një shërbim profesional në shkolla. Këtu situata është mjaftë shqetësuese që në nivel komunash shumë herë buxheti që është ndarë për psikolog dhe pedagog është përdorur nga ana e komunave për punësime të kuadrove tjera. Ndonëse në buxhet janë paraparë 520 psikolog aktualisht në nivel vendi kemi gjithsej 146 staf psikologë dhe pedagogë”, tha ajo.

Ardian Gola, kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport tregon që dhuna në shkollë po vazhdon të jetë shqetësuese dhe se ëndrrat e fëmijëve janë një botë pa dhunë. Ai tregon një moment ku kishte qenë dëshmitar kur një fëmijë ishte goditur me shuplakë.

“Qëllimi i këtij takimi është diskutimi përkitazi me integrimin e politikave dhe shërbimeve për trajtimin ndaj dhunës së fëmijëve me fokus në shkollë […] Dhuna në shkollë mbetet një dukuri shqetësuese në vendin tonë, plagosjet me thikë e deri tek akti më i rende i marrjes se jetës janë raportuar e po raportohen në vazhdimësi kjo si formë më e dhunshme ndërkohë që format tjera të buta të dhunës ndaj fëmijëve i shfaqin pothuajse çdo ditë. Personalisht isha dëshmitare para dy dite se si një fëmijë goditej me shuplakë në fytyre në publik, ishte ngjarje goxha tmerruese, gjë që më bëri të kuptojë se në këtë tryezë jemi paksa të vonuar”, tha ai.

Larissa Brunn nga Zyra e UNICEF në Kosovë tha se statistikat janë ato që flasin vetë dhe se bashkërisht duhet t’i bashkojmë sektorët që ta trajtojmë këtë fushë.

“Format më të këqija të dhunës shihen nga syri publik, fëmijët sidomos fëmijët me aftësi të kufizuar dhe ata që jetojnë në varfëri dhe ata në kujdes institucional ata që janë ndarë nga familjet – janë më së shumti në rrezik të dhunës. Dhuna nuk është e pranueshme asnjëherë në asnjë rrethanë dhe është gjithmonë e parandalueshme…Dhuna në shkolla mund të zvogëloj pjesëmarrjen në shkollë dhe të rrisë shkallën e braktisjes së shkollës me pasoja”, u shpreh Burnn.

Petrit Tahiri anëtar i bordit të KOMF thotë se e vetmja zgjidhje për parandalimin e këtyre rasteve të dhunës së fëmijëve është trajtimi, referimi dhe raportimi.

“Ashtu siç janë të shumta dhe të larmishme shkaqet e dhunës në shkolla, po aq të shumta dhe të larmishme do të duhej të ishin edhe intervenimet. Pra qasja uniforme ndaj problemit të dhunës nuk është se do të sjellë rezultat. E vetmja gjë që do duhej të jetë uniforme për gjithë shoqërinë është angazhimi i gjithëve se rastet e dhunës pa marrë parasysh intensitetin e tyre të trajtohen, referohen dhe raportohen”, tha ai.

Deputetja nga AAK, Albena Reshitaj tha se dhuna në shkolla po vazhdon të jetë shqetësuese e për çka kërkon ndërhyrje të menjëhershme. Madje ajo e quan të vonshëm takimin më tematikën “Integrimi i politikave dhe shërbimeve për trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve, me fokus në shkollë”.

“Ajo çfarë unë kam potencuar dhe që është e domosdoshme që edhe ne si politike-bërës ta shtyjmë përpara është që brenda programit për arsim në programin qeverisës 2021-2025 të kemi një program për zhvillim psikologjik dhe social të fëmijëve. Për mua është shumë e rëndësishme që Kosova të ketë program adekuat për përkrahje emocionale dhe sociale për fëmijët duke u nisur nga kopshti, parashkolloret edhe nga niveli i ulet arsimor. Sepse nëse më të vërtet duam ta zgjidhim çështjen duhet ta luftojmë dhe punojmë shumë në parandalimin e pasojave”, u shpreh Reshitaj.

Në Kosovë, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2020, 72% e fëmijëve kanë përjetuar dhunë në mjediset familjare. 

Lajmet

Kapiteni i FSK-së përfundon kursin e Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane

Published

on

Kapiteni i Forcës së Sigurisë së Kosovës, E.V., ka përfunduar me sukses Kursin Kualifikues të Forcave Speciale të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të njohur si “U.S. Army Special Forces Qualification Course”.

Kursi u zhvillua në “U.S. Army John F. Kennedy Special Warfare Center and School” në SHBA dhe zgjati më shumë se tetë muaj, nga janari deri në shtator 2026.

Gjatë këtij programi, kapiteni përfundoi trajnimin për kualifikimin “Green Berets”, i cili përfshin përgatitje të avancuar në taktikat e njësive të vogla, planifikimin dhe udhëheqjen e operacioneve speciale, si dhe kualifikimin “18A Special Forces Detachment Officer”. Programi përfshiu edhe ushtrimin përfundimtar “Robin Sage”.

Në përfundim të kursit, E.V. u vlerësua me titullin “Distinguished Honor Graduate”, si dëshmi e performancës së lartë profesionale, lidershipit dhe përkushtimit gjatë gjithë procesit të kualifikimit.

“Kjo arritje përfaqëson një sukses të rëndësishëm profesional dhe njëkohësisht dëshmon përkushtimin e vazhdueshëm të FSK-së për ngritjen e kapaciteteve në fushën e operacioneve speciale, zhvillimin e kuadrove profesionale dhe avancimin e ndërveprueshmërisë me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerët strategjikë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja vazhdojnë investimet në zhvillimin profesional të pjesëtarëve përmes edukimit dhe trajnimeve në institucionet ushtarake të vendeve partnere./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Kapet mbi 41 kilogramë kokainë në Portin e Durrësit, vlera rreth 2 milionë euro

Published

on

Policia e Shtetit ka goditur një tjetër rast të tentativës për futjen e lëndëve narkotike në Shqipëri përmes Portit të Durrësit, ku janë sekuestruar mbi 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë.

Operacioni policor, i koduar “Anchor 3”, u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

Gjatë kontrollit të detajuar të një kontejneri që kishte ardhur nga Brazili dhe që, sipas dokumentacionit, transportonte mish pule, policia zbuloi në kapakët e jashtëm të kontejnerit 37 paketime me lëndë të dyshuar narkotike.

Sasia totale e sekuestruar ishte 41 kilogramë e 350 gramë kokainë, ndërsa vlera e saj në treg, sipas autoriteteve, përllogaritet në rreth 2 milionë euro.

Sipas Policisë së Shtetit, ky është rasti i tretë i goditur brenda një muaji në Portin e Durrësit lidhur me tentativat për trafikimin e lëndëve narkotike.

Ndërkohë, strukturat hetimore vijojnë punën për dokumentimin e plotë të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të drogës, si dhe identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme./A.K/

Continue Reading

Lajmet

“Shame and Money”, filmi fitues në edicionin e 18-të të PriFest

Published

on

Çmimi për filmin më të mirë, “Vjosa Berisha Award” në edicionin e 18-të të PriFest I është ndarë filmit “Shame and Money” me regji të Visar Morinës.

Filmi, që trajton historinë e një çifti në të 40-at, i cili detyrohet të largohet nga shtëpia dhe ferma e tij në Kosovë pas një konflikti familjar, do të shfaqet më 23 shtator, në orën 18:30, në Kinema Millennium, në kuadër të Tirana Film Festival. “Shame and Money” sjell në qendër përpjekjen e çiftit për të nisur një jetë të re në Prishtinë, duke u përballur me presionin dhe realitetin e një shoqërie gjithnjë e më kapitaliste./A.K/

Continue Reading

Lajmet

Në përmbyllje të Javës së Gruas, bëhet thirrje për më shumë gra në pozita udhëheqëse

Published

on

By

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në përmbylljen e “Javës së Gruas”, një program që përgjatë muajve të fundit bëri bashkë përfaqësues nga institucionet, komunat, partitë politike, shoqëria civile dhe mediat.

Gjatë fjalës së saj Haxhiu,  vlerësoi lart kontributin e grave në të gjitha sferat e jetës, nga biznesi, kultura e sporti, e deri te shkenca dhe politika duke theksuar se puna dhe rezultatet e tyre tashmë flasin vetë.

Megjithatë, ajo ngriti shqetësimin për pabarazinë që ende ekziston në shoqëri, ku shumë grave u duhet të punojnë dyfish për të marrë të njëjtin vlerësim si burrat.

“Këtë pabarazi nuk duhet ta pranojmë si normale. Gratë duhet të vlerësohen për punën dhe aftësinë e tyre dhe të kenë të njëjtat mundësi për të marrë përgjegjësi e për të udhëhequr. Dua të shoh më shumë gra në krye të listave, në udhëheqjen e komunave, institucioneve e kompanive dhe kudo ku merren vendime”, u shpreh ajo.

Në përmbyllje, u përmend se përparimi i grave është drejtpërdrejt i lidhur me përparimin e të gjithë shoqërisë, pasi suksesi i një gruaje hap rrugën për ecjen përpara të të tjerave. /E.A/

 

Continue Reading

Të kërkuara